#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Rikthim i “Shqiptarëve në botë”, emisione të fokusuara te shqiptarët e suksesshëm në botë, që kanë arritje dhe që shpesh jetojnë në vende të çuditshme. Ky emision lidhet me restorantet shqiptare në botë, ku janë, çfarë ofrojnë, si ka qenë historia e tyre, si e kanë nisur gatimin? Kuzhina shqiptare është thuajse e panjohur në botë, edhe pse cilësia e restoranteve është shumë e mirë. Zakonisht ajo u takon restoranteve që kanë ndikim italian apo ndërkombëtar sesa të mirëfilltë shqiptar. Së fundmi, gatimet tradicionale shqiptare po bëhen pjesë e restoranteve dhe kuzhinës në Shqipëri dhe në botë. Njihuni me 7 restorante shqiptare në vende të ndryshme të botës.
“Realizimi i ëndrrës tonë”, Xhaferi nga Toronto: Në Ballkan Grill gatuajmë vetëm kuzhinë shqiptare
Ballkan Grill në Toronto është restoranti i hapur nga një çift shqiptarësh të cilët jetojnë në Toronto.
Etleva Xhaferi në një lidhje direkte në emisionin “Opinion” në Tv Klan shprehet se restorantin ata e kanë hapur pak muaj më parë duke e quajtur realizimi i ëndrrës së tyre.
Të pyetur më shumë mbi menunë dhe detaje nga restoranti ata theksojnë se fokusi në këtë restorant është kuzhina shqiptare autentike.
Blendi Fevziu: Etleva si e keni nisur restorantin? Sa vite keni?
Etleva Xhaferi: Restoranti është i ri. Ka gjashtë muaj, gati shtatë muaj që e kemi hapur.
Blendi Fevziu: Si e nisët?
Etleva Xhaferi: Restoranti është realizimi i ëndrrës tonë. Është trashëgimi e familjes. Burri është shef, babain e kisha shef.
Bashkëshorti i Etlevës: Kam përvojë të jashtëzakonshme. Njoh shumë kuzhina, por jam fokusuar vetëm tek guzhina autentike.
Blendi Fevziu: Pse ja vendosët emrin Ballkan Grill?
Bashkëshorti i Etlevës: Këtu ka shumë ballkanas, ka serb, bullgarë, maqedonas, shqiptarë shumë dhe gjejmë mënyrën më të mirë që të jetë i përgjithshëm.
Blendi Fevziu: Çfarë gatuani në Ballkan Grill?
Bashkëshorti i Etlevës: Vetëm kuzhinë shqiptare autentike.
Blendi Fevziu: Ku e mësove zanatin e kuzhinierit?
Bashkëshorti i Etlevës: Kam bërë shkollën në Tiranë. Kam punuar në turizëm, pastaj filluan këto… Pastaj erdhëm në Kanada dhe këtu gjetëm vetëveten. Shumë kanadez ka. Unë kam arrit që kinezi të vijë dhe të marr tavë dheu dhe vijnë dy kinezë çdo ditë gati.
Blendi Fevziu: Po pjesa tjetër e klientëve të huaj çfarë pëlqejnë?
Bashkëshorti i Etlevës: Shumë pëlqejnë peshkun.
Ndërsa i pyetur për pjatën më të mirë që përgatisin në restorantin e tyre çifti shqiptar cilësojnë miksin e mishit.
Nisi si kafene për prindërit e shqiptarëve në Londër, u kthye në restorantin me kuzhinë tradicionale!
Mentor Bokçiu është nga Hasi, por jeton prej më shumë se 20 vjetësh në Londër, por vendosi që vetëm 4 vite më parë të hapte një restorant. “Illyrian Grill House” është një nga restorantet me kuzhinë shqiptare në botë që promovon gatimet tradicionale.
Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, Mentori thotë se ideja nisi me dëshirën për të bashkuar sa më shumë shqiptarë dhe ushqimi është ai që i afron. Në restorant është përzgjedhur një menu e larmishme me gatimet vendase.
“Neve kemi zgjedhur një menu të përbashkët nga të gjitha trevat shqiptare. Kemi marrë jufkat e Dibrës me mish pule, tavën e kosit të Elbasanit, fërgesën verore të Tiranës, çervishin e Dibrës, Burrelit a zonave të tjera, kërnackat e Korçës, ushqime të ndryshme, bukë misri, byrek, flinë e veriut. Jemi munduar t’i kombinojmë të gjitha, të paktën nga një ushqim që secili ta gjejë veten”, teksa shton se për njerëzit që nuk i konsumojnë, kanë shtuar disa lloje makaronash, peshk etj.
