Opinion-Si dhe me kë do të qeverisë Rama?



Opinion-Si dhe me kë do të qeverisë Rama?

20:44 29/04/2021

Të ftuar: Kryeministri Edi Rama. Gazetarët; Lutfi Dervishi, Mentor Kikia, Fatjona Mejdini dhe Artan Hoxha

Intervista e parë e Kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve të 25 Prillit, që i dhanë mandatin e tretë.

“Edhe ky që del e tregon se ka marrë 200 mijë lekë për të votuar Edi Ramën do shkojë në burg”

Çdo person që ka dhënë lekë për të votuar Edi Ramën do të shkoj në burg. Kështu tha tha kryeministri Edi Rama këtë të enjte kur ishte i ftuar në programin “Opinion” në Tv Klan. Ai tha se të gjitha videot që po qarkullojnë në rrjete sociale janë pjesë e hetimeve që po bëhen nga SPAK.

Edi Rama: Unë e kuptoj që jeni në pozitë të vështirë në këtë studio se fitorja ka qenë shumë e thellë, por të më nxjerrësh tani përballë, të shoh ty dhe në sfondin tënd shoh edhe Syrin.

Blendi Fevziu: Video po qarkullon në rrjetet sociale.

Edi Rama: Të gjitha këto që qarkullojnë janë në hetim në SPAK, edhe kjo me siguri do të jetë objekt i SPAK-ut edhe ky zotëria që del me kaq karshillëk tregon që ka marrë 200 mijë lekë për të votuar për Edi Ramën do shkoj atje do tregoj shokët. Do shkoj në burg bashkë me shokët ky edhe kaq e thjeshtë është, pse duhet të zgjasim ne këtë muhabet.

Blendi Fevziu: Edhe ai që ka shkuar të japi lekët në burg duhet të shkojë edhe ai që i merr lekët në burg duhet të shkojë se ndyshe nuk bëhet ky vend.

Edi Rama: Patjetër nuk diskutohet. Të shkoj në burg bashkë me shokët. Unë nuk po vë në diskutim fare asnjë nga këto video. Të gjitha këto janë objekt i SPAK-ut.

Rama: Bujrum të ulemi! Oferta ime për Bashën është pa kufij, Shqipëria është arsyeja përse ne ekzistojmë

Kryeministri Edi Rama ka folur këtë të enjte në studion e “Opinion” për ofertën e tij “pa kufij” që ka për kryetarin e opozitës, Lulzim Basha.

Ai është shprehur në studio se Shqipëria është arsyeja përse ne ekzistojmë dhe nuk jam është i rëndësishëm emri im apo i Lulzim Bashës.

“Duam ne Shqipëria ecën, PD nuk ka ndonjë kundërshtim për ta çuar Shqipërinë në BE, atëherë bujrum të ulemi dhe t’i japim një të shtyrë,” ka thënë Edi Rama ndër të tjera…

“Oferta ime është pa kufij, nuk kam asnjë kufij fare. Është çështje e vullnetit të brendshëm. Sali Berisha nuk e ka këtë vullnet, nuk e do. Narko, narko, revolucion, revolucion kjo do vullnet të brendshëm.

Unë nuk kam asnjë kufij, zero dhe pastaj ndërtohet një frymë. Fryma të sjellë në tavolinë dhe ulesh fillojnë ato muhabetet.

Shqipëria është arsyeja përse ne ekzistojmë apo ne jemi arsyeja përse ekziston Shqipëria? Këtu duhet ndarë, pra është Shqipëria dhe ne ekzistojmë në funksion të saj apo ekzistojmë ne dhe Shqipëria është funksioni ynë, sepse kjo politikë që ne kemi zhvilluar gjithë këto vite e ka bërë Shqipërinë në funksion tonin.

Duam ne Shqipëria ecën, s’duam ne Shqipërisë i vihen gurët nëpër këmbë. Nëse është Shqipëria dhe të gjithë e thonë PD është një parti që nuk ka ndonjë kundërshtim për ta çuar Shqipërinë në BE, por që thotë ne e duam sa më shpejt në Bashkimin Europian.

