#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Të ftuar: Iris Luarasi, Ervin Salianji, Ervis Iljazaj, Andi Tela, Baton Haxhiu
“Po ua tregoj me fytyrë”, Salianji sjell videon nga seanca e sotme: Ky personi mbante armë….
I ftuar sonte në “Opinion” në Tv Klan, deputeti i PD-së Ervin Salianji ka treguar një video të regjistruar sot në sallën e Kuvendit, në të cilën sipas tij shfaqet një person që mbante armë. Ky i fundit, deklaroi Salianji nuk dihet nëse ishte punonjës i Gardës, por do të identifikohet shumë shpejt.
-Si është historia e armës?
Ervin Salianji: Të kam dërguar dhe një video që besoj nuk ka dalë deri tani. Personi që kishte armë dhe u detyrua u largua nga kolegët e tij të Gardës pastaj nga seanca. Është i kapur nga ne aty, kishte armë në trup dhe ka dalë nga seanca. Po ua tregoj dhe me fytyrë cili është, e kemi kapur se ishte i armatosur brenda sallës së seancës plenare.
-Kjo është videoja që keni sjellë?
Ervin Salianji: Po. Personi që ka armë është ai aty që e kemi kapur ne. (çohet në këmbë për të treguar personin në video i cili sipas deputetit ka pasur armë) Ja shikojeni këtu, është ky personi këtu, gardist apo nuk e di ça është…Besoj që është i Gardës. Ky personazhi këtu, i cili në momentin që ne e identifikojmë që ka armë dhe shkojmë, se po ta shihni tentoi të përdorte fizikisht dhunë ndaj deputetëve, nxirret jashtë dhe nuk lejohet më të hyjë. Nuk e keni më në asnjë moment tjetër në sallën e seancave plenare. Bëhet fjalë për këtë personin këtu që duhet identifikuar. Por gjithçka që ndodh brenda ambienteve të Kuvendit nuk mund të ndodhë me urdhër të krye-gardistit. Ndodh me urdhër të kryetares së Parlamentit, dhe nuk mundet që gardistët të kalojnë perimetrin.
Kujtojmë se këtë pretendim patën dhe kreu i grupit parlamentar i PD-së Gazment Bardhi dhe ish-kryeministri Sali Berisha pas seancës aspak të zakontë plenare, por Garda në një reagim zyrtar e mohoi në formë absolute.
Përgjimet në Sky, Salianji: Priten arrestime të forta të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit
Këtë të enjte i ftuar në emisionin “Opinion” ishte deputeti demokrat Ervin Salianji, i cili foli për situatën në parlament.
Ai u shpreh se forma e reagimit të opozitës duke vendosur karrige sot ka qenë spontane.
“Ka qenë formë reagimi e aty për atyshme”, u shpreh ai.
Po ashtu, sipas Salianjit priten arrestime të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit pas përgjimeve të dala nga Sky. Deputeti demokrat e bëri këtë deklaratë teksa komentonte mbi lajmin se në parlament ditën e sotme kanë shkuar disa hetues të BKH-së.
“Nëse vijnë agjentë të BKH-së nëse është e vërtetë që janë dhe prokurorë të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion duhet të vijnë për ndonjë ministër dhe kam përshtypjen që kërkojnë ndonjë ministër, apo ndonjë nga këta krerët e Policisë së Shtetit për shkak se kanë dalë shumë në Sky. E dini ju, priten arrestime të forta të drejtuesve të lartë përfshi edhe drejtuesi i AMP-së dhe disa drejtorë të rëndësishëm që kanë dalën në përgjime Sky duke komunikuar me kriminelë”, u shpreh Salianji.
“32 minuta ke fol, po çohemi…”, Salianji-Haxhiut: Ore, ç’lidhje ka kjo me rritjen e çmimit të sheqerit?
Mbrëmjen e kësaj të Enjteje në “Opinion” është diskutuar mbi seancën e sotme parlamentare. Sipas analistit Baton Haxhiu deputetët e opozitës duhet të kenë një simbolikë kur kryejnë veprime të tilla në sallën e Kuvendit, duke marrë përsipër dhe rrezikimin e jetës së tyre politike.
