“Portin e Durrësit e ndërton vetëm një i çmendur”, Mohamed Alabbar: Si u njoha me Shqipërinë

Mohamed Alabbar, kreu i kompanisë Emaar, ka zhvilluar një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion” në Tv Klan. Njeriu që konsiderohet si personi që ndërtoi Dubain ka treguar se si është njohur për herë të parë me vendin tonë.

Ai u shpreh se hera e parë ka qenë para 5 vitesh, por për shkak të angazhimeve e la pas dore një vizitë. Pas kësaj ka qenë një prej miqve të tij që në fakt e ka prezantuar edhe me projektin për ndërtimin e portit të Durrësit, të cilin pritet ta ndërtojë kompania e njohur e Alabbar.

Kur e keni vizituar Shqipërinë për herë të parë?

Mohamed Alabbar: Para dy viteve.

Përse, cili ka qenë qëllimi i vizitës suaj?

Mohamed Alabbar: Po lexoja për Shqipërinë, po shihja Europën Lindore para 5 viteve, por pastaj u mora me gjëra të tjera.

Nuk kishit asnjë informacion për Shqipërinë?

Mohamed Alabbar: Jo nuk kisha. Unë operoj në Lindjen e Mesme. Mendoj ndryshe. Fatkeqësisht jemi burim i keq për lajmet e botës. Po të ndjekësh shtypin, shumica e lajmeve të këqija vijnë nga Lindja e Mesme. Problemet me Iranian, Afganistanin, Palestinën, terrorizmin.

Por disa nga vendet më tërheqëse të botës janë nga Lindja e Mesme?

Mohamed Alabbar: Shumë e vërtetë. Pikërisht se jetoj këtu kam pikëpamje pozitive. Pavarësisht sa dëgjon nga jashtë, mundësitë këtu janë për t’u zhvilluar. Njësoj është edhe për Shqipërinë, në mundësitë që të jep ajo për të ecur përpara. Më telefonoi një miku im, zoti Suarez dhe më tha se Shqipëria po zhvillohet. Nisi të fliste për portin e Durrësit, dhe më tha se është vetëm një i çmendur që e bën këtë projekt dhe quhet Muhamed.

“Jam rritur nga njerku, dikur flinin 9 fëmijë në 1 dhomë”, sot Mohamed Alabbar është miliarder

Mohamed Alabbar ka lindur në një familje modeste dhe fëmijërinë e kaloi në një dhomë te vetme ku banonin dhe flinin 9 fëmijë. 35 vjet më pas ai është një nga personazhet më të rëndësishëm të Emirateve, botës arabe dhe biznesit ndërkombëtar.

Është njeriu që ka ideuar dhe ngritur ndërtesën më të lartë në botë, Burj Khalifa, qendrën tregtare më të madhe në botë, Dubai Mall dhe pjesën më të rëndësishme të qytetit të Dubait. Vizionit dhe besimit të tij i dedikohet fakti që Dubai është sot qyteti i pestë më i vizituar i globit.

Presidenti i Emaar Group me afro 130 miliardë USD investime ka dhënë një intervistë ekskluzive dhe vërtet të rrallë për programin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në Tv Klan. Ai rrëfen që nga beteja për të arritur suksesin deri tek jeta e tij sot, që siç thotë ai, miliardat e pasurisë nuk e kanë ndryshuar fare.

Stafi i tij ka shoqëruar ekipin e Opinion në disa nga veprat më mbreselënëse të kompanisë, që renditen ndër rekordet Guinness apo që konsiderohen mrekulli të inxhinierisë botërorë. 

Çfarë propozimi i ka bërë qeverisë shqiptare Alabbar për jugun

Në vizitat që ka pasur në Shqipëri, Mohamed Alabbar ka pasur mundësinë të vizitojë edhe jugun e vendit. Thotë se është tronditur nga bukuria e tij. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se përse zgjodhi Durrësin për investim, kur kishte pasur një impresion të tillë për jugun e Shqipërisë, kreu i kompanisë prestigjioze Emaar thotë se i ka bërë qeverisë shqiptare një propozim edhe për jugun dhe po pret përgjigje.

