Në pjesën e parë dhe të dytë të emisionit “Opinion” në Tv Klan, do të fokusohemi tek vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Shqipëri. Ai ka qëndruar thuajse 9 orë në kryeqytetin shqiptar, duke pasur një axhendë e cila për herë të parë, në 6 vizitat e sekretarëve të Shtetit në Shqipëri, kishte disa ndryshime: nuk mori pjesë në Parlament dhe nuk takoi opozitën.

Nga ana tjetër ai zhvilloi një axhendë që parashikonte: takimin me presidentin e Shqipërisë; kryeministrin, me të cilin pati përveç takimit dhe një konferencë shtypi; takimi me ministrin e Jashtëm; një takim me studentë të rinj dhe persona të cilët janë financuar për t’u trajnuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u përfshi dhe një takim i shkurtër me përfaqësuesit e Organeve të Drejtësisë; takoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, në një takim në hyrje të Piramidës; si dhe pati një takim me Ambasadën Amerikane. Padyshim, takimi më i rëndësishëm ishte me kryeministrin dhe më pas, rreth mbrëmjes, edhe pse ishte parashikuar një darkë dhe një takim me përfaqësues të Shoqërisë Civile, Blinken është nisur drejt Mynihut.


“Nëse vijon kështu, baza e të ardhmes do jetë Tirana”, mesazhi i rëndë i Blinken për Kosovën sipas analistit

Duke bërë një analizë për politikën rajonale, Baton Haxhiu u shpreh sonte në “Opinion” se problemi kryesor aktualisht në Ballkan është Kosova. Sipas tij, ka një sërë etiketimesh nga ndërkombëtarët ndaj qeverisë së Kosovës në një kohë të shkurtër e për pasojë edhe Blinken thotë ai nuk u ndal shumë te kjo çështje.


Baton Haxhiu: Të gjitha vendet e regjionit kanë problematika serioze të dezinformatave të cilat janë të influencuara nga Rusia e Kina, sidomos nga Rusia. Problemi në Maqedoni është serioz dhe i vetmi vend që mund të ndikojë është Shqipëria.

-Duhet të ishte Kosova në fakt, më influente.

Baton Haxhiu: Kosova si shtet është multietnik dhe nuk e ka tagerin e as të drejtën, që të përzihet në Maqedoni. Vuçizimi i proceseve politike si­ç do ta bëjë Kurti, të shndërrohet në një “Vuçiç shqiptar” ka krijuar këto problematika. Prandaj është Shqipëria ajo që vizitohet nga Blinken. Për faktin që Vuçiç kërkon të ketë 4 pika destabilizuese dhe të faktorizohet si i tillë, normalisht nuk e ka zotin Blinken, por e ka zotin Hill i cili është kujdestar i të mirës e keqes, me gjithë mospajtimet që ka me të. Krejt në fund, desha të ndalem te vizita. Kosova është problem kryesor në këtë moment e sidomos qeveria. Ka fjali të rënda që në një shpejtësi kaq të madhe, Kosova të etiketohet si e tillë. Etiketimi është i pashembullt si nga O’Brien, si nga ambasadori…O’Brien sot është në Mal të Zi, nesër në Maqedoni për shkak të këtyre dy krizave që ka marrë përsipër.

Më tej, analisti tha se nëse lidershipi i Kosovës vijon me këto qëndrime, baza e të ardhmes së saj do të jetë Tirana.

“Mesazhi më i rëndë i heshtjes së Blinken për Kosovën është refuzimi për me u marrë me Kosovën.  Kjo është gjëja më e rëndë që ka ndodhur sot. Nëse kështu vazhdon lidershipi i Kosovës, baza e negociatave, e të ardhmes, e përkujdesjeve, kushdo që të jetë në të ardhmen, Rama apo dikush tjetër… Baza e të ardhmes për qeverinë kryeneçe të Kosovës do të jetë Tirana.”


“Ky është cicmic fshati”, Fevziu revoltohet: Po ça ka ndodhur more Klevis, se më luajtët mendsh

Antony Blinken u bë i gjashti Sekretar Amerikan i Shtetit që ka ardhur në Shqipëri.

A vijnë vetëm në Shqipëri apo ndalojnë edhe në vende të tjera u bë temë diskutimi mes të ftuarve në studio këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Por kjo për Blendi Fevziun nuk asgjë më shumë se një “cicmic fshati”.


Blendi Fevziu: Ça rëndësie ka ku ndaloi Sekretari më përpara. Kjo është gjëja më pavlerë. Dëgjo ky është cicmic fshati. Në fshat thonë hyri nga rruga nga shtëpia ime, apo hyri nga rruga e shtëpisë tjetër. Ai ka ardhur tani, ç’lidhje kjo.

Klevis Balliu: Diplomacia do korrektësi. Në rajon ka ndodhur kështu, mos të themi që ka shmangur Shqipërinë.

