Në studio: Iris Luarasi, Toni Gogu, Jordan Daci, Dritan Shakohoxha, Akil Pano, Gert Bogdani, Julian Zyla

Marrëveshja e refugjatëve/ Bogdani: Kryeministri të zgjidhë hallet e qytetarëve të tij që po i ikin nga Shqipëria

Politikani Gert Bogdani thotë se marrëveshja e Shqipërisë me Italinë për bashkëpunimin për refugjatët me ngritjen e qendrave në Shëngjin dhe Gjadër për pritjen e tyre, është përdorim i pastër i Shqipërisë si çiflig personal për diplomaci personale.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Bogdani thotë se kryeministri Rama fillimisht duhet të zgjidhë problemet e qytetarëve të tij, për të cilët thotë se po ikin nga Shqipëria.

Gert Bogdani: Këtu spekulohet dhe thuhet se “janë kërkesa të BE-së dhe se po e bëjnë për BE-në”. BE-ja ende nuk është shprehur, Komisioni Europian ende nuk është shprehur. Komisioni Europian ka thënë që është një marrëveshje politike dhe i duhet parë ana juridike që të mos shkelë ligjet dhe konventat e BE-së. Ka një gjë që në BE dhe në Bruksel ju pëlqen kjo marrëveshje sepse do krijojnë precedentin për ato 1 milionë që do të vijnë gjatë vitit të ardhshëm për të gjithë rrugët e BE-së. Problemi kryesor këtu është se nuk bëhet fjalë as për çështje kristianizmi, as për çështje islami dhe as për çështje dhembshurie. Këtu bëhet fjalë për çështje sigurie, kush janë këto njerëz që vijnë? E dyta, njerëzit që nuk kanë dokumenta, ku rrinë në stok këto njerëz sipas marrëveshjes? Pse Italia e bën këtu dhe jo në vend të vet? Problemi kryesor është që kryeministri duhet të zgjidhë hallet e qytetarëve të vet që po i ikin nga Shqipëria, nuk po mbron dot fëmijët e vet. Dhe e fundit është kjo që u diskutua se na ndihmon në çështjen e integrimit evropian. Ore, ty nuk të pranon kështu siç je. Mendon se do të të pranojë kur t’i bëhesh karantina e Europës? Në mënyrë absolute jo! Kjo është një përdorim i pastër i vendit, i Shqipërisë si çiflig personal për PR dhe për diplomaci personale.


Marrëveshja me Italinë për emigrantët/ Julian Zyla: Kur na vjen mundësia të jemi të dobishëm, duhet ta shfrytëzojmë

Analisti Julian Zyla e vlerëson pozitive marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë për emigrantët e huaj.

I ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, Zyla ironizoi panelistët që kishte përballë, kur tha se është i bindur që askush nuk është kundër mikëpritjes së emigrantëve, por janë kundër Kryeministrit Rama.

Sipas tij, çdo marrëveshje që i ofrohet Shqipërisë dhe që ka mundësi të kontribuojë, duhet pranuar.

“Jam i bindur që këtu nuk ka njerëz që janë kundër idesë së imigracionit, jam i bindur që këtu nuk ka njerëz që janë kundër idesë së mikëpritjes, këtu ka thjesht njertëz që janë kundër Edi Ramës. Në këtë studio, njerëz për të qenë kundër Edi Ramës, janë bërë me Rusinë.

Ne si vend me mundësitë që kemi nuk besoj që do kemi shumë raste kur ne do jemi të dobishëm për BE apo një vend të BE. Nëse vjen mundësi që ne të mund të jemi të dobishëm, unë besoj që këto raste duhen shfrytëzuar. Ku qëndron morali ynë që aplikojmë për fonde të BE që të bëjmë rrugët tona, që kur një vend i BE kërkon ndihma të ngjashme si mund t’i themi ne jo kur me taksat e tyre po rregullojmë shkollat.

