Të ftuar në Opinion: Klodiana Lala, Artan Hoxha, Robert Rakipllari dhe Ervis Iljazaj.

A është Lincolni i blinduar? Rama tregon të vërtetën për herë të parë

Kryeministri Edi Rama mbërriti me fuoristradën “Lincoln” pranë Tv Klan për të marrë pjesë në emisionin “Opinion”, automjet për të cilin opozita ka deklaruar se është i blinduar.

I pyetur nga drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu nëse fuoristrada me targa TR 0370 T është e blinduar, Kryeministri Rama e ka mohuar një gjë të tillë.

Duke ju përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike, që denoncoi se ky automjet i përket vëllait të tij Olsi Rama, Kryeministri u shpreh se këtë makinë e ka në pronësi që prej vitit 2009 dhe ja dhuruar vëllai i tij.

Kryeministri Edi Rama: Këtu na prezantove njerëz të fushës. Njëri nga të fushës duhet të çohet nga studio dhe duhet të shkojë të verifikojë është e blinduar apo jo. Një nga ata të fushës të çohet për t’i shërbyer telespektaktorëve të cilëve ju kanë thënë që makina është e blinduar.

Artan Hoxha: Jo nuk është e blinduar.

Kryeministri Edi RamaNëse opozita konsiderohet burim i së vërtetës, ky është një problem i madh. Minimumi që bën gazeta është të thotë, sipas opozitës, e blinduar. Maksimumi që bën është verifikon. Makina nuk është e blinduar. Makina është qysh në vitin 2009. Ma ka sjellë im vëlla kur kam qenë në opozitë, ashtu sikundër makina që unë përdor si Kryeministër nuk është e blinduar. Ka dalë një lajm që kam blerë makinë të re qindra mijëra Euro. Në fakt kam çuar makinë në servis dhe kam marrë me qira një makinë nga servisi. Përdor atë makinë se nuk kam dashur t’i kushtoj para, dhe i them këto duke përfituar nga audienca që është e mbushur me gënjeshtra, që me këtë rast ta mësojnë të gjithë që unë s’kam asnjë makinë të blerë si Kryeministër. Makina që thonë që është Benz i ri është me qira në përdorim siç e jep servisi kur dorëzon një makinë tjetër. 

Rama mbron ministrat: Sondazhi, një gënjeshtër

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë emisionit “Opinion” se sondazhi i krijuar nga vetë emisioni me temë sa njihen ministrat është gënjeshtër. Sipas kreut të qeverisë, ajo është thjesht një anketim, pasi sondazhet bëhen në mënyrë shkencore.

Ai theksoi se ka vërtetuar se ministrat e tij apo stafet e tyre nuk kanë ndërhyrë në atë sondazh. Madje sipas tij, lidhje me këtë ngjarje kanë forca të tjera të brendshme që duan të diskretitojnë qeverinë.

“Keni harxhuar kohën për një pseudosondazh duke u thënë njerëzve që ministrat kanë ndërmarrë një operacion për të rritur pëlqyeshmërinë. Së pari duhet t’i thoni publikut që sondazhet në media nuk janë sondazhe, por thjesht anketime të një grupi. Është thjeshtë anketim për ata që ndjekin një emision apo gazetë. Sondazhet bëhen në mënyrë shkencore. Është e pavërtetë dhe ne e kemi të verifikuar këtë gjë që në atë sondazh ka pasur ndërhyrje nga ministra apo stafet e tyre. E kemi vërtetuar. Në një vend tjetër, nëse do të ndodhte diçka e tillë do të bëhej hetim sepse atë gjë mund ta bënin edhe forca që do të diskretitonin qeverinë e një vendi. Unë nuk mendoj që janë forca të huaja, por mendoj se janë forca të brendshme. Di të them që është një gënjeshtër”, tha Rama.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i drejtuesit të emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu. Ai theksoi se emisioni i tij bëri një testim dhe përdori edhe mënyra të tjera përveç atij online. Sipas Fevziut, pjesa më e madhe e IP-ve të përdorura për votat false ishin pranë PS-së.

“Ne bëmë një testim në tre pjesë. Testimin e parë e bëmë për të pyetur qytetarët në rrugë. 83% nuk i dinin ministrat. I nxorëm me letra në dorë, me fotografitë e ministrave. Ti je në paranojën që është bërë kundër teje, PD është në paranojën që është bërë kundër tyre. Ne jemi në rregull. IP-të e përdorura një pjesë e tyre “location” e kanë te PS ose rreth PS-së”, tha Fevziu.

Emisioni “Opinion”, trajtoi dy net më parë sondazhin që kishte bërë për të kuptuar sa njihen ministrat nga qytetarët shqiptarë. Nga sondazhi online, u vu re një anomali përsa i përket votimeve.

