Në studio: Mirela Milori, Artan Hoxha, Agron Shehaj, Redi Shehu

Emisioni i sotëm fokusohet tek ajo që po ndodh midis opozitës dhe mazhorancës, por dhe brenda opozitës. Imazhet e sotme në Kuvend ishin sërish një përsëritje e atyre ditëve të shkuara, por në përmasa edhe më të mëdha. Kësaj here ishte mbyllur dhe dera e hyrjes në Kuvend. Një grup deputetësh ndalohen të hyjnë brenda Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që opozita ka gjetur një zgjidhje tjetër. Të penguar për të hyrë nga dera, një pjesë tjetër kanë hyrë nga dritarja që është pak më e ulët. Po çfarë po ndodh në reagimin e opozitës dhe raportet mes saj dhe mazhorancës?


Agron Shehaj i pakënaqur me PD: Kam folur me Berishën, nuk jam pjesë e grupit parlamentar demokrat

Deputeti Agron Shehaj deklaroi në studion e Opinion në Tv Klan se është tërhequr nga PD pasi nuk është dakord me vendimet që janë marrë.

Në studion e emisionit Opinion ai ka zbuluar gjithashtu se për të gjitha pakënaqësitë ka biseduar me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berishën.

Sipas Shehajt, përgjigjet e Berishës nuk kanë qenë bindëse për të, e për këtë arsye ai tregoi se nuk është pjesë e grupit parlamentar të PD, por është deputet i opozitës.

Agron Shehaj: Ajo që më interesuan mua është që në PD që unë njoh, të japim një zgjidhje dhe të dëgjojmë elektoratin.

Blendi Fevziu: Ke folur me Berishën për këtë gjë?

Agron Shehaj: Kam folur.

Blendi Fevziu: Personalisht? Direkt?

Agron Shehaj: Kam folur personalisht.

Blendi Fevziu: Ja ke thënë këto gjëra njësoj?

Agron Shehaj: Pak a shumë po…

Blendi Fevziu: Edhe cila ka qenë përgjigjia?

Agron Shehaj: Përgjigjia, ka thënë që …. s’dua të futem në biseda personale.. Nuk kanë qenë përgjigje që më kanë bindur. Unë këto shqetësime nuk po i ngre tani….Kam të paktën nga Qershori që e kam ngritur këtë problem. Duhet një rithemelim i vërtetë i PD, duheshin afruar figura të reja, duhej bërë një parti politike, duhej të hiqnim dorë nga…vulën na e kishte marrë Rama, nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Është e kotë, po humbasim kohën kot. 2 vjet duke i shkuar nga pas vulës. Unë isha i bindur që do t’i jepnim zgjidhje një ngërçi. Unë sot jam deputet i opozitës dhe vazhdoj të bëj opozitë.

Blendi Fevziu: Je pjesë e grupit parlamentar të PD?

Agron Shehaj: Nuk jam pjesë e grupit parlamentar të PD-së.

Blendi Fevziu: Nuk je?

Agron Shehaj: Nuk jam! Zyrtarisht nuk jam dhe as de facto nuk jam. Nga momenti që nuk kam pranuar dhe nuk i jam bashkuar mbledhjeve kam vendosur që mos të jem pjesë.


“Agron Shehaj drejt një partie të re?”, Përgjigjet deputeti demokrat

Deputeti demokrat, Agron Shehaj shprehet në emisionin “Opinion” në Tv Klan se duhet bërë një rinovim total i Partisë Demokratike në mënyrë që sipas tij, të rritet mbështetja dhe besimi.

I pyetur se a po shkon drejt një partie të re politike, deputeti Shehaj deklaroi se vendi ka nevojë për opozitë, por shtoi se akoma nuk e ka marrë një vendim të tillë, megjithatë nuk e përjashtoi si mundësi.