Italia nëse kërkon territor ekstra në vend tjetër, e bën për t’i dhënë kushte më të mira aty emigrantëve. Kushtet nuk ja garanton Shqipëria atyre, ja garanton Italia. Pyetja juaj pse nuk pranojnë vendet e BE, ështe se vendet e BE shpeshherë janë të detyruara të funksionojnë në mjedise politike të caktuara, pra janë njerëz që dalin kundër, përdorin nacionalizmat për çështje politike të brendshme”.


“As 3000, as 36.000”, Gert Bogdani: Bëhet fjalë për 1 milionë emigrantë në gjithë Europën

Gert Bogdani e cilëson marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët në kundërshtim të plotë me ligjet e Bashkimit Europian. Ai shpjegon në “Opinion” në Tv Klan se shifra reale e emigrantëve nuk është 3000 apo 36 mijë, por 1 milionë emigrantë.

Sipas Bogdanit, në javët dhe muajt në vijim pritet që kjo shifër emigrantësh të mbërrijë në të gjithë Europën.

Gert Bogdani: Siç e tha zoti Gogu, një qendër në Shqipëri nuk i ndihmon ato 3000 qendra në Itali. Atëherë, pse? Sepse ka një shifër që qarkullon sot në Bashkimin Europian dhe nuk bëhet fjalë as për  3000, as për 36 mijë. Bëhet fjalë për 1 milionë emigrantë në javët dhe muajt në vijim.

Blendi Fevziu: Ku, në Shqipëri?

Gert Bogdani: Në gjithë Europën. Hapin rrugët nëpërmjet Shqipërisë dhe 1 milionë emigrantët në këtë mënyrë krijon precedentin dhe prandaj Komisioni Europian ka qenë ende i paqartë, prandaj Soreca tha është më tepër politike dhe jo juridike, duhet ta vlerësojmë sepse i shkojnë për shtat kjo marrëveshje që është bërë pavarësisht se është në kundërshtim  me ligjet e Bashkimit Europian. Në qoftë se e marrim, është në kundërshtim të plotë. E para, e rrëzoi gjykata. E dyta, në 2018 ke komisioneren e Punëve të Brendshme të BE, Johanson e cila refuzon kampet që do bënin në Mal të Zi për Libinë, Marokun dhe Tunizinë sepse është në kundërshtim me Bashkimin Europian.

Toni Gogu: Do i bënte cili vend i Bashkimit Europian me Malin e Zi?

Gert Bogdani: Dhe pse është shumë e qartë. Janë 1 milionë që pritet. Vetëm lufta në Rripin e Gazës, ku do shkojnë ata njerëz?


“Surprizuese ta shikoje pastorin në profil politik”, Luarasi për Panon: Nuk e prisja të kishte këtë qëndrim ndaj emigrantëve

Për pedagogën Iris Luarasi, ka qenë shumë surprizuese ta shikonte pastorin Akil Pano në profilin e tij politik.  E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Luarasi është shprehur se nuk e priste nga një pastor të kishte një qëndrim të tillë nga emigrantët, teksa ka shtuar se asaj nuk i shkon të merret me llojin e populizmit që mendon se të gjitha të këqijat vijnë nga refugjatët.

Iris Luarasi: Ishte shumë surprizuese ta shikoje pastorin në profilin e tij politik sepse nuk e kisha parë ndonjëherë në studio me një profil politik. Nuk do e prisja nga një pastor të kishte këtë qëndrim ndaj emigrantëve.

Blendi Fevziu: Prandaj ka ardhur pa Biblën sot.

Iris Luarasi: Kjo është e para sepse mendoj se çdo njeri që merret me fenë dhe me të drejtat e njeriut, mendoj që kjo është e vetmja gjë… Unë kam ardhur këtu që të dëgjohem.

Akil Pano: Ky lloj populizmi kaq i ulët nga zonja Luarasi, nuk shkon.

Iris Luarasi: Unë kam ardhur këtu që të dëgjohem dhe ti ke ardhur këtu të dëgjohesh.

Akil Pano: Populizëm të kësaj natyre dëgjojnë ato 1 milionë shqiptarë që janë përzënë nga Shqipëria në 10 vitet e fundit.

