#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #tvklan

Të ftuar : Enita Mema, Rudina Jasini, Rosalba Bejdo, Artan Hoxha.

Biznesmeni shqiptar u përfol për lidhje me kartelin e Sinaloas, Blendi Fevziu: Nesër do ta kemi në studio

Një biznesmen shqiptar u përfol në mediat online për lidhje me kartelin meksikan të Sinaloas dhe përmes këtij karteli pastroheshin paratë.

Ky biznesmen, për të sqaruar të gjitha këto pretendime dhe akuza që janë bërë në disa media online, nesër do të jetë i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan. Konfirmimin e ka bërë drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu, i cili u shpreh se: “Personi do të jetë vetë nesër i ftuar në studio. I është përgjigjur pozitivisht ftesës që i kanë bërë gazetarët tanë, kanë arritur ta gjejnë dhe ka thënë që do vijë të flasë”.

Mbrëmjen e sotme, gazetari Artan Hoxha i pyetur nga Blendi Fevziu nëse këto akuza janë serioze, tha se ky biznesmen është sulmuar nga karteli i Sinaloas për t’i marrë bizneset.

“Ka ikur herët nga Shqipëri, mos gaboj duhet të jetë 48-50 vjeç. Ai ka qenë në disa vende të Amerikës Latine. Unë jam vënë në lëvizje në lidhje me këtë person për shkak se emri i tij ka dalë në një aferë në Panama, kur është diskutuar për lidhje me politikanë dhe me pushtetarë në Panama. Pastaj emri i tij është përmendur në historinë e dokumenteve të Panama Papers. Nuk është qytetar nga Vlora, është nga Njësia Administrative e Belshit, se familjen e ka atje. Në Meksikë di që ka patur një konflikt që ka filluar 3 vite më parë në një rrjet të kazinove të cilat i administron ky person. Ka patur disa ngjarje të iniciuara nga karteli Sinaloa. Karteli Sinaloa ka dashur që t’ia marrë këtë biznes sepse është një biznes që është i ndërtuar në një rrjet hotelesh që është brand ndërkombëtar. Dhe karteli i Sinaloa ka iniciuar disa ngjarje brenda këtyre kazinove ku njerëz të armatosur janë futur brenda, kanë hapur dhe zjarr, kanë tentuar që ta shkatërrojnë atë si biznes, t’ia marrin nën kontroll. Karteli Sinaloa nuk ka qenë mbrojtësi i tij, por ka qenë sulmuesi”, tha ndër të tjera Artan Hoxha. 

Rrjedhja e emailit të Gledis Nanos për Talo Çelën, gazetari Artan Hoxha: Informacioni duhet verifikuar

Një informacion i rëndësishëm është hakëruar dhe është bërë publik ditën e sotme nga e-maili i ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nanos që ka lidhje me të shumërkuarin e drejtësisë Talo Çelo.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari investigativ Artan Hoxha ka folur pikërisht mbi këtë çështje.

Blendi Fevziu: Çfarë ka ndodhur?

Artan Hoxha: Nuk është hera e parë gjatë këtij viti që ndodhemi në këtë situatë të ngjashme. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me çështjen e Nuredin Dumanit, ku të dhënat sensitive të deklarimeve të tij dolën në media. Dua t’i filloj nga niveli politik i dëshmisë së tij, ishte problem i madh dhe aty u ndaluam. Informacioni që ai kishte dhënë duhet verifikuar, duhet publikuar. Në raste të tilla, askush nuk i ndalon palët e interesuara që të interferojnë. 

Blendi Fevziu: 2 e-maile kanë dalë. Pse janë publikuar? Janë informacione zyrtare në këtë rast, nuk janë informacione të rrjedhura në media.

Artan Hoxha: Në mos gaboj, në datën 21 Korrik, kam bërë një dalje në lidhje me këtë histori dhe që në atë kohë pata informacionet për hakerat dhe që në atë kohë isha i bindur, që pas kësaj ishte Irani sepse ka interesa direkte në territorin e Shqipërisë. Ajo që më shqetëson është se autoritetet tona na kanë gënjyer që nga periudha Korrik, Gusht dhe Shtator. Nga ato të dhëna që unë kam parë deri tani, po marr rastin e parë, bëhet fjalë për Talo Çelën.

Blendi Fevziu: Që ju më keni thënë që ai nuk gjendet më, më keni thënë?

Artan Hoxha: E kam thënë në fillim të këtij viti, në e-malin që është publikuar bëhet fjalë për Gushtin e vitit të kaluar, ai ishte ende në qarkullim. Ai ishte një informacion që i shkon drejtuesit të lartë të Policisë, po nuk është informacion 100 % i vërtetë. Ai informacion shkon dhe policia mbi atë informacion bën verifikimet e veta. Problemi është që në atë informacion aty thuhet se personi ka shkuar në një hotel, jepet hoteli tek “Rruga e Dibrës” , lidhet me shtetasin Ervin Mataj.

Blendi Fevziu: Deri më sot, nuk ishte thënë që Talo Çelo dhe Ervin Mataj kishin lidhje mes tyre?

Artan Hoxha: Pikërisht. Aty thuhet se burimi është i sigurtë që kjo ka ndodhur, por nuk ka elementë. Policia mbi këtë informacion fillon verifikimet e veta. Policia duhet ta çojë në instancat e duhura të cilat ta verifikojnë./tvklan.al