Opinion: Mister, oriz në vend të kokainës & emri i Elbasanit në drogën braziliane!

Posta

Opinion: Mister, oriz në vend të kokainës & emri i Elbasanit në drogën braziliane!

Autori: Blendi Fevziu

21:40 01/10/2019

Të ftuar: Eduart Dauti pronar i kompanisë ‘Alba Exotic Fruit’ që ka bërë porosinë e bananeve, Klodiana Lala, Jetmir Olldashi, Poli Hoxha, Ermal Vija dhe Lorenc Vangjeli.

Flet pronari i kompanisë që porositi bananet: Nuk dija gjë për kokainën

Pronari i kompanisë ‘Alba Exotic Fruit’, që ka bërë porosinë e bananave ku u kap 137 kg kokainë në Portin e Durrësit, mohon që të ketë lidhje me këtë trafik droge.

Eduart Dauti, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, tha se kompania e tij merret me importin e bananave prej 9 vitesh. Në vit, thotë Dauti, sjell në Shqipëri të paktën 450 kontenierë, që mund të shkojnë edhe deri në 800.

Përveç bananeve, kompania ‘Alba Exotic Fruit’ sjell në Shqipëri edhe limonë nga Argjentina dhe Uruguai. Eduart Dauti thekson se po të mos ishte bërë aksioni nga DEA dhe autoritetet greke e shqiptare, kontenieri do të kalonte në skaner në Portin e Durrësit dhe do të zbulohej kokaina, e për rrjedhojë ai do të arrestohej.

Eduart Dauti: Unë jam njoftuar fillimisht për herë të parë vetëm nga portalet, nga balta që kam dëgjuar të premten në darkë dhe deri sot. Unë bie banane javë për javë dhe nuk jam i vetmi.

Blendi Fevziu: Banane banane apo banane si këto me oriz?

Eduart Dauti: Ato janë banane dhe unë jam një subjekt që funksionoj prej 9 vitesh.

Blendi Fevziu: Prej 9 vitesh sjell banane? Nga?

Eduart Dauti: Banane dhe limona.

Blendi Fevziu: Limona nga Amerika Latine?

Eduart Dauti: Pjesën e verës po. Është Argjentina dhe Uruguai.

Blendi Fevziu: Po bananet i sjell nga?

Eduart Dauti: Nga Ekuadori, Kosta Rika, Honduras, Meksika. Janë disa shtete që importojmë.

Blendi Fevziu: Dhe nuk kishit asnjë dijeni që brenda kësaj ngarkese kishte drogë?

Eduart Dauti: Absolutisht. Unë dhe stafi i kompanisë time e mësuam të premten në darkë këtë.

Blendi Fevziu: Sa konteinerë sillni ju?

Eduart Dauti: Minimalisht në vit mund të jeë 450 kontenierë. Po mund të jenë dhe 800. Konsumi i kompanisë time është 1 kontenier në ditë. Bëj dhe eksporte në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi.

Blendi Fevziu: I sjell vetëm këtu apo dhe i përpunon?

Eduart Dauti: Banania zakonisht vjen jeshile, kemi furrat e pjekjes. Ato që ne bëjmë eksport janë jeshile. Vijnë në port të Durrësit dhe automatikisht bëhen eksport.

Blendi Fevziu: Po kush e sjell bananen tuaj?

Eduart Dauti: Janë kompani ndërkombëtare. Janë 4 kompani në Shqipëri që operojnë me import-eksport të mallrave detarë.

Blendi Fevziu: Si shpjegohet që droga ngec gjithmonë në këto banane?

Eduart Dauti: Kjo është gangrena që ndodh tek ne dhe frikë e tmerrit që kemi sa herë tërheqim kontenierët nga Porti i Durrësit. Dhurata nuk ka. Janë dhe raste të tilla që Zoti më shpëtoftë, faleminderit DEA-s dhe autoriteteve shqiptare kush i zuri këta kriminelë. Se përndryshe nëse unë do kaloja në skaner, të gjendej drogë në të, unë automatikisht do isha i arrestuar.

Blendi Fevziu: Je i sigurt që s’të arrestojnë dhe nesër?

Eduart Dauti: S’kanë arsye përse se unë nuk e besoj këtë gjë.