“Së pari nuk mendoj se ato hapësira (në jug) do të mbeten bosh për një kohë të gjatë, më dëgjoni mua. Po shoh për diçka serioze në jug, po jua them. I kam bërë një propozim qeverisë dhe do të më kthejnë përgjigje. Po mendojmë një projekt për turizmin, jemi duke punuar, vetëm propozim. Por tipike për investitorët, qytetet e mëdha janë qendra, aty është ekonomia. Tipike kjo për botën, njerëzit po zhvendosen nëpër qytete, atje është GDP-ja, popullsia më e madhe, punësimi, por po të shohim jugun, është diçka krejt ndryshe”, shprehet në intervistën e dhënë për Blendi Fevziun, Mohamed Alabbar.

“Kam marrë gurë nga Shqipëria për në Dubai”, flet miliarderi që do të investojë në portin e Durrësit

Mohamed Alabbar është personi që ka në dorë çelësat e kompanisë së njohur Emaar. Kjo kompani e njohur ka ndërtuar Dubain siç e njohim ne sot, ndërkohë që pritet të ndërtojë edhe portin e ri të Durrësit.

Alabbar ka zhvilluar këtë të enjte një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu ku tregoi se Shqipëria ka potencialin e madh për t’u zhvilluar. Ai u shpreh se çmimet e kompanisë së tij varen shumë nga tregjet e vendeve.

Po ashtu ai shtoi se rregulli i firmës që ndërton është që investimet të kryhen nga kompanitë vendase. “Unë po transportoj gurë nga Shqipëria në Dubai, nuk do t’i përdor ato për projektet këtu?”, tha ndër të tjera ai.

Pra politika e çmimeve tuaja varet nga tregjet e vendeve?

Mohamed Alabbar: Po e tillë është klientela. Nëse do të blesh në Shqipëri ti me çmimet e Shqipërisë ecën, ti ato po pret. Cilësia është më e mirë, do ta ngresh pak çmimin, por kurrsesi të shesësh me çmimin e Dubait.

Si do ta përdorin portin e jahteve, marinën? Ne nuk e kemi një port të tillë në Shqipëri, vetëm një shumë të vogël në jug.

Mohamed Alabbar: Vija bregdetare e Adriatikut është fantastike. Vijnë nga Kroacia shkojnë në Greqi dhe e kundërta. Vijnë nga Italia, rrugë e shkurtët kjo.

Italia është më e shtrenjtë.

Mohamed Alabbar: E gjithë Europa është e shtrenjtë, do të ngrenë çmimet, vlerën, shërbimet, por çdo gjë varet si e marketon, shërbimet që ofron dhe cilësinë e tyre.

Zoti Mohamed, ju do të kujdeseni edhe për menaxhimin e projektit? Në Dubai nuk merreni vetëm me ndërtimin, por edhe me menaxhimin e sipërmarrjes së gjithë projekteve gati të çmendura. E kam fjalën për mirëmbajtjen.

Mohamed Alabbar: Ne kemi dëshirë t’i projektojmë hotelet tona, t’i ndërtojmë dhe operojmë vetë.

Hotele dhe ndërtesa?

Mohamed Alabbar: Po edhe tek rezidenca. Në pjesën më të madhe të ndërtimeve, projektojmë, ndërtojmë dhe operojmë vetë në to. Me raste ftojmë marka, emra të caktuara.

Sërish investimet do të bëhen nga kompani vendas?

Mohamed Alabbar: Unë lakoj shumë të përdoren dizejnues vendas, arkitektë, kontraktues vendas. Kjo po ndodh tani në Tiranë, ndërkohë që po shohim Durrësin. Kjo është detyra jonë. Ky është rregulli që ndjekim në çdo vend. Sigurisht mund të kem nevojë për një arkitekt amerikan të më skicojë diçka, por baza është zhvillimi i projektit kryhet nga vendasi.

