Sali Berisha përballë gazetarëve! Të ftuar: Erl Murati, Mentor Kikia, Lorenc Vangjeli dhe Juli Xhokaxhi.

Berisha: Opozita nuk realizoi dot dy qëllime

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi këtë të enjte gjatë emisionit “Opinion” se me djegien e mandateve, opozita realizoi damkosjen e qeverisë.  Megjithatë sipas ish-kreut të qeverisë opozita nuk realizoi dot dy qëllime, rrëzimin e Ramës dhe bllokimin e zgjedhjeve në Qershor.

“Nuk them se opozita realizoi qëllimet e veta. Opozita realizoi damkosjen dhe ndjeshmërinë përndryshe po të mos qe kjo dhe Edi Rama ai që është opozita futej në një rreth të kuq nga i cili nuk dilte më kurrë me aktin që mori. Por kjo nuk ndodhi. Kjo nuk ndodhi jo se u pëlqye vendimi i opozitës, por sepse opozita përballej me një njeri që nuk njihte asnjë normë, as një standard. Dialogu me opozitën në rrafshin ndërkombëtar vazhdon njëlloj sikur nuk ka ndodhur asgjë. Opozita nuk realizoi dot dy qëllime të tjera. Nuk realizoi dot rrëzimin e Ramës dhe bllokimin e zgjedhjeve dhe shkuarjen në zgjedhje të tjera. Tani këto janë realitetet. Në këtë realitet, opozita kishte qëllim vetëvrasjen me atë veprim që bëri? Jo, nuk kishte qëllim vetëvrasjen opozita”, tha Berisha.

Ndër të tjera, Berisha theksoi se fitorja më e madhe e opozitës do të ishte rrëzimi i Ramës.

“Fitorja më e madhe e opozitës do kishet qenë rrëzimi i Edi Ramës. Për mendimin tim opozita nuk arriti të trajtojë revoltën e madhe popullore që ekzistonte me mosbindjen civile të shkallës së atillë saqë i jepte shkelmin Edi Ramës përfundimisht”, tha Berisha.

Berisha: Me uljen në tryezë opozita vuri përpara interesat e Shqipërisë

Duke e cilësuar Reformën Zgjedhore si jetike për vendin, ish-Kryeministri Sali Berisha është i mendimin që ulja e opozitës jashtë parlamentare në një tavolinë me mazhorancën, tregoi se ajo vuri para interesin e Shqipërisë.

“Rrëzohej apo nuk rrëzohej Rama, kjo reformë ishte jetike, jo se kjo do të bëjë zgjedhjet e lira, absolutisht jo, por ishte jetike. Pse unë jam për të. Sepse raporti i fundit i ODIHR shkatërroi përfundimisht zgjedhjet, i asgjësoi zgjedhjet, me vërejtjet me sugjerimet, me kritikat. Atëherë nëse opozita, pas këtij raporti thoshte që unë nuk ulem, opozita së pari këtu nuk vinte interesat e Shqipërisë përpara. Edhe opozita nuk mund të mos verë interesat e Shqipërisë përpara. Opozita është vetëm për zgjedhjet. Përndryshe opozita tregon se nuk e ka Shqipërinë të parën”.

Nga studio e “Opinion”, Berisha tha se deri para dy muajsh Rama refuzonte që të ulej në një tryezë me opozitën, me të njëjtat kushte që u ulën.

“Absolutisht Edi Rama për herë të parë në jetën e tij e tha këtë para 1 muaji ose 2 muajsh. Sepse refuzonte, nëse ju kujtohet biles edhe në këtë studio e kam shprehur këtë. Absurditeti i tij qëndronte sepse refuzonte një formulë të tillë dhe deklaronte që unë Reformën Zgjedhore do ta bëj me opozitën që është, po të doni hajdeni, po të doni mos hajdeni”. 

Berisha: Nuk ka marrëveshje të fshehtë mes palëve

Ish-kryeministri dhe ish-drejtuesi i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se në dijeninë e tij nuk ka një marrëveshje mes opozitës dhe mazhorancës pas uljes në tryezë për reformën zgjedhore.

I ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion”, Berisha u pyet nga gazetarët nëse ka një marrëveshje të fshehtë mes palëve që nuk është bërë publike ende. Por ish-kryeministri garantoi se në dijeninë e tij kjo nuk ka ndodhur.

Madje sipas Berishës, opozita nuk ka pasur presion nga ndërkombëtarët për uljen në tryezë, por vetëm sugjerime. Përkundrazi, sipas tij presioni ka qenë mbi palën tjetër.