Blendi Fevziu: Po ça ka ndodhur o Klevis se më luajte mendsh?

Klevis Balliu: Po nuk është shmangur kurrë Shqipëria o zotëri. Nuk ka ardhur asnjë Sekretar Shteti që të ketë shmangur Shqipërinë.

Julian Zyla: Nuk kanë ardhur ndonjëherë vetëm në Shqipëri, kjo është e reja o Klevis.

Blendi Fevziu: Kush e ka shmangur Shqipërinë?

Klevis Balliu: Këtë pra thashë. U tha këtu që kanë shmangur Shqipërinë për të shkuar në vende të tjera. S’është e vërtetë pse duhet ta themi ne këtë.

Blendi Fevziu: Kush, Sekretar Shteti?

Klevis Balliu: Po. S’është e vërtetë kanë ardhur këtu dhe kaq.

Blendi Fevziu: Nuk e kanë shmangur, nuk e di tani. Tillerson dhe Pompeo nuk jam i sigurt nëse kanë qenë në Ballkan. Më duket se kanë qenë, se në Serbi kanë qenë. Ç’rëndësi ka kjo se ku shkon. Sekretari i Shtetit vjen bën vizitë, ndalon, ku ta ketë axhendën e tij dhe kur të gjejë kohën e tij se nuk i thua dot.


Blinken nuk takoi opozitën, Balliu: Një ndër gabimet pse kjo administratë do humbë zgjedhjet në SHBA

Tema e kësaj të enjteje në emisionin “Opinion”, në Tv Klan, ka qenë në lidhje me vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Shqipëri. Në studio është komentuar edhe për arsyen pse ky i fundit nuk u takua me udhëheqësit e opozitës shqiptare.

Klevis Balliu, shefi i organizimit në PD, u shpreh se sado e keqe mund të jetë një opozitë, sekretari i Shtetit kishte mundësi ta takonte.

Klevis Balliu: Sado e keqe të jetë një opozitë, sekretari i Shtetit e ka mundësinë t’i takojë e t’i thotë që jeni e keqe. E ka këtë mundësi! A vjen për të folur me çdo palë, në qoftë se vjen për interesat e Shqipërisë. Dhe unë mendoj që është akuzë shumë e madhe të thuash që erdhi sekretari i Shtetit vetëm për të mbështetur Ramën; është një akuzë shumë e madhe që i drejtohet atij. Është fatkeqësi dhe është hera e parë që ndodh, që vjen një zyrtar i këtij niveli dhe nuk ka xhanxhin njeri ta presë. S’kishte asnjë njeri. Në çdo takim, po t’i hapësh të gjitha, ju e dini më mirë se unë, mbarë populli derdhet në shesh.

Gjithashtu, Balliu tha se këto qasje që ka ndjekur kjo administratë, do jetë një nga faktorët kyç përse ata do humbasin zgjedhjet në SHBA. Sipas tij, këto gabime nuk i kanë bërë vetëm këtu, por në të gjithë Evropën.

Blendi Fevziu: Pyetja ime është: Pse s’e takoi Blinken opozitën? Cili është versioni që jepni ju?

Klevis Balliu: Në mendimin tim, ju shpesh thoni që “është rasti i parë, rasti i parë”, siç është edhe rasti i parë që kthetrat e “Open Society” janë kaq të thella në SHBA dhe kjo, jo nga kjo opozitë e thënë, por e thënë nga presidenti Donald Trump, nga Elon Musk. Më lejon të them dhe këtë, kjo qasje e gabuar, sidomos ndaj një vendi aleat si Shqipëria, me një popull që është më pro amerikane në botë, nuk e gjen tjetër, këto qasje ndaj politikës së jashtme që ka ndjekur kjo administratë, janë një nga faktorët kyç përse këta do humbisnin zgjedhjet; sepse nuk i kanë bërë këto gabime vetëm këtu, i kanë bërë në të gjithë Evropën dhe në të gjithë botën. Këto qasje do të jenë një nga arsyet përse kjo administratë sot…

Blendi Fevziu: Do humbin zgjedhjet administrata sot, se ka gabuar me Shqipërinë?

Klevis Balliu: Jo vetëm për këtë.

Blendi Fevziu: Aha, edhe për të tjerat.

Klevis Balliu: Kjo qasje, qasja politika e jashtme dhe sekretari Blinken njësoj siç e kanë paralajmëruar kongresmen dhe president që në nominimin e tij, që ky njeri është një njeri problematik, jo adapt për këtë punë, jo me eksperiencën e duhur për këtë punë dhe është në kërcënim të interesave të Amerikës. Por pavarësisht të gjitha këtyre, nëse vjen një zyrtar i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë, vetëm mirë i vjen nga ajo botë. Por të jemi të qartë, arsyet përse ti nuk e takon opozitën, në çdo vend të Evropës, nuk është problemi i opozitës, është problem i atij që nuk e takon.


