#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

E ftuar: Rudina Jasini. Në lidhje skype:Andi Hoxhaj, Buqe Pacarada

Lektori shqiptar në Angli: Ka paragjykim ndaj burrave shqiptarë, thuhet që merren me krim të organizuar

Të shtunën, në Londër u mbajt një protestë e emigrantëve shqiptarë në Angli në shenjë pakënaqësie ndaj deklaratave të Sekretares së Brendshme britanike që i konsideroi emigrantët shqiptarë si “pushtues”.

Në fakt, çështja e emigrantëve shqiptarë në Angli është një temë tepër e diskutuar javët e fundit.

Lektori shqiptar në Britani të Madhe, Andi Hoxhaj, në një lidhje direkte për emisionin Opinion në Tv Klan, thotë se ndaj shqiptarë në Angli ka nota paragjykimi. Madje ndaj burrave shqiptarë, ekziston një paragjykim që thuhet se janë të përfshirë në krimin e organizuar.

Lektori Andi Hoxhaj: Kryesisht po raportohet që shtëpitë e barit janë nga shqiptarët. Dhe kur shikojnë të gjithë shqiptarët, shumica e tyre janë ndërtues të paktën shumica e atyre me të cilët kemi folur, në shumë raste u çojnë bashkinë, u çojnë policinë, e kështu me radhë me arsye duke thënë sikur janë duke bërë një aktivitet që është i dyshimtë.

Blendi Fevziu: Ju vetë çfarë jeni? Çfarë profesioni keni?

Lektori Andi Hoxhaj: Unë jap mësim në Fakultetin e Drejtësisë.

Blendi Fevziu: Ka një numër shumë të madh të komunitetit shqiptar të integruar shumë mirë në Britaninë e Madhe. Edhe në lidhje të drejtpërdrejta që kemi pasur kemi gjetur me dhjetra persona të cilët janë përfshirë në të njëjtin nivel me kombësi të tjera, madje dhe me vetë britanikët në Britaninë e Madhe. A ka paragjykim ndaj këtyre personave? Jo atyre që janë në punë pak më problematike, por atyre që janë të integruar në Britaninë e Madhe falë kësaj klime të ditëve të fundit?

Lektori Andi Hoxhaj: Ka njëfarë paragjykimi nga mënyra se si shikohen. Dhe kryesisht etiketimi që u është bërë është që të gjithë burrat shqiptarë merren me krimin e organizuar. Kështu që nga kjo pjesë shikohen si të dyshuar apo kombësia e tyre shikohet si e dyshuar. Dhe ka patur goxha raportime që ka patur dhe se si ata vazhdohen të shikohen. Mirëpo impakti që ajo ka është pak e vështirë për ta parë aktualisht, por sigurisht që ndihet ky targetim që atyre u është bërë. Mund ta shikoni në mediat online, mund ta shikoni në intervistat që jepen.

Blendi Fevziu: Po në bisedat me kolegët tuaj, cili është qëndrimi juaj? A ja u përmendin këtë apo janë më të kuptueshëm?

Lektori Andi Hoxhaj: Ka patur disa që kanë qenë dyshues nga biseda se si po trajtohet. Një pjesë e tyre kanë qenë të hapur, duan ta dinë dhe thonë pse po vijnë gjithë këta veta nga Shqipëria? Mos është Shqipëria në luftë? Çfarë po ndodh në Shqipëri që po shikojmë një numër kaq të madh? Disa janë edhe realisht të shqetësuar përse është ky problem.

“Nuk pati asnjë incident”, Buqe Paçarada tregon si u organizua protesta në Angli

Protesta e shqiptarëve në Britaninë e madhe erdhi si reagim ndaj sekretares së brendshme Suella Bavermean e cila i etiketoi shqiptarët si një komunitet problematik.

Shumë shqiptarë dolën të protestonin për të treguar se nuk duhen etiketuar të gjithë si kriminelë pasi shumica e shqiptarëve në Britaninë e Madhe punojnë në formë të ligjshme dhe janë taksapagues të rregullt.

Për të folur më tepër rreth kësaj proteste ishte e ftuar në një lidhje direkte në emisionin “Opinion” në Tv Klan Buqe Paçarada, gazetare e ALBUK TV, e cila ka treguar se si është organizuar kjo protestë.

Buqe Paçarada: Kjo protestë është organizuar në mënyrë organike nga të gjithë shqiptarët. Ka filluar nga televizioni jonë “ALBUK TV” ku kemi bërë një reagim. Nëpërmjet rrjeteve sociale, shoqata dhe individë të ndryshëm caktuan datën.

Blendi Fevziu: Cili ishte qëllimi i protestës? Ishte ndoshta një nga protestat më dinjitoze që shqiptarët kanë organizuar. Cili ishte thelbi i protestës? Mesazhi i saj?

Buqe Paçarada: Protesta ka shkuar në një mënyrë shumë të qetë. Nuk ka pasur incidente nëse e patë janë hedhur edhe vadhe dhe kjo ka treguar që ne jemi njerëz miqësor. Nuk jemi njerëz të krimit.

Blendi Fevziu: Pamjet tregojnë se  pjesëmarrja ishte shumë e madhe. A ka një të dhënë apo kalkulim për pjesëmarrjen deri më tani?

Buqe Paçarada: Nuk kemi të dhëna sa kanë marrë pjesë, gjatë ditës kanë ardhur  dhe kanë shkuar shumë njerëz, pasi ka qenë  e shtunë dhe shumica e shqiptarëve punojnë. Shumica e shqiptarëve punojnë. 

Blendi Fevziu: Pra punojnë edhe ditë të shtune?

Buqe Paçarada: Ditë të shtune, të diele, çdo ditë të javës ata punojnë.

Blendi Fevziu: Cili ishte mbulimi mediatik britanik i protestës.

Buqe Paçarada: Mediat ndërkombëtare në Britani e kanë quajtur protestë shumë e qetë, e rregullt pa kurrfarë incidenti, janë parë flamujt shqiptarë dhe parullat me të cilat ata kanë dashur të tregojnë: “ Ju lutem mos na etiketoni me kriminel, për atë shumë të vogël njerëzish që bëjnë  këtë lloj krimi

Blendi Fevziu: Pra një lloj komuniteti i cili nuk do të etiketohet me aktivitetin e jashtëligjshëm të disa pjesëtarëve të tij./tvklan.al