Të ftuar:

Prec Zogaj,

Fatos Klosi,

Spartak Ngjela,

Petro Koci,

Alfred Peza,

Erald Kapri

Dekretimi i 65 ballistëve nga Presidenti Nishani në 73 vjetorin e masakrës së Lushnjës, vazhdon të provokojë debate midis palëve.

I ftuar në “Opinion” për këtë temë, zv/Ministri i Mbrojtjes Petro Koçi thotë se “ Dekreti i Presidentit është në vazhdën e PD-së për të zhvlerësuar rolin e Shqipërisë në Luftën Nacional Çlirimtare. Dhe kjo nuk është hera e parë. Në kohën e Berishës na priste Polcia e Berishës te Varrezat e Dëshmorëve. Dekreti thoshte se janë dekoruar si martirë për demokraci. Imagjino se çfarë demokracie ishte në atë kohë. Në rastin konkret të Lushnjës, këta kanë bashkëpunuar me forcat gjermane. Vetë Mehmet Shehu ka thënë e kam ekzagjeruar. Ata janë viktima të një krimi lufte por nuk janë martirë. Por jo të dekorohen sepse kompromenton Luftën Nacional Çlirimtare.

Gazetari Erald Kapri ka theksuar se ngjarja që ka ndodhur me ballistët është tepër tragjike dhe kriminale, për shkak se 400 forca të ballit aty, rreth 170 forca u dorëzuan që me pushkën e parë. Kapri tha se ata nuk donin të luftonin. Sipas atij, realiteti i Shqipërisë në vitet 43-44 kuptohej se si rekrutoheshin ata, pjesa më e madhe e tyre rekrutohej nga më i forti i zonës. “Ata ishin fshatarë, të cilët u morën nga shtëpitë dhe arat e tyre. Disa prej tyre ishin të paarmatosur. Pra ka plasur pushka e parë dhe një pjesë e tyre janë dorëzuar”.

Ndërsa, Fatos Klosi tha se për të diskutuar në lidhje me çështjen në fjalë, gjërat janë shumë të nxehta që e kanë pësuar nga diktatura, që e kanë pësuar edhe gjatë luftës, me të drejtë apo pa të drejtë, problem është se politika nuk duhet të fusi hundët. Klosi theksoi se Presidenti nuk bëri mirë që u mor me këtë rast. Ka kush merret, atje është ngritur një përmendore në lidhje me këtë ngjarje. Sipas tij, problemi është se për çfarë arsye shfrytëzohen këto gjëra për situatën politike.

Analisti Preç Zogaj nënvizoi se Shqipëria duhej të kishte hyrë në epokën e pajtimit, ashtu siç kanë hyrë popujt e tjerë të qytetëruar. “P.sh, Italia që dihet që ka prodhuar edhe fashizmin edhe rezistencën ka bërë amnisti në vitin 1948, Franca në vitin 1952, të gjitha vendet e Europës e kanë përjetuar këtë problem. Biem dakord për këtë gjë, brenda skenarit të madh të luftës anti-fashiste dhe anti-naziste, janë zvilluar edhe skenaret e luftës për pushtet. Tani të mos rrimë e të bëjmë, sepse të fortit kanë qenë nacionalistët në një anë, të majtët në anën tjetër, komunistët në një krah. Të gjitha palët e kanë lexuar skenarin sipas optikës së tyre”.

Ndërkaq, deputeti i PS-së Alfred Peza theksoi se Presidenti i Republikës për nevoja dhe qëllime personale të politikës së ditës dhe asaj se çfarë do vijë mbasi të mos jetë më President, sipas tij, ai përdor postin e Presidentit të Republikës, për të bërë dekorimin. “Ai ishte masakës apo s’ishte masakër? Sigurisht që ishte. Më mirë se Enver Hoxha unë nuk mund të përcaktoj me atë që ka thënë: Është i tepruar, pavend dhe shumë i gabueshëm. Këtu e mbyllim me këtë diskutim në lidhje me raportin e ngjarjes”.

Avokat Spartak Ngjela, ndër të tjera, tha se komunizmi është një filozofi pa atdhe. Kjo vjen ng koncepti marksist që thotë se punëtori është pa atdhe. Sipas tij, nuk mund të dalësh jashtë doktrinës. “Këta ngrinin atentatorët, në ditët e sotme, këta quheshin terrorist. Teza e tyre revolucionare ishte Luftën Nacional Çlirimatre ta kthejmë në revolucion socialist, e këthyen ata”.