Iris Luarasi: Ti duhet të pushosh që të më dëgjosh mua.

Akil Pano: Kursejani shqiptarëve populizmin që po përdorni.

Iris Luarasi: Populizmin po e shikoj këtu se në momentin që fillon dhe bëhet si trend kjo pjesa e të djathtës ekstreme për të sulmuar dhe për të menduar që të gjitha të këqijat në botë na vijnë nga refugjatët, kjo është patjetër një formë populizmi, e kupoj shumë mirë. Mua nuk më shkon të merrem me këtë lloj populizmi.


“Një kalë Troje”, pastori Pano për marrëveshjen e emigrantëve: Rrezik për trafiqet, skafistët…

Pastori Akil Pano mendon se marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët e huaj është “një kalë Troje”. Siç sqaron ai qëndrimin e tij në “Opinion” në Tv Klan, nuk bëhet fjalë për njerëz që po trokasin për të kërkuar ndihmë por për persona që do të mbyllen në një kamp.

Pastori thekson se marrëveshja nuk ka patur transparencë dhe ka rezervat e tij lidhur me të.

Pastori Akil Pano: Unë e shikoj një kalë Troje që në mes të një nate të bukur hapen portat e qytetit dhe nuk disktuohet për 3600 në muaj, 36.000 në vit thotë meida italiane refugjatë të cilët vijnë nga vendet e Afrikës. Por ideja që duke pasur parasysh që kjo marrëveshje apo ky protokoll ndodhi në obskuritet të plotë. Ka pasur një marëveshje në Gusht dhe është bërë punlike vetëm këtë javë dhe është bërë publike nga mediat italiane. Kjo histori duhet të hapej për një debat publik në mëyrë që aktorët e interesuar, opinioni publik të diskutonte, ta trajtonte këtë çështje. Unë kam jo vetëm thjesht rezervat e mia.

Blendi Fevziu: Të cilat janë? Pra janë rezerva për parimin apo për marrëveshje?

Pastori Akil Pano: Rezerva të cilat lidhen që te nocionet të cilat përdoren brenda marrëveshjes si përpunim, kompostim, vetëm fermentim nuk është përdorur fjala në raport me qeniet njerëzore. Imagjinoni kampe përqendrimi në shekullin XXI. Po flasim për një Guantanamo.

Ndër të tjera, pastori shton se ka edhe disa rreziqe që paraqiten me ardhjen e 36 mijë emigrantëve në vit.

Pastori Akil Pano: Ka jashtëzakonisht shumë problematika, imagjinoni 36-39 mijë burra të izoluar  brenda një kampi.

Blendi Fevziu: Jo 36.000, 3000 në kohë reale.

Pastori Akil Pano: Unë po flas për vitin. Kjo na çon drejt një rreziku që lidhet me sovranizmin, kjo na çon drejt një rreziku që lidhet  me trafiqet, kjo na çon drejt një rreziku që lidhet me skafistët të cilët ne i kemi patur në jug të Shqipërisë deri para 10 vjetësh dhe bënin transportin e qenieve njerëzore, motrave, vëllezërve, individëve drejt Italisë dhe vendeve të BE-së .


Marrëveshja për emigrantët, Jordan Daci: Kushtetuta nuk lejon që territori jonë qoftë një milimetër t’i jepet një vendi tjetër

“Kushtetuta nuk lejon që territori jonë qoftë një milimetër t’i jepet një vendi tjetër”, kështu është shprehurJordan Daci, profesor i të Drejtës Kushtetuese lidhur me marrëveshjen për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.

I ftuar në emisioni ‘Opinion” në Tv Klan, Daci ka dhënë disa arsye përse kjo marrëveshje nuk është e rregullt juridikisht sipas tij.

“Kjo është një ndër çështjet ku është tepër e qartë situate. Në rregjimin ndërkombëtar ka dy lloj kategori marrëveshjesh. Marrëveshje që lidhen nga qeveria në emër të qeverisë dhe marrëveshje që lidhen në emër të vendit. Neni 121 i Kushtetutës e ka përcaktuar qartë se çdo lloj marrëveshje që prek territorin i nënshtrohet ratifikimit.