Agron Shehaj: Duhet të bënim një rinovim total të PD-së. Prisja që të ndodhte një rinovim i PD-së. Mendoj se një parti që do të rrisë mbështetjen dhe të rrisë besimin, duhet të rinovohet, duhen figura të reja. Një parti politike që do të rrisë mbështetjen, duhet të ndryshojë. Ky qëndrim ngjan me qëndrimin që mbajta kur kandidoja kundër Bashës. Vendosa që të mos largohesha nga PD sepse ishte një partie e madhe dhe e bashkuar dhe mendoja se nuk doja ta përçaja PD-në. Basha përjashtoi Berishën, Berisha u rikthye në PD. Ndoqa atë që ka shumicën. Kam marrë demokratët një më një dhe kam parë e kam vërtetuar se Berisha kishte shumicën. Detyrimi im, ta njihja Berishën si kryetar i PD-së. Ishte një lëmsh. Berisha u rikthye, tha që do të rinovonte PD-në, që do të fitonte zgjedhjet, mori pjesë në disa zgjedhe, u rikonfirmua nga demokratët si kryetar i PD-së. Pas zgjedhjeve të fundit lokale, ishte e qartë. Nuk janë të mjaftueshme 500 mijë vota. Unë do të vazhdoj të bëj opozitën në Parlament. Nuk kam bërë llogari se çfarë do të bëj. Unë jam i bindur se kështu nuk mund të vazhdohet dhe nuk mund të bëj politikë pa pasur një vizion minimalisht afatmesëm. Mundet dikush që është brenda një partie politike të mos jetë dakord me ecurinë dhe rezultatet. Unë mendoj se duhet të ketë një rinovim dhe unë po largohem, por nuk do të thotë se unë do të largohem nga politika e të përçaj.

Mirela Milori: Gjërat që janë të vagullta nuk janë të mira në politikë… Mendoj se po shkoni drejt një finalizimi, drejt një partie apo lëvizje. Do të shkohet atje, por nuk jeni gati ta thoni që po e projektoj këtë, por unë nuk mund të flas në emër tuaj.

Agron Shehaj: Nuk është. Ky është një vend që ka absolutisht nevojë për një parti opozitare, por unë nuk kam marrë një vendim të tillë. Nuk e përjashtoj, por sot nuk e kam marrë një vend të tillë. Çdo mundësi është ekzistuese.


Deputeti i PD Agron Shehaj: Jam tërhequr, nuk jam dakord me vendimet që janë marrë këto kohë

Deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj thotë se është tërhequr nga aksioni i PD-së pasi nuk është dakord me vendimet e opozitës.

I ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, Shehaj u shpreh se humbja në zgjedhjet lokale tregoi se nuk ishin zgjedhje demokratike, duke akuzuar mazhorancës në këtë aspekt, por nga ana tjetër theksoi se opozita nuk po ngjall besim te elektorati.

Blendi Fevziu: Pse nuk ke qenë aktiv gjithë këto kohë? Ka zëra që ka një tërheqje tënde? Sa është e vërtetë?

Agron Shehaj: Është e vërtetë.

Blendi Fevziu: Je zënë me njeri?

Agron Shehaj: Nuk ka asnjë hatërmbetje, nuk ka asnjë zënie, nuk jam absolutisht… Unë e mendoj ndryshe nga.. nuk jam dakord me vendimet që janë marrë këtë kohë.

Blendi Fevziu: Me cilat vendime?

Agron Shehaj: Dolëm nga zgjedhjet lokale me një rezultat që ishte zhgënjyes. Mazhoranca praktiksht kishte fituar 90% të bashkive. Humbën disa nga bashkitë më të rëndësishme. Ishte e qartë që ky rezultat tregon sa demokratik është ky vend. Kështu që të gjitha çështjet që ka ngritur opozita dhe drejtuesit e opozitës janë të drejta. Nga ana tjetër, është e qartë që ka një mungesë shprese dhe besimi do thoja nga ana e votuesve tanë. Unë arsyet e di. Ajo që unë propozoj është që ne të japim zgjidhje.

Blendi Fevziu: Cila është zgjidhja jote?

Agron Shehaj: Zgjidhja nuk mund të jetë mos bëjmë asgjë, nuk mund të bëjmë sikur nuk shikojmë, të bëjmë sikur me idenë se problemet do zgjidhen vetë. Duke ndjekur politikën e përditshme dhe aksionet e përditshme opozitare që janë të drejta, thjesht mendoj që ne duhet t’i japim elektoratit tonë një alternativë të besueshme.

Blendi Fevziu: Cila është?

Agron Shehaj: Kjo nuk është! Kjo që është nuk është.

Blendi Fevziu: Kë quan kjo që është?

Agron Shehaj: Asnjëra.


Agron Shehaj: Qeveria kërkon t’ja bëjë rrogën 100 mijë Euro në vit gjyqtarëve të Kushtetueses

Deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj thotë se qeveria parashikon që të rrisë rrogat e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në 100 mijë Euro në vit.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Shehaj u pyet përse opozita nuk e dërgon në Kushtetuese moslejimin nga Parlamenti të ngritjes së komisioneve hetimore që kërkon.

Por Shehaj u shpreh skeptik për vendimet e Kushtetueses në favor të opozitës.

