#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #tvklan
Fushata elektorale është thuajse në gongun e fundit, pritet që të nisë nesër pasdite. Në 24 orët e fundit, kemi mundësinë të bëjmë një bilanc të premtimeve ose atyre që konsiderohen sloganet kryesore të fushatës. Dy forcat kryesore politike që rivalizohen, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, deri tani kanë respektivisht si ‘slogane’, pasaportën europiane 2030 dhe Shqipërinë madhështore të së nesërmes. Edhee partitë e reja kanë sloganet e tyre. Kush ka fushatë më efikase? Si po e zhvillojnë fushatën partitë e tjera? Çfarë pritet nga kjo fushatë?
Të ftuar: Floriana Garo, Iris Luarasi, Baton Haxhiu, Neritan Sejamini, Artan Hoxha, Prec Zogaj
Neritan Sejamini: Rama po gënjen, negociatat nuk kanë asnjë shans të hapen
Për analistin Neritan Sejaminin, programi elektoral i kryeministrit Edi Rama për zgjedhjet e 11 Majit është thjesht një premtim në ajër.
I ftuar këtë të mbrëmje në Opinion në Tv Klan Sejamini tha se Kryeministri Rama po insiston në çështjen e integrimit të Shqipërisë në BE për ta bërë sa më të besueshme te qytetarët, por ndërkohë sipas tij është një keqinformim sepse negociatat nuk do të hapen.
“Ka dy mënyra se si mund t’a gjykojmë, nga njëra anë a është apo nuk është e besushme në vetvete premtimi, tjetër anë se sa ndikon të qytetarët.
Për mua nuk është i besueshëm, Shqipëria nuk do t’i mbarojë negociatat për dy vjet, jo, nuk ka asnjë shans, nuk do të bëhet anëtare as në 2030 edhe 2035 mund të jenë në diskutim. Pra nga pikëpamja e gjykimit të asaj që ai premton është çfarë të duash, premtim në ajër, keqinformim, gënjeshtër, mund ta quajmë çfarë të duash. Por nga pikëpamje e ndikimit që tek njerëzit është shumë e thjeshtë, shumë e kuptueshme dhe lidhet me aspiratën që kanë njerëzit.
Çfarë bën zoti Rama me këtë gjë, mbas 12 vitesh qeverisje, kudo në botë fushatë zgjedhore do të ishte referendum për qeverisjen. Ai me këtë gjë që bën e çon përpara që njerëzit të flasin bëhemi apo s’bëhemi në 2023, që të mos flasin për qeverisjen, për korrupsion. Dhe në këtë mënyrë kjo është gjetje, nga pikëpamja metodike është gjetje. Se sa e vërtetë është? Është komplet e pavërtetë, është komplet propaganda, është komplet absurde. Atij nuk i ka thënë askush që do të mbyllim negociatat, gënjen kur thotë ma kanë premtuar liderat europianë. Negociatat nuk janë diçka që hajde ulemi dhe mbarojmë.
Keqinformimi më i madh është kjo që do futesh në BE do të bëjmë ca letra dhe do t’i firmosim. Është një proces ku ti ndryshon komplet strukturën politike, shoqërore, ekonomike ta përshatësh me BE-në dhe ky është shumë proces i gjatë, tregu shqiptar duhet fuqizuar, politika shqiptare, demokracia”, tha Sejamini.
“Rama e ka personalizuar fushatën”, Haxhiu: S’njoh figurë tjetër të PS që mund ta joshë një votues
Ndryshe nga analisti Neritan Sejamini që beson se premtimi i Ramës për pasaportën europiane është bosh, Baton Haxhiu e sheh si një vizion. Në diskutimin në “Opinion” në Tv Klan për mesazhet e fushatës elektorale të partive, ai thotë se përparësia e Partisë Socialiste është fakti që nuk është e përçarë si opozita.
Sipas Haxhiut, Rama e ka personalizuar fushatën dhe e sheh si figurën e vetme të Partisë Socialiste që mund të joshë votuesit e elektoratit.
