Të ftuar: Baton Haxhiu, Alfred Peza, Ergys Mertiri, Artan Hoxha, Flora Ndreca, Etien Xhafaj, Andel Trebicka, Belinda Balluku.

Kur do të fillojnë fluturimet në Rinas?

Ministrja Belinda Balluku në një lidhje me Opinion foli për masat që po merren për të rikthyer normalitetin në Aeroporin e Rinasit. Ajo tha se është ngritur një task forcë dhe se qeveria ka kontaktuar me bashkëpunëtorët kyç, megjithatë ministrja tha se në këtë moment nuk mund të jepte më shumë detaje.  

E pyetur nëse ekziston mundësia që në mungesë të kontrollorëve të saj, Shqipëria t’ia kalojë hapësirën ajrore një shteti fqinj, Balluku tha se problemi qëndron tek fakti se ulje-ngritjet në Rinas bëhen vetëm nga kulla e këtij aeroporti.

Çfarë po bëhet dhe kur do të fillojnë fluturimet?

Ne kemi ngritur një tast forcë, kemi kontaktuar disa nga bashkëpunëtorët tanë kyç. Unë kam informuar gjatë ditës së sotme edhe aleatët duke qenë se kemi një problematikë të madhe, sa i përket edhe të ushtrimit të NATO-s që do të zhvillohet më 26 Prill. Kështu që po marrim masat. Do më falni nuk do mundem ta ndaj me ju sesi po mitigohet kjo fazë.

Dikush më shkruan se në bazë të marrëveshjes së Çikagos, mund t’i kalojë hapësira ajrore shqiptare për menaxhim një shteti fqinj, është e mundshme?

Planet e kontigjencës përfshijnë edhe delegimin e hapësirës në vendet fqinje. Por më lejoni t’ju them diçka, që nuk është problemi i madh nuk qëndron tek hapësira e sipërme, pasi një pjesë e kontrollorëve janë në detyrë, pra mbikalimet edhe mund ta vazhdojnë operimet. Ulje-ngritjet në aeroportin e Rinasit, mund të kryhen vetëm nga Kulla e Rinasit dhe nga asnjë vend tjetër.

Kontrollori shpërthen në studio: Të kam mbajtur b*thën e sigurt në ajër, ti më thua ça je ti?

Një prej kontrollorëve të trafikut ajror, Andel Trebicka, është përfshirë në një debat me analistin Baton Haxhiu gjatë emisionit “Opinion”. Trebicka tha se ka 23 vjet që punon në këtë profesion dhe ka mbajtur avionë që janë rrëzuar, ato që kanë pasur emergjencë hidraulike, por edhe terrorizëm. Këtë stres ai deklaroi se e ka çuar tek familjarët në shtëpinë e tij. Në një moment, kontrollori iu drejtua Haxhiut dhe tha se “23 vjet që unë ta mbaj bythën tënde në ajër të sigurt e ti më del dhe më thua ça je ti”?

Ndërkohë nga ana tjetër, Haxhiu i bëri thirrje kontrollorit që të bëjë kujdes me fjalorin. Ai u shpreh se kontrollorët i kanë bërë shantazh shtetit me bllokimin e punës.

Andel Tebicka: Zoti Baton Haxhiu tha pak më parë kush janë këta. Unë them kush është ky Baton Haxhiu. E di kush jam unë? 23 vjet si Andel Trebicka këtu si kontrollor unë kam mbajtur këtu avionë që janë rrëzuar, avionë që kanë pasur emergjencë hidraulike, emergjencë në motor, kanë pasur terrorizëm në bord, kanë pasur lloj-lloj emergjence, 23 vjet i kam përballuar këtë dhe këtë stres e kam çuar në shtëpinë time dhe na del e na arrestoni të gjithëve. Ça jeni ju? Erdogani jeni ju që dilni e arrestoni njerëz? 23 vjet që unë ta mbaj bythën tënde në ajër të sigurt e ti më del dhe më thua ça je ti?

Baton Haxhiu: E para unë nuk merrem me nervozen tënde për arsye se nuk guxon në diskutim publik me fol asi fjalori. Atë bëje me kolegët e tu e jo në studio. Të kesh kujdes me fjalorin. E para e punës. E dyta unë nuk thashë që ju nuk duhet të protestoni e as të grevisni, por duhet një gradacion i grevës për arsye se ka raste plot në botë që e bëjnë por jo kështu në mënyrë radikale për arsye se ajo pjesa ku ju e ndërtoni rregullin e gjitha fluturimeve e ka një ndërgjegje njerëzore.

