#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar: Erzen Breçani, Eni Ferhati, Artan Hoxha, Spartak Koka, Enkel Kapxhiu. Në lidhje direkte: Besfort Lamallari

Pse nisi tani operacioni për kamerat në rrugët e Shqipërisë, Lamallari: Kjo është pjesa gati fundore e veprimtarisë së Policisë

Besfort Lamallari, zv/ministri i Ministrisë së Brendshme ishte i ftuar në “Opinion” në Tv Klan me anë të një lidhjeje në Skype për të folur mbi operacionin e çmontimit të kamerave të sigurisë. Lamallari tha se kjo është pjesa thuajse fundore e veprimtarisë së Policisë.

Blendi Fevziu: Pse nisi çmontimi në Shkodër, ishte një sinjal, çfarë ndodhi?

Besfort Lamallari: Në fakt, Fevzi, ajo çfarë ne po shohim tani është vetëm pjesa gati fundore e veprimtarisë së Policisë për të ardhur deri në këtë moment. E them këtë sepse duhet parë në 4 dimensione. E para është dimensioni ligjor, zbatimi i ligjit dhe janë të paktën 3 ligje që duhen zbatuar që është Kodi Penal, është ligji i 2008 për mbrojtjen e të dhënave personale, pra subjektet që janë të autorizuara për përpunimin e të dhënave personale si dhe ligji i 2016.

Blendi Fevziu: Nga erdhi informacioni,  Lamallari?

Besfort Lamallari: Ky është dimensioni i parë. Dimensioni i dytë është ai strategjik-politik që shkurtimisht do përmend një reformë, një proces që ka nisur prej kohësh në Ministrinë e Brendshme dhe në Policinë e Shtetit për reformën e  Policisë Kriminale kryesisht, ku shumë shpejt do të bëhen publike edhe rezultatet e tij, jemi konsultuar për këtë edhe me partnerë ndërkombëtarë, kemi marrë të dhëna të ndryshme…

Blendi Fevziu: Kush i kontrollonte këto kamera se s’më duhet strategjia?

Besfort Lamallari: Fevzi, jo është shumë e rëndësishme strategjia.

Blendi Fevziu: Strategji, këto 30 vjet kemi bërë 30 strategji ne, por kamerat janë aty live.

Besfort Lamallari: Dakord, por ishte pikërisht kjo strategji që solli në këtë rezultat sepse 30 vjet i kishe ato kamera dhe shumë paligjshmëri dhe nuk veproi mbi këto fakte.

Blendi Fevziu: Pse u veprua tani, patët sinjalizim, erdhi informacion konkret, si ndodhi?

Besfort Lamallari: Do shikoni shumë veprime të tjera të Policisë, të cilat ndonëse për ju do duken si operacione blic, por në fakt janë të koordinuara dhe lidhen pikërisht me këtë që unë po them. Pra janë si në kuadrin strategjik politik, si në dimensionin taktik-operativ.

Blendi Fevziu: Taktik-operativ e kishte marrë krimi i organizuar atë me taktikë, me operativitet, me të gjitha. Kush i kontrollonte këto kamera?

Besfort Lamallari: Gjithashtu edhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Të 4 këto elementë,  nuk mund t’i mohojmë sepse janë shumë të rëndësishëm.

Blendi Fevziu: Nuk po të mohoj asnjë, vetëm më jep informacion, para se t’i mohojmë ose ç’mohojmë.

Besfort Lamallari: Unë do ta them këtë sepse është shumë e rëndësishme.

Blendi Fevziu: Ndiq pyetjen time, të lutem, pastaj thuaje mbrapa atë. Si erdhi informacioni dhe kush i kontrollonte këto kamera, e para? Pastaj ju pyes çfarë strategjie do ndërmerrni për t’i ndaluar?  

Besfort Lamallari: Edhe strategjia bazohet mbi një analizë, duke marrë edhe feedback nga partnerët, nga strategjitë e brendshme, bëhet analiza e kriminalitetit, nxirren të dhënat, diskutohen analizat në çdo  DVP dhe më pas dilet në një konkluzion. Kjo e kamerave është vetëm një nga veprimtaritë e cila po ndërmerret nga Policia e Shtetit. Ajo çfarë ju shikoni, është vetëm dokumentimi, pasi janë dokumentuar prej kohësh këto elementë…

Blendi Fevziu: Kush i kishte vendosur këto kamera, Lamallari?