Erl Murati: Mbaj mend që Basha pak kohë më parë në kulmin e krizës thoshte që “më kanë ofruar edhe arrestimin e personave që përmenden në dosjen 339 dhe 184, por nuk ka kompromis dhe nuk pranojmë”. Ku jemi sot? Në Janar u ulët pa asnjë kusht. Çfarë ka ndryshuar, besimi juaj tek Edi Rama apo presioni ndërkombëtar iu detyroi?

Sali Berisha: Iu garantoj që ka pasur propozime, por jo presion. Iu garantoj. Presion mund t’i jetë bërë palës tjetër, por jo këtu. Ka pasur sugjerime.

Blendi Fevziu: Brenda kësaj logjike, ju thatë se jeni distancuar nga lidershipi, por në dijeninë tuaj, ka një marrëveshje “underground” që ne nuk e dimë? Pra ulja në tryezë justifikohet apo mbështetet nga një marrëveshje që nuk është bërë publike që do të thotë zgjedhje të parakohshme, zhvleftësim nga Gjykata Kushtetuese e të zgjedhurve lokalë, qeveri të përbashkët të mundshme, pra të gjitha pikat që ne nuk i dimë.

Sali Berisha: Në dijeninë time, iu garantoj në mënyrën absolute se nuk ka asnjë marrëveshje.

Juli Xhokaxhi: Por ku bazohet deklarata e Bashës që menjëherë pas miratimit të reformës zgjedhore do ketë zgjedhje të parakohshme. Është premtuar diçka apo është thjesht dëshirë?

Sali Berisha: Jo nuk është besoj që është premtuar.

Blendi Fevziu: Pra ju nuk besoni që ka një marrëveshje më të thellë zoti Berisha që ne shohim vetëm pjeën e sipërme, një marrëveshje ajsberg, ne shohim majën.

Sali Berisha: Në vlerësimin tim dhe dijeninë time absolute, unë këtë them. 

Rama dhe Basha u takuan jashtë Shqipërisë? Berisha: Lorenc mos bjer viktimë

Sipas ish-kryeministrit Sali Berisha sa herë që Edi Rama është në vështirësi nxjerr lajme sikur po bën marrëveshje me Lulzim Bashën.

I ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ish-kreu i qeverisë u pyet nga analisti Lorenc Vangjeli nëse ishte në dijeni të një takimi mes kreut të PS-së dhe atij të PD-së gjatë janarit në një shtet mik të Shqipërisë.

Por Berisha tha se këto janë trillime banale dhe Vangjeli nuk duhet të bjerë viktimë e tyre.

Lorenc Vangjeli: A keni dijeni ju që zoti Basha është takuar me zotin Rama këtë Janar me një shtet mik jashtë Shqipërisë. Një takim që mund të shënojë 6-vjetorin e një marrëdhënieje të tyre të veçantë me ulje dhe ngritje, dashuri dhe urretje. Nga Shtatori i 2014-s po iu flas për Janarin e 2020-s në dijeninë tuaj apo pas shpinës suaj.

Blendi Fevziu: Lorenc e ke informacion këtë?

Sali Berisha: Lorenc, keqardhja ime është që bie viktimë e zyrës Fuga. Me të gënjyer Fuga ty? Si mor Lorenc. Ti mund ta mashtrosh Fugën 100 herë, por jo ai ty.

Lorenc Vangjeli: Unë vetëm të vërtetën kam doktor. Po sikur nesër ta shikoni në një foto zotin Basha duke buzëqeshur pas Ramës me të njëjtën buzëqeshje që ka pasur me Trump-in.

Sali Berisha: Nxirre, nxirre.

Lorenc Vangjeli: Supozojmë thashë.

Sali Berisha: Lorenc se të të viktimizojë Fuga është të shkojë njeriu kot.

Lorenc Vangjeli: Dy njerëz në këtë dynja kanë tentuar të ngjallin njerëz në këtë botë. Jezu Krishti e bëri këtë gjë, ju po tentoni ta bëni me opozitën që vrau veten me dajre dhe hare.

Sali Berisha: Unë nuk them që e vrau veten. Në bindjen dhe dijeninë time një marrëveshje të fshehtë me Edi Ramën nuk ka. Është një praktikë e Edi Ramës që nga viti 2017 gjer sot që periodikisht sa herë bie në vështirësi të madhe hap lajme se “jam duke u marrë vesh me Lulzim Bashën”. Këto të gjitha janë trillime banale.

