Të ftuar në studio përballë Presidentit Ilir Meta gazetarët: Andi Tela, Artan Hoxha, Mentor Kikia dhe Lorenc Vangjeli.

Meta i përgjigjet ministres Gjonaj: Ajo më ngatërron me gjuhën e Monikës

Presidenti i është përgjigjur deklaratave që bëri sot ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, pasi Ilir Meta e kallëzoi në SPAK për shkelje të Kushtetutës.

I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, kreu i shtetit është kundërpërgjigjur duke thënë se nuk merret “me një falsifikatore” dhe se ministrja Gjonaj “e ngatërron me gjuhën e Monikës”.

“Si mund të merrem unë me një falsifikatore. E dyta, gjuha ime ka qenë shumë korrekte. Ajo më ngatërron mua me gjuhën e Monikës. Zonja në fjalë të shkojë të tregojë shokët tek SPAK. Nuk do të ketë asnjë ditë ndalesë pa zbardhjen e kësaj afere kriminale që përfshin Kuvendin, gjyqësorin dhe Ministrinë e Drejtësisë.

Një Gjykatë Kushtetuese me këto lloj filmash e bën këtë Kushtetutë një letër pa vlerë. Presidenti i ka kapur në flagrancë. Te Gjykata Kushtetuese ju kam thënë vijë e kuqe, e kuqe flakë”, u shpreh Presidenti Ilir Meta. 

Dekret më 2 Mars? Meta: Nuk do t’i mësoni sot të gjitha

Presidenti i Republikës Ilir Meta u shpreh këtë të enjte se do të firmosë një dekret më 2 Mars, por nuk tregoi se për çfarë dekreti bëhet fjalë.

Gjatë një interviste në emisionin “Opinion”, ai theksoi se Presidenti i ka bërë të gjitha veprimet në mënyrë zyrtare por nuk funksionojnë institucionet.

Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për betejë për kompetenca, por për Gjykatën Kushtetuese që sipas tij është interesi më i lartë kombëtar.

Ilir Meta: Kur bien institucionet ngrihet populli. Ça thotë neni 2? Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit.

Blendi Fevziu: Si do ta ushtroni këtë sovranitet, në ç’mënyrë.

Ilir Meta: Ju të gjitha nuk do t’i mësoni sot.

Blendi Fevziu: Keni thënë që do të firmosni një dekret?

Ilir Meta: Çdo ditë do të ketë zhvillime. Atë ditë do ta firmos, nuk do ta firmos tani.

Blendi Fevziu: Presidenti duhet të dalë në shesh ta firmosë dekretin, nuk ka zyrë?

Ilir Meta: Presidenti ka zyrë dhe i ka bërë gjërat si zyrtar perfekt, por institucionet nuk funksionojnë. Çfarë mund të bëjë presidenti kur parlamenti, pushteti gjyqësor Dvorani në këtë rast dhe ministria e Drejtësisë bëhen bashkë dhe komplotojnë kundër Republikës. Kjo nuk është betejë kompetencash. Me ligj ata i morën Presidentit edhe kryetarin e Akademisë së Shkencave, por unë nuk i bëra thirrje popullit.

Blendi Fevziu: Çfarë do bëni me popullin?

Ilir Meta: Gjykata Kushtetuese është Kushtetuta e Shqipërisë, është interesi kombëtar. Nuk mund të pushtohet gjykata Kushtetuese me ligje antikushtetuese. Kur bëhet kjo gjë këtu ka rënë rendi antikushtetues.

Manifestimi i 2 Marsit, Presidenti: Revolucion nëse nuk funksionon SPAK

Pasditen e 2 Marsit, Presidenti Ilir Meta ka ftuar qytetarët në një manifestim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

I ftuar sonte në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kreu i shtetit u shpreh se nëse ka ardhur koha për revolucion, atëherë kjo do të ndodhë.

Presidenti thotë se nëse nuk funksionojnë institucionet dhe SPAK atëherë do të ketë revolucion.