Baton Haxhiu: Çfarë është slogani i Ramës? E para, slogani është vetëm me Edin dhe PS 2030 në BE, është një vizion. Është një gjë konkrete dhe është një përbetim. Tek e fundit, brenda diskursit të liderëve evropianë, përmenden dy data, 2027 dhe 2030. Neritani ka të drejtë se kjo është një proces, një procedurë por ajo që dikur ka qenë një proces, një dokumentacion që merrte kohë më shumë sesa një zhvillim ekonomik i brendshëm, Rama dhe kabineti i tij e kanë zgjidhur me pjesën shqiptare, me Mira Muratin që dokumentacionin mund ta përgatisë më shpejt se kushdo tjetër në këtë proces. E dyta pse PS ka një përparësi në këtë proces; për arsye se nuk është e ngarkuar me fragmentarizëm si opozita. Opozita është fragmentare, pa vizion dhe po lufton më shumë se kush do të jetë kryeopozitari pas zgjedhjeve sesa t’i fitojë zgjedhjet. Për faktin se është fragmentuese, unë nuk besoj që është konkurruese në këto zgjedhje. “Shqipëria madhështore” është e hiperbolizuar si togfjalësh sepse nëse vendos kritikat e ashpra, çfarë ishte ajo në Bruksel, vendos kritere gati fyese për vendin dhe pastaj ta ndërtosh sloganin “Shqipëria madhështore”, ka një distancë shumë të madhe mes asaj që ti do të arrish dhe asaj që thua karshi pushtetit. Rama e ka personalizuar fushatën si gjithherë, e ka efektin e vet te votuesit e vet, ka diskursin e vet.
Blendi Fevziu: Besoj, beteja mes dy liderëve në zgjedhje bëhet për elektoratin gri.
Baton Haxhiu: Ramës i duhet elektorati gri për të kaluar te një pikë që ai kërkon, 77, por elektorati i Partisë Socialiste është shumë stabël. Hiqe Tiranën e cila ka elektorat gri që e kundërshton bukur shumë PS dhe Ramën edhe për shkak të efektit Veliaj, unë mendoj që elektorati në Shqipëri, sidomos i PS dhe ai gri anon nga e majta, nga PS ose më mirë të them është i lidhur me Edi Ramën. Vetëm me Edin që e ka të sigurt 51-52% të pëlqyeshmërisë, tregon se ka punuar dikush për të afruar pëlqyeshmërinë e elektoratit, popullatës shqiptare me Edin, me emrin e tij ose me sloganin. Do të befasohesha nëse do të ishte ndryshe se nuk njoh figurë të PS që mund ta joshë një votues.
Videot e Bashës nga makina, Garo: Ky është pjesë e dështimit të opozitës
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, e ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, pas një video të Lulzim Bashës nga makina, është shprehur se ai është pjesë e dështimit të PD-së.
Ajo tha se nuk i vjen mirë kur shikon këto lloj videosh, pasi ai ka qenë kreu i Partisë Demokratike, por shtoi se i ka lënë pas demokratët.
Sakaq më herët Garo tha se Shqipëria nuk mund të futet në BE, kur është në kushte “mbijetese”. Për këtë, ajo tha se Berisha premton përmirësim të jetës së shqiptarëve.
Pjesë nga diskutimi në studio:
Garo: Ne po diskutojmë për Shqipërinë në BE, ndërkohë jemi në 2025, do bëjmë prap zgjedhje në 2029. Nuk e di se si e premton zoti Rama duke pasur prap zgjedhje në 2029, që Shqipëria do futet në BE, por po ngecim në një përrallë që ai ua shet shqiptarëve në mënyrë për të ëndërruar, për të hequr vëmendjen nga problemet e sotme.
Shqipëria ka nevojë për shqiptarët të jetojnë mirë sot. Kanë nëvojë që të mos ikin më, e kanë nëvojë që të kenë rroga më të larta e të shijojnë Shqipërinë, e pastaj të mendojnë që të shkojnë në BE. Nuk mendoj që BE është prioritet i shqiptarëve sot.