Kontenieri me drogë nuk ishte surprizë në Durrës

Lorenc Vangjeli zbuloi mbrëmjen e kësaj të marte në “Opinion” se operacioni i zhvilluar në portin e Durrësit, ku në kontenierin me banane që vinte nga Ekuadori u zbuluan 137 kilogramë kokainë, përflitej prej të paktën 2 javësh.

“Kishte të paktën 2 javë që në Durrës flitej që po bëhej një operacion dhe pritej të vinte një kontenier i ngarkuar me drogë. Kishte dy javë që lajmërohej ky lajm”.

Duke u ndalur tek fakti se përse pritësit e drogës e hapën pakon që kishin marrë nga kontenieri dhe zbuluan se brenda saj në fakt kishte oriz, Vangjeli tha:

“Është shumë normale dhe shumë logjike, këta njerëz që shkuan të merrnin kokainën dhe ta tërhiqnin, e provojnë në makinë se çfarë ishte. Sepse është normale, kështu ndodh, mjafton të shikosh vetëm një herë një film edhe e kupton kaq gjë, është kaq e thjeshtë. Nga momenti që kuptuan që bëhej fjalë për tjetër gjë dhe jo për kokainën e tyre, u kuptua që diçka nuk shkonte në këtë histori. Dhe tani ta marr prap këtë histori nga e kundërta, nuk janë kapur porositësit dhe financuesit, po është normale. Nuk do të shkojë ai që paguan, atë sasi prej disa miliona eurosh, nuk është ai që shkon dhe hyn atje”.

Pyetjes nëse operacioni u dekonspirua, analisti iu përgjigj me bindje se po. Ai tha se dyshimet janë që nga Pireu e deri tek porti i Durrësit.

“Po ka dekonspirim, dyshimet e para janë që nga Pireu dhe dyshimet e dyta janë gjithashtu edhe në port. Është e vërtetë që një operacion i tillë, që përfshin dy kontinente, një oqean në mes, shumë para, shumë infrastrukturë, shumë njerëz të interesuar për të, ka nevojë për pika takimi edhe në portin shqiptar. Që do të thotë, brenda në port, doganë, autoritetin portual, ka në mënyrë absolute bashkëpunëtorë në këtë linjë trafiku”.

Vangjeli shtroi edhe pyetjen se kush qëndron në skajin tjetër të këtij trafiku ndërkombëtar.

“Historia ka të bëjë me diçka tjetër, nëse ne flasim për këtë skaj të segmentit, po në skajin tjetër të segmentit, atje ku niset ngarkesa, nga origjina e saj”.

Kokaina në banane, Eduart Dauti: Çelësat e kontenierit na vijnë të këputur

Eduart Dauti, pronari i kompanisë ‘Alba Exotic Fruit’ që bëri porosinë e bananeve ku u gjet kokaina në portin e Durrësit, ka shpjeguar si funksionon importi i këtyre frutave nga vendet e Amerikës Latine.

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Eduart Dauti tha se porosia bëhet e gjitha online dhe në portin e vendit të origjinës kjo kompani nuk ka asnjë përfaqësues.

“Aty nuk ka asnjë përfaqësues të kompanisë por ka kompani përfaqësuese. Porosia bëhet me email. Kur importon nga Ekuadori nuk ka shans që ta di numrat që kanë. Ato vijnë online. Nëse në Ekuador porositet një porosi, kompania e transportit tokësor është e certifikuar botërisht. Në momentin e daljes nga porti, i vendoset çelës satelitor dhe vete në vendet përkatëse ku porositet. Ngarkohet produktit i bëhet prapë certifikimi, kthehet prapë në port. Produkti rri disa ditë në port deri sa të hipë në anije. Pas 12-15 ditësh që neve na dërgohet kopje, ne mësojmë çfarë numri konteinerësh kemi”.

Dauti u shpreh gjithashtu se në vendet ku kontenieri bën tranzit, autoriteti portual ka të drejtën të hapë kontenierin me ngarkesë. Sipas tij, ka patur disa raste kur kontenieri ka mbërritur në Portin e Durrësit me çelësa të thyer.

Blendi Fevziu: Në tranzit hapet kontenieri?

Eduart Dauti: Autoriteti ka të drejtë ta hapë. Ka raste që neve na vijnë çelësat e origjinës të këputur, na vjen në manifest dhe na thonë, çelësat e kontenierit janë ndërruar. Ka dhe raste që nuk na informon kush. Sigurisht që hapet. /tvklan.al


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

21:40 01/10/2019

Reklama
UKT
UKT

Grupi