Presidenti Ilir Meta: Në qoftë se ka ardhur koha për revolucion, revolucion. Në qoftë se nuk funksionojnë institucionet, në qoftë se nuk funksionon SPAK-u, revolucion do vejë kjo punë.

Blendi Fevziu: Çfarë revolucioni?

Presidenti Ilir Meta: Revolucion zbatimin e ligjit! Revolucion zbatimin e Kushtetutës!

Mentor Kikia: Çfarë prisni ju nga qytetarët? Çfarë do bëjnë njerëzit?

Presidenti Ilir Meta: T’i lëmë disa gjëra për 2 Marsin.

Andi Tela: Ata do të vijnë për Presidentin…

Presidenti Ilir Meta: Jo nuk do të vijnë për Presidentin. Ata do të vijnë aty për veten e tyre.

Meta: Gabim historik djegia e mandateve

Presidenti Ilir Meta deklaroi gjatë emisionit “Opinion” se opozita bëri gabim historik me largimin nga parlamenti. Sipas kreut të shtetit, edhe kryeministri Rama ka të njëjtat përgjegjësi për faktin që i zëvendësoi ata edhe pse Kushtetuta thotë që duhen 30 ditë për të zëvendësuar një deputet.

“Ata kanë bërë një gabim historik me largimin nga parlamenti. Ashtu si Edi Rama ka një përgjegjësi historike që vrapoi për t’i zëvendësuar. Sipas Kushtetutës një deputet duhet 30 ditë për ta zëvendësuar. Ilir Meta i është drejtuar shqiptarëve për të kthyer rendin kushtetues”, tha Meta.

Ndër të tjera, kreu i shtetit deklaroi se kjo nuk duhet kthyer në një çështje personale mes Ilir Metës dhe Edi Ramës.

“Po të jetë forcë për forcë, Ilir Meta nuk sjell popullin, por i mjaftojnë 1000 veta si vetja vet”, tha Presidenti, i cili shtoi se në manifestimin e 2 Marsit do të dëgjojë zërin e popullit si President i Republikës së Shqipërisë.

Meta: Më 2 Mars fillon pranvera kuqezi

Sipas kreut të shtetit, Ilir Meta, pushtimi i Gjykatës Kushtetuese është përmbysje e bashkëjetesës demokratike dhe paqësore të gjithë popullit shqiptar.

Gjatë emisionit “Opinion” këtë të enjte, teksa ishte i ftuar për të folur rreth manisfestimit të 2 Marsit, ai tha se të hënën fillon pranvera kuqezi.

Ilir Meta: Presidenti në varësi me përkrahjen e popullit, në varësi me zërin e tij se do që ta dëgjojë, në varësi me zhvillimet e tij në të ardhmen, presidenti do të përshkallëzojë veprimet e tij. Më 2 Mars fillon pranvera kuqezi, nuk mbaron.

Blendi Fevziu: Me këtë kuqezi kanë dështuar shumë para jush.

Ilir Meta: Unë ja ku e kam. E kam me këtë. Me këtë nuk dështoj unë. (I drejtohet Kushtetutës).

Pas thënies “me qetësi me dashuri”, Ilir Meta nxjerr shprehjen tjetër

“Me qetësi me dashuri” ishte shprehja e Ilir Metës kur ishte ende kryetar i Kuvendit dhe në koalicion qeverisës me Partinë Socialiste të Edi Ramës.

Por në situatën aktuale kur jemi në kushtet e një përplasje Presidencë-Qeveri, sa vend zë kjo shprehje e Presidentit Ilir Meta?

Kreu i shtetit, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka treguar shprehjen e re të tij, duke iu përgjigjur pyetjes së një qytetari.