Në këtë rast për të shmangur ratifikimin dhe plotfuqishmërinë që shtrohet nga Presidenti është zgjedhur mënyra e qenies si një lloj protokolli në emër të qeverisë, por nga ana tjetër edhe bisedat nuk mund të shtrohet për diskutim një marrëveshje nëse nuk ke plotfuqishmëri nga Presidenti. Neni 123 thotë që Shqipëria mund t’i delegojë kopetenca vetëm organizatave ndërkombëtare ku bën pjesë. Është tërësisht e ndaluar që territori i Republikës së Shqipërisë t’i jepet si ekstra territor me përjashtim të Konventave të Vjenës për të Drejtën Diplomatike të cilat parashikojnë vetëm ekstraterritoret. Kushtetuta nuk lejon që territori jonë qoftë një milimetër t’i jepet një vendi tjetër, për më tepër që aty ka me qindra probleme të tjera duke filluar që nga të drejtat e njeriut.”

Ndërkohë ndër të tjera ai u shpreh se afati 30 ditor nuk është aspak i vërtetë sepse procedurat mund të zgjasin me vite.

“Nga ana tjetër ajo 30 ditëshi i qëndrimit është tërrësisht i pavërtetë, procedurat zgjasin me vite sidomos nëse përdoret ankimi gjyqësor. Thotë që përjashtohen nga taksa ndërkohë që Kushtetuta e Shqipërisë thotë që përjashtimi nga taksat bëhet vetëm me ligj. Kjo është një Ruanda e dytë.”

Daci gjithashtu ka përmendur edhe komplikimet që mund të vijnë për vendin tonë nga kjo marrëveshje: Ka komplikime sa i përket përgjegjësisë së shtetit Shqiptar, sa i përket marrëdhënieve me shtetet e treta, ka mungesë garancish. Përgjigja mund të jetë politike, por jo juridike. Nuk ka asnjë polic ndërkombëtarë që të detyrojë dikë që të respektojë një marrëveshje.


Marrëveshja për emigrantët/ Deputeti Gogu: Italia na ka ftuar në një mision shpëtimi, është e favorshme për historinë tonë

Deputeti i Partisë Socialiste Toni Gogu thotë se marrëveshja e Qeverisë Shqiptare me atë Italiane për emigrantët e huaj, është hartuar duke ndjekur rrugën ligjore sipas çdo marrëveshje të republikës.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Gogu u shpreh se sot migracioni është një problem me të cilin përballet e gjithë Europa.

“Kjo marrëveshje ka ndjekur rrugën e çdo marrëveshje në Republikën e Shqipërisë. Marrëveshja do të ratifikohet nga parlamenti. Së pari, migracioni është një problem europian. Italia ka sot mbi 120 mijë refugjatë dhe duhet të ketë mbi 3000 qendra. Ne me këtë qendrën tonë nuk është se zgjidhim një hall të madh të Italisë”.

Sipas deputetit Gogu, Italia u ka bërë kërkesë gjithë vendeve të BE-së për këtë marrëveshje, por vetëm Shqipëria u përgjigj. Sipas Gogut, kjo marrëveshje mes Italisë dhe Shqipërisë është një mision shpëtimi.

“Italia ka bërë një kërkesë tek gjithë BE siç na është drejtuar edhe ne si vend fqinj për të gjetur një zgjidhje qoftë për shkurajimin e mërgimit të paligjshëm por edhe të trajtimit sipas standardeve europiane të refugjatëve. Dhe i është drejtuar një vendi që është kampion. Kjo marrëveshje është jashtëzakonisht e favorshme për historinë e Shqipërisë. I është drejtuar Shqipërisë për shkak të historisë tonë. Ne jemi në një mision shpëtimi. Ata e dinë që kur flasin me shqiptarët po flasin me një ndërgjegjie të mirëformuar që e kanë bërë ndër shekuj, të mikëpritjes. Italia na ka ftuar që ne së bashku me ta t’i bashkohemi një misioni shpëtimi”.

/tvklan.al