Ish-diplomati bie dakord me Baton Haxhiun, çfarë mendon për vizitën e Blinken në Tiranë

Ish-diplomati Agim Nesho, aktualisht nënkryetar i Partisë së Lirisë, është i mendimit se vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken sot në Tiranë ishte për t’i treguar kryeministrit Edi Rama një mirënjohje për çështjen e afganëve sidomos. Për këtë koment, Nesho pranoi se ishte dakord me të njëjtin mendim me analistin Baton Haxhiu.

“Këtu ka një fazë tjetër dhe duhet të pranoj një gjë duke i thënë Batonit që kjo ishte një vizitë që vinte për t’i treguar një mirënjohje Ramës sidomos për çështjen e afganëve”, tha ish-diplomati në emisionin “Opinion” në Tv Klan.


Dhënia të drejtë ndaj Baton Haxhiut duket se i bëri përshtypje edhe Blendi Fevziut që e pyeti me humor.

Blendi Fevziu: Hera e parë që po i jep të drejtë Batonit?

Agim Nesho: Jo mo Batonit i jap gjithmonë unë. Bile e di çfarë doja të thosha në një emision sot. Doja të thosha që kur pashë sekretarin Blinken tek Piramida thashë si ka hequr dorë ky nga njerëz të mençur si Batoni. Të paktën nuk do bënte ato deklarata domethënë që ky që ka pikturuar e ngjyer me bojë Tiranën. I pe gjithë ato vlerësime që bëri. Nuk ishin të pranueshme se ne jetojmë këtu. Ne jemi banorë të këtij vendi.

Ndërkohë më herët, Baton Haxhiu tha se vizita e Blinken sot ishte një respekt dhe i dedikohet kryeministrit Edi Rama.


“Vizita e Blinken është respekt për kryeministrin Rama, i dedikohet atij”

Për analistin Baton Haxhiu, vizita e sotme e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken ishte një respekt dhe i dedikohet kryeministrit Edi Rama.


Sonte në “Opinion”, Haxhiu theksoi se partneriteti Shqipëri-SHBA ka arritur kulmin këto dy vitet e fundit, që nga roli i vendit tonë në rajon e deri te ai në Këshillin e Sigurimit. Ai madje theksoi se “Shqipëria është i vetmi vend që nuk ia vështirëson punën Amerikës.”

-Cili ishte mesazhi i Blinkenit, duket se ishte hapur në mbështetje të Ramës. Rrallë një Sekretar Shteti ka qenë kaq i drejtëpërdrejtë në mbështetje të drejtuesit. Shmangu një takim me opozitën, e kuptueshme një pjesë për arsye të qëndrimit të DASH ndaj Berishës, por ndërkohë mund të kishte pasur takime të tjera me elementë të opozitës.

Baton Haxhiu: Patjetër! Po mundohem ta ndaj shpejt se çfarë mendoj që ka ndodhur. E para kjo vizitë është respekt për kryeministrin Rama, i dedikohet atij.

-Respekt?

Baton Haxhiu: Respekt. I dedikohet atij, i dedikohet Shqipërisë dhe natyrisht i dedikohet edhe kësaj marrëdhënieje, sidomos 2 vitet e fundit.

-Çfarë ka bërë Rama për kaq shumë respekt?

Baton Haxhiu: Megjithatë, sa vështirë SHBA-të kanë të gjejnë një partner. Për shkak se është perandori, krijon armiqësi…

-Partnerë këtu në Ballkan po thua?

Baton Haxhiu: Jo, jo gjithandej! Krijon armiqësi rrugës të cilat më pas shfaqen nëpër regjione dhe ndërhyjnë, natyrisht për faktin se është superfuqi rregullon probleme, por dikush edhe duhet të jetë hidhëruar. Ballkani është një regjion me këto problematika, se dikush është dash të bombardohet, e dikush është dash ta fitojë lirinë prej SHBA-ve. Ky është një aspekt. Respekti këtu është se edhe gjatë muajit Dhjetor e Janar, kryeministri shqiptar është dasht të jetë në Shtëpinë e Bardhë…

-Kur duhet të ishte kryeministri?!

Baton Haxhiu: Në Dhjetor, duhet të ishte takimi i Presidentin Biden me kryeministrin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, por ishte konflikti në Gaza dhe nuk ndodhi kjo. Edhe në Janar pati ndryshime serioze në Maqedoni dhe dy kryeministra shqiptarë ishte pak problem që të futeshin në Shtëpinë e Bardhë. Kryeministri i Malit të Zi i cili realisht ka finesa, në njëfarë mënyrë është në shtratin e zotit Vuçiç. Gjithë kjo marrëdhënie që është ndërtuar, sidomos Këshilli i Sigurimit. Ky partneritet e ka mbërritur kulmin gjatë kësaj kohe. Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka probleme që realisht ia vështirësojnë punën Shteteve të Bashkuara./tvklan.al