Fevziu: Po, por është ego për gjithësecilin.
Garo: Është ego për Edi Ramën ndoshta…
Fevziu: Jo, jo, e për qytetarët.
Garo: Blendi, shqiptarët sot kanë probleme mbijetese. Kanë probleme që nuk ja dalin dot në fund të muajit. Berisha kur premton Shqipërinë Madheshtore, pikërisht këtë përmirësim të jetës së shqiptarëve premton. Kështu që, Shqipëria në BE është tërësisht irrelevante dhe jo e rëndësishme, në këtë moment që ndodhemi. Kemi nevojë të përmirësojmë jetën tonë, kemi nevojë të ndryshojmë. Sigurisht që opozita…
Fevziu: Ne po diskutojmë a ngjit apo s’ngjit slogani që ka bërë
Garo: Slogani vetëm me Edin dhe PS, deri tani ka treguar që…
Fevziu: Jo, ai ka thënë Shqipëria në BE në 2030.
Garo: PS ka dështuar këto 12 vite. Shqiptarët janë të pakënaqur, vetë socialistët janë të pakënaqur. Ka dështuar që të arrijë një vepër të madhe.
Fevziu: Po ai është votuar.
Garo: Nëse ai është votuar… jam dakord që edhe opozita ka pasur problemet e saj, ka pasur përçarje. Shiko Blend, në çdo vend tjetër, me gjithë këta zyrtarë të korruptuar, çdo kryeminsitër do kishte ikur nga ai post. Ndërkohë, Edi Rama premton për Shqipërinë në BE. Kjo është absurde. Unë jam dakord, opozita ka pasur problemet e veta. Ndoshta nuk ka qenë një alternativë e mirë për shqiptarët., megjithatë pas gjithë këtij procesi të vështirë që kemi pasur, kemi treguar që jemi ringritur, e vijmë për t’u bërë një alternative e besueshme.
Fevziu: Shihe kush e përmirëson jetën e shqiptarëve.
*Jepet video e Lulzim Bashës nga makina*
Garo: Ky është pjesë e dështimit të opozitës. Jam dakord. Megjithatë, e kemi kaluar këtë fazë. Shiko, mua nuk më vjen mirë. Unë shikoj këto video, faktorizohet nga Edi Rama, Lulzim Basha, nuk më vjen mirë se ai ka qenë kryetari i PD dhe s’mund të them se më vjen mirë kur e shikoj. Gjithë kjo i ka lënë demokratët prapa.
“Moment historik për integrimin e vendit në BE”, Sejamini-Luarasit: Shqipëria i ka shancet zero!
Kandidatja për deputete e PS-së, Iris Luarasi është shprehur se momenti gjeopolitik për ta futur Shqipërinë në Bashkimin Europian është më shumë se kurrë në këto kohë.
E ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Luarasi thekson se ky është një moment historik për integrimin e vendit në BE.
Mirëpo analisti Neritan Sejamini nuk mendon njësoj, i cili shprehet se duke u bazuar në pikëpamjen teknike, Shqipëria i ka shancet zero për tu bërë anëtare e Bashkimit Europian në vitin 2027 apo 2030 siç pretendohet nga qeveria.
Iris Luarasi: Për mua pjesa e Shqipërisë në 2030 është e besueshme edhe nga një fakt tjetër shumë i thjeshtë që e tregon historia e integrimit të vendeve të caktuara që i përmendët pak më parë. Janë interesa gjeopolitike. Ky është një moment historik. I ka rënë fati Edi Ramës që ta drejtojë Shqipërinë në këto momente. Momenti gjeopolitik për ta futur Shqipërinë në Bashkimin Europian është më shumë se kurrë. Besoj e ke dëgjuar edhe nga ambasadorë të BE që të tregojnë se sa afër është integrimi në Bashkimin Europian. Tani unë kaq mund të them për momentin se këtu mund të ndodhi të plasë Lufta e Tretë Botërore dhe Shqipëria mbase nuk hyn në BE, por nuk mund të bëjmë supozime.
