#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky, mbërriti këtë të mërkurë në Tiranë, në samitin e organizuar me vendet e Evropës Juglindore dhe të Ballkanit Perëndimor. Një samit i cili u mbajt në Shqipëri. Praktikisht samiti i cili kishte 8 pjesëmarrës, plus Shqipërinë, u zhvillua në kuadrin e një samiti të plotë, si dhe takime bilaterale që presidenti Zelensky pati me të gjithë krerët e delegacioneve që përfaqësoheshin në këtë samit.

Përtej vizitës së tij të parë në Tiranë, ka pasur edhe një sërë pikash ku mund të përqendrohemi. Një nga gjërat më interesante ka qenë fakti që Zelensky ka folur për një prodhim të përbashkët të armatimeve, midis Shqipërisë dhe Ukrainës. Ishte një pikëpyetje që nuk mori një sqarim nga kryeministri shqiptar. Njëkohësisht është folur për kërcënimin rus në Ballkan dhe pikëpyetja më e madhe se çfarë po ndodh realisht me Ukrainën e ku do të shkojë më tej.

Vizita e Zelensky-t në Tiranë, pati edhe aspektet e saj të panjohura.

“Hija” e Zelensky-t, zbuloni kush është shoku i fëmijërisë që e ruajti edhe në Tiranë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është një prej liderëve botërorë më të rëndësishëm për shkak të luftës me Rusinë. Për këtë arsye edhe siguria për të është në nivelet maksimale.

Emisioni “Opinion” në Tv Klan foli pikërisht për vizitën e Zelensky-t në kryeqytet ku u zbulua edhe një detaj interesant sa i përket sigurisë së tij. Prej 24 Shkurtit të vitit 2022, kur nisi edhe lufta ai ka mbrojtje speciale. Shefi i sigurimit të tij është Maksym Donets, 44 vjeç.

Ky person mund të konsiderohet edhe “hija” e Zelensky-t pasi qëndron 24 orë pranë tij. Ai është shok fëmijërie me Zelensky-n pasi janë rritur të dy në Kryvyi Rih. I diplomuar për ekonomi, por më vonë për siguri fizike, Donets tashmë merret me ruajtjen e Presidentit të vendit të tij. Ai ishte i pranishëm edhe në Tiranë teksa shoqëronte Zelensky-n.

Për ruajtjen e Zelensky-t kujdeset një skuadër e tërë elitë e Ukrainës. Në arsenalin e sigurisë së tij është përfshirë edhe një dhuratë nga SHBA-ja, një sistem i sofisitikuar i pajisjeve të komunikimeve. Ai mund të komunikojë në çdo vend, çdo cep ku ndodhet, në çdo moment përmes një sistemi tejet të sigurt.


Në pjesën e tretë të emisionit kemi të ftuar Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin, i cili njëkohësisht është kandidat i partisë BDI, për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Bujar Osmani ka luajtur një lloj roli si kryetar i radhës i OSBE-së, edhe në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës. Është një intervistë shumë interesante që kemi regjistruar pak përpara se ai të largohej për në Maqedoninë e Veriut. Në të ai flet edhe për një atentat, një moment ku jeta e tij është kërcënuar teksa po kthehej nga Moldavia në Shkup.

Bujar Osmani zbulon atentatin e dështuar ndaj tij në Moldavi

Samitin për Ukrainën të zhvilluar këtë të mërkurë në kryeqytetin shqiptar, ministri i Jashtëm i RMV e cilëson si ngjarjen e vitit për rajonin, teksa thekson se tregon mbështetjen e Europës Juglindore për Ukrainën. Sipas Osmanit, ky vend është vetëm stacioni i parë i Rusisë.

Në një intervistë në studion e Opinion, Bujar Osmani, ministri i Jashtëm i RMV e njëherësh kandidat për president i BDI, zbuloi mbrëmjen e kësaj të mërkure një atentat të dështuar ndaj tij në Transnistria, rajon që ndodhet në Moldavi e që kontrollohet nga Rusia. Bëhet fjalë për një ngjarje, siç tregon Osmani, të ndodhur vitin e shkuar, në kohën kur ai ishte atje si kryesues i OSBE. 

Në Opinion, Osmani zbuloi se përveç planit për të sulmuar eskortën e tij, avioni më të cilin kthehej nga Moldavia në Shkup humbi kontaktet me radarët dhe u ul vetëm nëpërmjet koordinatave. Për ngjarjen në fjalë Osmani thotë se është informuar edhe NATO dhe se po bëhen hetime.