Mentori shprehet mjaft i kënaqur me ecurinë e restorantit, pasi ka qenë diçka e paparashikuar. Ai zbulon se ideja origjinale ishte një kafene për prindërit që vizitojnë fëmijët e tyre.
Mentor Bokçiu: Neve nuk kemi qenë asnjëri nga vëllezërit apo familja që kemi punuar në kuzhinë. Ne angazhohemi me biznese të tjera, ndërtimin dhe skelën. S’kemi pasur ide fare nga ana e kuzhinës. Mirëpo ajo dëshira për ta bërë një vend të tiillë, sikur vullneti i punës e bëri.
Blendi Fevziu: Si të lindi ideja e parë, si të shkoi ndërmend të bëje restorant? Jam i sigurt, do të të ketë munguar për vete flija.
Mentor Bokçiu: Si ide ka qenë për të bërë një kafe për prindërit tanë që vijnë për vizita atje.
Blendi Fevziu: Se nuk rrinin dot në kafet angeleze.
Mentor Bokçiu: Gjatë punimeve e ndryshuam për restorant familjar që edhe familja të ketë një vend ku të rrijë, edhe prindërit të kenë një vend ku të pijnë një gotë raki apo të ndërrojnë një muhabet me njerëz të tjerë.
Restorant “Kolonja” në Berlin, Ergisti zbulon gatimin e preferuar shqiptar të gjermanëve
Ergist Pelo ka hapur një restorant shqiptar në Berlin të Gjermanisë, që i ka vendosur emrin “Kolonja”.
Për emisionin Opinion në Tv Klan, Ergist Pelo ka treguar se si i lindi ideja për të hapur një restorant në Berlin.
“Unë jam nga një fshat i Ersekës, jetoj prej 10 vitesh në Berlin. Faktikisht kam punuar prej shumë vitesh si kamarier dhe në Shqipëri përpara se të emigroj. Ideja e restorantit lindi duke qenë se takojmë njerëz të huaj këtu, ne shqiptarët sado mund ta shajmë Shqipërinë midis njëri-tjetrit, por kur bëhet fjalë për të huajt flasim vetëm mirë. Në fund të ditës po thonim a po shkojmë të hamë diçka në një restorant shqiptar. Dhe ishte pak i kufizuar. Dhe kështu lindi. Kisha përvojë të madhe në gastronomi, kuzhinën shqiptare e kam shumë përzemër edhe pse unë nuk gatuaj vetë. Restoranti është në pjesën perëndimore të Berlinit, në qendër”.
Ai tregon se klientët në restorantin e tij janë kryesisht të huaj. Ergisti zbulon edhe gatimin shqiptar që preferojnë gjermanët.
“Klientët janë 90-95% janë të huaj. Restoranti është hapur prej 1 viti e 2 muaj. Jam i kënaqur. Ka vështirësitë e veta. Nuk është e lehtë të prezantosh kuzhinën shqiptare në Berlin. Për mendimin tim ne kemi kuzhinë më të mirë se sa grekët dhe turku, por mungesa e promovimit që i bëjmë kuzhinës tonë… Gjermanët preferojnë petullat e fshira të Korçës. Byrekun e pëlqejnë shumë, me qepë-domate. Tavën e kosit gjithashtu. Uji është shqiptar, vera shqiptare. Raki nuk kam”.
“Kolonja” aktualisht është i vetmi restorant shqiptar në Berlin. Për promovimin e tij kanë shkruar edhe gazeta gjermane.
“Si restoranti i vetëm në Berlin, u bë edhe bujë pak e madhe se në përgjithësi gjermanët janë kuriozë nga natyra të provojnë shije të ndryshme. Filluan të shkruajnë edhe gazeta gjermane. Brenda merr 85-90 persona. Jashtë nxe 120 persona”.
Italiania që ka hapur restorantin shqiptar në Amsterdam: Kam marr tiganin nga Shqipëria për të gatuar qifqitë
Elda Spedicato është një italiane që ka hapur një restorant shqiptaro-italian në Amsterdam të Hollandës. Ajo thotë se para 10 vitesh ka ardhur në Tiranë, është martuar me një shqiptar dhe më pas janë shpërngulur në Amsterdam.
