Të ftuar sonte në orën 22:00 në Opinion; Agim Nesho, Avenir Peka, Denalda Kuzumi, Denis Deliu; Në lidhje direkte nga VOA, Keida Kostreci dhe në lidhje direkte nga DW, Lindita Arapi

“Për 1 javë qëndrova i fshehur”, i riu afgan rrëfen si u arratis pas pushtimit nga talebanët

Unë jam Abdul Wasey. Jam 33 vjeç, dhe kam ardhur nga Kabuli. Atje drejtoja një studio animacioni. Isha një prej themeluesve dhe drejtori artistik.”

Abdul Wasey po shijonte jetën në kryeqytetin afgan si një sipërmarrës i ri dhe i suksesshëm. Dalëngadalë, ai po ndërtonte të ardhmen së bashku me bashkëshorten, Sana, deri në momentin që siguria për jetën e tij nuk ishte më e garantuar.

“Në vitin 2013 punoja në një kompani që bashkëpunonte me ushtrinë amerikane. Kjo u kthye në një kërcënim të madh për mua. Çdokush që kishte punuar me të huajt, veçanërisht me ushtrinë amerikane, ishin në rrezik për tu persekutuar nga talebanët.”

Jeta e Abdul ndryshoi drastikisht pas 14 Gushtit. Për t’i mbijetuar realitetit të ri, ai u detyrua të marrë masa që nuk i kishte menduar ndonjëherë më parë.

“Për rreth 1 javë qëndrova i fshehur. Disa ditë isha me gjyshen time, më pas shkova te disa familjarë që banonin pranë aeroportit”. 

Ndërsa shqetësohej për sigurinë e bashkëshortes dhe të tijën, një fije shprese u ndez.

“Morëm një telefonatë gjatë kohës që ishim fshehur. Na thanë se një autobus po na priste në një karburant dhe duhet të shkonim menjëherë. Nuk kishim aspak kohë për t’u bërë gati. Morëm disa rroba dhe shkuam te autobusi, për të cilin na thanë që kishte leje të lëvizte brenda aeroportit. Kur shkuam atje pamë se ishin 6 autobusë të tjerë në radhë. Kemi pritur 27 orë. Shkuam te një nga terminalet e aeroportit por nuk na lanë të futeshim. Talebanët e kishin marrë nën kontroll. Pritëm aty 11-12 orë, deri sa erdhi mesnata. Talebanët erdhën, filluan të qëllojnë me armë dhe na thanë të gjithëve të largoheshim. Shkuam në një vend tjetër. Një grup njerëzish që po koordinonte operacionin folën me disa persona nga terminali që ishte ende nën kontrollin e amerikanëve. Kur mbërritëm atje pritëm mbi 10 orë të tjera deri sa morëm leje për të hyrë në avion.

Buzëqeshja i kthehet kur kujton se sa e bukur ishte jeta e tij përpara se talebanët të merrnin në dorë pushtetin. Edhe pse kanë kaluar vetëm disa ditë, Abdulit i duket një realitet shumë i largët.

“Kisha hapur studion time të animacionit dhe dizajnit së bashku me disa të tjerë. Filluam biznesin në fund të 2018. Për shkak të pandemisë patëm disa ditë të vështira, por në fillim të 2021 na erdhën klientë të mirë, po kapnim projekte të reja. Kjo ishte edhe arsyeja që për një kohë të gjatë nuk e pranoja dot faktin që duhet të largohesha nga vendi im, edhe pse patëm paralajmërime. Na thonin që talebanët do të vijnë, por ne kishim punuar aq fort dhe biznesi po ecte shkëlqyeshëm. Donim që kompania jote të bëhej e njohur jo vetëm në Afganistan, por në të gjithë rajonin. Më pas, 15 Gushti erdhi. Çdo gjë u kolapsua dhe u detyrova të pranoj realitetin e ri që kjo ëndërr do mbetej përgjysmë.”

Abdul tregon që kjo ishte një nga momentet më tragjike të jetës së tij. Atij nuk i kishte shkuar kurrë mendja që situata do të përshkallëzohej kaq shpejt, dhe se investimi që kishte bërë për biznesin do t’i zhvlerësohej në këtë mënyrë.

Keni lënë familje pas?

Po, kushërinjtë e mi janë atje, disa xhaxhallarë dhe pothuaj i gjithë rrethi i gjerë familjar.

Komunikoni me ta?

Po, flasim herë pas here.

Çfarë thonë, si e përshkruajnë situatën?

