Legalizimi i kanabisit, sqaron Rama: Jo për përdorim vetjak

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar se legalizimi i kanabisit mjekësor nuk do të jetë për përdorim personal.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Rama tha se legalizimi i kanabisit do të jetë vetëm për qëllime mjekësore dhe këtu do të ngrihet industri farmaceutike.

“Ka dy elementë legalizimi i kanabisit. Ka shumë vende që i kanë përfshirë të dyja ka bende që kanë përfshirë njërin element. Të dyja janë elementi i ligjërimit të përdorimit vetjak, pra nuk përbën krim dhe as shkelje që të përdorësh kanabisin për përdorim vetjak. Dhe elementi tjetër është legalizimi apo ligjërimi i përdorimit të kanabisit për arsye mjekësore. Sot në botë është një industri e tërë farmaceutike e cila bazohet mbi kanabisin dhe që prodhojnë ilaçe, kremra. Në rastin tonë është ky element, nuk është elementi i përdorimit vetjak. Është përdorimi për arsye mjekësore. Ngrihet një industri e re e kultivimit të kanabisit në kushtet komplet të tjera, janë kushte shumë strikte laboratorike survejimi. Sepse përndryshe nuk ta merr njeri dhe produkti shkon për eksport ose mund të përdoret këtu në rast se do ngrihet këtu, dhe ky është synimi, do ngrihet këtu industria e përpunimit. Këtu do kemi investitorë për të përpunuar kanabisin”.

Gazetari Blendi Fevziu solli shembullin e Maqedonisë ku është i legalizuar kanabisi mjekësor dhe tha se ky projekt në shtetin fqinj ka dështuar. Në këtë pikë, Kryeministri Rama tha se: “Në Maqedoni nuk është se ka qenë një dështim. Duke qenë se janë shumë vende që e kanë legalizuar kanabisin, ka rënë në mënyrë të ndjeshme vlera e lëndës bazë. Të eksportosh sot kanabis në gjendje të papërpunuar është si të eksportosh një produkt tjetër bujqësor në pikëpamje të vlerës. Është e rëndësishme se si kultivohet dhe çfarë cilësie ka produkti bazë për ta eksportuar”. 

Rama: Shqipërinë në NATO e anëtarësuan SHBA, jo PD-ja

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryeministri i vendit Edi Rama është shprehur se Shqipërinë në NATO nuk e anëtarësoi PD-ja, por SHBA.

Po ashtu, Rama tha se ne jemi ende tek pragu i derës së BE sepse Bashkimi Evropian nuk e bën një hap me natyrë strategjike, por ka një hap që është strategji.

Edi Rama: Që të jemi të qartë fare, Shqipërinë në NATO nuk e anëtarësoi Partia Demokratike sepse këto janë disa mite shumë qesharake. Shqipërinë në NATO e anëtarësuan SHBA, e morën dhe e futën me forcë në NATO për të gjitha ato arsye që i dijmë.

Blendi Fevziu: Po tani pse nuk të marrin me forcë dhe të fusin në BE?

Edi Rama: Këto janë çështje që janë shumë të qarta. Absolutisht për të njëjtën arsye. Për të njëjtën arsye që në atë kohë SHBA vendosën që të bëjnë një hap në natyrë strategjike, për të njëjtën arsye, ne jemi ende tek pragu i derës i BE sepse BE nuk e bën një hap me natyrë strategjike, por ka një hap që nuk është strategji. Kur vijmë në këtë pikë, nuk është më e rëndësishme se çfarë ke bërë dhe sa e meriton ti, është e rëndësishme se sa duan ata që ti të jesh pjesë e familjes së tyre.

“Si ndihesh kur shokët e tu janë në burg”? Rama: Ministrat i zgjodha unë, karriget t’i mbajnë vetë

Në emisionin “Opinion”, kryeministri Edi Rama është pyetur nga Blendi Fevziu përsa i përket aferës së inceneratorëve.