Elda ka treguar për Opinion se ishte ëndrra e saj për të hapur një restorant ku më shumë mbizotëron ushqimi shqiptar.
Për më tepër ajo tha se: “Unë gatuaj pjesën shqipatre. Kam marr tigan nga Shqipëria dhe gatuaj qifqi”.
Pjesë nga biseda:
Blendi Fevziu: Elda ti je italiane?
Elda Spedicato: Jam italiane, por kam jetuar 10 vite në Tiranë. Burri është shqiptar
Blendi Fevziu: Sa vite ke jetuar në Shqipëri?
Elda Spedicato: 10 vjet.
Blendi Fevziu: 10 vjet dhe e flet shqipen kështu?
Elda Spedicato: Po
Blendi Fevziu: Me bashkëshortin ku je njohur?
Elda Spedicato: Në Tiranë.
Blendi Fevziu: 10 vite keni jetuar në Tiranë dhe më pas jeni shpërngulur në Amsterdam. Si iu shkoi në mendje të hapni restorant shqiptar se ti mund të kishe hapur restorant Italian. Po shqiptar çne?
Elda Spedicato: Ne e kemi italiane dhe shqiptare sepse familja jonë është 50/50. Por unë kisha shumë qejf ta vendosmin më shumë për pjesën shqiptar sepse unë e kam shumë qejf ushqimin shqiptar. Dhe ideja erdhi spontanisht për të bërë një restorant shqiptar dhe Italian. Por sinqerisht hollandezët e kanë shumë qejf pjesën shqiptare.
Blendi Fevziu: Çfarë hanë më shumë hollandezët nga kuzhina shqiptare?
Elda Spedicato: Ne kemi speca të mbushur në menu, kemi qifqi që unë personalisht e kam shumq qejf, kemi feërgesë, kemi byrek…
Blendi Fevziu: Me qifqi, me fërgesë, me byrek e paske tipike shqiptare fare.
Elda Spedicato: Kemi jufka me mish dhe tavë kosi.
Blendi Fevziu: Kë pëlqejnë më shumë hollandezët nga kjo menu?
Elda Spedicato: Mendoj se për byrek e kanë më thjeshtë, por mendoj se të gjitha sepse ne kemi bërë një opsion si aperitiv. Një miks nga të gjitha ushqimet shqiptare.
Blendi Fevziu: Sa kohë keni që e keni hapur?
Elda Spedicato: 6 muaj.
Blendi Fevziu: Ishte ideja jote apo e bashkëshortit?
Elda Spedicato: Ishte ideja ime sepse ishte ëndrra ime për të hapur një restorant në Amsterdam sepse unë kam studiuar në Hollandë.
Blendi Fevziu: Kështu që more edhe burrin në Amsterdam dhe hapët restorantin shqiptaro-italian.
Blendi Fevziu: Si erdhe në Shqipëri Elda, për çafrë arsye?
Elda Spedicato: Unë erdha për punë në Shqipëri, pastaj takova burrin dhe ngela atje.
Hapi rrjetin e restoranteve “Çka Ka Qëllu” në Amerikë, Ramiz Kukaj tregon dy “ngacmimet” që e shtynë
Ramiz Kukaj, është shqiptari i cili ka hapur rrjetin e njohur të restoranteve shqiptare “Çka Ka Qëllu”, në Amerikë. I ftuar në emisionin ‘Opinion’ në Tv Klan ka treguar historinë e emigracionit të tij.
Kukaj gjatë fjalës së tij rrëfen dy “ngacmimet” që e shtynë atë që të hapte si fillim restorantin e tij të parë shqiptarë.
Ramiz Kukaj: Për të ikur nga ushtria ika në Dibër, pastaj u vendosa në Tiranë. Kam jetuar në Shqipëri një vit e gjys pastaj në Amerikë. Fillimisht u vendosa në Milot. Nuk është se kishte ndonjë kulinari. Milotasit më anë pritur shumë mirë. Kam qenë ndër shqiptarët e parë të Kosovës dhe mikpritja ka qenë e paprë. I kujtoj ato ditë, lumin e Matit, atë fërnetine Shqipërisë akoma e kërkoj, bukën e zezë. Pastaj kam ikur në Tiranë një vit. Megjithëse ka qenë kohë e vështirë i kujtoj ato kohë.
Blendi Fevziu: Po ushqimi si ishte në Shqipërinë e ’93?
Ramiz Kukaj: Nuk ka qenë ndonjë gjë me thënë të drejtën.
