Emrat që mbeten jashtë listës së PS

Vasilika Hysi, Besnik Baraj, Eglantina Gjermeni, Sadi Vorpsi, Ditmir Bushati, Dritan Leli, Musa Ulqini. Këto janë emrat të cilët nuk do të jenë pjesë e listave për kandidatë në radhët e Partisë Socialiste, për zgjedhjet e 25 Prillit.

“Vasilika Hysi ka deklaruar që largohet mbas 3 mandateve si deputete e Partisë Socialiste, Besnik Baraj largohet pas 4 mandateve. Eglantina Gjermeni, 4 vjet ministre, 12 vjet deputete largohet. Sadi Vorpsi, Prefekt i Tiranës largohet. Ditmir Bushati largohet zyrtarisht. Kanë refuzuar kandidimin Dritan Leli, i cili nuk ka pranuar të largohet nga Bashkia e Vlorës dhe Musa Ulqini që nuk ka pranuar vendin në të cilin është vendosur”, tha nga studio e “Opinion”, Blendi Fevziu.

Ndërkohë, gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka nga selia rozë zbuloi detaje nga mbledhja e kryesisë së PS.

“Kur kanë dalë, anëtarët e kryesisë, drejtuesit politikë nuk ishin dhe shumë entuziastë të paktën në këto momente na ka ngelur vetëm të lexojmë mimikën e tyre dhe gjuhën e trupit, sepse mbledhja ishte shumë hermetike dhe shumë pak lajme rrodhën prej saj, përveçse kishte debate shumë të forta, që lidhej kryesisht me listën e Tiranës, por edhe me Shkodrën. Mësohet se ka pasur një debat edhe mes Kryeministrit Rama dhe vetë Ditmir Bushatit, i cili ishte në Zoom, nuk ishte në selinë e PS në këtë mbledhje”.

Fatmir Xhafaj në listën e Tiranës, ende në pikëpyetje fati i Pandeli Majkos dhe Olta Xhaçkës

Fatmir Xhafaj do të jetë në listën e PS-së për Tiranën. Këtë e ka konfirmuar gazetarja Elja Zotka gjatë një komunikimi live në emisionin “Opinion”. Ajo tha se ende po diskutohet për numrin në të cilin do të renditet Xhafaj, pasi në selinë rozë vijojnë diskutimet intensive. Sipas gazetares, edhe për Pandeli Majkon nuk ka një vendim të qartë se në çfarë numri do të përfshihet në listën e Tiranës.

“Për Fatmir Xhafajn kam marrë konfirmime se do të jetë pjesë e listës së Tiranës. Dy ditët e fundit është zyrtarizuar pozicioni i tij në listë. Emrat akoma janë duke u diskutuar. Për zotin Majko ende nuk ka një vendim përfundimtar se ku do të jetë në listën e Tiranës. Diskutimet janë vërtetë shumë intensive në PS. Madje drejtuesit politikë as telefonat nuk kanë mundësi që të komunikojnë”, tha Zotka.

Gazetarja shtoi më tej se me shumë mundësi Olta Xhaçka, e cila është drejtuese politike në Dibër, nuk do të kandidojë në këtë qark, por në Korçë. Kjo për shkak se në Dibër, PS-ja nuk ka marrë ndonjëherë më shumë se dy mandate dhe paraprakisht në listë është menduar të jetë në krye të listës përfaqësuesi i komunitetit të emigrantëve dhe Aurora Mara, ish-deputetja e zgjedhur në 2017-ën në radhët e LSI-së, por që tashmë është rreshtuar krah PS-së.

“Nuk e di nëse do të zyrtarizohet, por me shumë gjasë Olta Xhaçka që është drejtuese politike e Dibrës nuk do të jetë në listën e Qarkut Dibër, por po diskutohet që  të jetë në Qarkun e Korçës, në zonën e Kolonjës. Pretendojnë të marrin 3 mandate, por më shumë se 2 mandate socialistët nuk kanë marrë ndonjëherë në Dibër. Në listën e Dibrës deri tani diskutohet që përveç përfaqësuesit të komunitetit të emigrantëve që Rama prezantoi që do të kryesojë listën, zoti Krashi pretendohet që të jetë edhe Aurora Mara, një deputet që më parë ka marrë një mandat për LSI-në dhe këtë 4-vjeçar është vendosur pranë PS-së”.

Bujar Nishani, jashtë listave të PD-së

Ish-Presidenti Bujar Nishani nuk do të jetë pjesë e listave të PD-së për zgjedhjet e 25 Prillit. Blendi Fevziu tha gjatë emisionit “Opinion” se Nishani, i cili aktualisht është kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së, kishte shprehur më parë gatishmërinë për të qenë pjesë e listave.

“Bujar Nishani, kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së, nuk do të jetë pjesë e listave të kandidatëve për deputet. Pra Bujar Nishani edhe pse kishte shprehur gatishmërinë për të qenë pjesë e listave”, tha Fevziu.

Në selinë e Partisë Demokratike vijon diskutimi për emrat që do të përfshihen në listën për kandidatë. Afati për dorëzimin e listave mbyllet në mesnatë.

Lulzim Basha në krye, si do të jetë lista e PD-së për Tiranën

Listën e kandidatëve për deputetë në Tiranë do ta udhëheqë vetë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Numri 2 në listë do të jetë Jorida Tabaku që do të ndiqet nga Alfred Rushaj dhe Albana Vokshi. Në një lidhje direkte nga Selia Blu, gazetari Drini Zeqo tha për “Opinion” se për liderin historik të PD-së, Sali Berishën, është ruajtur vendi i pestë. Ish-kryeministri do të ndiqet nga Agron Shehaj.

Po ashtu, në vendet e sigurta në listën e Tiranës do të jetë kreu i Republikanëve, Fatmir Mediu, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe kreu i LSHK-së, Dashamir Shehi. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule do të jetë në vendin e 11 në listën e Tiranës.

Në listë ka emra të tjerë të njohur si Grida Duma e Flamur Noka. Po ashtu do të ketë edhe figura të televizionit si Oriela Nebiaj, por edhe të sportit si Gentian Muça, ish-futbollisti i Tiranës.

Partia Demokratike është aktualisht duke i kaluar listat në Kryesi dhe më pas do të miratohen në Këshillin Kombëtar. Afati përfundimtar për dorëzimin e listave në KQZ është mesnata e ditës së sotme. /tvklan.al