Të ftuar:

Arben Malaj – Ish-Ministër i Financave

Klodian Tomorri – Gazetar

Artan Hoxha – Analist

Ornela Liperi – Kryeredaktorja e revistës “Monitor”

Selami Xhepa – Ekspert i ekonomisë

Artan Hoxha – Gazetar

Gazetari i ekonomisë në Top Channel, Klodian Tomorri është shprehur se rënia e euros në vend ka ardhur për pasojë të shumë faktorëve njëherësh që ndikojnë në ekonomi, por më dominanti është ai psikologjik.

Tomorri tha në studion e emisionit “Opinion’, se Banka e Shqipërisë ka mbajtur qëndrimin se rënia e euros vjen për shkak të fuqizimit të ekonomisë, por ditën e sotme ajo ka pasur një ndryshim radikal në qëndrimin e saj, duke deklaruar se nuk është rritja e ekonomisë arsyeja kryesore, por disa faktorë të tjerë të përkohshëm.

“Sigurisht nuk tha se janë burimet informale, por sipas meje burimet informale nuk janë përcaktuese në këtë ecuri të kursit”, -tha ai.

Sipas tij, në këtë kurbë të rënies së monedhës së euros në kursin e këmbimit në vend, ka ardhur si ndikim i shumë faktorëve njëherësh, por më dominanti është ai psikologjik, pasi ekzistojnë disa faktorë që kanë shkuar kundër euros dhe në favor të lekut.

Gazetari investigativ, Artan Hoxha, të mërkurën, është shprehur se një nga faktorët kryesor të rënies së monedhës së euros në kursin e këmbimit në vend, ka ardhur për pasojë e aktivitit kriminal.

Hoxha në studion e emisionit “Opinion”, deklaroi se një faktor i tillë vihet re mjaft qartë në rritjen e ndjeshme kohët e fundit të bizneseve të lojarave të fatit.

Ai tha se kjo gjë ndodh, në një kohë kur në vend nuk janë rritur as lojtarët dhe as klientela, por janë shtuar në një mënyrë marramendëse kompanitë që operojnë në treg, madje edhe me nipt sekondar.

Mirëpo, -thekson Hoxha,- ajo që të bën përshtypje në gjithë këtë skenar është fakti se kompanitë me nipt sekondar zhvillohen më tepër se kompanitë që janë të licensuara për të operuar në tregun vendas.

“Nëse janë tre kompani të mëdha që operojnë në treg, realisht janë 22 operatorë që veprojnë dhe kanë një numër të madh punonjësish, por aty është edhe një nga fushat që nuk merret vesh se sa para investohet, si kalojnë dhe si qarkullojnë ato”,– tha ai.

Një faktor tjetër në ekonominë vendase është futja në tregun e ndërtimit të disa kompanive që në të shkuarën e tyre nuk kanë pasur një histori, por që veprojnë ndjeshëm në këtë sektor gjatë kësaj kohe.

“Janë disa kompani që investojnë në fushën e ndërtimit dhe nuk kanë një histori të madhe në të kaluarën, por çfarë bëri futja e taksës së ndërtimit, nxori jashtë qarkullimit ato firma të vogla që investonin me parat e blerjes së apartamenteve nga njerëzit”,- tha gazetari.

Sipas tij, gjatë kësaj kohe janë futur në lojë disa klane të cilat kanë gjetur edhe mënyrat e mbulimit.

Ai pyet se pikërisht në këtë situatë, çfarë ka ndodhur? Duke shpjeguar se trafiku i drogës, si kokaina, kanabisi dhe heroina janë produkte që shiten me euro dhe çdo gjë që buron për rrjedhojë e një aktiviteti të tillë kryhet me euro.

“Por, janë futur në lojë disa klane të cilat kanë gjetur edhe mënyrat e mbulimit. Çfarë ka ndodhur, trafiku i drogës, kokaina dhe heroina dhe kanabisi që ka qenë prodhim vendas dhe sot është stok nuk është shitur i gjithi. Të gjitha këto, janë produkte që shiten me euro. Aty çdo gjë bëhet me euro”,- tregon Hoxha në ‘Opinion’.

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, të mërkurën, është shprehur se biznesi në vend nuk po merr me kredi tek bankat, por tek krimi duke lënë si garanci kokën.

“Biznesmenët shqiptarë nuk po marrin më kredi tek bankat se kjo kërkon shumë garanci, por i marrin tek kriminelët që lënë si garanci kokën. Prandaj ndodhin edhe vrasjet. Ai ti jep me një normë të caktuar fitimi, kur nuk përputhen të ardhurat, e ke kokën në rrezik”,- tha Malaj në ‘Opinion’.

Ai foli edhe për uljen e euros në kursin e këmbimit në vend, duke e shpjeguar se kjo ulje ka ardhur për pasojë të dy faktorëve; nga njëra anë kërkesa e ulët në treg dhe nga tjetra, futja e sasive të mëdha nga jashtë.

“Ka raste kur në treg ka hyrë një valutë e madhe euro, por mundet që edhe kërkesa të jetë e ulët. Kur bashkohen këto dy faktorë, pra kërkesë e ulët dhe hyrje e valutës, rënia bëhet drastike”, – u shpreh ish-ministri.