Ndërsa deputeti i PD Ervin Salianji iu përgjigj duke thënë se gjithë thelbi i kësaj situate në seanca është shkelja e të drejtave kushtetuese të deputetëve.
Ervin Salianji: Ju merrni këtu të drejtën për të thënë se kush është i sinqerti, kush është i pasinqerti. Kush është argumenti këtu? Ju thoni “jeni idhnu”, jo mo jo ne kemi një gjë tjetër. Unë personalisht jam i revoltuar dhe i idhnuar nëse do ti sepse nuk po zbatohet Kushtetuta.
Baton Haxhiu: 21:40 (ora), 32 minuta ke fol. Po deshe intervistë, po çohemi dhe rri me Fevzon.
Blendi Fevziu- Baton Haxhiut: Vazhdo, vazhdo…
Baton Haxhiu: Unë e respektoj një deputet i cili e ka brutalitetin në një moment të historisë së tij politike brenda Parlamentit dhe thotë “po kundërshtoj për shkak se nuk formohen komisionet parlamentare dhe ky parlamentarizëm ka vdekur”, kjo është simbolika ime. Jo të thotë “për shkak të mbledhjes në orën 9”, s’ka lidhje. Esenca është kjo, e para lidershipi në PD mungon, kjo është beteja, kjo simbolikë e jotja është një lloj beteje për një lidership të së ardhmes. Ky është mendimi im dhe pikë. Nuk shkon asnjë deputet deri në këtë pikë të brutalitetit ku rrezikon gjithë jetën politike të tij dhe irriton njerëzit, për të bërë një simbolikë. Përtej kësaj ka disa elementë të tjerë. Ju e keni një lider që është i akuzuar nga SPAK dhe non grata. E dini që ka vdekur. Nën hetim nga SPAK-u, e dini që ai i ka ditët e numëruara në politikë. E kuptoj betejën tuaj për lidership.
Ervin Salianji: Nëse më lejon…Nuk e di a thuhet kështu në Kosovë, ç’lidhje ka kjo me rritjen e çmimit të sheqerit. Është një formë e të thënit. Ore, kjo nuk ka lidhje me rritjen e çmimit të sheqerit. Pyetja dhe thelbi është këtu: a kemi të drejtë aty? Ju thatë një të vërtetë, a ta certefikoj unë? Ju folët të vërtetët tuaj në lidhje me mua. Do debat?
Baton Haxhiu: Ja ma sqaro, pse 3 flakadanë në dorë ti? Pse??
Ervin Salianji: Ja po ta them.
Baton Haxhiu: Si është e mundur që t’u gjendën?
Ervin Salianji: E patë që m’i sollën apo jo? Ishte në publik. Më sollën flakadanë deputetë të tjerë për shkak se kisha 15 minuta që kërkoja fjalën për procedurë.
Baton Haxhiu: Dhe me flakadanë?!
Ervin Salianji: Me çdo formë, sepse kur të mohojnë të drejtën kushtetuese, do përdorësh çdo formë. Regjimet kështu janë rrëzu mor, se po të ishte për ligj s’ishte rrëzu asnjë regjim. Ju mendoni me kaq? Kaq, s’është asgjë! Ju e quani formë brutale, ma lëni mua atë kosto.
Gardisti i mori tymuesen nga dora, Salianji: E shikon si vjen, si hajdut nga mbrapa
Këtë të enjte seanca parlamentare ia la vendin kaosit. Deputetët opozitarë bllokuan punimet pasi morën karriget e deputetëve të mazhorancës dhe i vendosën ato në foltore.
Bujë bëri edhe veprimi i deputetit Ervin Salianji që ndezi një tymuese në foltore. Këtë të enjte teksa ishte i ftuar në “Opinion” ai komentoi çfarë ndodhi në parlament.
