#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

I ftuar: Altin Qato, drejtor i Policisë Rrugore

Aksidenti tragjik me 3 viktima, Qato: Makina me 150 km/h, shoferi se ka komanduar dot mjetin…

Drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato ka dhënë më shumë detaje sonte në “Opinion” në Tv Klan për aksidentin tragjik te rrethrrotullimi i TEG-ut pak ditë më parë.

Qato tha se nga ekspertimet paraprake mendohet se shpejtësia e automjetit ku ndodheshin 3 të rinjtë, ishte 150 km në orë. Ai thotë se shoferi 20-vjeçar ka tentuar të frenojë disa herë me shkëputje, por ka humbur kontrollin e automjetit, si pasojë e një defekti teknik ose shpejtësisë së madhe.

Blendi Fevziu: Dihet me çfarë shpejtësie ka qenë makina?

Altin Qato: Është bërë një vendim ekspertimi, mendoj unë në bisedat e diskutimet paraprake me ekspertët mendohet se shpejtësia ka qenë 150 km/h.

Blendi Fevziu: Ka tentuar të frenojë djali që ka qenë në timon?

Altin Qato: Ka tentuar disa herë, me shkëputje. Mund të ketë humbje kontrolli, defekt teknik që nuk ka mundësuar që të ulë shpejtësinë, sepse shpejtësia ka qenë e madhe. Duken shkëputjet, sepse ato i japin më shumë fuqi frenimit. Pra, duket që se ka komanduar dot mjetin.

Blendi Fevziu: Mungesë vëmendjeje?

Altin Qato: Mungesë vëmendjeje në momentin e parë, më pas nuk ka arritur ta kontrollojë dot mjetin.

Makina “fluturoi” nga mbikalimi, Qato: Është përplasur 4 herë

Drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato ka deklaruar këtë të Hënë në “Opinion” në Tv Klan se automjeti i aksidentit tragjik te rrethrrotullimi i TEG-ut ka pësuar 4 goditje (është përplasur).

Sipas Qatos, mjeti fillimisht ka goditur te barriera, më pas gardielën mbrojtëse, ka fluturuar mbi autostradë dhe është përplasur në fund me barrierën tjetër ndarëse.

“Mjeti ka humbur 4 herë energji force sepse është goditur 4 herë. Te barriera, frenimi që ka bërë në momentin e parë, ka bërë goditjen te gardiela mbrojtëse e cila është shkëputur dhe e ka lejuar mjetin të dalë. Ka fluturuar mjeti mbi rrugën Tiranë-Elbasan dhe është goditur prapë në barrierën ndarëse, para se të binte mbi mjetin tjetër që qarkullonte rastësisht në këtë aks rrugor. Pra, në termin teknik ka pasur 4 momente të humbjes së energjisë, 4 goditje. Prandaj ne mendojmë se shpejtësia ka qenë e madhe”, tha Qato.

Policia Rrugore, “sy” në 200 km rrugë. Cilat zona do të mbulohen 100% me teknologji

Shumë shpejt, Policia Rrugore do të ketë 100% “sy” në 200 kilometra rrugë. Lajmin e dha drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato, gjatë emisionit “Opinion”. Ai u shpreh se rrugët duke filluar nga Elbasan-Tiranë-Durrës-Vlorë do të mbulohen 100% me teknologji. Sipas Qatos bëhet fjalë për autostrada dhe rrugë interurbane kryesore.

“Është e pamundur që të gjitha akset rrugore t’i mbulojmë me shërbime. Ne kemi sot vizionin nga polici në rrugë tek teknologjia. Vitin e kaluar shtuam flotën. Jemi prapë këtë vit duke shtuar. Shumë shpejt, brenda një kohe të shpejtë, 200 kilometrat e para do mbulohen 100% me teknologji, dhe kjo do na japë një impakt të jashtëzakonshëm. Duke filluar Elbasan, Tiranë, Durrës, deri në Vlorë. Gjithë akset rrugore që janë autostrada ose interurbane krysore”, tha Qato.

Drejtori i Policisë Rrugore, u shpreh se në këtë mënyrë do të ngrihet një Qendër Kombëtare e Monitorimit dhe do të kontrollojë çdo shkelje të përdoruesve të rrugës.  

“Me ndryshimet që është propozuar në Kodin Rrugor është përcaktuar  që limit ka qenë 110 të vejë 130. Në kohën që do mbulohet do të ketë një Qendër Kombëtare të Monitorimit të këtyre akseve. Do të kontrollohet tejkalim i shpejtësisë, përdorim i telefonit, mosvendosja e rripit, parakalimet e gabuara, sjelljet agresive në rrugë, të cilat ne kemi mundësi që t’i monitorojmë dhe të marrim masa ndaj çdo drejtues mjeti”, tha ai.

20-vjeçari i gjobitur 5 herë, Qato: Shkeljet nuk kanë qenë për heqjen e patentës

I ftuar mbrëmjen e kësaj të hënë në Opinion në TvKlan ishte drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato. Ai foli për aksidentin tragjik të ndodhur pasditen e 9 Marsit, i cili iu morri jetën 3 të rinjve, Klevis Ruçaj, 20 vjeç, i cili ishte në timonin e “Audit” dhe dy pasagjereve, Erisilda Abedini, 22 vjeçe dhe Sikela Përroj, 23 vjeçe.

