#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Të ftuar: Spartak Koka, Gëzim Tushi, Merin Maçi, Aurela Agalliu

Në pjesën e parë të emisionit “Opinion” në Tv Klan diskutohet ngjarja tragjike që ndodhi të martën në Shkodër. Kolë Manaj 34 vjeç qëlloi me plumb në kokë bashkëjetuesen e tij Anila Ndoka, 44 vjeç dhe nënë e 3 fëmijëve. Pasi qëlloi bashkëjetuesen e tij Kolë Manaj vrau veten. Ndërkohë që 44-vjeçarja ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën. Në shumë media, ngjarja tronditëse u cilësua si një krim pasioni, por çfarë fshihet vërtet pas kësaj.

“Do vdes për ty”, çfarë shkruante Kola për Anilën që e qëlloi me plumb në kokë

Një ngjarje e rëndë ndodhi një ditë më parë në Shkodër. Anila Ndoka u plagos rëndë me armë zjarri nga bashkëjetuesi i saj dhe sot ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Kolë Manaj pasi i drejtoi armën partneres, qëlloi veten dhe humbi jetën. Gazetari Spartak Koka tregoi në studion e emisionit “Opinion” poezinë që Manaj ia drejtonte Ndokës disa vite më parë në rrjetet sociale. “Do vdes për ty”, i thoshte ai ndër të tjera.

“Por fjalën “do vdes për ty”, për Anilën ai e ka thënë në TikTok në vitin 2022, kur i ka bërë një dedikim në kornizë ku i thotë: Në shkoftë një ditë pa të përmendur, pa i thënë vetes sa shumë të dua, do të thotë se jam çmendur ose dielli nuk lind më për mua. Nuk di ç’të them, ndaj dhe hesht. Më ikin fjalët, kur të shoh në sy, kam mendu diçka të thjeshtë, shqip e bukur, vdes për ty. E ka dhe datën dhe i drejtohet “Lovi, 28.04.2022””, tha gazetari Koka.

Sipas gazetarit, njerëzit tregojnë se Anila përkujdesej shumë për Kolën dhe familjarët e tij.  

“Çfarë tregojnë për marrëdhënien e tyre? Një përkujdesje të jashtëzakonshme të Anilës ndaj Kolë Manajt dhe familjarëve të Kolës. Madje edhe për babain e autorit ka treguar një përkujdesje të jashtëzakonshme dhe ajo mundohej gjithmonë ta trajtonte edhe me këtë pjesën e papunësisë, t’i jepte mundësi herë pas here Kolës që të gjente vetveten në shoqëri, që të mundohej që të integrohej pa i bërë presion”, tha Koka.

Gazetari u shpreh se këto krime nuk i sheh si krime pasioni.  

“Këto janë krime, për mendimin tim, të një kontrolli shtrëngues dhe një femicidi. Këto janë krime të paralajmëruara dhe të planifikuara më parë”, tha gazetari Koka.

“Anila tentoi të dalë nga makina”, telefonata që u pasua me dy plumba

Detaje të reja lidhur me ngjarjen tragjike në Shkodër, ku 34 vjeçari Kolë Manaj qëlloi me armë zjarri bashkëjetuesen Anila Ndoka dhe më pas vrau veten. “Konfliktet nisën 12 muaj më parë, për faktin se autori i vrasjes ishte i papunë”, tha gazetari Merin Maçi sonte në studion e “Opinion”.

Ai që nisi si një takim i qetë me qëllim për t’u sqaruar, përfundoi me dy herë shkrehje të armës brenda makinës, në pronësi të së plagosurës. Sipas Maçit, autori telefonoi motrën e tij. Në këtë moment Anila ka tentuar t’i komunikonte asaj se Manaj po e mbante të mbyllur në makinë, gjë e cila është pasuar me aktin kriminal të 34 vjeçarit.

“34 vjeçari ka telefonuar motrën e tij dhe momentet e para që ajo është përgjigjur, 44 vjeçarja ka tentuar të shpëtojë duke i komunikuar asaj faktin se është mbyllur në automjetin e saj. Menjëherë është mbyllur telefonata dhe këtu mendohet se ai ka qëlluar me armë zjarri, së pari bashkëjetuesen dhe më pas veten. Veprimi që ka marrë ka qenë i paramenduar sepse vetëm pak ditë më parë, ka dërguar një video ku inskenonte një vetëvrasje në rast se Anila do ishte e vendosur për t’i dhënë fund kësaj bashkëjetese”, tha gazetari.

Teksa e plagosura ndodhet ende në spital, Maçi thotë se “gjasat që ajo të mbijetojë janë shumë të ulëta”, megjithatë “mjekët kanë shpresa për ndonjë mrekulli”.

