“Është kërkesa e Trump, pranojeni”, Zv/Kryeministri i Kosovës tregon prapaskenat në Shtëpinë e Bardhë

Pjesëmarrja në Minishengenin Ballkanik është një pikat e marrëveshjes së nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.

Zv/Kryeministri i Kosovës Driton Selmanaj, në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka treguar se cilat kanë qenë bisedimet për këtë çështje, për të cilën Kosova kishte refuzuar të ishte pjesë e Minishengenit Ballkanik, ku bën pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbisë.

Selmanaj u shpreh se pjesëmarrja në Minishengenin Ballkanik ka qenë kërkesë e vetë Presidentit amerikan Donald Trump.

“Kur ne kemi shprehur rezervat tona kemi thënë është e papranueshme të bëhemi pjesë e një projekti sepse rruga jonë është e qartë, është Bashkimi Europian. Na është thënë që çështja e minishengenit është kërkesë e Presidentit Trump. Ju lutem që këta ta pranoni, dhe këtë e pranuam kështu”.

Një tjetër pikë e marrëveshjes është vendimi që Kosova të mos aplikojë për 1 vit për t’u anëtarësuar në organizmat ndërkombëtare, ndërsa Serbia do të ndalojë për 1 vit fushatën për çnjohjen e Pavarësisë së Kosovës. Zv/Kryeministri kosovar ka dhënë sqarimet e nevojshme përse u pranua kjo pikë në marrëveshjes.

“Pika e dytë ka qenë rezerva që a duhet Kosova të ketë moratorium për mos anëtarësim në organizma ndërkombëtarë. Kemi vlerësuar që më shumë i bëjmë dëm shtetit të Kosovës nëse aplikojmë dhe nuk pranohemi”. 

Baton Haxhiu: Pjesëmarrja e Kosovës në marrëveshje, një show në Shtëpinë e Bardhë

Mbrëmjen e sotme emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka nisur sezonin e ri. Gazetari Blendi Fevziu e startoi puntatën e parë me temën “Marrëveshja Kosovë-Serbi”.

I ftuar në studio ka qenë edhe gazetari Baton Haxhiu i cili është shprehur se kjo marrëveshje e nënshkruar nuk ka peshë implimentuese. Gjithashtu tre nga pikat e kësaj marrëveshje kanë qenë pjesë edhe e disa marrëveshjeve të tjera europiane.

Haxhiu shprehet se nëse Kosova nuk do merrte pjesë në këtë marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, do ishte një gabim historik, por edhe pjesëmarrja e saj ishte një show në Shtëpinë Bardhë për një marrëveshje që nuk sjell asnjë gjë në implementimin e saj.

Blendi Fevziu: Baton si e sheh marrëveshjen në tërësi dhe kush janë pikat e forta dhe të dobta?

Baton Haxhiu: Në këtë marrëveshje nuk ka as pika të dobëta, as të forta sepse përveç tre pikave që janë në marrëveshje, kanë qenë brenda disa marrëveshjeve që kanë qenë europiane. Ajo që është negociuar edhe nga Presidenti Hashim Thaçi pika e cila ka të bëjë me Izraelin ka qenë shumë e diskutueshme që një vit e gjysmë më herët, gjatë negociatave për arsye se Turqia edhe atëherë ka qenë kundër vendosjes së ambasadës dhe për faktin që Kosova insistonte që të konkuronte për Interpol, atëherë ka qenë një tërheqje nga kjo.

Asnjë marrëveshje e nënshkruar nuk ka peshën implimentuese e para. E dyta, për arsye se të gjitha këto janë në dokumentet europiane. Po të mos kishte marrë pjesë Kosova do të bënte gabimin e madh historik për shkak të prezencës në Shtëpinë e Bardhë, por gjithashtu edhe pjesëmarrja e saj në Shtëpinë e Bardhë në këtë marrëveshje, përveçse një show në Shtëpinë e Bardhë, për marrëveshjen nuk sjell asnjë gjë në implementimin e saj. Unë besoj se e gjitha kjo do të mbartet në Bruksel. Ky është momenti i fundit që SHBA do të angazhohet për Kosovën në të ardhmen. 

