Të ftuar: Spartak Koka, Agim Serjani, Ermelinda Hoxhaj, Mirela Milori.

Sizmologu: Pasgoditjet do të vazhdojnë, ruani qetësinë

Tërmeti i së martës së 26 Nëntorit me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter tronditi Shqipërinë. Por goditja kryesore është pasuar me disa pasgoditje. Bëhet fjalë për mbi 650 tërmete të tilla, ndërkohë që 8 prej tyre kanë qenë me intensitet mbi 4.5 ballë.

Më i fundit u regjistrua mesditën e sotme, ku lëkundjet ishin të magnitudës 5.3 të shkallës Rihter. Sizmologu, Llambro Duni theksoi gjatë një lidhjeje direkte në emisionin “Opinion” në Tv Klan se është normale që goditjet e mëdha të shoqërohen me pasgoditje më të vogla.  

“Frika është e dukshme dhe njerëzit e përjetojnë keq. Tërmetet e kësaj madhësie shoqërohen me tërmete që pritet të zvogëlohen, por do të kemi edhe të kësaj madhësie. Ka qëlluar që në historinë botërore të ketë përsëritje të kësaj natyre. Nuk mund ta them për rastin tonë. Është e pamundur të bëj parashikime të tilla”, tha Duni.

Sizmologu bëri thirrje që të ruhet qetësia pasi pasgoditjet do të vazhdojnë.

“Duhet të ruani qetësinë. Lëkundjet do të vazhdojnë. Kjo dukuri do kërkojë të shuhet prandaj duhet të durojmë. Mos hyni në banesa të cilat rrezikojnë të shemben. Vëmendja duhet të shkojë për të mbështetur strukturat që ndihmojnë njerëzit për tu nxjerrë nga gërmadhat”, tha Duni.

Kërkimi për pjesëtarët e familjes Cara, i afërmi zjarrfikës: Janë në dorë të Zotit

Thumana ishte një ndër zonat më të prekura nga tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter. Nga lëkundjet e tërmetit janë shkatërruar pallate, ndërsa 15 viktima janë shënuar vetëm në këtë zonë.

Shtatë viktima, katër prej të cilëve janë ende nën rrënoja, janë pjesëtarë të familjes Cara, e cila banonte në Thumanë. Arben Cara, zjarrfikës, ndodhet që prej ditës së djeshme atje për operacionin e kërkim shpëtimit.

Kushëriri i viktimave tregoi gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se po punohet për nxjerrjen e katër pjesëtarëve dhe një fëmije që dyshohet se është ende nën rrënoja.

“Nga operacioni i kërkim shpëtimit që po zhvillojmë janë në dorë të Zotit, është pothuajse e pamundur me çfarë po shohim me sy sepse gjithë ditën që punojmë tek pallati i cili është shembur plotësisht. Është e çuditshme që njëra anë nuk është shembur dhe ka mbajtur gjithë peshën e paneleve të betonit që na e ka bërë punën shumë të rrezikshme. Aktualisht jemi pothuajse në finishin e kërkimit të nxjerrjes së katër trupave të pjesëtarëve familjes Cara dhe një fëmijë dyshohet se është nën gërmadha. Ekzaktësisht di vetëm për 4 pjesëtarë të familjes Cara. Për fëmijën jemi akoma në dyshime pasi nuk kemi informacion të saktë nga banorët”, tha Cara.

Dasma që nuk u bë kurrë. Në verë do të martoheshin, sot janë nën rrënoja

Janë me dhjetëra viktimat e tërmetit tragjik të së martës, secili me një histori të trishtë njerëzore. Padyshim që e tillë është historia e Almir Carës, vetëm 29 vjeç dhe e të fejuarës së tij Diastela Steneci, 25 vjeçe, të cilët aktualisht ndodhen nën rrënojat e një pallati të shkatërruar në Thumanë.

Çifti i ri planifikonte të martohej këtë verë. Detajet rrëqethëse u zbuluan mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion”, nga gazetari i Televizionit Klan, Spartak Koka, i cili që prej ditës së djeshme ka qenë në terren duke ndjekur situatën në Thumanë.

“Këta janë Almir Cara 29 vjeç, e fejuara e tij Diastela Steneci, 25 vjeçe, të cilët aktualisht që flasim janë nën rrënoja. Këtë verë sipas të dhënave do të martoheshin“, tha Koka.

Ndonëse familjarët e tyre shpresojnë ende që të rinjtë të nxirren gjallë, sa më shumë koha kalon aq edhe më i vështirë duket ky mision.

“Sipas konfirmimeve të autoriteteve greke që po kërkojnë në mënyrë më të specializuar, nuk ka shenja jete“, u shpreh më tej gazetari Koka.

Familja Cara është një prej më të prekurave nga tërmeti në Thumanë, pasi nga 9 pjesëtarë, vetëm 2 prej tyre kanë arritur të mbijetojnë. 4 prej tyre janë ende nën rrënoja, mes të cilëve edhe Stela me Almirin.

Lëkundje tërmeti live në “Opinion”

Lëkundje të tjera tërmeti u shënuan mbrëmjen e së mërkurës në Shqipëri. Pas tërmetit 5.3 të shkallës Rihter që u regjistrua në mesditë, në orën 23:21 u shënua një tërmet me magnitudë 4.4 të shkallës Rihter.

Lëkundja ndodhi gjatë kohës që emisioni “Opinion” ishte live. Ndonëse lëkundjet ishin të lehta, mes të pranishmëve u përjetua me frikë. Ndërkohë drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu, bëri thirrje për qetësi.

Tragjedia prej tërmetit, Fevziu: Një familje që u shua e gjitha

Tërmeti që shkaktoi një tragjedi të vërtetë në Shqipëri la pas edhe histori që të lënë pa fjalë. 30-vjeçarja Djena Karanxha u nxorr e gjallë nga pallati në Durrës, por fatkeqësisht ndërroi jetë në spital.

Për shumë orë, Djena Karanxha ka mbajtur pranë vetes trupin e pajetë të vajzës së saj. E vogla 8-vjeçare Esiela Karanxha u largua nga kjo botë 2 orë para së ëmës. Djena një piktore, më parë kishte humbur edhe bashkëshortin e saj.

“Mendoja gjithmonë që Zoti më kishte dhënë shumë lumturi duke pasur një shok dhe një bashkëshort si Dori im, por jeta qenka një sprovë e vërtetë. Më mungon shumë bebi im”, shkruante ajo në një mesazh drejtuar atij.

Djena dhe vajza ishin zhvendosur tek prindërit e saj për shkak të frikës nga tërmetet. Deri më tani, i gjallë është i ati i Djenës, ndërkohë që e ëma e saj mbetet nën rrënoja.

“Një familje që u shua e gjitha. Një nënë dhe një vajzë 8-vjeçare, një baba që kishte ikur më parë nga jeta. Ka humbur edhe nënën e saj dhe deri tani evidentohet i gjallë babai i saj”, tha drejtuesi i emisionit “Opinion” për këtë ngjarje të trishtë. /tvklan.al