Të ftuar:

Gent Cakaj – Ministri i Jashtëm në detyrë

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj thotë se ka 14 vjet përvojë politike dhe ka nisur angazhimin kur ishte në shkollë të mesme.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ministri Cakaj u shpreh se fillimisht e ka nisur këtë karrierë duke bërë analiza dhe shkrime politike në gazeta.

Blendi Fevziu: Sa vjeç jeni?

Gent Cakaj: Unë jam 28 vjeç me 14 vjet përvojë politike. Angazhimet e para politike i kam pasur në shkollën e mesme. Fillimisht me publikimin e shkrimeve politike nëpër gazeta ditore në Kosovë. Në moshën 15-vjeçare kam filluar aktivizimin politik si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosja në Prishtinë dhe kam vendosur të jem pjesë e saj deri në moshën 18-vjeçare. Unë jam rritur në periudhën e tranzicionit. Me origjinë jam nga Gjakova dhe jam rritur në Prishtinë.

Ministri i Jashtëm pohoi se disponon 3 diploma në Master, studime që i ka ndjekur në 3 vjet.

“Unë kam studiuar Filizofi dhe Juridik në Prishtinë në mënyrë paralele. Pastaj kam vazhduar me studimet në Belgjikë. Kam mbaruar dy Mastera. Masteri im i parë është në Filozofinë antike. Tre Mastera në 3 vjet. Mbaj përgjegjësi të plotë dhe të gjitha lajmet që kanë qarkulluar për falsifitetin e Masterit tim janë të verifikueshme”.

Në lidhje me angazhimin e tij në Lëvizjen Vetëvendosje, Cakaj deklaroi se në atë periudhë ka qenë krenar që ka qenë pjesë e saj, teksa pohoi se me disa prej anëtarëve të asaj partie mban kontakte miqësore edhe sot.

“Jam tepër krenar që kam qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosja. Unë kam qenë Vetëvendosja dhe ajo tregon shpirtin tim pasionant. Kam komunikim miqësor me disa prej tyre. Unë nuk kam ardhur thjesht nga Kosova për t’u bërë ministër. Unë kam qenë pjesë e skuadrës së Kryeministrit Edi Rama”.

Ministri i Jashtëm në detyrë ka treguar edhe si ka përjetuar luftën në Kosovë, kur familja e tij u nda.

“Familja u nda gjatë luftës dhe unë përfundova në Strugë. Babai im mbeti në Prishtinë dhe pjesa tjetër e familjes ka jetuar në Strugë. Më kujtohet në atë kohë shija e hidhur e jetës. Jeta në rutinë, paniku bëhet i zakonshëm. Lojërat ndërpreheshin kur binte telefoni”.

Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në Tv Klan, i pyetur lidhur me Certifikatën e Sigurisë, ku kjo e fundit shkakoi jo pak polemika në momenti që kryeministri Rama e emëroi në detyre, tha se ajo është marrë në përputhje me ligjin.

“Certifikatën e Sigurisë unë kam marrë në përputhje me të gjitha procedurat ligjore. Certifikata e Sigurisë është një detyrim ligjor dhe në momentin që ne ekspozohemi, informacioni konfidencial, sekret merret. Kjo është një çështje e konfirmueshme. E kam marrë me të gjitha procedurat ligjore dhe DSIK ka dhënë opinionin e saj. Kjo është një çështje e konfirmueshme dhe publiku është manipuluar.

Në momentin që pranon, se kjo është procedure e njohur dhe e dinë dhe ata që bëjnë akuza, një informacion konfidencial duhet të nënshkruhet në regjistrin e informacionit të klasifikuar, nuk mund të pranosh informacion të klasifikuar, pa nënshkruar se ke pranuar informacion të klasifikuar”.

Ministri në Detyrë tha se institucionet në Kosovë dhe Shqipëri dhe ato ndërkombëtare kanë verifikuar atë dhe familjen e tij.

“Institucionet e Sigurisë në Kosovës, Shqipërisë si dhe ato ndërkombëtare kanë bërë verifikimi për mua dhe familjen time dhe të gjitha rekomandimet janë pozitive. Institucionet e sigurisë i kanë mekanizmat që kontrollojmë frekuencën e qarkullimit të informacionit”.

