I ftuar:

Ditmir Bushati

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka deklaruar se marrëveshja me grekët është fillimi i një pakete diskutimesh të disa çështjeve kyçe, që fillon me shfuqizimin e Ligjit të Luftës dhe shumë çështje të tjera. Bushati tha në studion e emisionit ‘Opinion’ se kohë më parë qeveria e Andreas Papandreut çoi një propozim për një dekret që të shfuqizonte dekretin e ligjit të luftës. Ai tregoi se kjo nismë nuk u konkretizua kurrë, por është e vetmja qeveri që është përpjekur për të hequr ligjin e luftës. Historia e Ligjit të Luftës fillon më 10 nëntor 1940 kur u shpall dekreti mbretëror grek-ligji 2636 mbi gjendjen e luftës së Greqisë me Italinë e Shqipërinë. Pas pushtimit nga Gjermania, qeveria kuislinge e Greqisë e kryeministrit Jorgos Xolagoklus e hoqi Ligjin e Luftës. Por pas përfundimit të luftës qeveria e sapo formuar në vitin 1945 e rikthen atë duke i rishpallur luftë përsëri Shqipërisë me një dekret të ri numër 13.

I ftuar në emisionin ‘Opinion’ Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati  ka deklaruar se në diskutime me Ministrin grek Kotzias janë arritur disa marrëveshje. Së pari Bushati tha se është arritur një marrëveshje për përdorimin e patentave shqiptare edhe në territorin grek. Së dytit sipas ministrit Bushati është diskutuar me ministrin grek për njohjen e kontributeve të shqiptarëve që jetojnë në Greqi.

Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati thotë se me palën greke është rënë dakord vetëm për “vijat e kuqe” ku do të ecin negociatat të përcaktuara nga e drejta ndërkombëtare dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese shqiptare. Në një intervistë dhënë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Bushati thotë se marrëveshja do të finalizohet nga ekspertet duke premtuar se do të jetë më e mirë se ajo e vitit 2009. 

“Unë po ju them edhe një herë tjetër qartë dhe shkoqur, ne kemi diskutuar në parim për linjat e kuqe, përmes të cilave dhe përtej të cilave ne nuk dalim dot. Po ju them që marrëveshja do të jetë disa herë më e favorshme se marrëveshja që është arritur në 2009. Do të ulen ekspertët në tavolinë, sepse ekspertët nuk janë ulur në tavolinë dhe do të finalizojnë marrëveshjen”, tha Bushati.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati të martën ka deklaruar se pala greke ka rënë dakord për të njohur protokollin e Firencës të vitit 1925, ku fuqitë e mëdha janë dakordësuar për të njohur kufijtë aktual midis dy vendeve. Bushati theksoi në studion e emisionit ‘Opinion’, se legalizimi që pala shqiptare i ka bërë protokollit të Firencës ka referenca të qarta përsa i përket delimitimit, gjë e cila nuk është marrë fare parasysh në marrëveshjen e 2009-ës.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati është shprehur të martën se çështja Çame që nga viti 2013 ka qenë temë e diskutimit në takimet zyrtare mes dy vendeve. Bushati deklaroi në studion e emisionit ‘Opinion’ në TV Klan, se pavarësisht kësaj, nuk do të thotë që ka pasur dakordësi apo qëndrim të njëjtë sa i përket çështjes Çame. Më tej, ai mohoi që vendi ynë të ketë pretendime për territorin e Çamërisë në raport me Greqinë.

Ministri i Jashtëm Bushati tha se janë rreth 1 800 raste pronash që do të përfitonin nga heqja e Ligjit të Luftës nga ana e Greqisë dhe se pjesë e kësaj kategorie nuk janë pronat e shqiptarëve të Çamërisë.

Fevziu:

 Ka shumë prona shteti shqiptar në Greqi?

Bushati:

 Ne kemi një vlerësim paraprak, bëhet fjalë për rreth 1 800 raste të pronave në përgjithësi për këto kategori, nuk jam në gjendje të them se cili mund të ishte vlerësimi financiar. Kjo është një çështje që do të ndiqet në institucionet e tjera.

Fevziu:

 Kjo marrëveshje nuk hapë rrugë për pronat e shqiptarëve të Çamërisë?

Bushati:

 Jo duhet të jem korrekt, nuk hap rrugë sepse kam lexuar njerëz të ndryshëm që herë na akuzojnë.

Fevziu:

 Pra bëhet fjalë për prona të shtetasve shqiptarë apo të shtetit shqiptar që kanë pasur në Greqi, shumica e tyre që rrjedhin nga koha e Perandorisë Osmane, që shteti grek i bllokoi në vitin 1940 dhe jo për prona që janë bllokuar në vitet 1945 -19546 të shqiptarëve  të Çamërisë.

Bushati:

 Ju e bëtë dallimin në mënyrë shumë të saktë dhe shumë korrekte sipas gjykimit tim Pronat e komunitetit çam kanë lidhje me vendimin e Gjykatës së Janinës të cilat kanë dalë 5 apo 6 vite më vonë.

*****

Lufta që mban peng Shqipërinë me Greqinë!

I ftuar:

Artan Lame