Të ftuar: Artan Shkreli, Agim Seranaj, Mimoza Hysaj, Marin Biçoku, Mentor Kikia dhe Esiona Konomi.

Tërmeti, Shkreli: Prokuroria mori provat para se të shembeshin ndërtesat

Prej gati dy javësh nga katastrofa e 26 Nëntorit ku 51 persona humbën jetën dhe qindra persona u plagosën ende nuk ka asnjë person që të përgjigjet para drejtësisë.

Zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, deklaroi këtë të hënë se prokuroria ka marrë prova nga të gjitha ndërtesat. Ai deklaroi se Instituti i Ndërtimit është i detyruar që në praninë e një oficeri të Policisë Gjyqësore të marrë prova nga elementët konstruktiv të ndërtesave.  

“Prokuroria në këtë moment, ashtu sikurse menjëherë nga kalimi i fazës së traumës filloi menjëherë të interesohet për marrjen e provave sidomos në objektet që ka pasur viktima. Domethënë u ndalua shkatërrimi i pjesës ekzistuese të ndërtesave… u shkatërruan pasi u morën provat. Padyshim. Tek ato me viktima po se po, por me vonë dhe në vijim, çdo objekt që do të shkatërrohet Instituti i Ndërtimit është i detyruar në praninë e oficerit gjyqësor të marrë prova nga elementët konstruktiv që do të thotë në themele, kolona, trarë, apo kulla, diafragma, apo kullat e ashensorëve”, tha Shkreli.

Shkreli shtoi se këto prova janë të natyrës materiale për të vërtetuar më vonë nëse fajin e ka projektuesi apo zbatuesi.

“Provat janë të natyrës materiale që do të thotë merren kampione të betoni, të cilat më vonë të provohen. Merren prova të seksioneve të kolonave se si janë vënë aty, që shikohet nëse është zbatuar projekti. Kjo nxjerr përgjegjësinë nëse e ka projektuesi apo zbatuesi”, tha Shkreli, i cili shtoi se edhe te ndërtesat pa projekt provat do të merren njësoj.

5 akte të ndryshme konstatimi, inxhinieri: Po bëhen shumë gabime, në një tërmet tjetër Durrësi do rrëzohet më shumë

Inxhinieri Agim Seranaj thotë se në vlerësimin e ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti po bëhen shumë gabime. Seranaj solli mbrëmjen e kësaj të hëne në “Opinion” një material, në të cilin paraqiti të paktën 5 akte konstatimi të ndryshme. Inxhinieri tha se ka nisur ndërhyrja tek objekte në të cilat nuk ka mbaruar ende ekspertiza e mirëfilltë. Ai paralajmëroi se në këtë fazë po bëhen më shumë gabime dhe në një tërmet tjetër më të ulët se ky, Durrësi do dëmtohet më shumë. Ai solli si shembull një ndërtesë të dëmtuar, në të cilën kishte nisur puna për restaurimin e saj, ndërkohë që ekspertët amerikanë kishin vlerësuar se ajo rrezikonte një çerdhe që ndodhej aty pranë.

Agim Seranaj: Pa u pritur dhe pa u filluar faza e dytë, sepse pranë kësaj ishte një çerdhe që ishte bllokuar për t’u hapur sepse specialistë amerikanë kishin thënë, mirë çerdhja është në rregull, por oborri rrezikohet sepse mund të shembet ky objekt, prandaj ne shkuam dje si grup i tretë. Sepse grupi i parë kishte thënë është në rregull, grupi amerikan kishte thënë kjo shembet, grupi i tretë ishim ne. Ne u çuditëm më shumë nga kjo, që atje kishin filluar punimet, edhe jashtë ku këtu ka aq dëme, ku ja po punon ai ustai atje.

Blendi Fevziu: Ça po bën ai?

Agim Seranaj: Ai e di ça po bën.

Blendi Fevziu: Pra ju thoni që është objekt që nuk mund të jetohet dhe ai po bën punë brenda?

Agim Seranaj: Dhe objekte të tilla në Durrës tani që ne kemi qenë gjithë kohën janë duke u bërë gabime më të mëdha sesa ne kemi bërë deri më sot.