Berisha: Për çfarë duhet t’i kërkojë falje shqiptarëve Fatos Nano

Për ish-Kryeministrin Sali Berisha, nëse ka një gjë që Fatos Nano duhet t’i kërkojë falje shqiptarëve është që i la pas Edi Ramën.

Nga studio e “Opinion”, Berisha tha se “midis malinjitetit të Edi Ramës dhe moskokëçarjes dhe mungesës së përgjegjësisë së Fatos Nanos, për këtë vend njëmijë herë më e dëmshme është keqësia, vesi, hajnia dhe të gjithat e Edi Ramës, sesa defektet e Fatos Nanos”.

Fatos Nano, 53 vjeç dha dorëheqjen si Kryeministër dha dorëheqjen nga partia dhe e mori Edi Ramën, i bëri gjëmën vendit me të. Nëse ka një gjë për të cilën Fatos Nano gjithë jetën e tij duhet t’i kërkojë të falur shqiptarëve është njeriu që la prapa“, u shpreh ish-Kryeministri.

Si përgjigjet Berisha kur pyetet nëse ka përdorur lëndë narkotike

Përgjigja e ish-Kryeministrit Sali Berisha kur pyetet nëse ka përdorur ndonjëherë lëndë narkotike është e prerë: “Kurrë”. Madje shton se nuk ka përdorur kurrë as qetësues dhe si kurën më të mirë këshillon mendimin pozitiv. I pyetur nëse pas 30 vitesh në politikë bën gjumë të qetë, në studion e “Opinion”, Berisha thotë se ai bën gjumin më të qetë se kushdo tjetër.

Blendi Fevziu: Keni përdorur ndonjëherë lëndë narkotike Zoti Berisha?

Lorenc Vangjeli: Kështu thoshte dhe Edi Rama për ju, gjithë ajo energji që ka Sali Berisha, vjen vetëm nga kokaina, por e pastër.

Blendi Fevziu: Edhe në media thonin që merr stimulantë për të qenë aq energjik, në mitingje gjithë kohës.

Sali Berisha: E vërteta është kokaina ime. Pasioni im për të vërtetën më shumëfishon energjinë, nga mëngjesi deri në darkë.

Blendi Fevziu: Asnjëherë nuk keni marrë stimulantë zoti Berisha.

Sali Berisha: Kurrë!

Blendi Fevziu: Të asnjë lloji?

Sali Berisha: Kurrë! Dhe meqë po më pyet unë nuk marr në mënyrë të prerë as mjete gjumi, ose qetësues. Përse nuk marr? Unë përdor mendimin pozitiv. Përdor meditim pozitiv, si kurën më të mirë edhe jua këshilloj të gjithëve.

Blendi Fevziu: Si është ky meditimi pozitiv.

Sali Berisha: S’më merr gjumi, ndodh që nuk më merr, për një arsye, kam pak temperaturë, ose kam fjetur pak më shumë në drekë dhe lexoj… them këto orë i kam dhuratë unë tani. Mund të shkojë ora 3-4. Çfarë të mire ka kjo? T’ju tregoj një sekret. Përveçse lexon çfarë do, ka një të mirë tjetër, të nesërmen nuk gdhihesh hundë e buzë. Gdhihesh i kënaqur.

Blendi Fevziu: Varet kush të del i pari të në TV. Se ndez TV dhe del Rama, kushedi sa keq ndihesh.

Sali Berisha: Jo… prandaj unë nuk marr as stimulantë, asgjë.

Blendi Fevziu: E keni parë videon e Kryetarit të Bashkisë?

Lorenc Vangjeli: Pas 30 vjetësh në politikë, ju zë gjumi rehatë? Nuk ju kujtohen skeletet në dollap?

Sali Berisha: Absolutisht, unë fle më qetë se kushdo tjetër, ta dish ti. Dhe gjumi, unë si njeri shoh vetëm ëndrra ditën dhe jo natën. Nuk shoh ëndrra natën unë.

Debati për 21 Janarin, Berisha-Vangjelit: Mos fol kot, nuk rrëzohej kurrë me forcë Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku pati një debat me analistin Lorenc Vangjeli rreth 21 Janarit të 2011-s.

Berisha deklaroi se Garda qëlloi me armë në përputhje me ligjin. Sipas ish-Kryeministrit, qëllimi i Ramës atë ditë ishte rrëzimi i tij. Madje kreu i Partisë Socialiste në atë kohë, sipas Berishës, kishte përgatitur edhe një fjalim që ta mbante nga ballkoni i Kryeministrisë.

