Opinion Live-Prokuroria ndalime në spital | Nano provokon politikën para zgjedhjeve | Biden-Vuçiç, qëndrime të kundërta për Kosovën!



Opinion Live-Prokuroria ndalime në spital | Nano provokon politikën para zgjedhjeve | Biden-Vuçiç, qëndrime të kundërta për Kosovën!

Autori: Blendi Fevziu

21:43 08/02/2021

“Pacientë të ndjerë që flasin e ulërijnë në shtrat”, Kodra: Kam raste të tjera, po pres të…

Skandali i Tires sa vjen e thellohet. Rasti i denoncuar në Stop, ku sanitarja Tire Allëdervishi i merrte para vajzës së një pacienteje, duke e mashtruar se po e ndihmonte për kurimin e nënës së saj që ndodhej e shtruar në spitalin Shefqet Ndroqi, çoi këtë të hënë në arrestimin e 4 personave të tjerë. Bisedat që dolën nga telefoni i sanitares, zbuluan se ajo kishte bashkëpunuar me 3 infermierë dhe një sanitare tjetër.

Por ky nuk është rasti i vetëm dhe këtë e pohon edhe në emisionin “Opinion”, drejtuesi i “Stop”, Saimir Kodra. Ashtu siç edhe e ka përsëritur disa herë në emisionin investigativ, Kodra thotë se ka raste të tjera, të cilat pritet që t’i bëjë publike një moment që merr konfirmimin e familjarëve. Kodra zbulon gjithashtu se ka mesazhe e video të pacientëve të cilët nuk jetojnë më, që flasin e ulërasin për shtretërit e tyre në spital.

“Kam akoma raste të tjera po pres të marr konfimimin e familjarëve, që të më japin miratimin për t’i bërë publike. Kam raste të tjera.”

“Janë të konfirmuara, kam mesazhet, kam videot e të ndjerëve që kanë folur dhe kanë ulëritur nëpër krevatë, por thjeshtë dua të marr miratimin e familjarëve. Kam një rast shumë specifik, që pasi mi dha të gjitha materialet, ka një moment stepie, do të bëjë dhe një reflektim tjetër. Por që e kam…”

“Plus që kam edhe një denoncim tjetër që nuk është përmendur. Është edhe denoncimi i një zonje nga Italia që tregon edhe ajo qartë e pastër me fakte dhe argumente dhe e ka bërë deklaratën publike që jam e gatshme të vij të paraqitem para organeve kompetente”.

“Jam i sigurt që Rama është duke parë”, sugjerimi i Kodrës për Kryeministrin

Rastet e korrupsionit në sistemin e shëndetësisë janë një fenomen që emisionin Stop e ka denoncuar herë pas here. Por në kushtet kur spitalet janë të mbushur me pacientë të prekur me Covid, familjarët e të cilëve nuk kanë mundësi t’i vizitojnë, për Saimir Kodrën e bën fenomenin Tire thuajse të pashmangshëm. Drejtuesi i Stop, teksa ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin Opinion, kishte një sugjerim për Kryeministrin Edi Rama, që spitaleve t’u shtohen punonjës socialë, të cilët u japin bukë e ujë të sëmurëve.

Blendi Fevziu: Stop ka pasur vazhdimisht denoncime që lidheshin me sektorin e shëndetësisë. Behët fjalë për një shtim me rastet e Covid apo është specifika e sëmundjes që nuk lejon kontaktin e familjarëve që i jep me shumë mundësi këtyre personave të përfitojnë?

Saimir Kodra: Jemi të gjithë koshientë që ky sistem shëndetësor nuk është se ra në kolaps tani tek pjesa e mitmarrjes së parave. Kështu ka qenë jetë e mot, këtë e dimë të gjithë dhe nuk ka sesi të jetë ndryshe pikërisht këtë periudhë, qoftë për mirë, apo qoftë edhe për më keq. Për më keq treguam faktet sesi që u bë, po për më mirë, nuk ka si ishte. Pra gjithmonë ka ryshfet, në njëmijë e një forma dhe për më tepër në këtë lloj situate, kur është e pamundur prania e familjarëve nëpër dhoma, do të funksionojë kështu. Domethënë ka edhe një problem të madh strukturor e gjithë kjo histori. Në një pavion ku janë 40 të sëmurë dhe janë minimalisht 6-7 infermierë, nuk kanë ç’u bëjnë të gjithëve, do nuk do, do të hyjë “Tirja” në punë që do të marrë para për të çuar ushqimin, një pampers etj.

Jam i sigurt që Edi Rama është duke parë. Kjo zgjidhet me një formulë shumë të thjeshtë. Punonjës socialë që vetëm ushqejnë dhe u japin ujë të sëmurëve. Nuk ka nevojë për infermierë t’ju bëjnë shiringa dhe doktorë që japin receta… Punonjës socialë të atashuar nëpër spitale. Jepi ujë dhe bukë dhe kaq, që të mos ketë kurrkush peng. Sigurisht në këtë situatë dhe do të vdesin, sepse e ka treguar në gjithë botën, por të paktën të mos kenë pengun e ujit dhe të bukës.

Deklarata e Yuri Kim-it për Tom Doshin, Haxhiu: Presion politik që mund të ketë pasoja

Një postim i ambasadores amerikane Yuri Kim që kujtonte shpalljen “non grata” të Tom Doshit ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik pasditen e së hënës. Gjatë emisionit Opinion në Tv Klan, analisti Baton Haxhiu tha se kjo deklaratë e Kim është presion politik. Megjithatë, sipas tij, kjo ka pasojat e veta. Haxhiu u shpreh se Doshi është kryetar i një partie tjetër dhe si i tillë ai mund të kandidojë.

“Ambasadorja duhet realisht, ose SHBA-ja është e obliguar, ky është presion politik, nuk është presion moral dhe presioni politik mendoj që është me pasoja. Ky mund të kandidojë. KQZ-ja mund të mos e lejojë ose mund ta lejojë që të jetë kandidat dhe pastaj do e shohim se çfarë do të jetë qëndrimi i Departamentit të Shtetit dhe ambasadës këtu”, tha Haxhiu.

Sipas analistit, Shqipëria ka një prej ligjeve më të ashpra në Ballkan sa i përket dekriminalizimit.

Ndërkohë më herët gjatë ditës së sotme, ambasadorja Yuri Kim përsëriti edhe njëherë thirrjen që kandidatët në zgjedhjet e 25 Prillit të jenë të pastër. Në një postim në Twitter, ajo risolli në vëmendje vendimin e DASH për shpalljen “non grata” të Tom Doshit dhe shkruante se “shqiptarët meritojnë më shumë se sa kaq”./tvklan.al  







Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

21:43 08/02/2021