Të ftuar në Opinion: Diola Dosti, Fabian Cenko, Pëllumb Pipero, Ilir Alimehmeti, Dorjan Metlia, Lisandër Hoxha. Në lidhje direkte Enita Mema, Kita Sallabanda dhe Alfred Cako.

Fëmijët e nënave të vaksinuara lindin me mbrojtje ndaj Covid

Mjeku Kita Sallabanda në studion e “Opinion” tha mbrëmjen e kësaj të mërkure se shkencërisht është vërtetuar se fëmijët që lindin nga nënat e vaksinuara kanë antikorpe, pra lindin me mbrojtje ndaj Covid-19


A duhet të vaksinohen gratë shtatzëna dhe a ndikon vaksina në problematikën e mëtejshme të grave që planifikojnë të kenë një lindje në të ardhmen?

Nuk kemi akoma të dhëna që vërtetojnë çdo të ndodhë në të ardhmen me fëmijët, sepse jemi në një fazë fillestare të studimit, nuk mund të vërtetojmë atë gjë në mënyrë shkencore dhe derisa nuk mund të bëjmë këtë nuk mund ta themi se çfarë do të ndodhë me këta fëmijë, sepse në fakt tani kemi filluar të vaksinojmë gratë. Po të kthehemi te gratë shtatzëna, unë dua të raportoj një studim të British Medical Journal; rekomandohet që të bëhet vaksinimi tek gratë shtatzëna, sepse nëpërmjet transmetimit të gjakut, antikorpet që zhvillohen tek gratë, i transmetohen edhe tek fëmijët. Pra rekomandohet që të bëhet, sepse kjo mbrojtje që merr nëna, i transmetohet edhe fëmijës. Këtë gjë e thotë një studim shumë i rëndësishëm. Unë mendoj që duhet të rekomandohet që të bëhet, se çfarë do të ndodhë me fëmijët nuk kemi të dhëna shkencërisht të bazuara për të vërtetuar se çfarë do të ndodhë. Kemi parë, dhe kjo është vërtetuar shkencërisht, që fëmijët që lindin nga nëna që iu është bërë vaksina, janë me antikorpe dhe me mbrojtje nga Covid-19, kjo është e vërtetuar.  

Po sa i përket atyre që duan të kenë fëmijë?

Ky është debati i madh. Asnjëri nga ne sot e kësaj dite nuk është në gjendje të thotë se çfarë efekti afatgjatë ka vaksina dhe çfarë problemi mund të kemi, sepse nuk kemi bërë ende 1 vit. Do të ishte të abuzosh nga pikëpamja shkencore të thuash çfarë do të ndodhë pas 5 vitesh. Por të dhënat eksperimentale deri tani janë në favor të procesit të vaksinimit edhe për ato vajza që duan të jenë nëna të ardhshme, tregojnë që nuk do të kenë asnjë problem për çështjen e bërjes së fëmijëve, apo për të lindur fëmijë me probleme. E po ashtu sipas të dhënave që kemi sot, nuk ka probleme për lindjet.

Sallabanda: Javën tjetër EMA do të aprovojë dozën e tretë për vaksinën

Vaksina është çështja më e debatuar ditët e fundit, ku një sërë vendesh e kanë vënë me detyrim për kategori të caktuara dhe kanë aplikuar edhe një dozë të tretë për kategori të tjera.

Mjeku i njohur Kita Sallabanda tha gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se sipas informacioneve që ai disponon, javën e ardhshme, Agjencia Europiane për Ilaçet, EMA, do të aprovojë aplikimin e dozës së tretë për personat me imunitet të dobët.

“Sot qeveria spanjolle ka miratuar dozën e tretë të vaksinës për një kategori të sëmurësh që quhen imunodeprimino, ata që janë me imunitet të pakët. Sipas të dhënave që kam, javën tjetër EMA do të aprovojë dozën e tretë të vaksinës në një grup të caktuar të sëmurësh që quhen imunosufiçentë. Sipas informacioneve që kam unë EMA e aprovon për të gjitha vendet e Europës dozën e tretë për ata me imunodefiçencë”, njoftoi Kita Sallabanda. 

Vaksina, Pipero: 100% mbrojtje nuk ka, por 96% është tepër e madhe

Tema e mbrëmjes në emisionin “Opinion” në Tv Klan është e lidhur me vaksinimin, a duhet të jetë i detyrueshëm apo jo. Argumentet kryesore vërtiten rreth sigurisë së vaksinës dhe efektivitetit të saj. E ndërsa debati nxehet, doktori i njohur, Pëllumb Pipero konfirmon se vaksina nuk ofron mbrojtje 100%, por të paktën shkon deri në 96%.

Të gjithë e dimë që vaksina me mbrojtje 100% nuk ka. Kur themi që Pfizer mbron 96% apo AstraZeneca 76 apo Moderna 98, janë dy shpjegime. Një shpjegim që bazohet në fakte dhe thotë që vaksina në 100 persona mbron 96 dhe tjetra që i mbron të 100, por 96%. Aplikimi i vaksinës ka të bëjë me pergjigjen individuale, jo të gjithë reagojnë duke formuar imunitet. Ka gjithmonë një xhep, ngelet një boshllëk ku 2,3 apo 4% mund të ngelen pa fituar imunitet. E njëjta ndodh me personat që sëmuren me shenja të lehta, kronike, të mesme apo të rënda, jo të gjithë kanë antitrupa pasi kalojnë sëmundjen. 98% e tyre kanë, por ndodh që një përqindje e vogël nuk ka sepse është përgjigje tërësisht individuale. Kjo koincidon edhe me rastet e shtruar në spital, të vaksinuar apo të pavaksinuar. Diku te 96-97% të rasteve të shtruara në spital janë të pavaksinuar. Përgjithësisht janë forma të mesme të sëmundjes dhe kjo varet nga shumë faktorë të tjerë, varet nga mosha, varet nga sëmundjet bashkëshoqëruese etj. Dua të them, që ky është një tregues real i asaj që shkenca thotë. Në fund të fundit, mbrojtje 100% nuk ka, por 96% është mbrojtje jashtëzakonisht e madhe dhe mbi të gjitha, po të shohësh aty (në grafik) nga 68 të shtruar, 3 janë të vaksinuar. Mundësia për të bërë sëmundje apo forma të rënduara të saj te të vaksinuarit është ku e ku më e vogël“, tha Pipero./tvklan.al