Blendi Fevziu: Ka një problem sepse vendimet i marrin qeveritë e vendeve anëtare dhe jo komisionerët. Dhe ne kemi shembullin që komisioni ka rekomanduar marrjen e statusit tre vite rrjesht dhe vendet anëtare me insistimin e Holandës kanë thënë jo.
Iris Luarasi: Ama nga ana tjetër t’ju them edhe një fakt tjetër. Kur e ka hapur Mali i Zi negociatat? I ka hapur në 2012. Serbia në 2014 ose 2016, Maqedonia e Veriut në 2005. Ti i ke hapur negociatat në 2024, pra një vit më parë dhe ke një premtim nga njerëz që e shohin procesin nga larg.
Neritan Sejamini: Niveli i negociatave të Malit të Zi me Shqipërinë është 90% të negociatave Mali i Zi, 1% Shqipëria. Sepse negociatat zgjasin. Askush në Malin e Zi nuk thotë që do të futemi në 2027 apo 2029. Serbia ka bërë treçerekun e negociatave dhe askush në Serbi nuk thotë do futemi në 2030 apo në 2027. Askush. Dhe Shqipëria i ka shancet zero, sepse janë 33 kapituj. Secili hapet nga një mbledhje ndërqeveritare, secili ka një proces të gjatë. Pra nga pikëpamja teknike kjo është e paaritshme. E dyta është që nëse Shqipërisë i është dashur një vit vetëm për të bërë vlerësimin, tani befas kaloi nga marshi i parë në marshin e njëzetë. Tjetra është unë e gjykoj situatën nisur nga faktet.
Baton Haxhiu: PD ka një slogan të mirë, por nuk i përshtatet
Baton Haxhiu thotë se slogani që Partia Demokratike është një slogan i mirë, por që nuk i përshtatet.
Në studion e Opinonin, Haxhiu tha se garat e koalicionit të Shqipërisë Madhështore, nuk janë gara për të fituar pushtetin kundrejt Kryeministrit Edi Rama, por që mbas zgjedhjeve të krijojnë liderin e opozitës.
“Unë besoj që Shqipëria Madhështore nuk ka kuptim me një opozitë që nuk sfidon, ajo së pari duhet të rikrijoj veten, t’i bëj një rilindje vetes. Dhe këto gara të kësaj Shqipërie Madhështore, është garë jo për të fituar pushtetin, por është garë për të krijuar liderin e opozitës mbas zgjedhjeve.
Është slogan i mirë, ka retorikë, ka brenda dije ose prekje emocionale të atyre që e dinë se çfarë është PR dhe ai që e ke zgjedhur, e ka zgjedhur për… ndonjëherë slogani duhet të përputhet me ambiciet e atyre që e ndërtojnë fushatën dhe e ndërtojnë rrëfimin. Ky slogan nuk është për strukturën e PD në këtë moment. Për faktin se opozita ka dalë nga një fragmentarizëm, e dyta nuk është e konsiliduar.
Nuk mund ta përfaqësosh ti një ide të opozitës edhe të një Shqipërie Madhështore duke shkuar në Bruksel edhe ta fyesh vendin tënd pa fund. Kjo është gjëja e parë që nuk tolerohet.
Shqipëria Madhështore është kur ti nuk ke nevojë për arbitër nga jashtë, kur ti ke fuqi diskursive, kur ti ke fuqi të veprimit dhe e ke deri në fund.
Ajo që dua të them psenuk është proporcioale ideja Madhështore me situatën konkrete. Është fakti që opozita kërkon shpëtimin duke instrumentalizuar faktorët e jashtëm për të fituar betejën me Edi Ramën tregon që Shqipëria Madhështore nuk mjafton, është slogan që nuk i përshtatet. Është slogan i bukur, është i pëlqyeshëm, është emocional, të gjitha i ka brenda. Por e rëndësishme është si do ta përdorin në fushatë”, tha Haxhiu.