Bujar Osmani: Kujtoj që është ngjarja e vitit për rajonin, nuk është punë e vogël, që Europa Juglindore tregon një mbështetje njëzëri për Ukrainën, për shkak se Ukraina nuk lufton vetëm për vete. Ukraina është stacioni i parë i ambicies imperialiste ruse”

A mendoni që është realisht vetëm stacioni i parë?

Bujar Osmani: Kam parë intervistën e Putin. Ai ka humbur kontaktin me realiteti ditor, flet vetëm në kontekst historik. Tani ka edhe referendum në Transnistria. Është rajon në Moldavi, i cili është nën kontroll rus. Kam qenë edhe unë vitin e kaluar si kryesues i OSBE atje, bile kishte një tentim për atentat. Të nesërmen pas vizitës time, arrestohet një numër i madh i njerëzve, të cilët kinse kishin pretenduar sulm ndaj eskortës time, mirëpo e porositur nga Moldavia. Kjo ishte me qellim për të krijua një tension brenda. Kishte edhe një incident pastaj gjatë rrugës, ku humbet radari dhe ne kemi zbritur deri në Shkup me komunikim të drejtpërdrejtë.

Avioni ishte i juaji?

Bujar Osmani: Po i qeverisë së Maqedonisë. Pra nga Moldavia deri në Shkup ne nuk jemi identifikuar nga asnjë radar në tokë, por kemi zbritur vetëm me koordinata.

Humbi nga radari avioni?

Bujar Osmani: Me të gjitha kullat nga Moldavia deri në Shkup dhe ne kemi informuar edhe NATO-n dhe po bëhen hetime se çfarë ndodhi. Pasi në fillim mendohej mos ishte diçka me avionin tonë, por në fakt të nesërmen ishte gjithçka në rregull dhe nuk ka ndodhur më asnjëherë një gjë e tillë. Mirëpo këto hetime po bëhen.

Osmani akuza të drejtpërdrejta Kurtit: Po tenton të ndërhyjë në zgjedhjet në RMV

Bujar Osmani, kandidati i BDI-së në zgjedhjet për President në Maqedonisë e Veriut ka qenë i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan këtë të mërkurë. 

Ai u pyet në lidhje me raportet me Prishtinën zyrtare dhe me kryeministrin Kurti, të cilat së fundmi kanë qenë të tensionuara. Osmani inkurajoi Kosovën që të ruajë raportet me SHBA-në. 

Po ashtu foli edhe për ndërhyrjet në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut nga Albin Kurti duke thënë se legjitimon ndërhyrjen edhe të fqinjëve të tjerë duke mos i shërbyer shqiptarëve. 

Kur u pyet nëse ka pasur tentativa ndërhyrje nga Kosova dhe nga Kurti, Osmani u përgjigj që po. Ai shtoi më tej se ato janë të dëmshme për shqiptarët në RMV.

Bujar Osmani: Unë mendoj që për çdo politikë shqiptare është e shenjtë të ruani raportet me SHBA-në. Kjo pak më shqetëson. Inkurajimi im është që t’i ruajmë këto raporte. Dhe ndërhyrja drejtpërdrejtë në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut legjitimon ndërhyrjen e fqinjëve. Pozicioni i shqiptarëve është i fuqishëm vetëm për shkak se raportet ndëretnike janë të kalibruara ngushtë. Po qe se legjitimohet ndërhyrja e Kosovës, do legjitimohet edhe ajo e Serbisë, pastaj edhe e Bullgarisë. Në Maqedoni politikat gjithmonë janë vendosur ose në Beograd…

Blendi Fevziu: Ka tentativa ndërhyrje nga Kosova?

Bujar Osmani: Ka tentativa serioze të cilat janë jo parimore….

Blendi Fevziu: Nga Kurti?

Bujar Osmani: Për fat të keq po. Unë them në Maqedoni të Veriut suksesi më i madh është që tanimë politikat nuk dizejnohen as në Beograd, as në Sofie, as në Tiranë, as në Athinë, as në Prishtinë. Dizejnohen në Shkup me nënshkrim të lidhur ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve. Ky ka qenë qëllimi ynë dhe çdo tentim për ta marxhinalizuar faktorin shqiptar që tanimë është i barabartë është egoist, oportunist dhe i dëmshëm në afatgjatë.

Sa i përket raporteve me Tiranën zyrtare ai tha se ato janë të shkëlqyeshme.

“Them gjithmonë, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë raporte si dy shtete skandinave, si dy shtete nordike. Këto raporte janë sinergjike, për shkak se jemi në një rrugë të përbashkët europiane dhe tentojmë të ndihmojmë njëra tjetrën në këtë drejtim”, tha ai. /tvklan.al