Të ftuar:

Ariana Rreli – Mjeke psikiatre

Edlira Gjoni – Sociologe

Etleva Delia – Gazetare

Enrik Mehmeti – Gazetar

Gazetari Enrik Mehmeti, të mërkurën, tregoi se masakra me armë zjarri në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë, ndodhi me shumë gjasa pas sherrit për pulat mes Ritvan Zykajt dhe kushërinjve të tij.Ngjarja ka çuar drejt konfliktit çka ka sjellë edhe tragjedinë. I riu ka hapur zjarr befasisht duke kryer një masakër të vërtetë.

Mehmeti tha në studion e emisionit ‘Opinion’, se Ritvan Zykaj është akuzuar nga të afërmit e tij edhe për një vjedhje tjetër 4 vite më parë, specifikisht për vjedhjen e katër pulave të detit.

Sipas gazetarit, Zykaj është arrestuar kohë më parë edhe në Greqi për të njëjtën akuzë.

Më tej, Mehmeti rrëfei se Ritvan Zykaj nuk ka shfaqur pendesë në lidhje me aktin e kryer, ndërsa është pyetur nga policia ka thënë se të njëjtën ngjarje mund t’a përsëriste edhe njëherë tjetër.

“Unë e kam parë në sallën e gjyqit, i kam folur, por ai nuk jepte asnjë reagim”,-tha Mehmeti.

Tetë persona, anëtarë të një familje, u qëlluan për vdekje duke regjistruar kështu ngjarjen më të rëndë kriminale në vendin tonë.

Dy nga viktimat janë fëmijë të moshës 15 dhe 8-vjeç si dhe tre gra. Emrat e viktimave janë Demir Zykaj, Besim Zykaj, Azem Zykaj, Perri Zykaj, Vasilika Zykaj, Afërdita Zykaj, Sara Zykaj (15 vjeçe) dhe Ledion Zykaj (8 vjeç).

Portat e mbyllura të 4 shtëpive e bëjnë edhe më të thellë heshtjen që mbulon lagjen e Zykajve.

Shtëpia e vrasësit dhe ato të viktimave janë shumë pranë, të ndara me gardhe telash, që fare mirë lejojnë të shohësh nga njëri oborr në tjetrin.

Familja e vrasësit është larguar nga fshati pa adresë. Herë pas here në shtëpi shihet gjyshi i tij, i cili nga një portë e pasme hyn për të ushqyer kafshët që kanë mbetur brenda.

Ndërkohë, drama sociale që ka prekur familjarët e viktimave, duket se sapo ka filluar.

Dy vëllezërit Arjel dhe Falkao, përkatësisht 20 dhe 24 vjeç si dhe Albi 18 vjeçar janë të vetmit të mbijetuar nga familjet e Azem dhe Besim Zykajt.

I vetmi i afërm i tyre në fshat, është Krenari, xhaxhai që nuk flet e nuk dëgjon dhe që ditën e sulmit I shpëtoi vdekjes, pikërisht për këtë arsye. Nuk iI kishte dëgjuar të shtënat dhe nuk doli në oborr si të tjerët.

3 djemtë janë të heshtur, flasin pak dhe qëndrojnë me kokat ulur. I shmangen kamerës dhe përpiqen ta mbajnë brenda dhimbjen që duket se po i vret.

Nuk dinë të japin shpjegim dhe as të gjejnë arsye për atë që ndodhi, kanë një dhimbje të përbashkët, por secili duke e jetuar në mënyrën e vet.

24-vjeçari Falkao ishte i pari që mbërriti në vendngjarje. I ka gjetur një e nga një trupat e pajetë të njerëzve të dashur, e madje i është dashur t’i mbulojë për të fundit herë. Në vendngjarje, sikurse na thotë jashtë kamerave, ka gjetën vetëm gjyshin e vrasësit.

Albi 18-vjeçar është edhe më i heshtur se kushërinjtë. Vendos cdo ditë lule në vendin ku të dashurit e tij dhanë frymën e fundit.

Djemtë jetojnë çdo ditë me dhimbjen. Ecin ditë në vendin ku familjarët e tyre dhanë frymën e fundit, shohin fotografitë që u kanë mbetur kujtim dhe shkojnë tek varreza e familjes, e vendosur shumë pranë banesave, mes ullinjve të Zykajve.

“Këta shkojnë dy herë në ditë në varreza, nuk është mirë, sjell keq”, thotë xhaxahi I tyre Resmiu, që tashmë ka lënë familjen në Greqi, për t’ju qëndruar pranë nipërve, që sytë i kanë tek ai.

Jetesa në shtëpinë që u kujton cdo sekondë dhimbjen që mbajnë mbi supe, duket se po bëhet e vështirë për tre djemtë. Janë mjaftueshëm të rritur për t’I mbajtur lotët, por ende të rinj për të përballuar jetën të vetëm.

Teksa në mendjen e gjithë të mbijetuarve tashmë është gjetja e një mënyrë për t’u larguar nga fshati, ata ndjehen të braktisur nga cdo institucion, që minimalisht  kishte për detyrë të identifikonte problemet sociale që kjo tragjedi la pas.

 

*********************

Cfare do te ndodh me luginen e Presheves?

Shqiprim Arifi – Kryetar i Komunës së Preshevës

Kreu i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, të mërkurën, deklaroi se shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë autonomi politike me të drejtë bashkangjitje me Kosovën.

Arifi tha se Lugina e Preshevës nuk do shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, por do që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t’i bashkohen Kosovës.

Sipas tij, edhe pse Lugina do bashkim me Kosovën nuk dëshiron që Kosova të humbë Veriun, pasi kjo do të dëmtonte shtetin e Kosovës.

Blendi Fevziu

Z.Arifi a mund të hapë kjo një precedent problematik nëse serbët nuk bien dakord. Pasi serbët e veriut të Kosovës, të bëjnë të njëjtën gjë, të dalin me një referendum dhe të shprehen 90 për qind për një autonomi dhe për t’iu bashkangjitur Serbisë?

Shqipërim Arifi: Nuk është shumë interesante se çfarë mendojnë serbët, për këtë çështje. Është një mekanizëm demokratik.

Blendi Fevziu

Është një mekanizëm që vë në vështirësi shtetin e Kosovës.

Shqipërim Arifi: Shiko, ne kemi hasur në një mirëkuptim tek presidenti Thaçi, i cili është negociatori kryesor për këtë temë.

Blendi Fevziu: 

Pra, z.Arifi ju po kërkoni të shkëputeni nga Serbia dhe të bashkoheni me Kosovën?

Shqipërim Arifi: Po! Por, me tre kushte. I pari, mosparcelizimi i Luginës së Preshevës. I dyti, nuk jemi pro shkëmbimit të territoreve. I treti, pa u shkëmbyer një territor tjetër në emër të kësaj.

Arifi theksoi më tej se qytetarët e Luginës së Preshevës e kanë domosdoshmëri emergjente bashkimin me Kosovën, pasi ata kanë numrin më të lartë të papunësisë në rajon, mungesën e teksteve shkollore dhe janë të pa përfaqësuar në institucionet shtetërore që drejtohen nga shteti serb.