Opinion: Kurti-Vuçiç, përplasje intervistash!

Opinion: Kurti-Vuçiç, përplasje intervistash!

Autori: Blendi Fevziu

20:38 10/10/2019

Të ftuar: Armand Shkullaku, Preç Zogaj, Andi Bejtja, Baton Haxhiu dhe Henri Çili.

Deklaratat e Albin Kurtit përplasin analistët: Tope the ti, ti po manipulon

“Nëse do mund të bëhej bashkimi përnjëherë i shqiptarëve në Ballkan në një shtet, shansi historik ka qenë i viteve 90,91,92 (në kohën kur u shkatërrua Jugosllavia)”. Kjo deklaratë e Albin Kurtit në intervistën e dhënë mbrëmjen e së mërkurës në “Opinion”, përplasi analistët e ftuar këtë të enjte në studio. Për Preç Zogajn kjo deklaratë tregon tërheqje nga ideja e bashkimit kombëtar. Por ndryshe mendon Armand Shkullaku, i cili e akuzon Zogajn për manipulim.

Preç Zogaj: Albin Kurti është një figurë politike që ka predikuar bashkimin kombëtar dhe si me thënë tërhiqet nga kjo ide dhe kërkon ta fshehë tërheqjen nga kjo ide, tek një sipas tij, dështim i bashkimit kombëtar në të kaluarën. Ti ke predikuar tërë kohën bashkimin kombëtar, kur vjen momenti do tërhiqesh sepse e kuptim se ajo ka qenë një gjë retorike, atëherë për ta fshehur këtë tërheqje, ia faturon një dështimi sipas tij të bashkimit kombëtar vite më parë.

Armand Shkullaku: Nuk ishte kështu, e nxore komplet nga konteksti, ose nuk e ke dëgjuar intervistën e plotë sepse ky që po thua ti është manipulim

Preç Zogaj: Cili është manipulim?

Armand Shkullaku: Që ky po heq dorë nga ideja tani që u bë Kryeministër se nuk ia mban të flasë për bashkim kombëtar dhe po e justifikon këtë me shans historik. Kjo që po thua ti është manipulim. Po nxjerr diçka nga konteksti për të treguar që ai burri aty që është zgjedhur Kryeministër nuk paska tope që t’i shkojë deri në fund idesë së tij.

Preç Zogaj: Atë po e thua ti, kush ta tha? Tope the ti, ti po manipulon. Tani më ler ta mbaroj unë njëherë. Nuk ka asnjë manipulim.

Armand Shkullaku: Ose ta japë Fevziu të plotë intervistën se ai nuk ka thënë që po heq dorë se humbi shansi historik.

Bejtja: Me Kurtin, mbaroi epoka e pazareve

Intervista e së mërkurës në Tv Klan e Albin Kurtit, ka shkaktuar debate mbrëmjen e sotme mes analistëve të ftuar në emisionin “Opinion”.

Sipas Drejtorit të Klan Kosovës, Baton Haxhiu, intervista ishte pa brendi dhe pa teza. I këtij mendimi nuk ishte Andi Bejtja.

“Nuk bie dakord që intervista jote me Albinin ishte intervistë pa brendi, pa teza. Unë të përgëzoj se ishte nga intervistat më të mirat të tuat dhe ishte nga intervistat më të mira të një lideri shqiptar dhënë ndonjëherë. Dhe ne nuk po e kuptojmë se kemi hyrë në një epokë të re me Albin Kurtin. E duam apo nuk e duam, na pëlqen një element apo nuk na pëlqen, biem apo nuk biem dakord me tezat ekonomike apo nuk biem, e ka ngritur diskursin politik shqiptar në një nivel aq të lartë sa do të jetë e vështirë ta konkurrojë njeri. Ju shikoni vetëm euforinë e qytetarëve shqiptarë. E para intervista dje kishte teza sa të plasë, sa ai dukej më shumë si filozof sesa si lider. E dyta, do ta them hapur dhe do ta mbyll këtë histori. Mendoj që edhe 5 ditë po ndenji, deri të premten dhe po të ikë prapë, është një abazhur aq i mirë dhe aq i domosdoshëm sa ka ndriçuar të gjitha rraqet e politikës shqiptare, pazarxhinjtë e gazetarisë, shoqërisë civile, më mirë se kushdo tjetër. Diskursi i tij politik e ka vendosur stekën e politikës shqiptare më lart se çdo tjetër. E para ai i ka sjellë dinjitet që i mungonte politikës shqiptare tek të gjithë liderët. Dinjitet në raport me ndërkombëtarët, me të brendshmit, me pazaret dhe kulimat, etj. Ka mbaru epoka e pazareve. Mbaroi epoka e pazareve Prishtinë-Beograd, dialogu do të vazhdojë. Kosova nuk do të jetë temë, por palë”, tha Bejtja.

