#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Në skype: Enea Cenko dhe e dhunuara 28-vjeçare

Dhunimi i 28-vjeçares, ministri Manja për Opinion: Prokuroria nuk ka kërkuar ende ekspertët mjeko-ligjorë

Avokati mbrojtës i 28-vjeçares të mbajtur peng dhe dhunuar nga partneri i saj në Tiranë, denoncoi në emisionin Opinion në Tv Klan se ekspertët mjeko-ligjorë nuk kanë kryer kontrollet ndaj të dhunuarës edhe pse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga ngjarja.

Pas këtij denoncimi publik, ka reaguar për Opinion ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i cili tha se Instituti i Mjekësisë-Ligjore i kryen veprimet me vendim të Prokurorisë së Tiranës dhe deri më tani nuk ka asnjë të tillë.

Megjithatë, sqaroi Manja, ka urdhëruar ekspertët mjeko-ligjorë që të koordinohen me Prokurorinë e Tiranës nga dita e nesërme për rastin në fjalë.

“Instituti i Mjekësisë-Ligjore për kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor vihet në lëvizje me vendim të Prokurorisë së Tiranës. Deri tani rezulton se ende nuk ka një vendim të tillë nga organi i Prokurorisë së Tiranës për Institutin e Mjekësisë-Ligjore. Por gjithsesi, të gjithë dëmtimet janë përshkruar në regjistrin e spitalit ku po trajtohet zonja dhe ekspertët e Mjekësisë-Ligjore përveç ekzaminimit fizik të dëmtimeve e japin vlerësimin e tyre mbi bazën edhe të kartelës. Por nisur nga kërkesa publike në emisionin Opinion, kam urdhëruar ekspertët e Institutit të Mjekësisë-Ligjore që nesër të koordinohen me Prokurorinë e Tiranës për kryerjen e ekspertimit me përparësi. Rasti po përcillet me vëmendje nga Instituti i Mjekësisë Ligjore deri në marrjen e vendimit nga ana e Prokurorisë për ekspertim”, thuhet në reagimin e ministrit Manja. 

Avokati i 28-vjeçares të dhunuar nga partneri: Kishin caktuar ditën e dasmës

Enea Cenko, avokati i 28-vjeçares të marrë peng dhe të dhunuar nga partneri i saj, në një lidhje direkte për emisionin Opinion në Tv Klan, thotë se e dhunuara ka ardhur nga Gjermania në Tiranë javën e parë të muajit Prill. Dhe në javën e dytë, sipas tij, ka nisur dhuna ndaj 28-vjeçares.

Ai theksoi se e dhunuara është kthyer nga Gjermania për të jetuar me partnerin e saj, madje të dy kishin caktuar dhe ditën e dasmës.

Ngjarja ka ndodhur javën e dytë, vajza është dhunuar sistematikisht. Javën e dytë është marrë peng sepse i është hequr telefoni, por është dhunuar në mynyrë barbare sistemitikisht duke i marrë çelësin e shtëpisë. Asnjë mundësi nuk kishte për të njoftuar policinë. Vajza vazhdimisht ka kërkuar të largohet nga shtëpia por ka qenë e pamundur se është torturuar. Veprimet që ka bërë duke kaluar 4 gishtat në fytin e vajzës kanë qenë torturuese. Sipas vajzës, është detyruar në mënyrë herë pas here për të pirë kokainë. Vajza ka punuar në Gjermani si infermiere, është me arsim të lartë, me pasaportë gjermane. Është njohur me partnerin në Gjermani në spitalin që ka shkuar sepse është detyruar të përkthejë. Ka pasur probleme të shumta, edhe në Gjermani ka shkuar në situata të shumta dhune por nuk është denoncuar nga vajza pasi e donte dhe kishte dhe frikë. Aktualisht nuk ka punuar. Ka pasur raport edhe me familjarët  e të kallëzuarit. Kanë prerë dhe ditën e dasmës. Jo më kot ka bërë që vajza të vinte këtu”, u shpreh avokati.

Sipas këtij të fundit, shkak i ngjarjes ka qenë fakti që partneri i 28-vjeçares dyshonte se kjo e fundit kishte bërë një kallëzim në policinë gjermane ndaj tij, e për këtë arsye ai nuk shkonte dot në Gjermani.

“Shkaku i dhunës i ka theksuar që ti më ke bërë kallëzim penal në Gjermani. Ndërkohë që vajza nuk ka bërë asnjë kallëzim. Në momentin që djali ka telefonuar kushërirën e tij, aty automatikisht vajza ka përfituar dhe i ka thënë kushërirës së të kallëzuarit që më duhet menjëherë ndihma juaj. Kushërira e ka shpëtuar, kunatin dhe një kushëri i këtij personi. Vajzën, sipas raportimeve, është dërguar nga motra e personit dhe një kushërirë e këtij shtetasi ku është dërguar në spital në gjendje të rënduar. Aktualisht po merr mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ne mendojmë që kemi të bëjmë me vrasje të mbetur në tentativë, rrëmbim dhe një sërë veprash të tjera penale”.

Avokati shprehu gjithashtu shqetësimin se pas 24 orësh, 28-vjeçarja nuk është kontrolluar ende nga mjeku-ligjor për dhunën e ushtruar.

“Eksperti mjeko-ligjor nuk ka ardhur, kanë kaluar më shumë se 24 orë, dhe kërkojmë mbështetje me psikolog nga ana e shtetit”, u shpreh avokati. 

28-vjeçarja që u mbajt peng dhe u dhunua: Kam parë vdekjen me sy

28-vjeçarja që u mbajt peng dhe u dhunua nga partneri i saj në Tiranë, ka folur për emisionin Opinion në Tv Klan, duke u shprehur se “ka parë vdekjen me sy”.

Ajo tregoi se u kthye enkas nga Gjermania për të jetuar me partnerin e saj.

“Kam ardhur më datë 1 Prill nga Gjermania. Java e parë ka kaluar mirë, java e dytë ka qenë për mua tmerr kam parë vdekje me sy, më ka kërcënuar, më ka dhunuar, më ka mbyllur në shtëpi.  

Unë kam ardhur nga Gjermania për të bashkëjetuar me bashkëshortin tim. Kemi pasur 1 vit e gysmë lidhje dhe kjo ndarja unë andej ai këtej domethënë do ta stopojmë dhe do vij për në Shqipëri për të jetuar me atë njeri. Për këtë qëllim kam ardhur në Shqipëri, për të krijuar familjen time.

Dhe java e dytë ka qenë një tmerr, kam parë tmerr me sy, e kam parë vdekjen me sytë e mi, më ka dha dhunuar, më ka gjuajtur me grushta në kokë, në fytyrë, me shkelma, më ka bërë presion, do ta çaj barkun, do të marr kushëririn tim të të hedh në lum”, tha ndër të tjera 28-vjeçarja e dhunuar. /tvklan.al