Producenti dhe këngëtari i mirënjohur, Ardit Gjebrea ishte i ftuar në emisionin “Opinion Plus”, nga ku foli për edicionin e 9-të të festivalit “Kënga Magjike”, si dhe për karrierën e tij në muzikë dhe televizion.

I pyetur nga drejtuesi dhe moderatori i emisionit, Blendi Fevziu, nëse festivali rezervon surpriza këtë vit, Gjebrea u shpreh: “Sigurisht. ‘Kënga Magjike’ gjatë tetë edicioneve të mëparshme ka sjellë vazhdimisht surpriza. Këngët janë paraqitur tashmë. Mendoj që ‘Kënga Magjike’, që nga viti 1999 ka lindur në këtë mënyrë, duke i servirur më parë këngët te publiku. Kjo nuk ndikon te kënga fituese, pasi atë e përzgjedhën vetë këngëtarët. Ky është sistemi më i mirë mendoj për vlerësimin e tre çmimeve të para. Në festival këtë vit kanë ardhur më shumë se 270 këngë dhe vetëm 54 prej tyre u përzgjodhën”.

Ardit Gjebrea tha se prej vitit të kaluar në kontratat që nënshkruajnë këngëtarët pjesëmarrës ekzistojnë sanksione, ku thuhet se autorët do të gjobiten me 5 milionë lekë nëse do të paraqesin këngë të vjedhura.

“Ky është një festival i këngës origjinale dhe një nga kushtet është që kënga të jetë origjinale. Dy vite më parë pata probleme me 3 këngë në festival, të cilat në fazën e parë, duke pritur ‘Kënga Magjike 2005’ dolën që ishin të kopjuara. Ata u dënuan, duke mos marrë pjesë në netët gjysmëfinale dhe finale, por më pas ishte një mosrespekt i punës së bërë nga gjithë stafi që organizon festivalin ‘Kënga Magjike’”.  

“Kënga Magjike” këtë vit do të mirëpresë këngëtarë shqiptarë edhe nga Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Zvicra, Gjermania, Franca, Suedia, Norvegjia, Amerika etj. 

Gjebrea tregoi se ka patur tentativa për të dhënë ryshfet për të kaluar në fazën finale të festivalit, si nga këngëtarët nëpërmjet sekserëve, por edhe nga sponsorat.

Producenti tha se në “Kënga Magjike” të gjithë këngëtarët janë të barabartë dhe çmimet janë të gjitha të merituara.

Ardit Gjebra gjithashtu shprehu mendimin e tij për Festivalin e Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar dhe përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovizion.

Përsa i përket karrierës, këngëtari rrëfeu si nisi rrugëtimi i tij në muzikë.

“Për herë të parë kam dal 5 vjeç në skenë, në Festivalin Kombëtar të Kopshteve dhe kënga ka dalë në finale. Për herë të parë që kam kënduar në jetën time, kam kënduar përpara xhaxhit Enver në vitin ’68. Duke parë predispozitat e mia muzikore, prindërit më çuan në shkollë violine, ku studiova për 8 vite. Në Liceun Artistik vazhdova 4 vjet për kanto, studioja edhe piano. Më pas pata fatin të punoja me profesorin Çezk Zadeja në Institutin e Lartë të Arteve për kompozicion. Kam patur fat sepse kam bërë 8 vjet violinë, 8 vjet piano, 4 vjet kanto, 4 vjet kompozicion dhe 3 vjet specializim. Përpara se të ndodhnin ndryshimet, e mendoja veten profesor në Akademinë e Arteve për muzikën simfonike”.

Ardit Gjebrea foli për eksperiencën e tij në Itali, ku studioi dhe më pas punoi pranë Albano Carrisit dhe ish-bashkëshortes së tij, Romina Powers. Kantautori gjithashtu tregoi si lindi kënga “Jon”, e cila e bëri fitues të Festivalit të Këngës në vitin 1991 dhe më pas përfshirjen e tij në fushatën e Partisë Demokratike në vitin 1996.

Ndërsa përsa i përket një albumi të ri, Ardit Gjebrea u shpreh se ai nuk e kërkon këngën, por i vjen vetë./tvklan.al