Besfort Lamallari: Ato janë si subjekte të cilat kanë shkelur ligjin, mbi vendosjen e kamerave në masën e shtresës së sigurisë apo edhe nuk kanë marrë vërtetimin e sigurisë, apo nuk kanë bërë regjistrimin në polici, por edhe subjektet gjithashtu me precedentë të theksuar kriminalë.

Zv/ministri tregon cilat kamera do të heqë policia

“Fijet” është operacioni që ka nisur policia dhe që ka të bëjë me çmontimin e kamerave të paligjshme të vendosura në Shqipëri dhe që përdoren nga krimi. Zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari u shpreh se zyrtarisht ka 299 kamera të çmontuara në të gjithë Shqipërinë dhe janë proceduar 50 persona. Ndërkohë zv/ministri i Brendshëm u shpreh edhe se si do të vijojë operacioni i nisur i policisë dhe cilat kamera do të çmontohen.

Artan Hoxha: Zoti Lamallari, këto kamera që keni hequr deri tani, nga cilët persona me precedentë penalë, ose zona ku janë të vendosura grupe kriminale, janë, nëse mund t’i identifikoni se ju nuk i hiqni kot ato? Dhe e dyta, ju do të hiqni kamerat që janë përdorur nga pjesëtarë të botës së krimit, apo do të hiqni çdo lloj kamera e cila gjendet e paligjshme aty. Sepse mund të ketë edhe kamera që i kanë vendosur qytetarë të tjerë për arsye të tjera, për të mbrojtur pronën, banesën, por nuk i kanë vendosur konform ligjit. Kjo gjë do bëhet vetëm për ata me precedentë penalë apo çdo kamerë që është në mënyrë të paligjshme?

Besfort Lamallari: Shumë e drejtë pyetja. Në fakt kërkohet një përgjigje për këtë pasi kam ndjekur debatin këto ditë dhe është e paqartë e duhet sqaruar. Çdo kamera e cila nuk është në përputhje me ligjin, pra si ato që janë nga subjekte që kapërcejnë fuqinë e ligjit, apo nuk kanë marrë vërtetimin e sigurisë, apo e kalojnë perimetrin ku mund ta vendosin kamerën, pra subjekte private…

Blendi Fevziu: Perimetri që mund të vendosësh kamerën është perimetri privat i personit ose biznesit?

Besfort Lamallari: Nëse ti futesh në hapësirën publike, merr dhe trotuarin dhe pjesën e biznesit tjetër… Kjo sigurisht ka dhe një qëllim parandalues të konflikteve të çastit ose të vjedhjeve, gjobvënieve, çdo element i thjeshtë që mund të burojë nga paligjshmëri të tilla.

Blendi Fevziu: Pra çdo element tjetër do hiqet nëse nuk është në përputhje me ligjin me përjashtim kur je brenda gardhit privat pa prekur pjesën publike?

Besfort Lamallari: Sigurisht dhe elementi tjetër është elementi i atyre me precedentë të theksuar kriminalë, por pse është e nevojshme ta sqarojmë këtë. Si është vepruar si metodikë për të ardhur këtu? Unë përmenda pjesën e dokumentimit të veprimtarisë nga ana e policisë ku çdo drejtori vendore ka bërë dokumentimin e këtyre rasteve dhe këto janë krahasuar me lista që disponojnë drejtoritë vendore të policisë dhe komisariatet, pra të cilat duke hequr ato subjekte që sipas ligjit kanë të drejtë të marrin kamera, ose e kanë si detyrim si masë shtesë për sigurinë publike…

Blendi Fevziu: Përtej kësaj edhe në ambientet që konsiderohen private nuk po them shtëpitë, por biznese private. Restorante, bare. Hoxha na ka sjellë një rast që kamerat e vendosura që kapin dhe me zë marrin klientët që janë në privatësinë e tyre. I filmojnë, i regjistrojnë zërin dhe mund të përdoren në një rrethanë tjetër. Ka një detyrim të këtyre që të shkruajnë që ambienti përgjohet me kamera ose regjistrues?

