Të ftuar: Klodiana Lala, Artan Hoxha, Ermal Vija, Etleva Delia, Poli Hoxha

“Pinte birra me të vrarën në shtëpi, dilte dhe thoshte që e kam vrarë motrën…” Detaje rrëqethëse nga vrasja në Shkodër

Gazetarja Etleva Delia zbuloi të tjera detaje të rënda nga ngjarja që tronditi një mbrëmjen e së dielës Shkodrën, atje ku policia zbuloi vrasjen e Diana Vukajt nga dora e vëllait të saj Fabian Vukaj. Sipas gazetares, 58-vjeçarja dyshohet se u vra më datë 4 e gjatë kësaj kohe, vëllai bënte një jetë normale, dilte luante bilardo e konsumonte alkool. 55-vjeçari dyshohet se e vrau të motrën e cila jetonte në Gjermani, pasi ajo kishte porositur mobilie për shtëpinë në Shkodër dhe atë në Velipojë, që siç tregon gazetarja, përdoreshin nga vëllai i saj, sepse vetë Diana jetonte në Gjermani. Mirëpo duke qenë një njeri i alkoolizuar dhe bixhozçi, ai i donte paratë në dorë dhe duket se në sherr e sipër e qëlloi të motrën për vdekje. Deliu tha në “Opinion” se fillimisht kishin qenë punonjësit e mobilierisë, të cilët e telefonin gruan për t’i thënë se porosia ishte gati, por në telefon u dilte vëllai i saj që u thoshte të mos telefononin kot, se nuk ajo nuk do t’u përgjigjej. Madje sipas gazetares, 55-vjeçari u kishte thënë edhe të tjerëve se e kishte vrarë të motrën, por duke qenë se njihej si konsumues alkooli, nuk e kishin besuar…

Etleva Delia: Ajo u kthye për pushime, erdhi tek vëllai që e mbante, i çonte lekë çdo muaj, nga 300 euro në muaj për t’u ushqyer, sepse vetë ishte i papunë. Ai vetëm pinte, luante bixhoz. Madje kohët e fundit kishte porositur edhe mobili e që t’i mobilonte shtëpinë ku rrinte vëllai. Për ato paratë e mobilieve ka nisur e gjitha, sepse i donte vetë… i donte kesh.

Blendi Fevziu: Paratë ajo i kishte për të mobiluar shtëpinë e vëllait, jo të sajën në Velipojë?

Etleva Delia: Vëllai e përdorte edhe shtëpinë në Velipojë edhe këtë në Shkodër, sepse ajo ikte në Gjermani, jetonte atje. Kishte një shtëpi pushimi që e kishte marrë në Velipojë, që sigurisht do të shkonte dhe vëllai që do jetonte atje dhe kishte shtëpinë ku jetonte vëllai vetëm, beqar, që donte paratë kesh që t’i konsumonte alkool ose të luante bixhoz, sepse këto dy gjëra bënte. Ajo kishte porositur mobilie në një kompani në Shkodër dhe ata merrnin… madje kështu ka filluar dyshimet, ata telefononin për të thënë që porosia ishte gati dhe ky që u thoshte mos telefononi kot se nuk do ju përgjigjet.

Blendi Fevziu: I thoshte që nuk do ju përgjigjet?

Etleva Delia: Po, dhe në fshat dilte dhe thoshe që e kam vrarë, e kam në shtëpi motrën, por nuk e besonin sepse ishte njeri që pinte.

Blendi Fevziu: Dilte në fshat dhe thoshte e kam vrarë motrën dhe e kam në shtëpi?

Etleva Delia: Po e ka thënë, deri në momentin që shoqja e viktimës është shqetësuar dhe ka filluar që të interesohet se ku është sepse nuk i përgjigjej as në telefon dhe në këtë moment është dyshuar, ka ardhur policia…

Blendi Fevziu: E ka qëlluar me armë me silenciator apo jo? Po ç’donte arma me silenciator në shtëpinë e këtij?

Etleva Delia: Po në Shkodër çfarë nuk ka… Aty janë gjetur 17 bidonë birre, që janë 1 litërsh e gjysmë, nuk e di se përsa kohë mund t’i ketë pirë ky ato. Ose i ka pirë të gjitha atë ditë që ka bërë krimin, apo i ka pirë në vazhdimësi dhe me motrën e vdekur aty…

Blendi Fevziu: E mbante në shtëpi motrën e vdekur?

Poli Hoxha: Dilte lozte dhe bilardo…vazhdonte jetën normal, flinte në shtëpi.

Etleva Delia: Dyshohet që ajo është vrarë më datë 4.

Blendi Fevziu: Dhe ajo u gjet më datë 6… e tmerrshme! Domethënë një jetë normale me të vdekurin në shtëpi. Po ky është problem psikik pastaj.

“Vlora nuk ka për të gjetur qetësi, sepse është prishur balanca”

Në 5 muaj, në vendin tonë kanë ndodhur të paktën 27 vrasje… Një prej qyteteve që ka përjetuar më shumë ngjarje të tilla kriminale është Vlora. E kur vjen puna tek ky qytet, gazetarët duket se bien dakord se jemi larg qetësisë. Në studion e “Opinion” gazetari Poli Hoxha tha se ka dy vjet që në këtë qytet janë prishur balancat, ndaj dhe Vlora nuk ka për të gjetur qetësi.

Poli Hoxha: Vlora nuk ka për të gjetur qetësi nga informacionet që kam unë, sepse është prishur balanca, ka 2 vjet që është prishur.

Blendi Fevziu: Se qyteti jetonte me balancë ë…

Poli Hoxha: Që pas vrasjes së Edison Harizajt, në 2018-n në Durrës…

Blendi Fevziu: Ai i prishi balancat?

Poli Hoxha: Po po, atje janë prishur të gjitha balancat.

Ermal Vija: Ndodhën një zinxhir vrasjesh, që nga vrasja e Harizajt

Një emër i njohur për policinë dhe i konsideruar si person me influencë në Vlorë, Edison Harizaj u vra në një atentat mafioz në qytetin e Durrësit, në Nëntor të 2018-s. Ai u ekzekutua së bashku me një tjetër person, gjatë kohës që udhëtonte me makinë. Në atë kohë, hetuesit dyshonin se vrasja e tij erdhi si pasojë e përplasjeve mes grupeve rivale për territor në qytetin e Vlorës./tvklan.al