Sali Berisha: Asnjëri prej tyre, ta dish mirë ti, nuk janë vrarë me urdhër, në mënyrë absolute. Janë ekzekutuar duke qëlluar në ajër. Kanë gjuajtur me të gjitha mjetet kundër gardistëve, kanë gjuajtur me çdo mjet në dritaren e punës. Unë isha këtu, xhami kishte vrimën e plumbit. S’them unë gjëra që s’janë. Unë atje rrija. Edi Rama mendonte se mund të pushtonte zyrën. Zotëri është bërë një tentativë në 1997-n për të pushtuar Presidencën. Kanë ndenjur tre ditë aty dhe ata që tentuan morën atë që merituan.

Blendi Fevziu: Pati dhe një viktimë atë ditë.

Sali Berisha: Po e rrethove tjetrin atëherë matu mirë. Rrethuan Kryeministrinë.

Lorenc Vangjeli: Maksimumi është 5 vjet heqje lirie. Mëkati i atyre shkonte maksimumi në 5 vjet, ndërkohë ju i dhatë plumbin.

Sali Berisha: A e hapën me veturë derën? Kaq.

Lorenc Vangjeli: Me urdhër.

Sali Berisha: S’ka prek njeri policia prej tyre.

Lorenc Vangjeli: Me urdhër, apo frikacakët qëlluan…

Sali Berisha: Garda qëlloi në përputhje absolute me ligjin, i cili thotë, ligji i bërë nga socialistët jo nga unë, nëse qëllohet ushtari rojë qëllohet në ajër. Nëse vazhdon ta gjuash, ushtari të qëllon tek këmbët. Nëse vazhdon prapë, ushtari të asgjëson.

Lorenc Vangjeli: Vetëm frikacakët qëllojnë me kallash. Gurit nuk i përgjigjesh me armë.

Sali Berisha: Ligji nuk e përcakton fare atë. Mos fol kot. Merre ligjin.

Lorenc Vangjeli: E njoh mirë ligjin.

Sali Berisha: Flet kot. Ligji është i socialistëve jo i imi.

Lorenc Vangjeli: Unë nuk po ju them për ligjin, unë po ju flas politikisht. Kush është më shumë fajtor përpara ligjit dhe përpara qytetarëve, ai që ia hedh gjyqit me procedurë apo ai që ka palluar gruan e efendikoit dhe e ka futur në burg?

Sali Berisha: Ligji thoshte s’ka proporcion aty. Se kur i bie me gur kokës nuk ka proporcion aty. Ka ose me lëshuar vendin ose me të asgjësuar. Ndaj dhe ka zbatuar ligjin dhe ata kanë marrë atë që kanë merituar.

Lorenc Vangjeli: Ky vend do të ishte normal me një opozitë normale dhe një opozitë normale do të kishte ardhur në pushtet.

Sali Berisha: Jo, jo!

Lorenc Vangjeli: E çuat në qorrsokak dhe prandaj është Edi Rama në ajër sot.

Sali Berisha: Edi Rama i solli aty. Kush i solli? A nuk deklaroi një natë më para se do kalosh mbi kufoma. Nuk i tha Sali Berisha.

Lorenc Vangjeli: Gaboi dhe humbi. U kthye në institucione dhe ju mundi.

Sali Berisha: Mori tjetrin nga Greqia, hajde të rrëzojmë Sali Berishën. Ku rrëzohej Sali Berisha mor. Mori tjetrin nga Greqia, hajde të rrëzojmë Sali Berishën. Ku rrëzohej Sali Berisha mor. Nuk rrëzohej kurrë me forcë Sali Berisha. Nuk jam Edi Rama unë.

Lorenc Vangjeli: Nuk rrëzohej, po! Asnjë pushtet nuk rrëzohet me gurë. As ju nuk e rrëzoni me gurë.

Sali Berisha: Ja ku e keni makinë, ja ku i bien makina. Shihe pak.

Lorenc Vangjeli: Edi Ramën nuk e rrëzoni as ju duke i thënë bandit, as Lul Basha duke i gjuajtur me molotov, nuk e rrëzon as Monika duke e gjuajtur me çizme. Mund ta mundni vetëm me votë.

Sali Berisha: Ja ku e ke 21 Janarin.

Lorenc Vangjeli: Edhe?

Sali Berisha: Porta, urdhëro. E di ku e gjetën makinën?

Lorenc Vangjeli: Në malin e Dajtit dhe e mbushën me tritol.

Sali Berisha: Makinën e mori Shalsi tek ura e Lanës, është e filmuar.

Lorenc Vangjeli: Mos tani, u ngarkua me helm gjarpri tani.