Besfort Lamallari: Ka një detyrim për këtë. Edhe gjatë këtyre ditëve kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm edhe me autoritetet e tjera si ato vendore dhe me komisionerin për mbrojtjen e të dhënave personale ku qartësisht shprehet se ka një shkelje të të drejtave të njeriut në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale, pra përpunimin e këtyre të dhënave pa pëlqimin e atyre personave që u merren, qofshin këta qytetarë të thjeshtë apo edhe persona që kanë biznese ngjitur.

Nga më e zakonshmja e deri te “WizMind”, eksperti shpjegon llojet e kamerave në Opinion

Eksperti i kamerave Enkel Kapxhiu ka shpjeguar mbrëmjen e sotme në studion e “Opinon” në Tv Klan disa nga llojet e kamerave që vendosen në zona të caktuara të vendit për survejim.

Kapxhiu shpjegoi me detaje llojet e kamerave, që nga ajo e zakonshmja e deri te “WizMind” që është dhe më e kushtueshmja.

Blendi Fevziu: Kjo ishte kamera e vendosur në Shkodër apo jo, çfarë bën kjo kamera?

Enkel KapxhiuKjo kamera quhet LPR, më saktë License Plate Recognition që bën identifikimin e targave, është vetëm kastile për targat. Nuk është për cilësi videosh.

Blendi Fevziu: Janë legale? Ato të shtrirat në tokë?

Enkel KapxhiuPër të ndaluar shpejtësinë.  Ka një shpejtësi  të caktuar deri në 60 km/h.  Ke dhe modele më të avancuara, deri në 150 km/h e kap targën. Jep sinjal kur kap targën.

Blendi FevziuKu e jep sinjalin, në celular apo?

Enkel Kapxhiu: Në celular ose një databazë të caktuar.

Blendi Fevziu: Po këto kamerat e tjera, çfarë është kjo?

Enkel Kapxhiu: Kjo është kamerë survejimi. Kjo është kamera e zakonshme 180 gradë, kjo vendoset kur nuk ke shumë kamera. Quhet ndryshe “ fish eye” dhe ka një kënd të gjerë. Ka një perimetër ose vijë imagjinare që kush e kalon atë perimetër të njofton dhe bën identifikimin e kafshës, njeriut apo makinës. Ka atë që quhet SMD ose Smart Motion Detection.

Blendi Fevziu: Po kjo?

Enkel Kapxhiu: Kamera me panel diellor, ka censorin që kap dhe lëvizjet e vogla. Ka një lëvizje të caktuar që për njerëzit ose kafshët më të mëdha ka censorë ndriçimi. Kjo mban 10 ditë bateri pa qenë në diell fare. Karikohet 24 orë për 10 ditë, transmeton ku të duash me 4G. Lidhet me telefon, server, recorder.

Blendi Fevziu: Pra s’ka nevojë as për energji elektrike, kjo është nga pajisjet më të sofistikuara të vëzhgimit.

Enkel Kapxhiu: Kjo është kamera termike.

Blendi Fevziu: I ka pas përdorur ushtria amerikane më duket…

Enkel Kapxhiu: E bën pamjen bardh e zi ose me ngjyra, varet nga lentet dhe në një errësire totale identifikon deri në 700 metra larg, lëvizjet termike, nxehtësinë e trupit. Ka një opsion që quhet “Dori” dhe ka disa metra të caktuara që të dedekton deri në 400 metra.

Është dhe kjo kamera që përdoret më tepër për mbrojtjen perimetrale të shtëpive private, ka katër lente përpara dhe dy lede që e bën 24 orë pamjen me ngjyra. Kjo veçse jep sinjale, kur kalon njeri në perimetër bien sirenat, ndez blitzat dhe të vjen njoftim në telefon.

Blendi FevziuKush është kamera me face recognition?

Enkel KapxhiuKap fytyrën, identifikon fytyrën, ka një databazë të vetën dhe është inteligjente. Ti vendos një foto, persona të lejuar ose të palejuar, e ke në server. Cilësia duhet pak dhe në bazë të fytyrës, dhe nëse e identifikon jep sinjal. Edhe me syze të identifikon. Kjo  tjetra quhet PTZ, është 360 gradë sepse rrotullohet. Mund ta lësh të rrotullohet automatikisht.

Blendi Fevziu: Pra ndjek të gjitha lëvizjet…

Enkel Kapxhiu: Kjo është  kamera inteligjente “WizMind”, ndjek objektin kudo. Ja përshembull eklipsi i hënës si e zmadhon.

