“Si e fotografova Merkelin në një supermarket, po priste radhën për djathin”

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan kanë qenë të ftuar Jonila Godole, Preç Zogaj, Fatjona Mejdini, Ralf Gjoni dhe Arlinda Dudaj. Në lidhje direkte: Elja Zotka dhe Blerta Dalloshi Berisha për të folur rreth karrierës së Angela Merkel.

Studiuesja dhe pedagogia e njohur Jonila Godole, jeta e së cilës është mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, ka treguar një moment kur e ka parë para disa vitesh Angela Merkel në një supermarket duke blerë djathë. Sipas saj, Merkel po priste në radhë si të gjithë të tjerët dhe ajo me thjeshtësinë e saj, bënte pazarin e saj të përjavshëm në atë supermarket.

“Përpara pandemisë është një foto që e kam bërë unë në fakt që shumë media e kanë qarkulluar si të tyren, unë isha duke pritur të më vinte ora e avionit, isha ulur në një supermarket dhe po prisja, shoh një dhe them sa i ngjaka Merkelit kjo dhe i bëj foto. Shoh që të gjithë njerëzit po rrinin në radhë dhe ajo po rrinte tek radha e djathit, po blinte djathë.

E kishte afër shtëpisë dhe aty ishte vendi ku ajo një herë në javë shkonte blinte djathin dhe bukën. Unë thjesht i bëra një foto sepse thashë që ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme, ishte me një xhaketë të kuqe. Po kërkoja por nuk pashë asnjë roje, por kur e pashë me vëmendje e kuptova që ishte ajo. Asnjë nuk i tha futu pa radhë, më bëri shumë përshtypje, shitësja nuk lëvizi asnjë gjë kur erdhi ajo aty, unë e filmova dhe e fotografova dhe e kam postuar para disa vitesh në Instagram.

I mori gjërat, vajti në dy-tre pika, bleu gjërat që donte dhe thjesht u largua. U përpoqa të futesha, të ecja pas shkallëve për të parë ku janë ata që e shoqërojnë. Ata aty duhet të ishin, por me siguri ishin veshur civilë”, është shprehur Jonila Godole. 

Ambasadori i Shqipërisë në Gjermani: Largimi i Angela Merkel do të krijojë vakum për Ballkanin

Ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko, tha gjatë një interviste në emisionin “Opinion” se largimi i Angela Merkel nga skena politike do të krijojë një lloj vakumi për Ballkanin Perëndimor.

Ai pohoi se edhe nga kontaktet që kishte patur me të, kishte kuptuar se kancelarja ishte një njeri i përkushtuar ndaj rajonit.

Largimi i Angela Merkel nga skena politike do të krijojë një lloj vakumi edhe kur vjen puna për Ballkanin Perëndimor. Gjermania është një vend që ka një memorie administrative, por roli i udhëheqësve është i pazëvendësueshëm.

Unë që kam patur fatin të ndodhem në takime me të ose në takime të kryeministrit me të, kam vënë re një përkushtim ndaj rajonit.  Unë them që ka një vizion që është unik dhe që e sheh Ballkanin si pjesë të Europës dhe perspektivës europiane”, u shpreh Kuko./tvklan.al