Kështu jemi edhe ne, është kjo më e rëndësishme se sa si e kam emrin unë, si e ka emrin Lulzim Basha, si e kemi emrin ne? Është kjo më e rëndësishme se sa po të themi Taulant Balla apo Flamur Noka?

Po. Atëherë bujrum, kjo është një arsye shumë e madhe për t’u ulur e për të thënë shiko e di si është puna duke u marrë kaq shumë me njëri-tjetrin duke harxhuar kaq shumë energji, kush jam unë e kush je ti.

Bababum e bababam unë këtu e unë aty. Kemi humbur shumë shumë kohë dhe mund të humbasim akoma kohë.

Hajde të ulemi e të themi: Mund t’i japim një të shtyrë ne të gjithë bashkë?

Pastaj si e bëjmë këtë duke qenë kush ku unë kam zero kufij,” ka thënë kryeministri Rama në Opinion.

Rama hesht kur pyetet për urimin e Kurtit: Nuk kam asnjë koment

Kryeministri Edi Rama nuk e komentoi urimin e homologut të tij kosovar, Albin Kurti për fitoren në zgjedhjet e 25 Prillit. Rama ishte i ftuar në emisionin “Opinion” ku u pyet rreth kësaj çështje dhe për frazën që Kurti përmendi në mesazhin e tij duke thënë se institucionet duhet të bëjnë punën e tyre për të gjetur përgjegjësinë mbi dyshimet për procesin zgjedhor.

Blendi Fevziu: Po urimin e Albin Kurtit? Është i pari kryeministër i Kosovës që vjen voton në Shqipëri si qytetar shqiptar dhe ju ka uruar. Ka uruar duke ju thënë që institucionet duhet të bëjnë punën e tyre për të gjetur përgjegjësinë për blerjen për zgjedhjet.

Albin Kurti: Edhe sikur ta nxjerrësh sondazhin nuk kam asnjë koment.

Kreu i qeverisë së Kosovës tha se “Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën” prandaj uroi që si shqiptarë të shtohet bashkëveprimi në të gjithë sektorët gjatë deklaratës së tij drejtuar Ramës të mërkurën.

“Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KQZ në Republikën e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare. Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies”, shkruante Kurti në Facebook.

Por Kryeministri i Kosovës bëri thirrje që institucionet përkatëse të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket demokracia e votës.

“Njëkohësisht uroj që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese. Këto janë pritshmëritë e shqiptarëve, andaj, të punojmë së bashku”, shkruan Kurti.

Albin Kurti votoi të dielën e 25 Prillit në Shqipëri. Ai më herët ka shprehur mbështetjen për 3 kandidatët e pavarur të Lëvizjes Vetëvendosje me qendër në Shqipëri që kandiduan në zgjedhje. Mes tyre ishte edhe drejtuesi i LVV-së në Shqipëri, Boiken Abazi i cili kandidoi në Tiranë.

Rama: Me PD nuk kemi asnjë vijë të kuqe për bashkëpunim

Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të enjte në emisionin “Opinion” se nuk ka asnjë vijë të kuqe për bashkëpunimin me Partinë Demokratike të Shqipërisë. Ai u shpreh se fillimisht bashkëpunimi duhet të vendoset në frymë dhe pastaj nisen dhe ndërtohen parimet e këtij bashkëpunimi të rëndësishëm.  Kryeministri u shpreh se vetëm me Partinë Demokratike mund të bashkëpunojë sa u përket partive opozitare pasi vetëm atë njeh si opozitë të vendit.

Blendi Fevziu: Çfarë lloj bashkëpunimi keni pasur në mend ju me PD-në dhe këtë publikisht si e shihni bashkëpunimin me PD-në?

Edi Rama: Unë mendoj dhe besoj shumë fort se duhet të bëjmë një sforco të madhe të gjithë, komplet, por edhe ju, në radhë të parë unë si kryetar i PS-së dhe kryeministër për herë të tretë që ta çojmë debatin politik përtej pandemisë duke u munduar ta lehtësojmë nga e gjithë marrëzia që e karakterizon dhe mundësisht ta balancojmë pak energjinë që konsumohet çdo ditë në skenën e debatit politik për t’u marrë me njëri-tjetrin në kuptimin më banal të fjalës se me njëri-tjetrin do të merremi. Me konflikte me sherre, me ekstreme që nuk prodhojnë asgjë.