Janë të shokuar. Po përpiqen të pranojnë realitetin. Disa prej tyre kanë bërë valixhet gati. Duan të largohen nga vendi, por situata në aeroport është shumë rrëmujë. Nëse vihet rend në aeroport mund të jenë në gjendje të largohen. Ndërsa të tjerët që nuk e kanë këtë mundësi, janë thjesht në pritje që të ndodhë diçka.

Ditët në Shqipëri, Abdul dhe bashkëshortja e tij Sana i kalojnë duke menduar për të ardhmen. Megjithëse ai nuk ka një vizion të qartë, shpreson të rindërtojë jetën në SHBA, Angli ose Kanada.

“Tani që jemi këtu po mundohemi të rregullojmë dokumentet. Shpresoj që aftësitë që kam t’i vë në përdorim, të gjej treg dhe të vazhdoj atë që kisha nisur më parë. Megjithatë ka shumë paqartësi. Nuk mund ta them çdo të ndodhë.”

Gruaja që i shpëtoi 2 herë talebanëve

“Emri im është Ghizaal Haress. Jam nga Kabuli. Jam 40 vjeç dhe jam avokate.”

Ghizaal Haress është një grua e shoqërisë afgane që gjatë jetës së saj i ka ikur 2 herë regjimit talebanez. Kështu i kujton ajo ditët përpara se të hipte në avionin e evakuimit afro dy javë më parë.

“Ishte shumë interesante dhe tragjike po ashtu sepse gjërat ndodhën shumë shpejt. Ishte e vështirë të kuptoje çfarë po ndodhte apo të ruaje sensin e kohës. Mbaj mend në 12 Gusht po flisnim se si po avanconin talebanët drejt Kabulit. Dhe po mendonim për alternativa, ç’duhet të bëjmë në rast se avancojnë më shumë. Më 15 Gusht ata hynë në Kabul.

Profili i saj publik, i një gruaje që ishte shkolluar në perëndim dhe kishte mbajtur pozicione të larta qeveritare vuri në rrezik jetën e saj dhe të familjes.

“Gjëja e parë që bëra për shkak të profilit tim, punës në qeveri dhe me fondacionin ‘Shoqëria e Hapur’ ishte të largohesha nga shtëpia bashkë me familjen dhe kolegët, drejt një vendi të sigurt. Për rreth një javë kam qëndruar e fshehtë. Fondacioni ku punoj arriti të na largojë prej aty. Shkuam në Abu Dhabi për 1 javë dhe më pas erdhëm në Shqipëri.”

A e prisje që pas 20 vjetësh talebanët do të merrnin në dorë pushtetin kaq shpejt dhe kaq thjeshtë?

“Aspak. Kur ndodhi e patëm të vështirë ta besonim. Unë isha refugjate në vitin 1992 kur isha vetëm 12 vjeç. U largova nga Afganistani në të njëjtën mënyrë. Kur u kthyem në vitin 2002 gjërat kishin ndryshuar. Kishim Kushtetutë, qeveri të re, Parlament dhe President të zgjedhur. Gratë mund të shijonin të drejtat e tyre, mund të shkonin në shkollë ose të punonin. Unë isha një nga ato që shkova në universitet pasi talebanët humbën. Fitova edhe një bursë që të kryeja studimet për Master jashtë vendit. Ishin ndryshime thelbësore ato mes regjimit të talebanëve në vitet ‘90 dhe atë të qeverisë pas 2001. Që t’i humbnin të gjitha këto të drejta brenda natës ishte e paimagjinueshme. Megjithatë ndryshimet filluan kur amerikanët nënshkruan marrëveshjen e paqes me talebanët duke përjashtuar qeverinë afgane. Kjo i dha shumë fuqi atyre në nivel ndërkombëtar.”

Ghizaal ndjek çdo ditë zhvillimet nga vendi saj. Ajo shprehet se lajmet që dëgjojnë nga mediat këto ditë janë dëshpëruese dhe një tregues i qartë që Afganistani po kthehet pas në kohë të errëta. Rritja e çmimeve të ushqimeve, kartave rimbushëse të telefonit, dyqanet e mbyllura dhe pamja e grave janë vetëm disa nga ndryshimet që sollën talebanët.

“Kishte ndryshuar edhe pamja e grave. Zor se shihje gra në rrugë, por ato që dilnin ishin të shoqëruara nga meshkuj. Edhe pamja e talebanëve në rrugë, u lexohej në sy urrejtja për atë vend, për njerëzit dhe progresin që kishim bërë gjithë ato vite. Të ngjallte frikën. Ata erdhën 3 herë në shtëpinë time për të më kërkuar mua.”