Agron Shehaj: Gjykata Kushtetuese është një çështje komplet tjetër. Gjykata Kushtetuese, po të shikosh gjithë vendimet, kam bërë një fjalim para disa javësh në parlament lidhur me dëshirën e madhe të kësaj mazhorance për t’i rritur rrogat Gjykatës Kushtetuese sa një gjyqtar do arrijë të fitojë deri në 100 mijë Euro në vit.

Blendi Fevziu: 100 mijë Euro në vit?

Agron Shehaj: 100 mijë Euro në vit. Rroga totale, e kanë 50 tani, kryetari nëse s’gaboj, një prej tyre do arrijë deri në 100 mijë Euro në vit.

Blendi Fevziu: Rrogë shtetërore?

Agron Shehaj: Rrogë. Shtetërore. Nuk e di nëse kanë benefite të tjera. Rrogë rreth 100 mijë Euro në vit. Flasim për një Gjykatë Kushtetuese që po të shikosh të gjitha vendimet janë pothuajse të gjitha në favor të qeverisë.


“Maxhoranca refuzon Komisionet Hetimore të opozitës”, Gjylameti: Nuk kanë plotësuar kriteret që parashikohen nga gjykata Kushtetuese

Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti në një lidhje Skype në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka folur edhe lidhur me situatën në të cilën ndodhet politika shqiptare pas veprimeve të opozitës për bllokimin e mbledhjeve të Komisioneve dhe seancave plenare në Parlament.

Ndër të tjera Gjylameti e pyetur edhe për Komisionet Hetimore të opozitës që janë refuzuar nga maxhoranca ajo u shpreh se këto Komisione të propozuara nuk kanë përmbushur kriteret të cilat parashikohen nga gjykata Kushtetuese.

Blerina Gjylameti: Sa i përket Komisioneve Hetimore, të kërkuar nga opozita qëndrimi jonë ka qenë me rishikim të gjithë objeKteve hetimore të kërkuara nga opozita. Për elemente që kanë të bëjnë me objektet e Komisioneve Hetimore dhe për ata çështe që janë nën hetim që objekti i tyre të mos bijë ndesh me ato që janë në hetim nga institucionet e drejtësisë.”

Blendi Fevziu: A ishin inceneratorët nën hetim dhe komisioni që ishte për inceneratorët funksionoi normalisht?

Blerina Gjylameti: Ju e dini që të gjithë ata që u thirrën dhe që ishin nën hetim nuk kthyen asnjë përgjigje në lidhje me Komisionet Hetimore. Ka një vendim të gjykatës Kushtetuese lidhur me Komisionet Hetimore, që lidhet me atë që objekti duhet të jetë preçiz dhe konkret. Po të shikoni mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve do të shikoni që diskutimi ka qenë mbi këtë çështje. E dyta që mos të ketë mbivendosje të komisioneve përkundrejt institucioneve të caktuara.

Blendi Fevziu: A është kjo një strategji për ta mbajtur zvarë opozitën ndërkohë që jemi 16, 17 muaj nga zgjedhjet?

Blerina Gjylameti: Jo absolutisht jo sepse edhe komisioni i inceneratorëve ishte pak para zgjedhjeve vendore. E treta ka të bëjë me atë që komisionet hetimore ngrihen për të përmbushur funksione legjislative. Komisionet nuk i kanë plotësuar këto kritere.

Gjithashtu gjatë fjalës së saj Gjylameti tha se pas bllokimit të mbledhjeve të Komisioneve nga opozita është marrë një vendim nga Konferenca e Kryetarëve për zhvillimin online të mbledhjeve të komisioneve, por jo për ato të seancave plenare.

Blerina Gjylameti: Ajo që u është kërkuar kolegëve të opozitës është që të rishikohet objekti, të ketë objekt më të qartë dhe preçiz dhe të mos kemi mbivendosje dhe të jenë në funksionin legjislativ të komisioneve hetimore. Unë nuk ndihem mirë për çfarë shikoj me kolegët e mi. Ajo që bënë ditën e Premte është se bllokuan zhvillimin e mbledhjes së komisionit dhe ka një vendim për të zhvilluar mbledhjet e Komisioneve online, jo të seancës .

Ndër të tjera Gjylameti shtoi se: Çdo lloj mbledhje mund të bllokohet, por ama buxheti i shtetit është i rëndësishëm dhe nuk mund të vijojmë bllokimin e mbledhjeve për buxhetin e shtetit, sepse kur bllokojmë buxhetin e shtetit nukj bllokojmë punën e maxhorancës por bllokojmë pagat, pensionet, shërbimet e ndihmës ekonomike etj. Ne mund të kemi një vijim normal dhe të kthehemi në konferencën e kryetarëve për të diskutuar Komisionet Hetimore dhe objektin e tyre./tvklan.al