Blendi Fevziu: Atëherë cila është zgjidhja juaj për këtë? Ju nuk mund t’i thoni PD-së rri urtë se nuk dua të shqetësohem? Çfarë projekti keni dhe çfarë oferte keni?

Edi Rama: Nuk është ideja për ti thënë opozitës rri urtë, sepse opozitat që funksionojnë, sepse kjo opozitë deri më tani ka qenë disfunksionale. Nuk është për t’i thënë rri urtë, por për të hapur një kapitull të ri në politikën shqiptare.

Blendi Fevziu: Si? Në ç’formë?

Edi Rama: Me vullnetin e mirë të jo vetëm të kuptuarit teorikisht që nuk jemi armiq, por me vullnetin e mirë për të tejkaluar këtë fazë adoleshence të politikës shqiptare.

Blendi Fevziu: A ka një tentativë për ta ftuar në bashkëqeverisje opozitën?

Edi Rama: Çdo bashkëpunim dhe ndërveprim mes forcash politike fillon në radhë të parë në frymë.

Blendi Fevziu: Ngriheni ju me 74 mandate për t’i kërkuar PD-së pavarësisht e pranon ajo apo jo që të jetë pjesë e qeverisjes?

Edi Rama: Në qoftë se këtë frymë e ka dhe PD-ja mbi bazën e kësaj fryme palët diskutojnë. Ore ju doni përgjigje direkte. Hajde merre drejtimin e PD-së ti dhe hajde ulemi këtu dhe flasim konkretisht.

Blendi Fevziu: PD-ja thotë kam vullnetin e mirë të bashkëpunoj, cili është bashkëpunimi juaj?

Edi Rama: Nuk kam asnjë kufi fare.

Blendi Fevziu: Edhe bashkëqeverisje?

Edi Rama: Asnjë kufi. Nuk të jap përgjigje fare se nuk je ti kryetar i opozitës. Kur të bëhesh kryetar i opozitës flasim. Unë të sugjeroj që realisht ta konsiderosh këtë, nuk po bëj shaka.

Blendi Fevziu: Edhe bashkëqeverisje?

Edi Rama: Po të them që unë nuk kam kufi, fare.

Artan Hoxha: Për shembull, ajo që thatë, një ribërje e zgjedhjeve lokale?

Edi Rama: Tani do e diskutojmë këtu? Nuk kam asnjë tabu, zero.

Fatjona Mejdini: Po vija të kuqe keni?

Edi Rama: Asnjë vijë të kuqe.

Blendi Fevziu: Jeni përballë opozitës shqiptare dhe thoni…

Edi Rama: Jo përballë opozitës shqiptare, përballë PD-së. Ka një dallim të madh.

Blendi Fevziu: Ftesa juaj është për PD-në?

Edi Rama: Unë di opozitë shqiptare PD-në. Nuk kam punë me asnjë tjetër. LSI-ja për mua i përket një kategorie tjetër nuk hyn për këtë që po flasim ne. Unë po flas për opozitën shqiptare.

Blendi Fevziu: Nëse PD-ja ju vjen me një letër, jeni të gatshëm t’ia plotësoni?

Edi Rama: Nuk është kjo. Vendoset njëherë në frymë kjo. Nëse është fryma jam dakord dhe pastaj ulemi, fillojmë ndërtojmë parimet e këtij bashkëpunimi, ndërveprimi.

Artan Hoxha: Nuk keni më kushtin që duhet të ndahet nga Berisha dhe Meta?

Edi Rama: Meta është jashtë çdo lloji konfiguracioni dhe me Ilir Metën do merret parlamenti i Shqipërisë. Metën populli e dënoi dhe parlamenti do ta formalizojë.