Me qetësi me dashuri” ishte në Parlament, kur unë isha kryetar Parlamenti, ishim të gjithë palët. Edhe unë përpiqesha t’i qetësoja se ishin të gjithë aty. Institucionet nuk kishin rënë, kishte Gjykatë Kushtetuese, kishte Gjykatë të Lartë. Dhe atëherë u bënë nja dy gjëra të mira, që u mor rekomandimi për çeljen e negociatave, u bë ajo reforma me 140 vota që unë e imponova dhe atë konsensus në fund. Të gjithë u përpoqën ta minonin nga pak sa andej sa këndej, kështu që shkonte atëherë “me qetësi me dashuri” se ishim të gjithë bashkë. Tani duhet “me qetësi me drejtësi” sepse situata është katastrofike dhe nuk ka shumë vend për dashurinë se po na shpopullohet Shqipëria. Do dëgjojmë qytetarët se ç’mendim kanë ata për drejtësinë”, deklaroi Presidenti Ilir Meta.

Çfarë dhurate i bëri Blendi Fevziu, Presidentit Ilir Meta?

Presidenti Ilir Meta ka qenë i ftuar sonte në një intervistë të gjatë në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku foli për shkeljet e Kushtetutës, që sipas tij, po bëhen nga qeveria.

Në fund të intervistës, drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu i dhuroi Presidentit një stilolaps me portretin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe stemën e Republikës së Shqipërisë.

Blendi Fevziu: Për një sërë drejtuesish të lartë të shtetit, institucioneve, ne ju kemi dhuruar një stilolaps, i cili është përgatitur nga një kompani prestigjioze, me portretin e Skënderbeut, stemën e Republikës. Është me emrin ‘Opinion’ dhe me siglën tuaj. Me këtë do ta firmosësh dekretin?

Presidenti Ilir Meta: Ta mendojmë, do flas me stafin, nuk dua të nxitohem. Por në çdo rast diçka të rëndësishme do firmos, në mos dekretin e 2 Marsit, ndonjë dekret edhe më të rëndësishëm. 

“Po e puth dhe ta mbash me dinjitet”, dhurata e Ilir Metës për Fevziun

Pas një interviste rreth 2 orëshe, ku Presidenti Ilir Meta ishte në “Opinion” përballë një paneli gazetarësh, fundi i emisionit u shoqërua me shkëmbim dhuratash mes gazetarit Blendi Fevziu dhe kreut të shtetit.

Pasi i dhuroi Presidentit një stilograf, vetë drejtuesi i emisionit i kërkoi kreut të shtetit t’ia jepte dhuratë Kushtetutën. Presidenti Ilir Meta pasi u mendua për disa sekonda pranoi t’ia jepte Blendi Fevziut, por me kushtin që ta mbajë në një vend të nderuar dhe me dinjitet.

Blendi Fevziu: Tani t’ju kërkoj edhe unë një gjë. Më mirë live…

Ilir Meta: Çfarë?

Blendi Fevziu: A mund të ma jepni Kushtetutën tuaj dhuratë?

Lorenc Vangjeli: Është bashkë me reformën në drejtësi brenda ai.

Ilir Meta: Tani…

Blendi Fevziu: Ma jepni një Kushtetutë se nuk ju gjen gjë? Dhuroni Kushtetutën të paktën.

Ilir Meta: OK, por duhet ta mbash në një vend të nderuar.

Blendi Fevziu: Pa diskutim.

Ilir Meta: Dhe të gjithë shqiptarët duhet ta kuptojnë që kjo është Shqipëria jonë, kjo është Amerika jonë, kjo është Europa jonë dhe vetëm duke dashur Kushtetutën tonë siç duan amerikanët Kushtetutën e tyre do të bëhemi ai vendi që kanë aspiruar të parët tanë dhe që të jetojnë dhe të shkëlqejnë fëmijët tanë këtu. Unë po e puth dhe ta mbash me dinjitet këtë Kushtetutë.

Blendi Fevziu: Në një vend që nuk ka fotografi politikanësh do ta vendos. /tvklan.al

Pjesa IIIBurgjet dhe kampet e internimit në komunizëm