Ndryshe nga ai, u shpreh Henri Çili, sipas të cilit në intervistën e Kurtit kishte përmbajtje problematike.

“Fitorja e tij ishte kalkulative, thjeshtë një deputet më shumë, një deputet më pak. Nuk është e vërtetë se nuk kishte përmbajtje, po për mendimin tim kishte përmbajtje shumë problematike. Vetëvendosje është kundër perëndimit, kundër demokracisë, kundër tregut dhe kundër “Zotit”.”

Këto pretendime, Bejtja i quajti abuzime, pasi sipas tij të kesh dinjitet nuk do të thotë të jesh kundër perëndimit.

Vuçiç: Zgjidhje me kompromis, ose do të shkatërrojmë veten dhe të tjerët

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç thotë se ka vetëm një rrugë për zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, e ajo është rruga e kompromisit. Sipas tij, të dyja palët duhet ta kuptojnë nuk do të ndodhë që njëra palë të pranojë gjithçka.

I pyetur nga korrespondenti i Tv Klan në Beograd, Idro Seferi, nëse beson se paqja me Kosovën është e mundur të arrihet, Vuçiç u përgjigj: “Marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës nuk janë të mira për shkak se kemi qëllime dhe interesa të ndryshme. Të mos flas për ato që të gjithë i dimë dhe më mirë të flas me një gjuhë të thjesht: ose do të kuptojmë edhe njëra dhe tjetra palë që duhet të arrijmë në kompromis tek zgjidhja, ose ajo që njëra palë të pranojë gjithçka nuk do të ndodhë. Ose do të pranojmë zgjidhjen e kompromisit ose do të shkatërrojmë edhe vetën dhe të tjerët dhe më shumë njerëz do të braktisin hapësirat ku jetojmë. Sa i përket kompromisit ne jemi të gatshëm, kurse shqiptarët le të mendojnë për këtë.

Në lidhje me tezën për korrigjim kufijsh me kompromise të dhimbshme që ka qarkulluar vitin e fundit, Presidenti serb thotë se ai kurrë nuk ka folur për Preshevën dhe Bujanocin, apo Medvegjën, për të cilën thotë se nuk e ka kuptuar pse është futur në këtë listë.

Jam përpjekur të mos flas për gjëra që njerëzve mund t’ua vështirësojnë punën. Dua të kuptohemi këtu që territori që është në kontest është Kosova dhe se më shumë se gjysma e vendeve të botës nuk e kanë njohur pavarësinë. Ne jemi të gatshëm që me shqiptarët të gjejmë zgjidhjen e kompromisit. Nëse shqiptaret i qasen kësaj që ne jemi të pavarur dhe duhet të na pranoni ky është fundi i gjithçkaje…

Ai thotë se me “çfarëdo lloj ideje për zgjidhje të dilni do të jeni të çmontuar dhe të shkatërruar edhe në publik serb edhe shqiptar, kudo të njëjtin moment. Më së lehti është të flasim që duam paga më të mira, duam të jetojmë më mirë edhe në Beograd edhe në Prishtinë, duam të jemi më së miri në botë, duam të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian, por nuk duam të zgjidhim problemet me shqiptarët, ndërsa shqiptarët thonë nuk duam t’i tolerojmë Serbisë dhe kjo është e gjitha, shumë mirë. Por, më pas nuk do të mund të hani më shumë, nuk do të mund keni më shumë, nuk do të mund të jetoni më mirë. Këtë gjë nuk dëshiron ta thotë askush përveç meje.

