Temat: Kush e vrau shqiptarin në Ekuador?; Kush gënjen për vdekjet nga Covid-19?; Di Maio, ministri i Jashtëm italian!

Të ftuar: Klodiana Lala, Fajtona Mejdini, Mira Rakacolli, Liljana Sherifi, Mentor Kikia, Artan Hoxha

Intervistë me Ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio.

Viktimat nga Covid, Rakacolli: I përcaktojnë mjekët, është përgjegjësi e tyre

Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, deklaroi këtë të hënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan se është përgjegjësi e mjekut përcaktimi i shkakut të vdekjes së viktimave nga Covid. Ajo u shpreh se bluzat e bardha kanë përgjegjësi morale dhe ligjore për ta përcaktiuar këtë gjë.

“Çdo mjek ka përgjegjësinë e vet, mbi bazën e ndjekjes që i bën pacientit, mbi bazën konsultave që ka bërë në dinamikë, mbi bazën e momentit kur pacienti humb jetën, mbi bazën e ekzaminimeve që ka bërë deri tani është krejtësisht në gjendje të përcaktojë se kush në kuadrin e atyre çrregullimeve që ka pasur pacienti të përcaktojë kush ka qenë shkaku i parë i marrjes së jetës dhe si ka qenë i lidhur me situata të tjera të sëmundjes Covid.

Për çdo mjek që merret me pacientin patjetër që duke shkuar nëpër këto hapa që përcaktohen dhe duke pasur parasysh si është zhvilluar historia e sëmundjes deri në humbjen e jetës fare mirë që mundet që të klasifikohet shkaku i vdekjes. Është ekskluzivitet i mjekut. Është arsyetim i një mjeku, kush është ai që të ngrihet mbi arsyetimin e mjekut që ka marrë pacientin në dorë? Mjeku e ka këtë jo vetëm përgjegjësi morale, por edhe ligjore”, tha Rakacolli.

Zv/ministrja u shpreh se “Pasja e infeksionit Covid nuk do të thotë patjetër që vdekja ka ardhur nga sëmundja Covid”.

A ka të njëjtën vëmendje si më parë ndaj Shqipërisë Italia?

Ministri italian për Punët e Jashtme, Luigi Di Maio, ka qenë i ftuar në emisionin “Opinion” pas vizitës që zhvilloi në Shqipëri. Di Maio u pyet nga gazetari Blendi Fevziu nëse Italia ka të njëjtën vëmendje ndaj Shqipërisë si vite më parë, apo është tërhequr.

Ministri italian tha se shteti i tij vijon të ketë të njëjtën mbështetje ndaj Shqipërisë dhe këtë sipas tij e dëshmon fakti që ai vetë ka vizituar dy herë brenda një viti vendin tonë.

Çfarë lidhje ka Di Maio me shqiptarët

Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio, gjatë intervistës  së tij në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka folur edhe për marrëdhënien që ka me komunitetin shqiptar në Itali.

Ai tregoi një histori personale me një djalë të ri shqiptar, Alketin, që ka qenë miku i ministrit dhe që e ka votuar kur ka nisur të merret me politikë në universitet.

Por jo vetëm Alketit… Di Maio tha se një pjesë e historisë i kushtohet atij dhe mbështetësve të tjerë nga komuniteti i studentëve shqiptarë në universitetin e Napolit.  

Di Maio: Konferenca e Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë të mbahet sa më shpejt

Sipas Luigi Di Maio duhet këmbëngulur që Konferenca e Parë Ndërqeveritare të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur. Gjatë një interviste në “Opinion”, ministri i Jashtëm italian tha se procesi i integrimit po ngadalësohet edhe prej diskutimit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Për Di Maion, BE-ja do të ishte më e fortë nëse do të kishte brenda Shqipërinë. Megjithatë, ministri italian tha se populli shqiptar nuk duhet ta përjetojë si diçka personale vështirësinë për anëtarësimin në BE. Kjo për shkak se është një çështje që kërkon dakordësi nga të gjitha shtetet anëtare./tvklan.al