Vrasja ndodhi paraditen e djeshme në lagjen “Mark Lula” në Shkodër.

Sociologu revoltohet me meshkujt: Egoizëm maskilist, i kthejnë gratë në pronë

Ditën e djeshme Shkodra, por dhe i gjithë opinioni publik u trondit nga një ngjarje e rëndë. 34-vjeçari Kolë Manaj qëlloi me plumb në kokë bashkëjetuesen e tij 44 vjeç Anila Ndoka, e cila aktualisht ndodhet në spital në rrezik për jetën. Pas kësaj 34-vjeçari vrau veten. Krah arsyeve të tjera, shumë media e kanë trajtuar këtë si një krim pasioni.

I ftuar në studion e “Opinion” në Tv Klan sociologu Gëzim Tushi duke iu referuar këtij rasti, por jo vetëm, iu drejtua me një gjuhë shumë të ashpër meshkujve. Sipas tij, ky nuk është një krim pasioni, por është egoja e një mashkulli, veçanërisht atij ballkanas për të trajtuar si pronë dhe për të sunduar gruan e tij.

Gëzim Tushi: Përdorimi i termit krim pasioni ka marrë një konotacion të pranishëm në shoqërinë shqiptare dhe kam përshtypjen që pas kësaj fshihet dhe një gjë shumë e rëndësishme. Edhe opinioni publik, por dhe organet e policisë kur përballen me një rast që ka të bëjë me krim pasioni e zbutin ose e konsiderojnë më të pranueshëm se sa krimet e tjera. Pra nëse njëri e ka vrarë gruan për xhelozi atëherë opinioni publik së pari i vesh atë aureolën që kjo ngjarje e paska një arsye dhe nuk po them deri në nivele të tilla që thonë “mirë ia bëri, që e vrau”.

Blendi Fevziu: Kjo është e vërtetë po të shikosh komentet poshtë kronikës, gjysma thonë mirë ia bëri. Kjo është e tmerrshme.

Gëzim Tushi: Unë mendoj se më shumë se krim pasioni është një egoizëm maskilist, egoizmi i meshkujve në përgjithësi, por i meshkujve tanë ballkanas është i jashtëzakonshëm, të cilët e konsiderojnë jo vetëm pronë, jo vetëm që duhet ta sundojnë atë, po gati ta kthejnë në kafshë shtëpiake, gati-gati të jetë në nivelin më të ulët si qenie njerëzore

“Shumica e vajzave duan meshkujt e fortë, admirojnë banditët”

“Shumica e vajzave preferojnë meshkujt e fortë”, kështu u shpreh mbrëmjen e kësaj të Mërkure në “Opinion” psikologia Aurela Agalliu. Teksa u diskutua mbi krimet e pasionet në Shqipëri, Agalliu vuri theksin pikërisht te fenomeni i mësipërm. Mbase tendenca e vajzave për të pasur në krah një mashkull të tillë, pa marrë parasysh formimin e tij, përfundon pikërisht me këto raste tragjike.

Aurela Agalliu: Ne pastaj arrijmë në pikën… e kërkojnë rolin e të fortit, sepse ndihen të mbështetura.

Spartak KokaPra, ata që merren me drogë, duken si njerëz me vlerë sot.

Blendi Fevziu: Më thonin që ka të reja që i tregojnë histori të tilla si mjaft interesante, që admirojnë banditët që gjysma e tyre janë vrarë, kjo m’u duk shumë shokuese.

“Mos vrisni, mos vrisni…” Mesazhi i Fevziut: Do të përfundoni ose në varr ose në burg

Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, dha një mesazh këtë të mërkurë pas rasteve të fundit të dhunës dhe vrasjeve të grave.

Fevziu u shpreh se këto ngjarje për fatin e keq po shtohen shumë. Ai bëri thirrje që të mos vriten gratë sepse kjo nuk zgjidh asgjë. Madje sipas tij, autorët përfundojnë ose vetë në varr, ose në burg për gjithë jetën.

Blendi Fevziu: Këto janë ngjarje në fakt që për fat të keq po shtohen shumë. Nuk e di sa emisione u kemi kushtuar. Ne e konsideruam krim pasioni, por mund të jetë edhe përtej saj. Lidhet me presionin e shoqërisë, lidhet me shoqërinë maskiliste, lidhet me vështirësitë ekonomike, lidhet me rrethanat, por një gjë është. Mos vrisni, mos vrisni, mos vrisni! Mos vrisni gratë as mos vrisni në përgjithësi se jo vetëm që nuk zgjidh gjë, por do të përfundoni edhe vetë o në varr, o në burg gjithë jetën pa dalë kurrë.

/tvklan.al