Presidenti serb thotë se të gjithë, me dëshirë apo pa dëshirë, duhet të ndihmojnë nëse serbët dhe shqiptarët bien dakord.

Nëse ne nuk biem dakord e gjithë bota do të dojë të na ndihmojë nga rezultati nuk ka asgjë. Gjithçka është mbi ne. E ardhmja jonë dhe marrëdhëniet tona na ngelen ne. Unë mendoj se nëse serbët dhe shqiptarët i rregullojnë marrëdhëniet, një herë e përgjithmonë si dy popujt më të mëdhenj në Ballkan, mendoj se 150 vjetët e ardhshme nuk do të kemi asnjë lloj problemi. Mund të përparojnë në aspektin ekonomik më së shpejti. Nëse këtë nuk e bëjmë rrezikojmë të na ngelen territore të zbrazëta. Ajo që ne sot jemi më shumë se sa ju, nuk do të thotë asgjë. Të gjithë njerëzit tuaj do të shkojnë në Zvicër, Nju Jork, të gjithë tanët do të shkojnë në Austri, Gjermani dhe nuk e di se ku. Njerëz të tjerë do të banojnë në territoret tona në të ardhmen.

Vuçiç: Albin Kurti më ofendoi vajzën, duhej të kërkonte falje

Në një intervistë për Tv Klan dhe emisionin “Opinion”, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, akuzon fituesin e zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurtin, se sipas tij i ka ofenduar vajzën minorene, dhe për këtë duhej të kërkonte falje.

Pyetjes së Idro Seferit se çfarë mendon për Kurtin si personazh, Vuçiç i përgjigjet: “Nuk merrem me këtë. Nuk merrem me këtë. Së pari njerëzit e pjekur dhe serioz nuk ofendojnë gocat minorene, kjo nuk bëhet në një botë të sjellshme. Për këtë është dashur të thotë më falni, por nuk ka thënë. Kjo nuk bëhet. Këtë duhet ta mësoni. Të tjerat do ti vlerësoj në bazë të veprimeve. Unë e di që ai mendon se sa më i mprehtë të jem ndaj serbëve, do të marr më shumë vota, pasi njerëzit kanë qejf të thonë bravo, bravo, bravo, por jo, jo, edhe shqiptarët pas tre vitesh do të pyesin udhëheqësit e tyre përse nuk kanë bërë kompromis me serbët. Ashtu sic do më pyesin serbët përse nuk ke arritur marrëveshje me shqiptarët, edhe pse sot duket sikur askush nuk e dëshiron këtë në asnjërën anë. Në fund të gjithë do ta kuptojnë që kjo është e shkaktari është i lidhur me atë që është e ardhmja jonë, nga e ardhmja evropiane, nga ekonomia më e mirë.

I pyetur nëse do ta ketë më të vështirë me Albin Kurtin, i cili pritet të votohet si kryeministër i ri i Kosovës, Vuçiç thotë se të vështirë e ka pasur edhe më parë përderisa nuk është arritur zgjidhje.

Për mua edhe ashtu ka qenë vështirë. Siç e shihni nuk kemi arritur tek rezultati. Nëse do të jetë me vështirë apo jo nuk e di, por për mua është vështirë që nuk kemi një zgjidhje të kompromisit dhe unë flas për gjëra serioze dhe jo për gjëra personale siç është ajo që Albin Kurti ka ofenduar bijën time minorene duke e përfshirë në procese politike sepse njerëzit e ndershëm këtë nuk e bëjnë, por ta lëmë anash. Sa i përket Beogradit dhe Prishtinës, unë them që nëse nuk dëshironi kompromis nuk ka problem njerëz dhe vetëm na njoftoni dhe më thoni që nuk duam dhe ne do të themi në rregull, do të vazhdojmë kështu të jetojmë, ne pak më mirë se ju, por me një autoritet më të madh se ju në bashkësinë ndërkombëtare që më vjen keq, por kjo është zgjidhja juaj me sa duket dhe nuk kam asnjë problem me këtë.