Blendi FevziuËshtë e kushtueshme?

Enkel Kapxhiu: Ka koston më të madhe, se jap dot çmimin.

Fevziu: Ka shtëpi në Tiranë që nuk lejojnë të fluturojë droni mbi to. Lamallari: Kemi nisur rishikimin e ligjit

Operacioni “Fijet” i ndërmarrë nga policia së fundmi ka për synim heqjen e të gjitha kamerave të paligjshme, por edhe që mund të përdoren nga krimi. Por përveç kamerave, drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, tha këtë të hënë se ka shtëpi në Tiranë që nuk lejojnë të fluturojnë mbi to dronët për shkak se përdorin bllokues valësh.

Në lidhje me këtë çështje, zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili ishte i ftuar për të diskutuar, u shpreh se ka nisur një punë për rishikimin e legjislacionit për dronët. Ai u shpreh se kjo çështje nuk është trajtuar ende edhe në vende të ndryshme të botës pasi teknologjia është e avancuar në rastin konkret dhe ecën më shpejt se legjislacioni.

Blendi Fevziu: Ke shtëpi në Tiranë Lamallari që nuk lejojnë mbi to të fluturojë droni dhe jo më policia, as Garda e Republikës

Artan Hoxha: Kanë bllokues valësh.

Blendi Fevziu: Kanë bllokues valësh për dronët, kanë bllokues valësh për telefonët celularë. Punojnë vetëm me wifi që kanë brenda.

Besfort Lamallari: Ka një punë që ka nisur pikërisht edhe për rishikimin e legjislacionit për dronët për të parë dhe praktikat më të mira botërore. Duhet të kuptojmë në fakt që në vende të ndryshme të botës nuk është shumë e trajtuar duke qenë se flasim për teknologji shumë të avancuar dhe ju e përmendët më herët që gjithmonë ecën më shpejt se legjislacioni. Tani që po flasim ka nisur një punë duke u konsultuar dhe me organizma të ndryshme kryesisht të huaja për të parë cilat modele do të ishin më efektive për të bllokuar, neutralizuar apo lejuar në mënyrë të kontrolluar përdorimin e dronëve, kryesisht në funksion të agjencive të zbatimit të ligjit.

Kamerat e ‘krimit’, Hoxha: Disa i hoqën ose stakuan vetë para se të shkonte policia

Gazetari Artan Hoxha, i cili solli në “Opinion” në Tv Klan disa raste kur  kamerat janë përdorur për vetëmbrojtje, u ndal më pas në qëllimin e përdorimit të këtyre kamerave. Sipas  Hoxhës, kamerat janë të identifikueshme dhe më e mira do të ishte të gjendej sinjali i tyre. Në fund, në kuadrin e diskutimit lidhur me përdorimin e informacionit të kamerave  nga grupet kriminale, Hoxha shtoi se një pjesë e mirë e tyre i kanë çmontuar vetë pajisjet e tyre në mënyrë që mos të binin në duart e Policisë gjatë operacioneve të fundit.

Artan Hoxha: Duhet marrë raportet më të mira nga partnerët tanë kryesorë të cilët mund të japin ekspertizë për këto dhe kemi mundësi t’i identifikojmë. Për shembull, një pjesë e mirë e kamerave që janë hequr në rrugët kryesore të qyteteve dhe sheshet kryesore, pra kamerat që kanë qenë të vendosura, në gjithë territorin që është bërë problem, kamerat që mbikëqyrin rrugët kryesore, ato patjetër që kanë një sinjal që iu shkon nga dikush, nga një linjë interneti. Nuk janë të paidentifikueshme. Ato janë të identifikueshme. Mbase duhej bërë kjo gjë. Dhe fjalia e fundit që kam, një pjesë e mirë, e këtyre personazheve, pasi e morën vesh që po ndodh kjo gjë, i kanë hequr vetë. Ose i kanë hequr, i kanë çmontuar, ose i kanë stakuar për të mos u gjetur burimi nga ku e çonin ato imazhin./tvklan.al

Shërbimet franceze zbulojnë atentatin e prokurorit!

E dashura nxjerr sekretet e FBI-së!

Kamerat e sigurisë që vëzhgojnë shqiptarët!