Rama: Meta është i dënuar me votë, parlamenti do e shkarkojë

Teksa ripërsëriti ofertën e tij për bashkëpunim drejtuar Partisë Demokratike, Kryeministri Edi Rama u pyet në “Opinion” edhe për ‘kushtin’ e që Basha duhet të ndahet nga Berisha dhe Meta. Për presidentin Meta ai ishte i prerë. Rama tha se Ilir Meta është dënuar nga populli sovran i Shqipërisë në mënyrën më spektakolare dhe ky dënim do të formalizohet nga parlamenti aktual, jo ai i legjislaturës së re.

Nuk e keni më kushtin që Lulzim Basha duhet të ndahet nga Berisha dhe Meta për të bashkëpunuar?

Meta është jashtë çdolloj konfiguracioni dhe me Ilir Metën do të merret parlamenti i Shqipërisë. Sepse Ilir Metën populli e dënoi dhe, parlamenti i Shqipërisë do ta formalizojë dënimin.

Ky parlament? Ky që është sot?

Ky-ky.

Jo ai që do mblidhet?

Ky më ky, direkte. Është i dënuar nga populli shqiptar… Ky është parlamenti i Shqipërisë, është aktual. Biles atëherë kur u bë ky diskutimi u thashë përse e lini këtë tranzicionin kaq gjatë. Bëhen zgjedhjet në Prill, formohet qeveria e re në fund Shtatori. Ky parlament vetëm do formalizojë. Ilir Meta është dënuar nga populli sovran i Shqipërisë në mënyrë më spektakolare. Kërkoi një referndum dhe ka marrë PD… PD nuk është ndëshkuar në këto zgjedhje, të jemi realistë, nuk ka ndëshkim, unë e lexoj votën e PD si një votë e cila i është dhënë që ka bërë një sforco… PD me fushatën dhe rezultatin që mori ka arritur maksimumin që mund të arrinte nuk  mund të shkonte më tutje.

Rama: Raporti paraprak i OSBE/ODIHR më i miri në historikun e zgjedhjeve

Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të enjte në emisionin “Opinion” se misioni i OSBE/ODIHR ka nxjerrë raportin paraprak më të mirë të të gjithë historikut të zgjedhjeve në Shqipëri. Ai u shpreh se ODIHR, nuk ka vënë në diskutim zgjedhjet e 25 Prillit dhe se ato kanë qenë  “të drejta, korrekte, legjitime”.

“Për sa i përket OSBE/ODIHR, jam shumë dakord që ka fraza të tilla, por ODIHR, ka nxjerrë raportin preliminar më të mirë i të gjithë historikut të zgjedhjeve dhe praktikisht nuk vë në diskutim që zgjedhjet kanë qenë të drejta, korrekte, legjitime, ka mbaruar filmi. Është film i mbyllur”, tha Rama.

Rama: Shpresoj që PD të njohë rezultatin, është humbja e 5 radhazi

Në intervistën e tij të parë pas marrjes së mandatit të tretë, Kryeministri Edi Rama tha këtë të enjte në “Opinion” se shpreson që Partia Demokratike t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve të cilat i konsideroi si humbjen e pestë radhazi të opozitës.

Edi Rama: Unë shpresoj që të njohë rezultatin sepse është humbja e 5 radhazi.

Si e pesta?

Edi Rama: Po e pesta.

Mos po llogarit edhe ato dy që ke nga pas?

Edi Rama: Zotëri, 2013-ta, 2015-ta.

Ah fut edhe zgjedhjet lokale…

Edi Rama: Po patjetër, është e pesta radhazi dhe është e njëjta muzikë. Nuk mundet dot, është katastrofa e PD.

Nuk besoj se fut edhe 2019-n në këtë pesëshe?

Edi Rama: I fus të gjitha, po patjetër,

Ajo nuk ishte.

Edi Rama: Po patjetër dështim është ai.

“Memorandumi i Kuçit”, Rama: Ne kemi humbur tre mandate nga votat e pavlefshme

74-78 mandate thoshte Rama gjatë fushatës se do të fitonte në zgjedhjet e 25 Prillit. Kreu i qeverisë iu rikthye edhe njëherë asaj që e quan “Memorandumi i Kuçit”, duke thënë se e ka arritur atë objektiv.

Në të parën intervistë pas zgjedhjeve që i dhanë mandatin e tretë, Rama tha se partia e tij ka humbur 3 mandate nga votat e pavlefshme.