Agim Seranaj: Pra më shumë janë gabime tani, sesi po punojmë, e do të ndodhin më shumë gabime sesi po ndërhyjmë dhe në një tërmet tjetër më të ulët se ky, Durrësi do rrëzohet e do dëmtohet më shumë. Objektet që ne po ndërhyjmë, t’i bëjmë me shpejtësi, pa u mbaruar akoma ekspertiza e mirëfilltë, e vlerësimit të dëmeve dhe e mënyrës sesi duhet të ndërhyjmë, ka procedurë. Nuk bëhet partizançe, artizanalçe, se na kapi shiu e bora, por ngrihen institucione. Institucioni i parë që duhet të kryente aktin e konstatimit ka prodhuar në treg atje, 5 formularë të ndryshëm që unë kam mundur t’i kem. Mund të jenë 20 formularë.

Blendi Fevziu: Kush i lëshon formularët?

Agim Seranaj: Formularët i lëshon kush të dojë deri më sot.

Blendi Fevziu: Të gjithë janë formate specialistësh këto?

Agim Seranaj: Formate që po bëhet akt konstatimi, po mbyllet gjoja faza e parë.

Verifikimi i banesave, inxhinierja: Banorët nuk e dinë çfarë thuhet

Pas dëmtimeve që shkaktoi tërmeti i 26 Nëntorit, erdhi faza e vlerësimit të ndërtesave. Inxhinierja e Ndërtimit, Mimoza Hysaj, deklaroi këtë të hënë gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se në këto momente është shumë i rëndësishëm komunikimi me banorët.

Sipas saj, banorët nuk e dinë se çfarë thuhet nga inspektorët prandaj duhen vënë disa shenja konvencionale. Gjithashtu sipas saj duhet të marrim eksperiencën pozitive të ndërkombëtarëve që kanë ardhur për të ndihmuar me verifikimin e banesave.

“Nëse ne pas gjithë kësaj situate që ndodhi nuk kemi kuptuar që vetëm zbatimi i ligjit do të çojë në procedura të përcaktuara se si ne do vazhdojmë për verifikim dhe nesër për rikonstruksion dhe ndërtime të tjera. Ne në gjithë këto faza dolën disa shenja që shkojnë inspektohen nga inspektorët dhe banorët nuk dinë se çfarë thuhet. Është e pamundur që të vesh ca shenja konvecionale që të dihet kjo shenjë është kjo? Komunikimi me qytetarët është shumë i rëndësishëm. Ne themi po vinë ndërkombëtarët. Kush është eksperienca që marrim ne nga këta ndërkombëtarë? Ma do mendja që këta ndërkombëtarë vijnë si ndihmë për ne. Mund të kenë dhe vlerë monetare, por nuk punojnë me këto lloj formularësh dhe kanë ca formularë që i kanë zbatuar në raste të tilla”, tha Hysaj, e cila tha se kjo do na ndihmonte t’i kishim këto formularë. 

Arkitekti: Të njëjtët persona që kaluan pallatet në Shtator do na ofrojnë besim sot

Tërmeti i 26 Nëntorit shkaktoi shumë dëmtime në pallate. Arkitekti Marin Biçoku deklaroi nga emisioni “Opinion” në Tv Klan se të njëjtët verifikues të ndërtesave janë ata që kanë qenë edhe në tërmetin që ra në Shtator, prej të cilit pati gjithashtu dëmtime të shumta në kryeqytet.

Ai shtroi problemin se të njëjtat persona që kanë kaluar pallate me probleme strukturore më parë tashmë do na ofrojnë besimin që aktet e ekspertimit janë të rregullta.

“Një nga problemet kryesore… ne kishim një tërmet në Tiranë dhe po ai personi që e firmos atje, ka qenë personi që ka kaluar në pallate të Tiranës dhe ka thënë që ka thënë që nuk ka problem vazhdoni është i banueshëm. Tani po i njëjti person do na ofrojë besimin që aktet e ekspertimit janë të rregullta.

Shqetësues për mendimin tim, në këtë fazë nuk është problemi i lihet apo nuk i lihet formularit kur thuhet është e pabanueshme sesa në rastin kur i thuhet është e banueshme. Nuk mund t’i thuash qytetarit hy ti dhe pastaj të futesh në bashki se kush e ka bërë, ku e ka bërë atë formular. Formular sipas informacioneve që kam unë për sa i përket objekti është i përdorshëm dhe i banueshëm, hyni është dhënë dje dhe vetëm dje”, tha Biçoku. /tvklan.al