Andel Tebicka: Me të arrestuar ty një shok 23 vjet që e ke në krah ça do bësh ti?

Baton Haxhiu: E di sa njerëz arrestohen dhe protesta vazhdon zotëri? Nuk guxoni me lënë shtetin në mjegull. Nuk guxoni me fik dritat dhe fikja e dritave është shantazh. Ju duhet të vazhdoni grevën por edhe të punoni?

Andel Tebicka: Kjo s’ka logjikë?

Baton Haxhiu: Pse s’ka logjikë?

Andel Tebicka: E para nuk është grevë njëherë. 80% e kontrollorëve e kanë kaluar Covid-in aty në këmbë. Nuk ka marrë asnjë masë njeri, nuk është kujdesur njeri.

Baton Haxhiu: Në rregull, e para e punës, e rëndësishme do ishte që të prisnit dy javë dhe të mos e politizonit situatën. E dini se çfarë përgjegjësie po merrni. Po merrni të politizoni një çështje dhe një shoqëri. Duhet të prisnit dy javë ditë dhe jo të bënit këtë gjë. Kjo është e pandershme.

Andel Tebicka: Ma jep zgjidhje?

Baton Haxhiu: Rri me datë 26-27 vijmë dhe ne bashkohemi atje. Rrinë dhe disa prej jush vazhdojnë fluturimet. Kaq. 

“5 nga ne u ndjemë të stresuar, nuk u ndjemë mirë”, Fevziu-kontrollores: Sa kohë mund t’ju zgjasë stresi?

Flora Ndreca, kontrollore e trafikut ajror të AlbControl që prej vitit 2002, në një lidhje me emision “Opinion” solli anën e saj të historisë sa i takon situatës së krijuar aktualisht në Aeroportin e Rinasit. Ndreca fillimisht sqaroi se ata nuk janë në grevë urie, pasi kjo nuk u lejohet me Kod Pune, por po bëjnë paaftësi të përkohshme për shkak të gjendjes së stresit. Ajo tregoi më tej se shkak për situatën e krijuar paraditen e kësaj të mërkure kishte qenë fakti se kërkesa e 5 kontrollorëve për të marrë disa ditë pushimi për shkak të gjendjes së stresit dhe lodhjes nuk ishte pranuar nga eprorët e tyre që i kishin pushuar nga puna. Kjo sipas kontrollores kishte sjellë edhe solidarizimin e kolegëve të tjerë, që këtë të mërkurën vendosën të shpallin gjendje të paaftësisë së përkohshme duke paralizuar lëvizjen ajrore.

Ju keni vendosur sot, grevë apo thjeshtë nuk jeni paraqitur në detyrë?

Absolutisht nuk duhet të përdoret fjala grevë, sepse neve greva nuk na lejohet në bazë të Kodit të Punës. Ne po bëjmë paaftësi të përkohshme.

Ju, infermierët mjekët, punonjësi te bukës, punonjësit e ujit nuk mund të bëjnë grevë. Po çfarë ka ndodhur?

Jemi përpara faktit të paaftësisë së përkohshme, që do të thotë kontrollorët e trafikut ajror e ndjenjë veten të stresuar, nuk mund të sigurojmë që ne jemi në gjendje të ofrojmë një shërbim në gjendjen që jemi.

Po stresi sot ju zuri, 78 kontrollorë brenda ditës?

Jo ju lutem. Stresi jonë ka filluar që para një viti, ku ne jemi munduar të ulemi të bëjmë dialog social me kompaninë.

Ju keni të drejtën tuaj që i takon si kontrollor ajror, që nëse keni probleme shëndetësore edhe pa u konsultuar tek mjeku, nëse jeni të stresuar nëse nuk ndjeheni mirë, mund të mos paraqiteni në punë.

Jo unë mund të paraqitem në punë dhe të them nuk mundem të operoj, ulem, por nuk ulem në frekuencë, pra nuk ofroj shërbim, Skema e kompetencës e thotë shumë qartë, nëse unë ulem në gjendje të stresuar, nëse mua më mungon përqendrimi në kufje, para radarit, unë atëherë gjobitem me një gjobë prej afro 2 milionë të vjetra. Pra unë kam zbatuar ligjin dhe kolegët e mi të cilën ndjehen në të njëjtën gjendje.

Pra nuk jeni në grevë, thjeshtë ndiheni të stresuar. Sa mund t’ju zgjasë stresi?

