Të ftuar:

 

Ramush Haradinaj – Kryeministri i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha mbrëmjen e së mërkurës në Tv Klan se është edhe do të mbetet kundër çdo marrëveshje me Serbinë që do të vinte nëpërmjet ndryshimit të kufijve.

“Personalisht për vete jam kundër. Do mbetem kundër çdo herë”, tha Haradinaj në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion”.

Kryeministri i Kosovës tha se kishte vetëm dijeni periferike për këtë çështje dhe se besonte që deklaratat e Thaçit për përfshirjen e Preshevës në hartën e Kosovës ishte një taktikë e tij përballë retorikës së Beogradit.

Blendi Fevziu: Çfarë dijenie keni ju për këtë marrëveshje dhe sa i involvuar jeni ju brenda kësaj?

Ramush Haradinaj: Dijeninë e kam periferike, nuk kam dijeni direkt, por periferike. Informata të mbledhura aty këtu.

Blendi Fevziu: Nga mediat dhe takimet?

Ramush Haradinaj: Nga ndonjë diplomat, nga ndonjë zyrtar, asnjë herë nuk kam marrë në tavolinë ndonjë plan, ose ide të tillë.

Blendi Fevziu: A ka folur Presidenti i Kosovës me ju si Kryeministër për këtë çështje?

Ramush Haradinaj: E kam hapur dy herë me të, nuk e ka trajtuar si temë ashtu siç njihet në opinion, por ka prezantuar si një debat taktik politik, si një kundërpërgjigje ndaj retorikës që vjen nga Beogradi e pretendimeve të tyre.

Blendi Fevziu: Që do të thotë se ju po bëni një lojë me Beogradin, po luani kush e mashtron njëri-tjetrin, apo jeni në një marrëveshje serioze?

Ramush Haradinaj: E kam vështirë të besoj se Thaçi e ka trajtuar këtë në mënyrë serioze, ka mujt me qenë një debat publik taktik më së shumti. E kam vështirë, pra nuk e konsideroj projekt serioz.

Haradinaj tha se vendosja në pikëpyetje e arritjeve të deritanishme të Kosovës në kufijtë e saj do të ishte e papranueshme dhe se kufijtë ndryshojnë me luftë.

“Hapja e kufijve, hapja e një marrëveshjeje të tillë, vetëm diskutimi është rrezik për stabilitetin e rajonit. Këto kufij të Kosovës çizmja i ka vendos, nuk janë vendosur në tryeza e me bisedime. Vetëm çizmja, ku i ka lënë çizmja ushtarake aty janë. Këto kufij, po u lëvizën, kërkohen prapë shumë cizme të ushtarëve në të dy anët”, tha Haradinaj.

Nga ndërrimi i moteve nuk do të ketë më barrikadë fizike në kufirin Kosovë –Shqipëri”, kjo është shpresa e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, bazuar edhe në bisedat dhe planet me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Haradinaj foli në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, në “Opinion”.

Blendi Fevziu: Më ka qëlluar të pres 30 minuta në radhë për të hyrë në Kosovë dhe 30 minuta për t’u kthyer nga Kosova drejt Shqipërisë, ndërkohë që të gjithë vendet e BE lëvizin sot pa kufij, kufijtë kanë ngelur vetëm gërmadha klasike. Çfarë do të bëjmë për t’i larguar?

Ramush Haradinaj: E kemi biseduar me Kryeministrin Rama dhe me kolegë të tjerë, që diku në ndërrim të moteve të hapet.

Blendi Fevziu: Pra në natën e Vitit të Ri ju do të hiqni kufirin Shqipëri-Kosovë?

Ramush Haradinaj: Shpresoj po. Përfundimisht. Do të ketë kamera. Do të ketë një monitorim, por nuk do të ketë barrikadë fizike, jo prezencë fizike të kontrollit.

Në studion e “Opinion”, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha mbrëmjen e së mërkurës se në median e Kosovës ka pasur propagandë të tmerrshme kundër ardhjes për turizëm në Shqipëri.

E gjitha kjo, mendon ai, ka qenë e paguar nga ndonjë ofertë apo shtet konkurrent.

Blendi Fevziu: Rikthehem edhe një herë bashkëpunimit me Shqipërinë, thamë heqjen e kufirit. Po në fakt a ka një bashkëpunim intensiv realisht me Shqipërinë?

Ramush Haradinaj: Ndjenja është perfekt, mund të bëjë më shumë në zbatim.

Blendi Fevziu: Ndërkohë ka komente që ka një zbehje ose një zvogëlim të numrit të shqiptarëve të Kosovës që vijnë për pushime në Shqipëri.

Ramush Haradinaj: Ka qenë një propagandë e tmerrshme, në media dhe portale, kundër ardhjes së kosovarëve. Nuk e di, e pagume, nga ndonjë ofertë konkurrente, nga ndonjë vend konkurrent. Unë mendoj se është bërë një propagandë e tmerrshme duke lexuar që shpesh i tha kosovarit në Durrës, kështu…

Blendi Fevziu: Gjë që nuk është e vërtetë…

Ramush Haradinaj: Unë e e di që nuk është, unë kam ardhur në Shqipëri, ia kam kaluar shumë mirë, jam kënaq. Kam qenë në Jalë, në Durrës, kemi kaluar jashtëzakonisht mirë, mirëpo ka qenë një propagandë e madhe. Unë mendoj se kosovarët nuk munden të bëjnë punë më të mirë se me ardh në Shqipëri, pse? Sepse e para është gjenerim ekonomik, sepse ky i Shqipërisë kur krijon një prodhim e gjeneron edhe në Kosovë. Mund ta investojë. Është e ndërlidhur, ekonomitë tona do të ndërlidhen edhe më shumë.

Blendi Fevziu: A të pëlqen Shqipëria si turist?

Ramush Haradinaj: Po… E para ndjehem në shtëpi kur jam në Shqipëri. Prej në jug deri në Theth shkoj për qejf, të mos flasim për detin për njerëzit, ndjehem në shtëpi.

**************************

PDIU del në opozitë!