Rama është shprehur se është përgjegjësia morale e secilit  prej tyre, të cilët do të përballen me drejtësinë.

Blendi Fevziu: Si ndihesh kur shokët e tu janë në burg, a je ti që i ke marrë në qafë ata që janë në burg?

Edi Rama: Gjërat janë të ndara, raportet personale janë një gjë dhe raporti i punës nga njëra anë me raportin e secilit me ligjin, janë një gjë tjetër.

Blendi Fevziu: Ju keni ditur gjë në këtë moment Z. Rama? (shfaqet videoja e Ramës me Kokën) Në rastin konkret jemi me Lefter Kokën, po pini një gotë verë. Ju a nuk keni asnjë përgjegjësi personale?

Edi Rama: Në rast se ti bën diçka të papritur dhe të pakonsultuar me babain tënd, babai yt a ka përgjegjësi për ty?!

Blendi Fevziu: Jo, patjetër. Kjo video është e fushatës së 2021, a e kishit pyetur a kishte ndonjë të vërtetë mes të gjithë atyre akuzave?

Edi Rama: Po, e kam pyetur veten.

Blendi Fevziu: Dhe si ishte përgjigjia që i dhatë vetes?

Edi Rama: Jo, nuk kishte.

Blendi Fevziu: A e dinit ju që deputetët tuaj, për shembull Z.Bllako kishte shpenzuar shuma marramendëse në fushatë, gjë që është verifikuar dhe nga gazetarët. (Shkrimi i Babaramos)

Edi Rama: Ti kërkon tani nga unë që të marr seriozisht nga unë atë shkrim?!  Ai mund të jetë një fejton komik, por nuk bazhohet mbi fakte. E di sa shkrime ka pasur për mua që jam shefi i Kozanostrës, vërtetohet duke nxjerrë provat ai që i thotë.

Blendi Fevziu: Si erdhi Bllako në listën e deputetëve?

Edi Rama: Ne të jemi të qartë në një gjë, unë me Kokën kam bashkëpunuar në mënyrë të shkëlqyer, ka qenë në mandatin e parë të LSI bashkë me Bllakon, kam bashkëpunuar shkëlqyeshëm përsa i përket punës së përbashkët. Koka akuzohet për vepra që nuk i përkasin procesit në vetvete por një marrëdhënie korruptive me subjektet ku individi cilido qoftë, larg qoftë kryeministër, futet vetë apo me shokë por me mua kjo nuk bën vaki. Unë jam shumë i qartë qëkur i jap mandatin për t’u ulur në një karrige. Unë ju them në atë karrige jeni ulur dhe do ta mbani vetë dhe për çdo gjë që ju do të bëni pas shpinës së gjithë këtij grupi këtu dhe time.

Blendi Fevziu: Po përgjegjësi morale a merrni?

Edi Rama: Përgjegjësia ime morale karshi këtyre njerëzve është se kur unë ju them që në këtë vend do të ketë drejtësi dhe kujt i rrëshqet këmba dhe do të identifikohet si njeri që i ka rrëshqitur këmba. Përgjegjësinë morale, marrjen përsipër të shfrytëzimit të postit për të marrë lekë, individët duhen ta paguajnë individualisht.

Blendi Fevziu: Mban përgjegjësi për atë që ndodh në qeveri, për inceneratorët?

Edi Rama: Me Alqi Bllakon unë kam pasur një marrëdhënie jo aq sistematike sa me Kokën, por është një person që përsa i përket punës së dukshme të punës nuk ka të sharë. Nëse i ka bërë ato që thotë, do flasë hetimi.  Këtë çështje e heton SPAK.

Rama i kthen kurrizin Fevziut dhe flet me publikun: Si keni qenë? I keni marrë Lekët?

Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, i ka kthyer shpinën gazetarit Blendi Fevziu teksa ky i fundit ngrinte problematikat dhe pikëpyetjet për inceneratorët, vepra për të cilat SPAK ka arrestuar deri më tani ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj Ministrie dhe ish-deputetin e PS Alqi Bllako, si dhe disa persona të tjerë.

Kryeministri nuk ka preferuar të dëgjojë drejtuesin e emisionit për inceneratorët dhe ka shmangur përgjigjen për këtë çështje, duke u ngritur nga tavolina dhe ka takuar publikun në studion e Opinion.

Rama: Ç’a është kjo që bën?

Fevziu: Më lër t’i them këto gjëra që kam, ta shpjegoj pse.

Rama: Dakord.

Fevziu: Ktheve kurrizin, vazhdoj unë flas…

Rama: Nuk e vazhdoj.

Fevziu: Sot në Sharrë nuk incenerohen plehra, vetëm kapsulohen…

Rama: Propagandë…

Fevziu: Sipas letrës së kompanisë, kostoja e fitimit…

Rama: Mirë, ç’a bëtë?

Do negociojë me Berishën për Presidentin? Rama: Nuk flasim me botën tjetër

Kryeministri Edi Rama thotë se Partia Socialiste nuk do të negociojë me Sali Berishën për Presidentin e ri të Republikës.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Rama e konsideroi Berishën me termin “bota tjetër” dhe deklaroi se me “botën tjetër” nuk do të negociojnë.

I pyetur nga Blendi Fevziu se cilin njeh për kryetar të Partisë Demokratike, Kryeministri Rama tha se PD-ja nuk ka një drejtues por një komision.

Blendi Fevziu: Z.Edi Rama, kryetar i PS dhe Kryeministër i Shqipërisë, kë njihni ju për drejtues të PD?

Kryeministri Rama: Ku ka drejtues PD.

Blendi Fevziu: Kë njihni ju zyrtarisht?

Kryeministri Rama: Kë të njoh? Ku ta gjej?

Blendi Fevziu: Ka një vendim gjykate si nuk ka…

Kryeministri Rama: Ku ka drejtues PD…

Blendi Fevziu: S’ka?

Kryeministri Rama: Po kush është, ma thuaj?

Blendi Fevziu: Sipas regjimistrit të gjykatës, është Komisioni i Rithemelimit.

Kryeministri Rama: Po mirë ai s’është drejtues, është komision.

Blendi Fevziu: Zyrtarisht kë njihni ju nga Partia Demokratike?

Kryeministri Rama: Po kë pra, hë ma thuaj ti kush është?

Blendi Fevziu: Ore me kë do negocioni ju për presidentin?

Kryeministri Rama: Me copa dhe me çika që janë aty. Me botën tjetër nuk shkojmë ne për të kërkuar…

Blendi Fevziu: Nuk do negocioni me Berishën?

Kryeministri Rama: Ky është bota tjetër, është përfaqësues i botës tjetër. Parlamenti shqiptar e bëri dhe këtë. Kemi përfaqësues nga Tropoja, nga Gjirokastra, Durrësi, Saranda, nga Fieri kemi dhe një përfaqësues nga bota tjetër. Ai është një i zyrtarizuar nga bota tjetër.

Blendi Fevziu: Nuk të shkon të jesh cinik.

Kryeministri Rama: Çfarë nuk më shkon?

Blendi Fevziu: Po nuk të shkon.

“84 vota për amnistinë fiskale”, Rama: Do t’i gjejmë në Parlament, nuk negociojmë me botën tjetër

Në “Opinion”, kryeministri i vendit Edi Rama është shprehur se do të bëhet amnistia fiskale.

I pyetur nga Blendi Fevziu se ku do t’i gjejnë 84 vota për miratimin e amnistisë fiskale, Rama ka thënë se do t’i gjejnë në Parlament, por ka shtuar se nuk do të negociojnë me PD-në.

Blendi Fevziu: Do ta bëni amnistinë fiskale?