Stresi në këto momente, ne vetëm po na shtohet, për këtë ju siguroj.

Domethënë sa më shumë shtohet stresi juaj, nuk fluturojnë dot njerëzit.

Jo nuk është ashtu.

Ju thatë që jeni të stresuar, 78 kontrollorë ajrorë që ka Shqipëria që duhet të punojnë me turne nga 14-15 veta mos gaboj, janë të gjithë në gjendje stresi dhe ulen të punojnë. Pra nuk është grevë.

Nuk është kështu realisht. Po ju shpjegoj çfarë ka ndodhur dje. Unë bashkë me stafin tim ishim 6 veta në turn bashkë me supervizorin që menaxhon turnin. 5 nga ne u ndjemë të stresuar, nuk u ndjemë mirë, të pagjumë dhe vendosëm ta mbanim trafikun deri në fund të ditës dhe në fund të turnit që përkonte me orën 2 të drekës të plotësonim formular që përmban skema e kompetencës ku ne jemi të paaftë për të vepruar përkohësisht.

Ngaqë ishit të stresuar.

Po. Unë personalisht kam kërkuar 3-4 ditë periudhë relaksi. Në momentin që mbaruam turnin, supervizori dorëzon këto formularë tek eprori jonë. Nisemi për në shtëpi, marrim telefonatë nga drejtori operacional, eprorët tanë na thonë kthehuni. Kthehemi dhe gjendemi para faktit të një le të themi zgjidhjes së kontratës së punës.

Si zgjidhje të kontratës së punës, pse?

Nuk kishte një arsye, personalisht refuzova ta firmos, duke qenë që nuk më dha një arsye përse. Kjo ishte një nga faktet.

Situata në Rinas, zv/ministri tregon si llogaritet rroga e kontrollorëve të trafikut ajror

Fluturimet në Aeroportin e Rinasit janë bllokuar pasi kontrollorët e trafikut ajror që punojnë për AlbControl kanë lënë punën. Zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Etien Xhafaj, shpjegoi këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” se si funksionon një kompani si ajo e AlbControl.

“Kompania në fakt funksionon me një sistem që përdor të gjitha fondet e veta. Fondet i merr nga tarifat që paguhen si për mbikalimet ashtu dhe ulje-ngritjet në aeroportin e Rinasit. Bazuar në skenarë që llogariten në Nëntor të çdo viti, EuroControl sjell tre skenarë parashikueshmërie të nivelit të trafikut dhe të fluksit të këtij trafiku, skenar konservativ, skenar mesatar dhe skenar shumë të mirë. Në bazë të kësaj llogaritet buxheti i kompanisë”.

Janë rreth 210 mijë fluturime në vit që kalojnë në hapësirën shqiptare, të cilët paguajnë tarifa. Këto tarifa sipas Xhafajt kalojnë për Albcontrol.

“Shkojnë të gjitha tarifat për AlbControl. AlbControl përdor të gjitha financat e tyre. I shkojnë AlbControl dhe në fund të vitit janë të transferueshme. Pra për planifikimin financiar të vitit pasardhës AlbControl merr parasysh se sa shpenzime ka përdorur në vitin e kaluar. Vlen të theksohet se diferenca e viti që po flasim, 2020 me vitin paraardhës, 2019 që ka qenë viti më i mirë në industrinë e aviacionit në Shqipëri është një diferencë me 57% më pak. Është niveli i vitit 2004 dhe sipas parashikimeve të EuroControl trafiku i vitit 2019 në skenarin më të mirë do të riarrihet në një periudhë mes 2024-2026”.

Zv/ministri tregoi edhe se si llogaritet rroga e kontrollorëve. Ai u shpreh se paga për kontrollorët nuk bëhet nga shteti.

“Rroga llogaritet në bazë të gjitha shpenzimeve. Ka një sistem të mirëbërë të planifikimit financiar që ka funksionuar deri në momentin e pandemisë. Nuk është rrogë shtetërore, por rrogë disa herë më e madhe se puna shtetërore, në bazë të punës që bëjnë dhe duke qenë se funksioni që bëjnë konsiderohet një nga funksionet jetike. Është një funksion që ka elementë të sigurisë kombëtare të përfshirë në të, të përmendura në disa nene”.

Paga e kontrollorëve të trafikut ajrorë në Shqipëri ishte 4400 dollarë, ndërkohë që është ulur në 2490 Dollarë. Trajnimi për kontrollorët e trafikut ajror shkon deri në 100 mijë dollarë./tvklan.al