“Ne nuk kemi shkuar aty dhe nuk mund të na intimidojnë dot as me Gardë, as në një formë tjetër, se prandaj është kjo formë reagimi. Shikojeni pak në një vend ku vjedh qeveria, vjedhin deputetët, kapen kryetarët e bashkive duke vjedhur, vjedh edhe gardisti. E shikon si vjen, si hajdut nga mbrapa. Ajo është një formë proteste që në çdo parlament të botës mund të ndodhë. A e sheh si vjen. Gardisti dhe cilido që është në funksion shtetëror nuk ka asnjë të drejtë as t’u afrohet, as të prekë deputetët. Është turp madje”, u shpreh Salianji.
“Jeni të paaftë”, Haxhiu i drejtohet Salianjit: Jeni arsyeja pse Rama është në pushtet
Këtë të enjte në emisionin “Opinion” u fol në lidhje me aksionin e fundit opozitar që nuk ka lejuar funksionimin normal të parlamentit madje ka pasur përplasje mes deputetëve edhe ndezje tymuesesh.
Në studio ishte i ftuar analisti Baton Haxhiu që duke iu drejtuar deputetit demokrat Ervin Salianji tha se Partia Demokratike është e paaftë që të bashkojë demokratët dhe janë arsyeja e vërtetë pse Rama qëndron në pushtet.
“Jeni arsyeja e vërtetë pse Edi Rama është në pushtet. Jo Salianji, krejt Partia Demokratike. Ju jeni të paaftë që të ndërtoni një kohezion demokratësh. Jeni të paaftë t’i bashkuar. Çfarë po i doni të tjerët që t’ju përkrahin? Çfarë të përkrahim? Çfarë na ofroni ju si qytetarë?”, tha Haxhiu.
Ndërsa Salianji u shpreh se opozita kërkon që shteti të funksionojë sipas asaj që është përcaktuar në Kushtetutë dhe në ligj.
“E di se çfarë kërkoj unë? Ke të drejtë, ne jemi të paaftë ne nuk vlejmë etj. Ne po kërkojmë një gjë zotëri që funksionon të paktën ku ka demokraci, të funksionojë dhe ato që kemi shkruar në Kushtetutë dhe në ligj t’i zbatojmë se ndryshe mund të çohem unë se nuk ju pëlqej dhe ju gjuaj me shpullë, kush më ndalon mua? Më ndalon ligji apo jo se mbaj përgjegjësi penale. Ne po themi, a do mbajmë ne një standard për të gjykuar në publik të gjithë politikanët mbi bazën e raportit që kanë me ligjin apo jo. Se ju këtu jeni i padrejtë dhe më vjen keq ta them. Ju këtu thoni për një njeri në hetim që është Sali Berisha që e merrni ligjin, këtu tek ky tjetri nuk e merrni. Mbajeni standardin tek ky dhe hajdeni diskutojmë një ditë tjetër”, u shpreh Salianji.
Akuzat ndaj Bashës për lobim rus, Salianji: Në fillim besova kryetarin e partisë, qëndrimi im ndryshoi kur…
Teksa u diskutua mbi zhvillimet më të fundit parlamentare në vend, sonte në “Opinion” deputeti i PD Ervin Salianji deklaroi se si ka ndryshuar qëndrimi i tij për akuzat ndaj Lulzim Bashës, për financim rus të partisë nën drejtimin e këtij të fundit.
Salianji thotë se e mbështeti ish-kryetarin e PD edhe kur BBC doli me artikull për atë çështje, por ndryshoi mendim vetëm pas deklaratës publike të ambasadores amerikane.
Ervin Salianji: Diferenca në qëndrimin tim publik për këtë çështje ka qenë në momentin kur shërbimet e sigurisë së Shteteve të Bashkuara dhe më pas ambasadorja amerikane. E mbani mend që ka bërë takim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Për mua ajo është një histori që duhet qartësuar, nuk qartësohet me cirqe, duke mos iu përgjigjur BBC-së që është rrjeti më prestigjoz në Britani. Ne kemi pasur një qëndrim ndaj ish-kryetarit të partisë për një akuzë që është personale, nuk është e partisë. Pra, në PD na është thënë që është një akuzë e një rrjeti të lidhur me…Unë kam besuar mes një mediaje dhe kryetarit të partisë.