Edhe kompanitë e ndërtimit duhet të jenë vendore?

Mohamed Alabbar: Kështu duhet të jenë, edhe kompanitë e ndërtimit duhet të jenë vendase.

Le të themi që me një shumë prej 2 miliardë dollarë do të kemi një treg të gjerë për kompanitë e ndërtimit.

Mohamed Alabbar: Po, por rregulli ynë është që duhet të blejnë produktet vendase. Çdo gjë nga Shqipëria, pa specifikuar një gjë nga Italia apo diku tjetër.

Përgjithësi do të përdorni mall në Shqipëri.

Mohamed Alabbar: Unë po transportoj gurë nga Shqipëria në Dubai, nuk do t’i përdor ato për projektet këtu? Kjo është me e pakta që mund të bëjmë për vendet ku operojmë.

Miliarderi Alabbar: Po kërkoj të blej një shtëpi të vjetër në Tiranë

Dëshiron që interesi i tij për të investuar në Shqipëri të merret seriozisht, ndaj dhe tregon planet që ka, duke nisur që nga banesa që kërkon të blejë në Tiranë.

Në intervistën e rrallë të dhënë për gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion”, kreu i kompanisë prestigjioze Emaar, Mohamed Alabbar, foli për dëshirën e tij për të blerë një shtëpi të vjetër në Tiran, të cilën do ta rikontruktojë.

Por jo vetëm kaq, teksa tregoi se Përmeti i kishte pëlqyer pamasë, Alabbar tha se në këtë qytet dëshironte të ndërtonte një fermë dhe një shtëpi pranë lumit. 

“Po kërkoj të blej një shtëpi në Tiranë. Dua të blej një shtëpi të vjetër dhe ta rinovoj. Po mendoj të marr një shtëpi me qira për momentin derisa të gjej shtëpinë e duhur dhe ta rinovoj. Dua që ta dinë se e kam seriozisht, se investimi këtu është një çështje serioze. Në Gusht kam qenë në Përmet dhe nëse mund të zgjidhja them të ndërtoj një fermë në Përmet, për në verë dhe një shtëpi të bukur afër lumit”, tha Alabbar.

Kompania Emaar pritet të ndërtojë portin e ri të Durrësit, një investim që parashikohet të arrijë deri në 2 miliardë euro.

“Do të jetë i hapur për publikun”, miliarderi arab që ndërtoi Dubain: Çfarë kemi parashikuar për plazhin në Durrës

Plot 2 miliardë Euro pritet që të investojë në portin e Durrësit kompania e njohur Emaar. Pak e dinë, por kjo firmë është ajo që ka ndërtuar Dubain ashtu siç e njohim në sot, me ndërtesa të bukura dhe teknologji të lartë.

E në krye të kësaj kompanie është Mohamed Alabbar. Miliarderi arab ka folur në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në lidhje me investimin e tij në portin e Durrësit. Alabbar u shpreh se shpreson që puna për projektin të nisë shumë shpejt. Ai tha se qeveria shqiptare është eficente dhe shpreson që edhe firma e tij të jetë në të njëjtën lartësi.

Alabbar nuk dha një datë për përfundimin e plotë të projektit. Megjithatë u shpreh se për 2 vite shpreson që të mbarojë puna me plazhin. Aty theksoi se do të bëhet një marinë e vogël dhe do të bëhen disa ndërtesa. Po ashtu ai u shpreh se do të pastrohet plazhi, rëra dhe toka ndërsa pasi u pyet nga gazetari Fevziu u shpreh se plazhi do të jetë publik. “Është më e pakta që mund të bëjmë”, tha ai.

Blendi Fevziu: Kur do të fillojë projekti juaj?

Mohamed Alabbar: Qeveria është tepër eficente dhe këtë gjë shpresojmë edhe për veten. Po them se në muajt e ardhshëm, jo shumë larg.