“Unë dua t’ju jap pak të dhëna mbi shkrimin tim në Kuç. Ne sot kalkulojmë që kemi humbur tre mandate nga votat e pavlefshme. Ne kemi humbur tre mandate bazuar në votat e pavlefshme, se pamë që kishte një rritje të natyrshme të votave të pavlefshme dhe i kërkuam të gjithë numëruesve që të mbajnë një lloj rekordi për si janë ato vota. Shumica dërrmuese e votave të pavlefshme janë një numër votash që janë votuar në mënyrë të habitshme 12 dhe pastaj për votën e kandidatit kanë shkuar, për shembull në Elbasan ka mijëra vota të pavlefshme me 12 dhe 8. 8 ishte numri i Taulantit dhe kishte vota pafund që ishin 12 dhe 8 lart. Në Tiranë po ashtu. Pse e them këtë? E them sepse ne kemi arritur objektivin dhe e kemi tejkaluar objektivin tonë për të thyer tavanin e 800 mijëve dhe ne kemi 3 mandate aty që nuk janë për diskutim. Po të shpjegoj ‘Memorandumin e Kuçit’. Po të them që këtu nuk bëhet fjalë as për vjedhje as për manipulimet, por për një rezultat që ka ardhur si rezultat i një dallimi që vetëm ju nuk e keni parë kur e keni diskutuar në studio por ka qenë i qartë në sondazhe dhe si rezultat i një organizimi që PS-ja e ka organizim kapilar që e bën një makineri fitoreje”, tha Rama.

Rama: Nëse Sali Berisha nuk do ishte “godfather” situata në PD do ishte ndryshe

Kryeministri Edi Rama e konsideron ish-kreun e qeverisë Sali Berisha si një njeri që është “gjeneratori i konfliktit permanent”. Rama tha gjatë emisionit “Opinion”, ku ishte i ftuar këtë të enjte se nëse “Sali Berisha nuk do ishte Sali Berisha politika në Shqipëri do të ishte goxha ndryshe”.

Sipas kreut të ekzekutivit, Partia Demokratike është peng i Sali Berishës. Madje Rama shtoi se nëse Berisha nuk do të ishte “godfather” i PD-së situata pas humbjes në selinë blu do të ishte ndryshe pas humbjes në zgjedhje.

“Kjo ka ardhur për një arsye shumë të thjeshtë. Quhet Sali Ramë Berisha. Nëse Sali Berisha nuk do ishte Sali Berisha politika në Shqipëri nuk është se do ishte shumë ndryshe, por do të ishte goxha ndryshe. Saliu është gjeneratori i konfliktit permanent. Unë po flas për frymë, marrëveshjet e mëdha janë tjetër histori. Ka një arsye pse PS-ja ka ndryshuar gjatë gjithë periudhës, ka alternuar shumë njerëz, dhe PD-ja mbetet peng atij njeriu. Nëse Sali Berisha nuk do të ishte ‘godfather’, kumbari i PD-së sot që flasim situata atje mbas kësaj humbje do të ishte komplet tjetër. Do kishte njerëz atje që do dilnin natyrshëm dhe do thonin që do bëhem unë kryetar i partisë. Pse nuk ndodh kjo? Unë flas këtu për një gjenerator të konfliktit permanent, sepse është e vërtetë që në të gjithë botën, në të gjitha situatat masa përfaqësuese nuk është ajo që e bën kapërcimin. Kapërcimin e bëjnë liderët. Nuk po të flas për marrëveshje nga halli, taktike. Nuk kam lavdëruar Sali Berishën unë, unë kam thënë dhe e them që ai është karakter i mbrapshtë, por është lider, nuk diskutohet. Nëse Sali Berisha do të ishte një karakter i drejtë, do të kishte ndryshuar tërësisht konfiguracionin duke pasur Fatos Nanon nga ana tjetër. Por është i mbrapshtë deri në fund. Po të them prapë që PD-ja, se ne flasim këtu në njëlloj havaje sepse PD-ja është në një lloj limbo. Pse? Sepse gjithë ata atje thonë çfarë mendon ai. Edhe Lulzim Basha them do të ishte tjetër nëse do të ishte shkëputur nga hija”, tha Berisha.