Cakaj, deklaroi se ai nuk erdhi nga Kosova, për tu bërë ministër, por ai ka qenë më parë pjesë e qeverisë Rama.

“Nuk kam ardhur thjesht nga Kosova, për tu bërë ministër. Unë kam qenë pjesë e skuadrës së këshilltari politik i Ramës dhe kam mbuluar politikën e Ballkanit Perëndimor, dhe pastaj kam qenë koordinator për zonën rajonale kam qenë pjesë e qeverisë si zv, ministër për procesin e integrimit”.

Shqipëria do të ngrejë një Task-Forcë diplomatike për njohjen nga sa më shumë vende të Pavarësisë së Kosovës. Lajmi është bërë me dije nga ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj gjatë një interviste në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Cakaj e konsideron të papranueshme fushatën që ka ndërmarrë Serbia që shtete të caktuara të tërheqin njohjet e Pavarësisë së Kosovës.

“Për ne është e papranueshme fushata e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Pavarësisë së Kosovës dhe Shqipëria do të ngrejë një Task-Forcë të veçantë për të adresuar këtë problem”, tha Cakaj.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse në ambasadat shqiptare do të vendosen ambasadorë shqiptarë të Kosovës, ministri në detyrë nuk e mohoi një fakt të tillë. Ai sqaroi se do të ketë 4 pika si do të veprohet për të forcuar rolin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Ministria e Jashtme do të ngrejë Task-Forcën për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës me diplomatët më të kualifikuar nga Kosova dhe Shqipëria. Do të procedohet shumë shpejt me marrëveshje ndërministrore me 4 komponente.

“E para, ambasada për përdorim të përbashkët. Elementi i dytë do të jetë konsullor. Planifikojmë hapjen e menjëhershme të tre konsullatave të reja. Elementi i tretë do të jetë profesional që përfshinë mundësinë e këmbimit të stafit profesional. Dhe i katërti do të jetë elementi kulturor”, u shpreh ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj.

Lidhur me debatin e shumëpërfolur të ditëve të fundit, pasi autoritetet holandeze kërkuan rivendosjen e regjimit të vizave për Shqipërinë, ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, tha se kjo duhet të interpretohet nga politika. Ai renditi 5 kriteret teknike për heqjen e vizave për një shtet dhe Shqipëria nuk i përmbush këto kritere.

“Ky vendim duhet të interpretohet nga këndvështrimi politik. Zgjedhjet e fundit në rajon dhe Holandë kanë prodhuar një rritje të populizmit, nacionalizim përjashtues dhe politikave konservave në përgjithësi dhe kjo manifestohet”.

I pyetur nga gazetari, Blendi Fevziu se pse Holanda zgjodhi pikërisht Shqipërinë dhe jo një shtet tjetër të rajoni, Cakaj tha se: Është një moment elektoral i dyfishtë.

Ka një rritje të populizimi dhe politikave përjashtuese, antiemigracion në Holandë. Ne jemi dhe në një moment elektoral që karakterizon dhe Europën dhe kjo vendimmarrje lidhet më një fushatë elektorale.

Pra, është një moment elektoral i dyfishtë. Së dyti, ky vendim absolutisht nuk pasqyron të vërtetën për Shqipërinë dhe këtë e thotë minisrti i Çështjeve të Sigurisë dhe Drejtësisë së Holandës në seancën kur është mbajtur votimi për këtë çështje.

Cakaj, deklaroi se janë 5 kritere teknike për heqjen e vizave për një shtet.

Ka 5 kritere teknike dhe këto janë:

1.Rritje e qëndrueshme e emigracion të parregullt, për mbi 50 % dhe në rasti e Shqipërisë nuk përmbushet.

2.Rritje e qëndrueshme sërish mbi 50% e kërkesave për azil dhe në këtë rast nuk përmbushet.

3. Përbërja e një rreziku substancial për rrezikun e sigurisë të vendeve anëtarë që për Shqipërinë nuk përmbushet.

4.Kthimi në bashkëpunim për çështje të kthimit që po ashtu në rastin tonë nuk përmbushet.

5.Prapakthimin në përmbushjen e kritereve të nevojshme për liberalizimin e vizave, dhe verifikohet nga bashkimi Europian, i cili në dhjetor ka thënë se Shqipëria përmbush të gjitha kriteret.

Eda Gemi, nje shqiptare kandidate per Eurodeputete!