Por mbrëmjen e së mërkurës, në një intervistë në “Opinion” me Blendi Fevziun, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për Kryeministër të Kosovës, Albin Kurti i hodhi poshtë akuzat e  Vuçiçit, duke thënë se me fitoren e tij në Kosovë, Presidenti serb është në siklet.

Kur ka ardhur në Kosovë në Shtator, as që kam ditur që ka vajzë ky e që ka djalë Thaçi, skam ditë gjë. Unë kam thënë në parim që këta të dy, aq shumë janë afruar e duan të bëjnë marrëveshje si monarkë mesjetarë, vetëm ju ka ngelur edhe të bëjnë krushqi e t’i martojnë fëmijët e tyre. Idenë nuk ia kam pasur çfarë kanë këta…Ai ka një siklet të madh sepse me ardhjen time kryeministër ai zbulohet në të vërtetën e tij origjinale, që është që kur unë fillova në politikë si udhëheqës studentor, ai ishte ministër i Informacionit në qeverinë e Millosheviçit.

Vuçiç: Shqipëria ka bregdet fantastik

“Gjithnjë e më shumë serbë po vizitojnë Shqipërinë”

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, thotë se Shqipëria ka një bregdet fantastik, dhe që gjithnjë e më shumë serbë po vijnë në vendin tonë për pushime në det.

Megjithatë, ai thotë se numri i turistëve serbë është ende i vogël, ndërsa lëvizja e lirë e njerëzve në Ballkan do t% ndihmonte në rritjen e tyre.

Duhet të flasim për integrime të mëtejme, për lirimin e kufijve për qarkullim, qarkullimin e njerëzve. E dini që çdo vit, edhe pse ende numër i vogël, por gjithnjë e më shumë serbë shkojnë në Shqipëri në bregdet. Përse nuk ia hapni dhe mundësoni këtë pasi keni një bregdet fantastik. Dhe, njerëzit atje janë nikoqirë të mirë. Përse nuk fitoni para dhe përse nuk punojmë në këtë. Unë dua që më shumë nga ju të vijnë në Beograd. Keni pasur ju Idro probleme ndonjëherë dhe a është sjellë dikush me përçmim ndaj jush? Ka pasur rast kur nuk kam dashur tu përgjigjem në pyetje? Ndonjëherë kam bërë shaka më shumë në llogari timen se sa në tuajën, por kurrë nuk ka ndodhur të mos kem respekt maksimal dhe të kem mospërfillje. Ju ka ndodhur gjë në Beograd? Unë dua të shoh më shumë nga ju, më shumë para të shpenzoni këtu, të punoni. Nuk kuptoj se si mendoni të përparojmë? Ne kemi fusha ku nuk kemi mjaftueshëm punëtorë, na ndihmoni. Ne kemi dije të caktuara dhe punëtorë ne disa fusha ku ju nuk keni mjaftueshëm. Ta fillojmë duke dhënë leje pune për të gjithë në territorin e këtij rajoni.

Përveç Tiranës, të cilën tashmë e ka vizituar, Vuçiç thotë se do të donte të vizitonte Shkodrën dhe Vlorën.

Do të doja të njihem, pasi nuk kam qenë kurrë në Shkodër, as në Vlorë. Ajo që kam dëgjuar nga njerëzit që e dinë këtë, thonë se ka një bregdet jashtëzakonisht të bukur. Kur kam qenë në Tiranë jam ndjerë mirë. Kanë qenë disa protesta. Por, edhe këtu ka protesta ja siç dëgjoni dikush po bërtet tani këtu jashtë, nuk e di se për çfarë, por jam mësuar në protesta për çdo ditë. Por, kur vijnë zgjedhjet dhe numërohen votat nuk e kanë të qartë se si ne fitojmë më së shumti.

/tvklan.al

Delta
LAJMET

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

20:38 10/10/2019

AZHBR
UKT
UKT
Doktori