“PD ka nevojë për votuesin gri”, Sejamini tregon propozimin që mund t’i kundërpërgjigjet PS-së
“Shqipëria madhështore”, e cila nuk dihet ende nëse do të jetë versioni final i fushatës elektorale të Partisë Demokratike, ka disa probleme për analistin Neritan Sejamini. Në analizën e tij në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ai thotë se për PD është thelbësore që të fitojë elektoratin gri në zgjedhjet 2025.
Sipas tij, ky qëllim has si pengesë të parë mungesën e koherencës së mesazhit të PD-së për Shqipërinë e krimit dhe oligarkëve sepse zgjidhja nuk përputhet me problemin.
Neritan Sejamini: Votuesi që ka nevojë sot Partia Demokraitke më shumë sesa Partia Socialiste, është votuesi gri, votuesi i pavendosur. Partia Socialiste po mbajti bazën e vet, po ruajti atë që ka pasur, fiton sepse pas 3 herësh në pushtet, po konsolidove bazën tënde dhe duke qenë se ka një bazë të gjerë, është aty.
Blendi Fevziu: Të gjerë dhe kryesisht e ka pasur besnike në votime.
Neritan Sejamini: Partia Demokratike duhet jo vetëm të ruajë bazën e vet, por duhet të dalë te ky dhe çështja qëndron çfarë kërkon ky elektorat që duhet t’i përgjigjesh? Ky elektorat, deri diku bie dakord me Preeçin që do diçka normale, por do ta them ndryshe. Kush është problemi kryesor i mesazhit të PD-së? Ai bie ndesh me përshkrimin që PD i bën Shqipërisë, pra kur PD përshkruan Shqipërinë, PD thotë që Shqipëria është e kapur nga monopolet, është e kaapur nga një grusht njerëzish, Shqipëria është e oligarkëve, Shqipëria ka krim dhe mafie. Kur vjen puna te zgjidhja, ka një shkëputje dhe thotë do të ulim rrogat, do të rrisim pensionet etj, pra nuk zgjidh problemin që ajo vetë identifikon.
Sejamini thotë se elektorati gri përbëhet nga shtresa e mesme e pavendosur që kërkon mundësi, rend e ligj në vend. Në këtë rast, oferta e PD-së duhet të ishte agresive për të shtruar mundësinë që ata kërkojnë. Ai thotë se ndryshe nga PS që në çdo pikë të programit ka si përgjigje Shqipërinë 2030, PD-së i mungon ky propozim.
Neritan Sejamini: PD duhet të bënte një fushatë krejtësisht të ashpër për të çliruar ekonominë, politikën dhe gjithë jetën sociale nga një grusht njerëzish dhe kjo do ta vinte z. Rama në mbrojtje sepse fushata kundër atij që është në pushtet, nuk bëhet po s’e vure në siklet pushtetin. Në qoftë se Rama cakton vetë cila është axhenda e diskutimit të ditës, Rama ka fituar zgjedhjet. Kur Rama t’i përgjigjet opozitës, pra ta prekë, atëherë ka filluar fushata e vërtetë. Sot opozita është reaktive, Rama sulm, opozita mbrohet. Duhet të ishte e kundërta, Rama në mbrojtje, opozita në sulm. Në qoftë se opozita nuk gjen një sulm që i bën thirrje këtij elektorati, e ka të vështirë të merret për atë që thamë. Çështja qëndron, a do të merret opozita me një mesazh të vetëm sepse opozita i është përgjigjur çdo gjëje dhe jo një mesazhi të vetëm që i grumbullon të gjitha mesazhet. Kush është avantazhi i z. Rama? Z. Rama, thuaji çdo gjë që të duash ti, ta çon te 2030, turizmi, 2030, do të ndërtojmë ca kulla këtu nga krimi, s’prish punë thotë ai, do të bëjmë Shqipërinë e madhe 2030, po do t’i japim krimit edhe një hotel në bregdet, s’ka gjë se do të vijnë turistët e huaj, 2030, kurse këto të PD nuk lidhen me një gjë. Pra PD gjëja e parë që duhet t’i propozojë elektoratit është: cila është Shqipëria e 2030-ës e PD?