Numri i votave ishte rritur në mënyrë jo të njëtrajtshme. Nga verifikimet u zbulua se një numër i konsiderueshëm votimesh për disa prej ministrave ishin false.

Reagimi epik i Kryeministrit Edi Rama në ‘Opinion’

Intervista e Kryeministri Edi Rama në emisionin “Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e sotme ka nisur me debate dhe replika mes tij dhe panelit të gazetarëve.

Shefi i qeverisë ka debatuar me kryeredaktorin e gazetës “Panorama”, Robert Rakipllarin, lidhur me lajmin që kjo gazetë ka publikuar për fuoristradën tip “Lincoln”.

Rama kritikoi Rakipllarin për mënyrën e publikimit të lajmit dhe citimit të deklaratës së Partisë Demokratike, që akuzoi se ky automjet është i blinduar dhe në pronësi të Olsi Ramës.

Nga ana tjetër, kundërpërgjigjia e gazetarit Rakipllari ka shkaktuar reagimin epik të Kryeministrit Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama: Ti do thuash, opozita: …, Rama: …. Aty thua Kryeministri ikën me makinë të blinduar. Je ti që e thua.

Robert Rakipllari: Në cilin universitet të medias e ke mësuar këtë që ma mëson mua?

Debati me gazetaren, Rama: Qenke komplet tap-topi. Lala: Mos më intimido

Rama përgjigjet për foton me Ardian Çapjen

Fotoja me Ardian Çapjen, subjekt i OFL-së, është bërë temë debati këtë të enjte në emisionin “Opinion” mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetares Klodiana Lala.

Rama deklaroi se fotoja është bërë në hollin e hotelit dhe Çapja ka të tjera fotografi me të.

Sipas tij, fakti që ka bërë fotografi me atë person nuk tregon asgjë. Kreu i qeverisë deklaroi ndër të tjera se “nuk ka asnjë pishman” për foton.

Edi Rama: Ky është holli një hoteli ku unë kam qenë duke hyrë apo duke dalë. Më kanë ardhur këta persona dhe më thanë a mund të bëjmë një fotografi. Nuk kanë vetëm këtë fotografi. Kanë dhe një tjetër të varur në mur të bërë shumë vite më parë, sepse në ato dy tre herë që kam qenë atje kam qenë për evente. Në atë hotel ka një sallë konference, kemi bërë fotografi dhe çfarë tregon kjo?

Klodiana Lala: A ishit ju i informuar që kjo pronë, është e një personi që OFL ka deklaruar dy ditë më parë që ka urdhëruar vrasje?

Edi Rama: Jo, jo jo… Nuk isha i informuar dhe nuk kam asnjë problem me këtë foto. Ka dhe një foto tjetër që e kanë vënë në mur ata.

Klodiana Lala: A u shqetësuat kur e patë këtë foto, që mund të ishit të rrezikuar?

Edi Rama: Fare, fare. Zonjë ne jemi bashkë këtu, mund të bëjmë fotografi, por nuk jemi në shoqëri këtu. Unë jam këtu në shoqërinë e Fevziut që ka ardhur me shoqërinë e vet. Punët e policisë janë të policisë, punët e mia janë të miat…

Klodiana Lala: Këtij zotërisë këtu i keni dërguar një formular. Ajo vajza me syze e OFL-së i ka vajtur atje… Ky zotëria do duhet të ishte prapa hekurave. Do duhej të kishte përgjigje edhe për të vrarët në familjen e tij. OFL përtej të tjerave që është një akt normativ në kundërshtim me ligjin

Edi Rama: Mos i hy fare se qenke komplet tap-topi ndaj kësaj fushe…

Klodiana Lala: Mos më intimido zoti Kryeministër. Kam bërë shkollë për këtë punë…

Edi Rama: U qava nga Mark Marku, po ku e ke Mark Markun o Fevzi? Kjo qenka…. ç’qenka kjo mo? Ke 10 minuta që flet përçart.

Klodiana Lala: Zoti kryeministër do japësh përgjigje…

Edi Rama: Do jap përgjigje por t’i duhet ta mbyllësh gojën kur flas unë!

Blendi Fevziu: O Klodi, po të fut në kurth. Mos e merr personale. Ke shkuar në një vend të pacertifikuar. Jepi përgjigje kësaj.

Edi Rama: OFL nuk e çoj unë, e çon ligji. Dhe ky është subjekt i tij. Sa i përket fotografisë nuk kam asnjë pishman, e bëj edhe njëqind herë të tjera se nuk kanë lidhje fare këto gjëra. Ju doni të lidhni gjëra që nuk kanë lidhje.

Operacioni Forca e Ligjit disa ditë më parë i dërgoi formularin për deklarimin e pasurisë Ardian Çapjes. Sipas OFL-së, ai është i dyshuar për një sërëe vrasjesh në qytetin e Elbasanit për motive hakmarrjeje ndërsa në Qershor të vitit 2016 qëlloi ndaj Policisë. Sipas Policisë, Çapja së bashku me të afërm të tij ka kryer dhe vrasje me pagesë përgjatë viteve 2009-2016.

