Të ftuar:

Sokol Xhepa – Mjek

Eglantina Bardhi – Mjeke

Petrit Vargu – Mjek

Mira Rakacolli – Zv/ministrja e Shëndetësisë

Iris Luarasi – Petagoge

Leonard Solis – Doktor

Largimet masive nga Shqipëria të mjekëve dhe infermierëve, kryesisht në Gjermani, tashmë është kthyer në një problem për vendin tonë. Sipas një ankete të bërë nga Shoqata ‘Together For Life’ bilanci flet për shifra të ‘frikshme’, pasi 78% e mjekëve tanë pohojnë se mund të largohen nga Shqipëria.

Në konkluzionet e këtij anketimi thuhet se Shqipëria ka normën më të ulët të mjekëve për mbulimin e kujdesit shëndetësor për popullsinë, me 1.2 mjekë për 1000 banorë. Shumë njerëz, veçanërisht në zonat rurale dhe fshatra, kanë shumë vështirësi për shkak të mungesës së shërbimit shëndetësor në zonat e tyre. Gjithsesi, mungesa e specialistëve shëndetësorë në vitet e fundit ka prekur edhe spitalet rajonale dhe qendrat universitare.

Shoqata “Together for Life” e mbështetur financiarisht nga Friedrich Ebert Foundation ka realizuar një studim ku ka marrë në pyetje 1000 mjekë lidhur me shkaqet e largimit të tyre nga Shqipëria.

Largimi i mjekëve mbetet një faktor shqetësues, i cili përjetohet nga 78% e mjekëve (24% e të cilëve janë gati për t’u larguar menjëherë, ndërkohë që 54% do të largoheshin po t’u jepej mundësia).

Pyetjes se cilin vend do të zgjidhnit për të punuar dhe jetuar nëse largoheni nga Shqipëria?

Mjekët kanë zgjedhur Gjermaninë, 26%, Anglinë 20% dhe 13% vendet nordike.

Doktori Leonard Solis ka folur për ‘ikje e mjekëve’ në studion e ‘Opinion’, duke e konsideruar këtë një problem që nuk ndodh vetëm në Shqipëri,

“Mjekët ikin në Gjermani, por edhe 3 mijë mjekë gjerman ikin nga Gjermania drejt Austrisë. Një tjetër problem është se Gjermania moshën mesatare të mjekëve e ka mbi 55 vjeç. Nuk është një fenomen shqiptar”, u shpreh Solis.

Ndër shkaqet kryesore që i nxisin mjekët për t’u larguar në një vend tjetër janë: serioziteti në punë, mbështetja financiare, si dhe kushtet më të mira të punës.

Shumica e mjekëve ankohen se kanë mangësi në shërbime, 26% e të cilëve pretendojnë mungesa në të gjitha shërbimet dhe 60% në disa prej shërbimeve. Është shqetësues fakti se ata që ankohen më shumë për mungesa janë mjekët e spitaleve universitare, 56% e të cilëve pretendojnë mungesa në të gjitha shërbimet dhe 40% mungesa në disa prej shërbimeve. Mjekët në vend ndihen të pakënaqur, të mbingarkuar me punë, të nënvlerësuar dhe të stresuar.

Një faktor tjetër që nxit largimin e tyre është edhe dënimi për një gabim njerëzor, pasi ata janë shumë pak të mbrojtur si nga ligji por edhe nga situata në të cilën ndodhen.

Zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, është shprehur se fenomeni i ikjes së mjekëve është një fenomen global. Rakacolli tha se rritja e largimit drejt Gjermanisë ndodh edhe sepse kjo e fundit ka 8 fishuar kapacitetet e mjekëve të marra kohët e fundit jo vetëm nga Shqipëria, por nga e gjithë bota.

“Një tentativë në lëvizje dhe që është krejtësisht normale. Ashtu sikurse është edhe në profesione të tjera. Por siç ka ikje ka edhe ardhje të mjekëve. Ka mbi 200 mjekë të huaj që kanë ardhur dhe punojnë në Shqipëri në këto moment që po flasim. Vijnë mjekë dhe punojnë në sitemin publik”, u shpreh Rakacolli.