“Shqipëria Madheshtore”, Hoxha: PD i orientohet Amerikës, andej nga erdhi gjëma vjen e shpresa
Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka analizuar sloganin dhe fushatën e Partisë Demokratike.
Hoxha u shpreh se në vetvete slogani i demokratëve “Shqipëria Madheshtore”, i drejtohet Amerikës, pasi siç tha ai “andej erdhi gjëma, nga aty vjen e shpresa”, teksa rikujtojmë se Berisha është “non-grata” në SHBA, por ama përkrah këtë fuqi të madhe botërore.
Sipas Hoxhës, slogani i PD-së komunikon gjithashtu me atë të PS-së, pasi Rama thotë se përmes tij Shqipëria mbërrin në BE, ndërsa Berisha kërkon Amerikën.
Nga ana tjetër, slogani i PD-së për Hoxhën reflekton udhëheqjen dhe dominancën e një lideri, pasi e vetë rikthimi i Berishës është “madheshtore” pas asaj sfide.
Pjesë nga diskutimi në studio:
Hoxha: I mbetem vlerësimit që liderët dhe stafet e tyre partiake e njohin shumë mirë anëtarësinë e vet, elektoratin e vet, elektoratin që sfidojnë, gjendjen ku janë dhe çfarë është realist për ata për ta arritur. Mbi bazën e kësaj, nuk bëjnë gabime kaq të mëdha saç thotë Batoni apo Neritani, në strategjinë dhe taktikën që zgjedhin. Pastaj, mund të bëjmë vlerësime të vogla, kuptimi, slogani, apo ngjyra, por nuk gabojnë thelbësisht. PD i di gjithë këto parametra. Di çfarë është, çfarë ka, e ku mund të arrijë. Në kontrast me PS, PD nuk është parti celulë. Ajo përpiqet të bëjë punë në terren, por nuk mund të përballet me fuqinë, edhe si kulturë, edhe si mjete në dispozicion, me ushtrinë territoriale të PS.
Fevziu: Dhe si histori politike më afatgjatë.
Hoxha: Po ça se ai tjetri shkon i thotë do të fus djalin në punë, apo do ta heq nga puna, të më japësh votën. Çfarë t’i shkojë ai PD-së? T’i flasi për programet ky? Për Shqipërinë Madheshtore? Ai ka hall, të zgjidhi hallet. Ushtria territoriale e PD ka këtë dobësi, nuk ka çfarë të ofrojë përveçse kurajo, mbrojtje, e asgjë më shumë. Atëhere, me çfarë e kompenson? Duhet ta kompensojë me komunikim masiv. E po përpiqet që ta zhvillojë në mnëyrë sa më të përditshme, me të gjitha mjetet e mundshme, me gjithë segmentet e shoqërisë, dhe i ka ofruar një program përveçse, kritikës, ka ofruar një program me 4 shtylla që së bashku krijojnë një platformë. Lidhur me sloganin Shqipëria Madhështore, unë them që slogani, a për rastësi, a për shkak pasojë, komunikon me sloganin e PS, Shqipëria 2030 me Edi Ramën. Nëse Edi Rama i drejtohet BE, Shqipëria Madheshtore orientohet nga Amerika. Pse nga Amerika? Se andej erdhi gjëma, nga aty vjen shpresa. Nuk kishte se si të mos ndodhte, që MEGA të përkthehej në Shqipëri Madheshtore si slogan. Është i rëndësishëm ra që ky ndryshim në Amerikë, të përkthehet në Shqipëri. E dyta, reflekton dominancën e liderit. Siç thotë ai atje, vetëm me Edi Ramën për të arritur në BE, dhe këtu, rikthimi i Berishës, që në vetvete ka një sens madheshtie, apo jo? Se, ishte tjetri në punë të vet, e fitoi një betejë që askush…Batoni nuk e priste që ta fitonte apo jo? Pra, rikthimi i tij ka një sens të tillë dhe reflekton pra dominancën dhe udhëheqjen.
/tvklan.al