Të ftuar në studio: Brisida Shehaj,Iris Luarasi,Enton Abilekaj,Lorenc Vangjeli,Mentor Kikia

“Kurrë nuk shkoi në shkollë muzike, por violinën nuk e hoqi nga dora”, Fevziu shpreh ngushëllimet për Hetem Qerimaj

Hetem Qerimaj, “Mjeshtri i Madh” i violinës është ndarë nga jeta këtë të martë në moshën 88-vjeçare. Lajmin për shuarjen e tij i trishtoi të gjithë artdashësit shqiptarë. Në nderim të figurës së tij, Blendi Fevziu, në hyrje të emisionit të tij “Opinion” në Tv Klan, i shprehu ngushëllimet familjarëve duke e cilësuar violinistin si një nga figurat më të talentuara të muzikës shqiptare, figurë që “Jetoi me pasionin për muzikën dhe vdiq me pasionin për muzikën”.

Blendi Fevziu: Para se të filloj me të ftuarit, doja të bëja një shprehje ngushëllimi. Hetem Qerimaj, një prej violinistëve më të mirë të Shqipërisë, një violinist që kurrë nuk studioi për violinë, kurrë nuk studioi në një shkollë muzike, por që padyshim ishte një nga virtuozët e jashtëzakonshme që Shqipëria kishte, një prej atyre njerëzve që kur luante në violinë mbyllte sytë, një prej atyre njerëzve që deri ditën e fundit të jetës së tij, në një kuptim, nuk e hoqi violinën e tij nga dora, që siç e quante ai, ishte pasioni i tij i madh… Ne do të përgatisim një kronikë përmbledhëse për të, por në radhë të parë dua t’i shpreh ngushëllimet gjithë familjes së tij dhe të gjithë të afërmve, një familje që për disa breza rresht vazhdon të trashëgojë pasionin për muzikën. Duke shprehur ngushëllimet për një personazh të rrallë, që siç thashë, jetoi me pasionin për muzikën dhe iku nga kjo botë me pasionin për muzikën dhe për punën.

“Prej 2 muajsh jemi në luftë”, Vangjeli: Blinken telefonon Ramën, ndërkohë Berisha e Meta…

“Një protestë e bërë në vendin e duhur, me qëllimin e duhur, por në kohën më të gabuar të mundshme”. Kështu e vlerëson Lorenc Vangjeli protestën e zhvilluar pasditen e kësaj të marte nga Ilir Meta tek inceneratori i Tiranës. Në studion e Opinion, ai shprehet se është në kohën e gabuar për shkak se sipas tij, prej 2 muajsh Shqipëria është nën sulm, duke iu referuar sulmeve kibernetike nga Irani.

“Koha është më e gabuara e mundshme, për këtë unë besoj se nuk duhet të ketë dyshim. Shqipëria së paku prej 2 muajsh në mënyrë të pa shpallur, por direkte është një vend nën sulm, është një vend në luftë. Dhe si një vend në luftë, prevalon ajo çfarë është më e rëndësishmja, njëlloj si në një trup të sëmurë. Doktori tenton të kurojë të parën sëmundjen që kërcënon jetën dhe më pas të tjerat”.

Vangjeli sjell në vëmendje edhe telefonatën që Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken zhvilloi me kryeministrin Edi Rama.

“Shikoni çfarë ndodh, Blinken telefonon Ramën, ndërkohë që Berisha e Meta i bëjnë ‘block Ramës’. Blinken nuk e telefonon Ramën si një individ, por e telefonon si një kryeministër i një vendi aleat, pjesëtarë të NATO-s i cili ndodhet nën kushtet e një agresioni. Vetëm në Shqipëri duket, jo thjeshtë nga qytetari i thjeshtë, por nga personazhet më të rëndësishëm të saj, sikur gjithçka vazhdon të rrjedhë në hallet tona të përditshme…”

Inceneratorët, Shehaj publikon faturën: Kjo është një skemë e tërë ndërkombëtare

Brisida Shehaj, koordinatore kombëtare e luftës kundër korrupsionit në Partinë e Lirisë, gjatë emisionit “Opinion” ka publikuar një faturë fiskale që sipas saj tregon shumë në lidhje me aferën e inceneratorëve.

“Kjo është një faturë që lëshohet për këtë individin që quhet Giuseppe Ciaffaglione. Adresa e zotërisë është Holandë. Edhe pse ky zotëria është me leje qëndrimi në Shqipëri, ky zotëria këtu ka qenë konsulenti i inceneratorit të Fierit, ka qenë administratori i inceneratorit të Tiranës dhe një ndër pronarët e fshehur të inceneratorit të Tiranës. Dhe kemi këtë kompaninë në New Zealand që i dërgon një faturë këtij individi. Po kujt domain i dërgohet? Domaini i parë, M Capital BG. Pra ky zotëria paguan domainet e këtyre kompanive. M Capital BG është kompani e krijuar në Bullgari e Mirel Mërtirit, Klodian Zotos dhe Eva Blushit të cilët kanë marrë miliona euro nga inceneratori i Tiranës me zero punë. Internationaldrax.com, Drax consult. Kjo është kompania që fitoi kontratën 60 mln dollarë në Zimbabve ku u arrestua një ministër. Kjo kompania e zotëruar nga 1 individ, e hapur në Lugano të Zvicrës, individi quhet Ilir Dedja, i cili ka dhe kompani tjetër që ka marrë miliona Euro para nga inceneratori i Tiranës ka bërë edhe një skemë të vogël që kanë hedhur tashmë Zimbabven në arbitrazh për këtë kontratën. Kjo është kompani e lidhur me këta këtu (i drejtohet emrit Giuseppe Ciaffaglione). Vjen në Shqipëri bëhet miliarder. Është pronar i inceneratorëve ky”, u shpreh Shehaj.

 Por kjo faturë shkaktoi debat në studio.

“Çfarë problemi ka me Ciaffaglione? Një IT shqiptar mund të paguajë 50 portale edhe atë të zotit Abilekaj dhe një tjetër... Nuk po kuptoj se ku është vjedhja sepse një IT në Tiranë administron 40 portale dhe këtë faturë ia çojnë atij edhe për Dosjen edhe për opinion.al. Po të jap një shembull se nuk e di kush është personi”, u shpreh Blendi Fevziu. 

Ndërkohë Shehaj theksoi se, “kjo është një skemë e tërë ndërkombëtare Fevzi. Një skemë e tërë që këta zotërinjtë kanë marrë paratë këtu dhe me përkrahje… Kështu vajtën këta edhe në Maltë, kështu kanë vajtur edhe në Maqedoninë e Veriut. Kështu blejnë televizionet këta. Kështu blejnë mediat. Kanë aplikuar në Maqedoni të Veriut, kanë aplikuar në Kosovë dhe tregon një shtrirje të çuditshme”.

Beqir Sina, internimi im në Savër të Lushnjes !