Gazetari Blendi Fevziu e pyeti Qaton nëse ekziston mundësia ligjërisht që një personi i cili është gjobitur 5 herë, si në rastin e 20-vjeçarit, t’i hiqet patenta.

Blendi Fevziu: Personi që po drejtonte mjetin ishte gjobitur 5 herë, sipas të dhënave të publikuara në shtyp nga Policia e Shtetit. Kur gjobitesh 5 herë, nuk iu lejon ju ligji që t’i merret patenta ose t’i hiqet?

Altin Qato: Kjo varet nga shkeljet, sepse Kodi Rrugor i ka të përcaktuara shkeljet e normave të përdorimit të rrugës dhe për çdo shkelje ka përcaktimet për masën administrative, qoftë në vlerë financiare ose masë plotësuese heqje e lejes së drejtimit, heqje të pikës për lejen e drejtimit. Shkeljet që është konstatuar, nuk kanë qenë shkeljet të cilat na i lejojnë ne si polici për heqjen e lejes së drejtimit.

Nënë e bir përfunduan me makinë në lumë, zbardhet shkaku i aksidentit tragjik

Qato: Shoferët pa eksperiencë nuk duhet të lejohen të drejtojnë makina të fuqishme

Më 27 Qershor të vitit që lamë pas, dy jetë u shuan në një aksident tragjik me makinë. Nënë e bir ranë në lumin Osum në Berat, duke humbur jetën. Klaudia Xhaferraj ishte vetëm 30 vjeçe, ndërsa i biri, 6-vjeç. 10 muaj nga kjo ngjarje tragjike, zbulohet dhe shkaku i aksidentit të rëndë.

I ftuar mbrëmjen e kësaj të hëne në studion e emisionit “Opinion” të Blendi Fevziut, Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato tha se nga analiza ka rezultuar se 30-vjeçarja nuk arriti të kontrollonte mjetin për shkak të fuqisë së madhe të tij. Nëna e re kishte vetëm 1 muaj që e kishte marrë patentën.

Kreu i Rrugores shprehet se propozimi i ekspertëve është që shoferët e rinj, për 2 vite nga marrja e patentës të mos lejohen që të marrin makina me motor më shumë se 1.5. Kjo sipas Qatos, pasi këta shoferë nuk kanë eksperiencën e nevojshme për të kontrolluar një automjet të fuqishëm.

Deklaratat Qato i bëri duke marrë shkas nga aksidenti tragjik i ndodhur më 9 Mars në Tiranë, ku 20-vjeçari Klevis Ruçaj humbi kontrollin e mjetit, dyshohet për shkak të shpejtësisë së lartë dhe fluturoi nga mbikalimi në autostradën Tiranë-Elbasan. Nga aksidenti i rëndë humbi jetë vetë i riu, si dhe dy vajzat që ishin pasagjere, Erisilda Abedini 22-vjeçe dhe Sikela Përroj 23-vjeçe.

Altin Qato: Drejtuesi i mjetit i cili ka humbur jetën (Klevis Ruçaj) është drejtues mjeti prej 1 viti, në kategorinë B. Te neni 117, ne kemi propozuar dhe në Komisionin Parlamentar të Planifikimit, i cili ka bërë një draft ndryshimesh ligjore në Kodin Rrugor, kemi propozuar që të bëhet ndryshimi, që drejtuesit e mjeteve të kategorisë B, brenda dy viteve duhet të kenë një fuqi të limituar drejtimi të mjetit.

Blendi Fevziu: Pra nuk mund të marrin mjete me një shpejtësi kaq të madhe, fuqi motorike kaq të madhe.

Altin Qato: Duhet të jetë 54 kuaj fuqi, ose motor 1.5 siç themi ne. Nëse do kishte kaluar, ose do kalojë, ky drejtues mjeti me një përvojë 1 deri në 2 vite, nuk ka të drejtë të drejtojë një makinë me fuqi të madhe. Ne kemi rastin e një aksidenti shumë të rëndë dhe në Berat para disa muajsh, ku nëna me të birin me një muaj leje drejtimi kishte një makinë me fuqi të madhe motorike, pa një arsye, pa një parakalim, pa një shpejtësi, humbi kontrollin dhe ra në lumin Osum.  

Blendi Fevziu: Për rastin e Osumit, nga se ndodhi? Çfarë nxori analiza?

Altin Qato: Ka humbur kontrollin e mjetit, mungesa e aftësisë profesionale për të drejtuar një mjet, mjeti i fuqishëm, nuk u ndalua as nga barrierat mbrojtëse. Prandaj kemi bërë edhe këtë propozim në Kod, që personat që kanë më pak së dy vite duhet të kenë një fuqi të kufizuar. Duhet të kenë një eksperiencë me një mjet me një fuqi më të vogël. Një mjet i tillë nuk do të kishte këtë shpejtësi, po do ishte e mundur edhe barrierat ta mbronin, ta kishin mbajtur./tvklan.al