Edi Rama: Do ta bëjmë sepse siç e patë është edhe dëshira e një shumice të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Blendi Fevziu: Por keni Komunitetin Ndërkombëtar kundër.

Edi Rama: E para, nuk është Komuniteti Ndërkombëtar që do të ndërtojë Shqipërinë. Marrëdhëniet tona me Komunitetin Ndërkombëtar janë marrëdhënie të një interesi reciprok dhe janë marrëdhënie partneriteti. Ka ikur koha e Shqipërisë vasale. E kishim kohën e botës tjetër, tani nuk është më vasale Shqipëria. Ne jemi në partneritet.

Blendi Fevziu: Po nëse ata thonë “Jo”, ju nuk do i pyesni ?

Edi Rama: Ne këtu jemi në vendin tonë dhe kemi të drejtën që paratë e punës së gjithë këtyre njerëzve.

Blendi Fevziu: A e dini që për amnistinë fiskale duhen 84 vota?

Edi Rama: SPAK-u që e shikoni sot dhe drejtësia do të zhvillohet dhe do të shtrohet dhe do të vijë që do të shkojnë tek këto kullat: Nga erdhi, nga doli?! Të gjitha këto tani duhet të jenë në letra, nuk mund të vazhdojë Shqipëria të punojë me treçerekun poshtë.

Blendi Fevziu: Ju duhen 84 vota.

Edi Rama: Do t’i gjejmë.

Blendi Fevziu: Ku?

Edi Rama:  Në parlament.

Blendi Fevziu: Do të negocioni me PD-në?

Edi Rama: Me botën tjetër ne nuk bëjmë asnjë negociatë, ka plot atje në anën tjetër, ka copa dhe çika…

Blendi Fevziu: Domethënë do të blini deputetë?

Edi Rama: Jo, pse çfarë do të thotë do të blini?

Blendi Fevziu: Blini në kuptimin politik të fjalës.

Edi Rama: Jo, do të ndajmë një interes kombëtar.

Si përgjigjet Rama kur dëgjon që e krahasojnë me Zeusin?

I ftuar në studion e Opinion në Tv Klan, Kryeministrit Edi Rama iu nxorr video e një interviste e disa viteve më parë e Edona Bilalit, e cila aktualisht është ministre e Shtetit për Sipërmarrjen, ku Ramën e krahasonte me Zeusin.

Lidhur me këtë deklaratë të saj, Rama tha se kjo është një intervistë e shumë viteve më parë dhe që nuk është kuptuar.

“Kjo intervistë është dhënë shumë vite më parë. Dhe ajo është një intervistë ironike nga fillimi në fund. Atë intervistë e ka dhënë shumë vite më parë. Edhe ajo intervistë është e tëra ironike. Unë Edona Bilani kam kërkuar ta njoh se ishte një person kritik, ironik, cinike me mua dhe njëkohësisht kam dëgjuar shumë fjalë të mira për të. Ç’ka e bën këtë gjë kaq qesharake, të rëndë, është fakti që ka shumë injorancë nëpër rrjete. Detyra të paktën e jotja është që minimumi mos bëni gjëra të tilla”.

Blendi Fevziu i nxorri Kryeministrit edhe një deklaratë të Milva Ikonomit, e cila kohë më parë është shprehur se emri i Edi Ramës është brend kombëtar. Për këtë pohim të saj, Kryeministri Rama u përgjigj: “Sa për bredin ti mos ji xheloz. Në eksportin e një Shqipërie dinjitoze, Kryeministri i të cilës i sheh të gjithë në sy, e shohin të gjithë në sy dhe nuk guxon njeri ta trajtojë si vasal, po jam. Sepse e kam thënë që ditën e parë, le të jetë kush të dojë përballë, unë jam Kryeministri i një vendi të vogël jo pse jam i gjatë por nuk e pranoj kurrë që Shqipëria të mos respektohet. Dhe kjo është arsye pse të gjithë ata rreth e rrotull i kam miq”. /tvklan.al