“Antikomunist më të madh se unë nuk ka”

Kryeministri Edi Rama dha mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion” se antikomunist e antifashist më të madh se ai nuk ka. Por termi “antifashist” solli reagimin e analistit Artan Hoxha i cili e pyeti se ç’lidhje kishte ky term me të. Rama u përgjigj duke thënë se fashistët ishin socialistë që kaluan në ekstremin tjetër.

Blendi Fevziu: Thashë se kishte ndonjë tentativë për t’i marrë edhe atë elektoratin më klasik dhe më besnik PD?

Edi Rama: E dini ju sa vota ka PD në jug, e dini që ka më shumë se në veri apo jo?

Blendi Fevziu: Nuk thashë për jug veri unë, thashë për atë që janë antikomunistë. Antikomunistë ka dhe në jug dhe në veri

Edi Rama: Dëgjo këtu tani. Antikomunist më të madh se unë këtu, ma sillni ta takoj, ta njoh, por edhe antifashist. Që do të thotë socialist.

Artan Hoxha: Antikomunist po ta kuptoj, po antifashist ku e gjetët.

Edi Rama: Totalisht, ndërkohë që antikomunismi…

Artan Hoxha: Në histori?

Edi Rama: Jo në histori jo, sepse është shumë e rëndësishme që të jesh antikomunist.

Artan Hoxha: Ku jeni ju antifashist se nuk keni lidhje…

Edi Rama: Unë jam antifashist për aq sa Saliu dhe ekstremistët e një antikomunisti që është ekstremi tjetër, janë fashistë, kanë elementë të fashizmit në mënyrën sesi e konceptojnë gjithë procesin e ndërveprimit me tjetrin. Janë antikomunistë-fashistë. Janë komunistë, antikomunistë, që së bashku bëjnë njëlloj fashisti. Sepse dhe fashistët çfarë ishin? Ishin socialistë që kaluan në ekstremin tjetër, ja kaq, socialistë ishin fashistët.

Fevziu: Verën me logon “Opinion” mendova të ta dhuroja për pensionin politik

Kryeministri Edi Rama ishte mbrëmjen e kësaj të enjteje në emisionin “Opinion”, në Televizionin Klan, në intervistën e tij pas fitores në zgjedhjet e 25 Prillit. Në fund të emisionit, Blendi Fevziu i dhuroi atij një shishe verë, që tha se e kishte llogaritur për t’ia dhënë për “pension politik”. Kaq mjaftoi që ky moment të shoqërohej me batuta mes palëve…

Blendi Fevziu: Zoti Rama, ju kisha përgatitur në fakt një shishe verë Kallmet të Arbrit që e prodhon për emisionin “Opinion” në format të madh. Mendova që do ta kishe për pensionin politik këtë…

Edi Rama: E kishe përgatit për Lul Bashën.

Blendi Fevziu: Për pension politik e kisha llogarit në fakt.

Edi Rama: E kishe përgatit për Lul Bashën.

Blendi Fevziu: Por vera nuk vjetrohet, pret derisa të dilni ju…

Edi Rama: Po përse nuk e more në emisionin kryetarin e opozitës javën e fundit?

Blendi Fevziu: Këtë po e le këtu.

Edi Rama: E kishe lënë ta merrje si kryeministër të enjten e…

Blendi Fevziu: E kisha lënë në fakt kur të humbje, thashë të pije ndonjë gotë verë në darkë, se nuk kishte çfarë të bëjë

Edi Rama: Të jemi realistë, këtë e kishe bërë gati për Lul Bashën që të vinte të njëjtën si kryeministër, prandaj nuk erdhi javën e kaluar. Për fatin tënd të mirë shumë si shqiptar, jo si demokrat, për ty si demokrat është fat i keq, për ty si shqiptar është fat i mirë.

Blendi Fevziu: Ç’i ke këtu që i ndan njerëzit, ku e di ti për kë votojnë njerëzit?

Edi Rama: Ti? Patronazhistët të japin i sigurt PD. /tvklan.al







Të ngjashme