-Ke besuar kryetarin e partisë?
Ervin Salianji: Po, ua thashë dhe e them prapë, qëndrimi im ka ndryshuar në momentin që shërbimet e inteligjencës amerikane, një vit e pak përpara kanë dalë dhe kanë thënë që kryetari i partisë politike ka pasur financim rus. Në këtë moment, qëndrimi im ka qenë duke besuar institucionet e SHBA-ve.
-Ky është dhe më serioz se sherri juaj në Parlament ë…
Ervin Salianji: Pa diskutim! Qëndrimi publik zyrtar i Ambasadës ishte që Shqipëria duhet të bëjë legjislacion të fortë për mos deportimin e parave që vijnë nga rusët apo parave të tjera të pista për të financuar partitë politike, ishte e qartë fare.
“Duke e njohur Lul Bashën”, Salianji ‘kurioz’ pyet Haxhiun: A ka lidhje me Ramën? Si i përgjigjet analisti
Këtë të enjte, BBC nxorri detaje të tjera për çështjen e lobimit rus të Partisë Demokratike. Për këtë arsye pjesa e dytë e emisionit “Opinion” u përqendrua tek kjo temë.
Analisti Baton Haxhiu u shpreh se pas shkrimit të BBC, Lulzim Basha duhet të dalë dhe të thotë të vërtetën e tij. Ai u shpreh, se duke qenë se e njeh personalisht Bashën, dyshon që ai mund të ketë lidhje ruse, por duke qenë se shkrimi është bërë publik nga BBC, atëherë Basha duhet të mbajë qëndrimin e tij.
Në këtë moment ndërhyri deputeti demokrat Ervin Salianji. Ai e pyeti Haxhiun, nëse mendon se Basha ka lidhje me Ramën duke qenë se pranoi se e njihte. Haxhiu u përgjigj duke thënë se kanë një distancë të respektueshme dhe nuk e di që ata të mbajnë lidhje.
Baton Haxhiu: Pas këtij shkrimi në BBC, konsideroj se Lul Basha duhet ta thotë të vërtetën e tij. E di që e ka thënë publikisht. E vërteta e tij mund të thotë që kam gabuar ose kam pasur një marrëdhënie pa e ditur se kush është, por duke e njohur Lul Bashën, karakterin e tij, dyshoj që mund të ketë lidhje ruse. Unë po them duke e njohur personalisht… Unë po mos të kishte shkruar BBC do thosha kjo nuk është e vërtetë, menjëherë. Kjo që ka shkruar BBC është pak problematike dhe Luli duhet ta bëjë publike raportin me këtë shkrim.
Ervin Salianji: Duke qenë se e pranuat se e njihni, po lidhje me Ramën ka? Si mendon, përveç rusëve?
Baton Haxhiu: Unë mendoj që e kanë një distancë të respektueshme, por mjafton kaq. Por unë nuk e di që ata mbajnë lidhje.
“Për t’u bërë lider?’ Baton Haxhiu tregon mesazhin sipas tij të skenave në parlament
Analisti Baton Haxhiu është i mendimit se skenat që ofroi opozita këtë të enjte në parlament, me protagonist mes të tjerëve edhe Ervin Salianjin, kanë si qëllim nga pas përfitimin. Në studion e “Opinion”, Haxhiu tha se mesazhi është që elektorati pranë Sali Berishës, të mbetet te një lider simbolikisht i fortë.
Baton Haxhiu: Mendoj se beteja e Salianjit, është vetëm, sa pashë sot…
Blendi Fevziu: Për t’u bërë lider?
Baton Haxhiu:… e pashë për të përfituar, ose politikisht, të gjithë militantët të cilët janë ende afër Sali Berishës, ky ishte ai mesazhi që elektorati i tij të mbetet te një lider, i cili tregon një fare simbolike force. Dhe unë e besoj këtë dhe kjo betejë e tillë është…
Kujtojmë se këtë të enjte deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit, duke rrëzuar karriget, e duke ndezur tymuese./tvklan.al