Blendi Fevziu: Qeveria duhet të jetë eficente…

Mohamed Alabbar: Unë parashikoj në muajt e ardhshëm dhe jo më gjatë.

Blendi Fevziu: Sa kohë do të zgjasë projekti, nga fillimi deri në fund të themi? Do të kryhet me faza?

Mohamed Alabbar: Po gjithçka varet nga tregu, disa projekte i mbarojmë për 5 ose 6 vite. Disa të tjerë mund të zgjasin 7 vite. Varet nga tregu.

Blendi Fevziu: Varet se si reagon tregu…

Muhamed Alabbar: Çdo gjë nis ngadalë derisa njerëzit fitojnë besimi, derisa i siguron që je serioz dhe pastaj merr vrull pune.

Blendi Fevziu: Në Shqipëri do t’ia nisni nga porti, marina apo me godinat?

Mohamed Alabbar: Do t’ia nisim nga plazhi me disa riparime. Po bëjmë studime, një marinë e vogël, ndërtesa dhe hotele dhe më pas vazhdojmë.

Blendi Fevziu: Kjo fazë e parë do të jetë gati për dy vite, tre?

Mohamed Alabbar: Shpresoj për 2 vite!

Blendi Fevziu: Po kjo zonë do të ketë gjithashtu një plazh të saj?

Mohamed Alabbar: Do të bëjmë të pamundurën ta pastrojmë…

Blendi Fevziu: Është projekt qyteti apo plazhi?

Mohamed Alabbar: Plazhi do të jetë projekti ynë. Do të pastrojmë rërën, tokën. Ka shumë punë.

Blendi Fevziu: Do të bëjnë njerëzit banjo dielli në këto plazhe, do të jenë të lejueshme për të qenë plazhe publike?

Mohamed Alabbar: Po, sigurisht! Kjo është më e pakta që mund të bëjmë.

Miliarderi arab i penduar, tregon këshillën e nënës që duhet të kishte dëgjuar

Mund të jetë një prej personave më të pasur në botë, por edhe ai bën gabime. Mohamed Alabbar, kreu i kompanisë Emaar, ka treguar gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan përballë gazetarit Blendi Fevziu gabimin më të madh që ka bërë gjatë këtyre viteve.

Bëhet fjalë për një investim në SHBA, për të cilin thotë se fitoi shumë, por ndërkohë harxhoi 1 miliard Dollarë të tjera. E për këtë pendohet për një gjë. Alabbar rrëfeu se duhet të kishte dëgjuar këshillën e nënës. “Mos shko tepër larg”, i ka thënë ajo, por që për Alabbar mësimi nga ai gabim është marrë.

Blendi Fevziu: E di që është paksa e vështirë të flisni për të, por cili ka qenë gabimi më i madh? Keni reflektuar në jetën tuaj dhe keni menduar për këtë besoj?

Mohamed Alabbar: Gabimi im më i madh ishte investimi në Amerikë. Kemi fituar miliarda dollarë, por në Amerikë kemi humbur një miliard.

Blendi Fevziu: Pse kështu?

Mohamed Alabbar: Kemi blerë një kompani pasurish të patundshme, por në kohën e gabuar. Duhet të kisha dëgjuar këshillën e nënës sime.

Blendi Fevziu: Çfarë ju ka thënë nëna?

Mohamed Alabbar: Nëna ime as nuk lexon, as nuk shkruan. Kohët e fundit, këto 5 vite, duke lexuar Kuranin, lexonte dhe gazetën e jam shumë i lumtur për këtë. Ajo thoshte gjithmonë, “mos shko tepër larg”. Kemi blerë një kompani 16 orë fluturim që këtu. U treguam emocionalë, e blemë në momentin e gabuar. Mësuam nga gabimi, por falë Zotit them unë, ishte një gabim që e përballuam.