Sali Berisha: Edi Rama kishte fjalimin në xhep se do mbante fjalim në ballkonin tim.

Berisha tregon 4 personat që ka sulmuar gjatë karrierës politike

4 janë njerëzit të cilët Sali Berisha thotë se i ka sulmuar gjatë karrierës së tij politike. Emrat e tyre, ish-Kryeministri i zbuloi mbrëmjen e kësaj të enjteje në studion e “Opinion”. Ai shpjegoi edhe arsyet përse i konsideronte “armiq” të tij.

“Në të gjithë karrierën time janë katër vetë të sulmuar nga unë. Gjen Sorosin, një armik i egër i qendrës së djathtë e vlerave së saj. Gjen Fylen, i cili dihet botërisht, e ka shkruar vetë që ka bërë shkollë zbulimi dhe që shkonte në Beograd të Nikoliçi dhe bënte deklarata kundër meje. Në atë kohë nuk më shkonte mendja, duket se argatin e Prishtinës e kishte thes dhe u thoshte në Bruksel nuk është gjë ai, nuk kam punë me Hashim Thaçin, gjithë problemi im është me Sali Berishën. Tjetër ishte Gloveri, për një periudhë, dhe ka qenë Papadreu, babë e birë të njëjtë janë. Në 30 vite nuk mund të mos kesh tre apo katër veta“, tha Berisha.

Jeni zhgënjyer nga Basha? Përgjigjet Berisha

Sali Berisha ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan përballë një paneli gazetarësh dhe analistësh. Ish-kryeministri deklaroi nga se është i mendimit që opozita të vazhdojë protestat.

Ai iu përgjigj edhe pyetjes së gazetares Juli Xhokaxhi, nëse është zhgënjyer nga kryetari aktual i PD-së, Lulzim Basha.

Juli Xhokaxhi: Zoti Berisha keni zhgënjime ndaj zotit Basha. Jeni penduar që e latë si pasardhës?

Sali Berisha: Do të të rrëfej një gjë pak më intime. Pasi u zgjodh zoti Basha kishte nga ata që më thonin ‘ja ti bëre zgjedhjen’. Atyre ua faktova që nuk bëra zgjedhje. Nëse të tjerët nuk kandiduan, nuk gjen njeri në PD që Sali Berisha t’i ketë thënë mos kandido. Nuk gjen njeri në PD që Sali Berisha t’i ketë thënë ‘lëre kësaj radhe të dalë Lul Basha’.

Lorenc Vangjeli: Por nuk i garantuat një garë të drejtë me Sokol Olldashin?

Sali Berisha: Ishin dy kandidatë, Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi.

Lorenc Vangjeli: Nuk i dhatë një garë të drejtë zotit Olldashi duke nisur që nga numrat rendor në letrat e votimit.

Sali Berisha: Mos hy në atë punë ti tani. Të jesh i bindur që kam qenë i drejtë.

Lorenc Vangjeli: Edhe drapri ashtu thotë “jam i drejtë”.

Sali Berisha: Edhe ata që kanë lëshuar llafe kot kanë folur pa baza. Pozicioni im ishte i vështirë. Unë ndoqa një linjë jo shumë jodemokratike. Unë i kërkova udhëheqjes së PD-së që të mos anësojnë. Sot ke demokratët në SHBA, po bëjnë garën dhe figurat kryesore nuk anësojnë akoma. Ata do të votojnë në konventë. A ishte demokratike kjo? Nuk mund të them, se njerëzit kishin të drejtën që të shpreheshin. Të vetmen gjë që kam bërë. Nuk gjen njeri kurrë që i thirra dhe i thashë voto këtë ose ata. Secili nga ata që thonë mbrapa e la ky apo ai, po të kishin ardhur do kishin marrë një po si këta.

Juli Xhokaxhi: Zhgënjime keni nga zoti Basha?

Sali Berisha: Jam njeri i tërhequr.

Juli Xhokaxhi: Personale po flas?

Sali Berisha: Nuk kam asgjë personale.

Juli Xhokaxhi: Personale si gjykimin tuaj personal?

Sali Berisha: Unë kam një objektiv nga mëngjesi deri në darkë, “al modo mio” që këtë narkoshtet…

Lorenc Vangjeli: E thënë me fjalë të tjera një baba ndërton një shtëpi të bukur, të mirë, me ato halle, probleme dhe shikon çunin që e shet lirë.

Sali Berisha: Nuk ka qëllim patronalist kundër meje. Besoj që Lulzim Basha e ka faktuar këtë. Nuk ka patronalizëm ndaj tij. /tvklan.al