Ghizaal tregon se raportimet nga media kanë ndryshuar shumë ditët e fundit. Përsa i përket qeverisë për të cilën po punojnë talebanët, ajo mendon se do të jetë një kthim 20 vite pas, pasi bota e braktisi Afganistanin.

“Qeverisja e talebanëve është e parashikueshme nga 3 gjëra: së pari kemi eksperiencën e regjimit të mëparshëm. Së dyti, ata kanë luftuar me qeverinë dhe kanë një Kushtetutë. Duke pasur parasysh këto kupton që nuk do kenë qeveri të zgjedhur. Ata përherë kanë pasur një lider suprem, dhe lideri suprem ka të gjithë pushtetin në dorë. Ne nuk do të kemi më një parlament të zgjedhur, apo sistem gjyqësor”.

Kur u largua për herë të parë nga Afganistani, në vitin 1992, Ghizaal kujton që shqetësohej për gjëra fëmijësh, si lojërat me shoqet apo librat që kishte lënë pas.

“Kësaj here është ndryshe. Si adult ti kupton që ke lënë pas gjithë jetën tënde. Dhe për prindërit e mi është akoma më tragjike sepse ata po e përjetojnë këtë për herë të dytë në 30 vjet”.

Dëshira për t’u kthyer sërish në Afganistan është e madhe, por Ghizaal nuk ka asnjë shpresë që gjërat do të kthehen si më parë.

“E vetmja gjë e sigurtë për të ardhmen time është pasiguria që kam për të. Megjithatë shpresoj të jetë një e ardhme ku nuk do më duhet të merakosem për jetën time apo të afërmve të mi.”

Strehohet në Shqipëri, rrëfimi emocionues i 26-vjeçares afgane

“Emri im është Sana, jam 26 vjeç. Kam ardhur nga Kabuli.”

Sana është një nga qindra vajzat afgane që u detyruan të largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar regjimit taleban. Ajo nuk dëshiron që mbiemri i saj dhe i bashkëshortit, Abdul Wasey, të bëhen publik, pasi kanë lënë pas familje të cilëve u rrezikohet jeta. Në Kabul, puna e saj ishte të menaxhonte rrjetet sociale dhe të prodhonte emisione për një rrjet të madh televiziv.

“Punonim me një staf produksioni, dhe prodhonim emisione që evidentonin problemet e grave dhe vajzave, të fëmijëve dhe çështje të tjera që nuk marrin shumë vëmendje në vendin tonë, si për shembull shëndeti mendor, të miturit në tregun e punës dhe si po punojnë gratë e shoqërisë afgane.”

Sytë i përloten kur kujton ndjesinë që i shkaktoi lajmi që talebanët po vinin në Kabul.

“Në momentin që morëm vesh se talebanët po vinin në Kabul… nuk mund ta përshkruaj me fjalë si u ndjeva, dhe e di që të gjitha gratë dhe vajzat atje ndiheshin njësoj si unë. Lloji i terrorit që gratë kanë në zemrat e tyre për shkak të talebanëve është… nuk di as ta shpjegoj.”

Dita kur iu desh të linte vendin e saj në mes të shpërthimeve, armëve dhe të qarave ishte më lehtësuesja por njëkohësisht edhe më e tmerrshmja. Lehtësuese sepse ajo vetë nuk do ta përjetonte terrorin e talebanëve, dhe e tmerrshme sepse nëna dhe motrat e saj nuk do ta kishin këtë fat, as gratë dhe fëmijët e tjerë për të cilët ajo punonte me aq pasion.

“Në datën 26 Gusht na telefonoi xhaxhai. Ai tha që duhej se s’bën të gjenim në vend në një autobus që të largoheshim nga vendi. Morëm çfarë mundëm dhe u nisëm menjëherë. Ndërsa po i afroheshim aeroportit, të shtënat e armëve dhe ulërimat e njerëzve bëheshin akoma më shurdhuese. Terminali kryesor i aeroportit ishte komplet i rrethuar nga talebanët. Të gjithë kishin armë në duar dhe gishtin tregues të këmbëza, gati për të shtënë. I ramë rreth e qark aeroportit dhe u vendosëm pas radhës së autobusëve. Dëgjoheshin vetëm shpërthime dhe zëra fëmijësh. Nuk kishim asgjë për të ngrënë. Talebanët nuk po lejonin askënd brenda në aeroport. Të gjithë po mendonin çdo të ndodhë tani? Të nesërmen morëm një telefonatë dhe na thanë të shkojmë në terminalin e veriut sepse kishim emrat në listë dhe do na linin të futeshim. Më kujtohet që edhe ajri nuk ishte i pastër, por kishte një ngjyrë të verdhë për shkak të gazrave lotsjellës”.