Blendi Fevziu: Ti u vendose në New York. Si e hape restorantin?
Ramiz Kukaj: Kemi punuar gjithçka. Po siç e kam treguar historinë, kanë qenë dy momente që më kanë ngacmuar për të hapur restorant shqiptarë. Ka qenë kur Kastrioti më ka pyetur për një restorant shqiptar dhe në atë kohë kishte të dashurën greke dhe nuk pata çfarë t’i ofroj. Në atë kohë këtu kemi pronarin e picerisë, byrektores dhe ai ka qenë i vetmi vend që mundeshim t’i ofronim fëmijës me konsumu ushqim shqiptar. Ai ka qenë ngacmimi i parë.Pastaj ngacmimi i dytë ka qenë shumë më parë, kur kam ardhur kam dashur të takoj një njeri të afërt timin i cili ka qenë nga patriotët më të njohur dhe ai kishte një piceri italiane. Më tërheqi anash dhe i thash ‘hë mor burrë” dhe i thashë ça ka. Jo tha ‘këto mendojnë se unë jam italian’. Ajo më ka ngacmu sepse ai ishte një nga patriotët më të mëdhenj dhe shembull për ne dhe sa kishte ndryshu për interesa.
Një tjetër detaj interesant në restorantet “Çka Ka Qëllu” janë dhe prania e shumë artefakteve të grumbulluara nga Ramiz Kukaj ndër vite.
Ramiz Kukaj: Pastaj fillova të mbledh artefakte sepse mënyra si konceptova restorantin u dasht patjetër me u organizu dhe me e dekoru. Amerikant e konsiderojnë si restorant muze sepse unë po ti mbledhësh të gjithë muzetë e Shqipërisë dhe Kosovës nuk posedojnë artefakte më shumë se unë. Flasim për 19 vite koleksionim.
Blendi Fevziu: Menuja nga vjen?
Ramiz Kukaj: Menuja vjen nga të gjitha zonat e Shqipërisë pa përjashtim. Kam filluar me kuzhinier shqiptarë dhe pastaj kam marrë kuzhinierë që kanë kryer fakultetin e kulinarisë. Këto që punojnë nëpër restorante punojnë me receta.
Ndërkohë sa i përket pjatës së preferuar të të huajve Kukaj shprehet se ndryshon kohë pas kohe. Lidhur me Shqipërinë ai shprehet se ka ndryshuar mendimi për të për mirë dhe se njerëzit që shkojnë në restorant janë më me respekt për shqiptarët.
“Unë gatuaj mishrat, gruaja brumërat”, suksesi i restorantit shqiptar në Zvicër
“Rina Grill” është një restorant me kuzhinë shqiptare në Luzern të Zvicrës.
Pronari Naser Hajrizaj nga Mitrovica e Kosovës, prej 34 vitesh jeton në Zvicër, ndërsa 6 vitet e fundit ka hapur restorantin e tij.
Për emisionin Opinion në Tv Klan, ai tregon se i ka vendosur restorantit emrin e vajzës.
“Vij nga Mitrovica. Prej 34 vitesh jetojmë në Zvicër. Kemi qenë ushtarë të Jugosllavisë dhe kemi ikur. Jam marrë vetëm me gastronomi. Në fillim merresha me kulinari zvicerane, kam bërë shkollë, por nuk më dhanë diploma se isha refugjat, vetëm certifikatë. Nuk kam pasur qejf të hap restorant, por kam punuar me diskotekën rinora shqiptare, 25 vite kam shitur hamburger shqiptar. Kam patur vetëm një fast-food aty, asgjë tjetër me diskotekën. Prej 6 vitesh është i hapur restoranti. Rina ja kam vënë emrin se vajza e madhe ka emrin Rina. Klientelën më shumë e kemi shqiptare.
Në menu 90% kemi kuzhinë shqiptare, me byrek, fli, speca turshi, fasule, vetëm peshk nuk kemi. Peshkun nuk di ta bëj. Kemi dhe peskavicën e mbushur. Punojmë më shumë me sezone. Restoranti ka 100 vende brenda, 120 në tarracë. Për momentin kemi menunë e Ramazanit, jemi të mbushur çdo mbrëmje.
Unë gatuaj mishrat, gruaja merret me brumërat. Kemi dhe klientë zviceranë. Të huajt i pëlqejnë të gjitha, sidomos mishrat, fasulet, specat e mbushura, lakrat”, tregon Naser Hajrizaj.