Të ftuar:

Armand Shkullaku – Gazetat

Mark Marku – Analist

Mustafa Nano – Gazetar

Andi Bejtja – Gazetar

Prenc Zogaj – Analist

Gazetari Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” të kësaj të marte tregoi rastin e një studenti, i cili i kishte thënë pas kamerave se ishte detyruar t’i paguante 15% të bursës që merrte nga shteti personit që ia disbursonte atë.

Fevziu tha se përveçse studentit ia japin në fund të vitit, ia marrin edhe 15% të vlerës së bursës.

“Më tha në gjysmë privatësi, nuk donte të kthehej në një problem, se personi që duhej t’i disbursonte bursën i kërkonte 15 % të bursës për t’ia dhënë. Nuk më mbetet asgjë tjetër të them, vetëm se mos i gëzoftë ato 60 mijë lekë që merr nga bursa e një studenti që paguhet 450 mijë lekë dhe që nuk ka asnjë prind në punë”, tha Fevziu.

Shumë studentë mbrëmjen e kësaj të marte ndodhen në studion e “Opinion”, në Televizionin Klan. Secili prej tyre ka një histori më vete, por të gjithë bashkë tregojnë për vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë. Shumë, për të studiuar u duhet të punojnë me orë të stërzgjatura, e për pasojë nuk kanë as mundësinë të ndjekin mësimin.

Rina tregon se iu desh të shkëputej nga universiteti për shkak të kushteve ekonomike. Familja e saj përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve studentë dhe asnjë i punësuar.

“Duhet të isha aktualisht studente, e lashë sepse ekonomia është një problem shumë serioz. Më është dashur që ta le shkollën sepse më duhej të punoja dhe të studioja. Isha për psikologji, e lashë në vit të tretë. Nuk jemi vetëm një nxënës në familje, jemi dy dhe përderisa duhet të bësh sakrificë në familje… Për momentin nuk punon asnjë. Motra e madhe është e fejuar, mamaja jo (nuk punon), babai është i sëmurë, e ka lënë punën. Vetë jam e papunë, që do të thotë jemi 5 pjesëtarë. E humba shkollën sepse më duhej të punoja dhe gjatë 2 viteve punoja dhe studioja. Shumicën e lëndëve i kam lënë sepse nuk isha unë aty duke studiuar, por duke punuar. Prandaj bursat janë të nevojshme”, rrëfeu Rina.

Një tjetër studente tregoi se këtë vit është detyruar që t’i linte studimet sepse duhet të punonte. Familja e saj përbëhet nga 6 persona dhe punojnë vetëm 2 motrat. Ajo tregoi se për të mbajtur familjen punonte nga ora 11 e mëngjesit deri në orën 5 pasdite dhe nga ora 7 pasdite deri në orën 5 të mëngjesi.

Një tjetër studente e Fakultetit të Shkencave Sociale tregoi se e kishte lënë shkollën sërish për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

“Ishte e pamundur. Lashë vitin shkollor, me vështirësinë më të madhe e bëra kërkesën nga dekani, që u firmos me shumë lehtësi nga vetë ai. Kam punuar 17 orë në ditë që të vazhdoj vitin shkollor sivjet. Jemi 4 veta në familje dhe nuk punon asnjë, përveç meje. Prindërit për momentin nuk janë në punë, vëllai është në shkollë, ndërsa unë jam studente”, rrëfeu studentja.

Thirrjes së Kryeministrit Edi Rama për dialog, studentët iu përgjigjen edhe nga studioja e “Opinion”. Sipas tyre, koha për dialog tashmë ka kaluar, pasi para se të arrinin në këtë pikë dialogu u ka munguar gjatë gjithë kohës.

“Më falni, po i drejtohem Zotit kryeministër, që po e them kështu në mënyrë popullore, i bie fyellit me një vrimë: dua dialog. Dialog… po është e vërtetë që studentët duan dialog, por jo tani. Dialogu është i nevojshëm çdo ditë në universitet. Ne kemi pasur nevojë për dialog në çdo moment që kemi qenë në auditor, por dialogu ka munguar. Ne kemi pasur nevojë për dialog gjatë gjithë kohës në universitet kur kemi qenë në auditor, por dialogu ka munguar gjithmonë, jo vetëm nga zoti Kryeministër, por nga të gjithë. Tani ne nuk duam më dialog. Duhet ta kuptojë shumë mirë që ne nuk duam më dialog”, tha njëra prej studenteve në studio.