Baton Haxhiu: I thonë Kryeministër “koti”, por nuk është i tillë

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti mori pjesë pak ditë më parë në takimin në Shtëpinë e Bardhë në SHBA ku u nënshkrua marrëveshja ekonomike me Serbinë. Kjo marrëveshje e nënshkruar mes Kryeministrit kosovar Avdullah Hoti dhe Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, u bë me ndërmjetësimin dhe praninë e Presidentit amerikan Donald Trump.

Analisti nga Kosova, Baton Haxhiu, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, është shprehur se Avdullah Hoti, që vjen nga radhët e LDK-së, nuk është rastësisht në postin e Kryeministrit.

Madje, ai e ka vlerësuar figurën e Kryeministrit Hoti, për të cilin thotë se ka një perceptim të gabuar në publik, por që në fakt është e kundërta.

“Është personalitet i fortë, edhe pse duket se ka një butësi. Thonë Kryeministër koti, por nuk është i tillë. Në këtë studio kam thënë mbajeni mend këtë djalë me çantë në dorë që nuk është i rastësishëm aty”.

Duke komentuar mbi marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë, pjesë e të cilës ishte edhe njohja e Kosovës nga Izraeli, Haxhiu theksoi se Presidenti Donald Trump këtë e ka bërë për interesat e SHBA-së.

“Trump nuk e bëri njohjen e Izralit për shkak të Kosovës dhe Serbisë, atij i duhej një shtet mysliman që ta njohë dhe ta bëjë ndryshimin në Lindjen e Mesme. Ai nuk do ta bënte kurrë po mos të ishte ambasada në Jeruzalem. Po bën presion në vendet e vogla se në vendet e mëdha s’ka mundësi”.

Idro Seferi: Opozita e Serbisë e konsideron marrëveshjen si të dëmshme

Në emisionin“Opinion” në Tv Klan, mbrëmjen e sotme është trajtuar tema e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Në një lidhje direkte me studion e “Opinion”, gazetari i Tv Klan Idro Seferi në Serbi, ka treguar se si është pritur kjo marrëveshje në Beograd.

Blendi Fevziu: Idro cili ka qenë reagimi i Beogradit për marrëveshjen?

Idro Seferi: Është parë si një marrëveshje e çuditshme e cila përbëhet nga tre elemente të ndryshme pra përveç asaj të Kosovës dhe Serbisë, çështjeve që mund të jenë politike, përmban edhe këto që diskutuat deri më tani, pra sidomos pjesët e ndjeshme me Izraelin, por edhe çështja e Hezbollahut dhe gjëra të ndryshme të tjera shihen si problematike në politikën e jashtme të Serbisë. Përgjithësisht Vuçiç është përkujdesur që kjo të jetë një marrëveshje e cila shihet si pozitive për shkak se shumë zyrtarë të lartë shtetërorë dhe politikë, kanë reaguar pozitivisht menjëherë pas firmosjes së saj, por nuk është pritur si befasi sepse nuk ka patur se për çfarë të befasohen palët që si duket e kanë ditur se çfarë do të firmoset.

Blendi Fevziu: Po thoni që në Beograd ka një lloj mikpritje për marrëveshjen?

Idro Seferi: Patjetër për shkak se Vuçiç ka shumicën absolute këtu. Opozita në Serbi, e ka konsideruar marrëveshjen si të dëmshme. Pikat që opozita në Serbi i ka parë si problematike janë dhe kanë të bëjnë kryesisht me situatën që përfshin pjesën ku Kosova është përmendur si Republika e Kosovës dhe këto dokumente janë firmosur nga zyrtarët e Serbisë, por nga ana tjetër shihen si problematike edhe pjesët që sipas tyre, Vuçiç nuk ka arritur të negociojë, por thjesht ka pranuar se çfarë kanë paraqitur amerikanët. Gjithashtu në Serbi shihet si problematike pjesa që ka ngacmuar Turqinë dhe Rusinë sidomos me faktin që dënimin e Hezbollahut, Serbia bëhet bashkëpjesëmarrëse në këtë çështje dhe jo vetëm si vëzhguese. /tvklan.al