Sana dhe Abdul Wasey, të martuar prej 3 vitesh sapo kishin blerë një shtëpi dhe po planifikonin të shtonin familjen e tyre. Të dy ishin të dashuruar pas punëve që bënin dhe po jetonin jetën e ëndrrave, tashmë të lënë pas.

“Kur hymë në aeroport mu duk aq e pabesueshme sepse shanset ishin të pakta. U qetësova, por nga ana tjetër mu rëndua zemra, sepse mendova “po të gjithë këta njerëz jashtë aeroportit? Çfarë do bëjnë?” Kur ishim brenda në avion dëgjuam një shpërthim shumë të madh. E kuptuam menjëherë që shumë njerëz vdiqën në atë shpërthim.”

Sana mban në zemër jo vetëm pengun e sigurisë së familjes së saj, por të të gjitha grave, vajzave dhe fëmijëve afganë.

“Isha shumë e apasionuar pas punës time. Gjërat që ne po bënim, sidomos për gratë. Doja të isha zëri i atyre që nuk kishin zë. Doja ta vazhdoja këtë dhe të bëja akoma më shumë. Jam e sigurtë që shumë femra, të mëdha ose të vogla në moshë kishin plane për jetën e tyre. Donin të shkolloheshin dhe të punonin. Tani po dëgjoj në lajme që nuk do të lejohen më ta bëjnë këtë gjë. Këto gra po heqin dorë nga të gjitha ëndrrat e tyre dhe progresin që kishin bërë.”

Pavarësisht kësaj, ajo është mirënjohëse që arriti t’i largohej terrorit të talebanëve.

“Ndërsa jemi këtu, dua të falenderoj edhe qeverinë shqiptare që na mikpritën me krahë të hapura”.

Blendi Fevziu: Ata që qeshin me këtë video duhet ta dinë që një i afërm i tyre mund të jetë poshtë ndonjë kamioni për në Britani

Blendi Fevziu e ka nisur ndryshe emisionin “Opinion” duke dalë edhe nga tema e emisionit për të reaguar mbi një video të publikuar ditën e sotme në rrjete sociale ku shfaqet një furgon i mbushur me emigrantë të paligjshëm nga vendet e Lindjes së Mesme të cilët po transportoheshin drejt Tiranës.

“Në fakt është diçka që më bëri përshtypje sot, dal jashtë emisionit, por do të doja ta bëja publike sërish. Pashë sot pamje të trishta të një grupi emigrantësh me siguri duhet të jenë sirianë ose të kombësive të tjera të Lindjes së Mesme që ishin kapur dhe dolën nga një furgon në Pogradec. Është ky momenti që Policia me të drejtë, në respektim të ligjit, kërkon të ndalojë emigrantët e paligjshëm. Ata largohen, shihet polici që nuk i ndalon dot, vrapojnë për të gjetur shpëtim në rrugët e qytetit.

Këtë video e dhashë për diçka tjetër, pashë një reagim në rrjetet sociale sot shumë neveritës duke i paragjykuar këta njerëz e duke u tallur me mënyrën se si ata vrapojnë nëpër rrugë.

Unë e di që shumë veta kanë lindur pas viteve ’90-të, shumë veta mund t’ju duket qesharake kjo skenë. Kjo është një skenë që për shqiptarët është përdorur shumë shpesh. Të gjithë ata njerëz që qeshin sot mund të dinë që një i afërm i tyre, ndoshta prindi i tyre, vëllai i tyre mund të ketë vrapuar kështu një ditë në rrugët e Italisë apo malet e Greqisë. Duhet ta dinë që sot një kushuriri i tyre mund të jetë poshtë ndonjë kamioni për të shkuar në Britaninë e Madhe si emigrant dhe i ruhet policisë britanike apo asaj franceze po kështu si këta emigrantë. Të fyesh një emigrant edhe pse është në shkelje të ligjit, edhe pse ka vrapuar nga fatkeqësia ai mund të jetë një njeri i shkolluar, mund të jetë një njeri i cili kërkon vetëm të jetojë, jo një jetë më të mirë. Thjesht të jetojë, sepse në Siri nuk jeton dot ose s’ka rëndësi në vendin ku është… T’i përçmosh, t’i tallësh, t’i bësh qesharak në rrjete sociale kjo nuk është as dinjitoze, as normale, as njerëzore e mbi të gjitha është racizëm i pastër dhe racizëm nga ata njerëz që e kanë vuajtur më shumë se çdo pjesë tjetër e Ballkanit racizmin.”