2 miliardë euro investim, çfarë do të ndërtojë kompania Emaar në Durrës

Kompania Emaar synon të investojë rreth 2 miliardë euro në Durrës. Këtë e konfirmoi në intervistën e dhënë për “Opinion” vetë kreu i kompanisë nga Dubai, Mohamed Alabbar, i cili tregoi më tepër rreth këtij projekti. Alabbar tha se projekti parashikon ndërtimin e marinës, portit, të godinave, hoteleve dhe rrugëve.

Blendi Fevziu: Cili është projekti juaj në Durrës, çfarë do të ndërtoni ju atje? Marinë, apartamente, hotele? Pra konkretisht cili është marterplani, ose ideja juaj?

Mohamed Alabbar: Dikur fokusoheshim tek ndërtesat, por jo nuk bëhet fjalë për to. Nëse shihni Burj Kalifan sot, nuk bëhet fjalë për ndërtesën, por shëtitjen që mund të bëjmë ne këtu me fëmijët tanë. Të shohim përreth dhe të themi, unë kam shpresa, të buzëqeshim dhe ta kuptojmë se jeta po bëhet më mirë. Do të ndërtojmë marinën, portin, godina, hotele, rrugë për të ndryshuar jetën e vendit dhe turizmit.

Blendi Fevziu: Mendoni se jeta në Durrës dhe në zonat përreth ku ju do të investoni do të jetë më e mirë, do të ndryshojë diçka?

Mohamed Alabbar: Kjo gjë më shtyn mua të punoj çdo ditë. Si ta përmirësojmë jetën. Dua të ecim dhe të themi: unë po jetoj vërtetë.

Blendi Fevziu: Po flisni për të gjithë panoramën, e cila padyshim është tepër interesante. Por unë kërkoj disa detaje, gjëra më të vogla mbase. Sa i madh do të jetë investimi juaj në Durrës.

Mohamed Alabbar: Jemi duke vlerësuar tek 2 miliardë euro.

Blendi Fevziu: 2 miliardë euro në Durrës? Ky është investimi më i madh që kemi pasur gjatë këtyre 10 viteve të fundit. Kjo hapësirë do të jetë vetëm për shqiptarët apo edhe të huajt? Cilit treg i drejtohet?

Mohamed Alabbar: Është një treg i hapur, por pjesa më e madhe vendas.

Blendi Fevziu: Por unë dua objektivin tuaj, synoni më shumë për shqiptarët apo të huajt?

Mohamed Alabbar: Mendoj se pjesa më e madhe do të jenë shqiptarë, por unë nuk mund të ndaloj dikë nga Bosnja, Kosova, Greqia, për shembull që dëshiroj të blejë këtu. Unë këtë projekt do ta promovoj edhe në Emirate dhe mund të vijnë edhe nga andej të blejnë.

Miliarderi: Ndërtimet në Durrës do të jenë më të mira se në Dubai

Mohamed Alabbar thotë se investimet në Durrës do të jenë më të mira në se Dubai. Drejtuesi i kompanisë Emaar, e cila synon të investojë 2 miliardë euro në qytetin bregdetar shqiptar, në intervistën e rrallë që dha për gazetarin Blendi Fevziu tregoi disa prej gabimeve që kompania e tij kishte bërë në Dubait. Alabbar tha se kishte mësuar nga këto gabime dhe për këtë arsye Durrësi do të jetë më mirë.

Blendi Fevziu: Shpresoj shumë që Durrësi të bëhet si Dubai një ditë…

Mohamed Alabbar: Jo, Durrësi do të jetë më mirë. Këtu është ndërtuar mirë, por kemi bërë disa gabime dhe kemi mësuar prej tyre.

Blendi Fevziu: Më thoni dot një gabim që keni bërë këtu?

Mohamed Alabbar: Ne kemi ndjekur shembullin e Champs Elysee. Kemi sjellë konsulentë nga atje dhe i kemi pyetur cilat janë gabimet tuaja. Ne nuk kemi banje publike, vend parkime. Nëse i bini nga bulevardi ynë, kemi parkim nëntokë, 20 xhami, 45 tualete, por prapë ka mungesë të zonave të gjelbra./tvklan.al