Fevziu pyet Ramën: Pse nuk jep llogari për vilën tënde?

Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ligjin anti-KÇK dhe aksionet e Operacionit Forca e Ligjit.

Drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu e ka pyetur përse aksioni i OFL-së për justifikimin e pasurisë nuk ka nisur nga Kryeministri.

Nga ana tjetër, Rama është përgjigjur duke thënë se ai dhe të gjithë politikanët e deklarojnë pasurinë pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë.

Blendi Fevziu: Pse nuk fillon nga ty për shembull? Pse s’jep ti llogari për vilën tënde, për pasurinë?

Kryeministri Edi Rama: Për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse në këtë moment ne kemi një rezervuar, një grup njerëzish të cilët janë të dënuar. Pra i kemi listë të mbyllur. I kemi të akuzuar. Dhe policia në këtë rast nuk bën asgjë tjetër, veçse merr nga regjistri dhe bën të gjitha verifikimet e pronave të tyre dhe bëhet fjalë për pronat e tyre të deklaruara. Se pastaj këta kanë edhe plot që s’i kanë të deklaruara. Dhe ja çon SPAK-ut. Kush do ta bëjë këtë për mua? Do e bëj vetë unë? Do e bëjë policia? Ka një institucion ku ne kemi deklaruar pasuritë që kur jemi bërë subjekte të deklarimit. Ashtu sikundër thonë po nga gjykatësit. Gjykatësit, ata që kanë dalë nga Vettingu, kjo drejtësi e re do t’i thërrasi, por nuk do t’i thërrasi policia. Larg qoftë, se s’jemi në vitin ’45. SPAK-u me Gjykatën Speciale do fillojë t’i thërrasi. 

Rama e thotë hapur: Vangjush Dako do të mbetet miku im edhe sikur të shkojë në burg

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në emisionin “Opinion” në Tv Klan se ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako do të jetë miku i tij edhe nëse shkon në burg.

I pyetur nga gazetari Robert Rakipllari përse nuk është distancuar nga Vangjush Dako kur Departamenti Amerikan i Shtetit i ndaloi hyrjen në SHBA, Kryeministri Rama e bëri të qartë se Dako është miku i tij dhe “nuk ja përcakton DASH” listën e miqve.

Nga ana tjetër, Rama theksoi se ai dhe Vangjush Dako nuk kanë shkelur asnjëherë ligjin.

“Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im, që të jesh i qartë ti. S’mi përcakton Departamenti Amerikan i Shtetit kë kam mik dhe kë s’kam mik unë. Edhe në burg të shkojë të nesërmen, do të jetë miku im. Por me Vangjush Dakon as më ka kërkuar, as i kam kërkuar, nuk kam bërë kurrë asnjë shkelje të ligjit të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. 

Artan Hoxha i tregon Ramës mesazhet dhe fotot kërcënuese që i dërguan në celular

“Dëgjoni me vëmendje, ju si televizion bastard me në krye kryebastardin Tan Hoxha, ka ardhur koha të mbani përgjegjësitë për baltën që hidhni ndaj familjes sonë. Nuk është familja jonë si na prezantoni ju me Tan kur*ën. Keni një javë për një foto na ngatërroni me politikën. Të jeni të sigurt ne s’do falim asnjë që na sulmon padrejtësisht. Nëse e doni e kthejmë në personale”.

Është ky mesazhi kërcënues i drejtuar ndaj gazetarit Artan Hoxha qw ai e tregoi këtë të enjte gjatë emisionit “Opinion”, ku i ftuar ishte dhe kryeministri Edi Rama.

Hoxha rrëfeu se me një numër nga Anglia i kanë ardhur disa foto të tij të të gjitha lëvizjeve që kishte bërë gjatë ditës.

“Sot para se të vija në emision më kanë ardhur disa mesazhe. Denoncimin e kam bërë në polici, normale që e kam bërë. Çfarë kërkohej! Më kishin fotografuar kur kam dalë nga shtëpia, ku kam lëvizur gjatë ditës, se unë besoj në këtë vend. M’i kanë sjellë me mesazhe nga Anglia këto. Ky është krimi i organizuar. Nuk janë më ata. Me ata kam mbaruar punë unë. Krimi i organizuar është ky që fsheh pafund para, që ndikon dhe e ka buxhetin më të madh se Ministria juaj e Brendshme, që ka zhdukur në Vlorë 16 persona dhe nuk gjejmë dot kufomat. Me këto që dëgjoj tek ty, jam tek ty kokë e këmbë, por me ato që shoh, çfarë të bëj. Kjo është jeta që dëgjoj, nuk është ajo që dëgjoj”, tha Hoxha duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama. /tvklan.al

Dimer ne rruget shqiptare!