#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Një intervistë me kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit. Çfarë po bën Partia Demokratike? A ka bërë një analizë për humbjen? Ku po shkon ajo?

Fevziu sqarim për Artan Lamen: Ndodhet në koma cerebrale, por është ende në jetë

Emisioni “Opinion” në Tv Klan ka nisur ndryshe mbrëmjen e sotme. Gazetari Blendi Fevziu në nisje të puntatës së sotme, u shpreh se do të bënte një anonçim, të cilin e quajti më të vështirin në jetën e tij.

Ndryshe nga sa ka qarkulluar lajmi ditën e sotme për ndarjen nga jeta të ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame, Fevziu sqaron se ky i fundit është ende në jetë dhe ndodhet në koma cerebrale.

Fevziu shprehet se ky lajm është një kërkesë e familjes së tij, që një gjë që nuk ka ndodhur të mos bëhet fakt i kryer. Ndërkohë Lame ndodhet në gjendje të vështirë shëndetësore.

“Kam një anonçim të shkurtër, që është padyshim një nga anonçimet më të vështirë që do të bëj ndoshta edhe në të gjithë jetën time. Një nga miqtë e mi personal, një nga njerëzit që jam i bindur e ka dashur Shqipërinë dhe historinë e saj më shumë se shumë të tjerë, Artan Lame ndodhet në momente shumë të rënda të jetës së tij. Sot paradite ka dalë lajmi që ai iku nga kjo jetë, në fakt ai ndodhet në koma cerebrale. Ka hyrë në një operacion të rëndë në zemër, pas një problem disajavorë. Operacioni nuk ka arritur ta zgjojë më, pra ai është në koma cerebrale, por është ende në jetë. Mjekët thonë që mundësia që ai të jetojë është thuajse…, pra është e vështirë. Por gjithsesi ai është ende në jetë dhe unë kam një porosi nga familja e tij që ta bëjë këtë anonçim për të thënë që të mos bëhet fakt i kryer diçka që nuk ka ndodhur ende”, u shpreh Blendi Fevziu.

Ndërkohë ditën e sotme qarkulloi lajmi se Artan Lame ka ndërruar jetë në një spital në Mynih të Gjermanisë, ku ndodhej për kurim prej një jave, pas goditjes nga një ishemi cerebrale

Sali Berisha shpreh lutjet për Artan Lamen dhe zbulon arsyen e largimit të tij nga detyra

Zemra e Artan Lames rreh ende, sqaroi Blendi Fevziu në hyrje të emisionit “Opinion”në Tv Klan, një nga njoftimet  më të vështira” siç u shpreh ai që i është dashur të japë. Lame ka pësuar koma cerebrale dhe ndonëse shpresat janë të pakta, fija lidhëse me jetën nuk është këputur ende.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i cili është i ftuari i mbrëmjes, shprehu lutjet e tij dhe tha se ish-kreu i Kadastrës ka kaluar një ndërhyrje shumë të vështirë. Më pas, ai u ndal te largimi i tij nga detyra në vitin 2023 dhe tha se ndodhi për shkak të gjirit të Gjipesë. Sipas Berishës, Lame nuk pranoi të firmoste grabitjen e 225 mijë metrave katrorë tokë, gjë të cilën ia atribuon kryeministrit Rama.

Sali Berisha: Lutjet e mia janë që Artan Lame ta kapërcejë këtë kohë.

Blendi Fevziu: Ju jeni kardiolog vetë dhe e dini sa e vështirë është. Besoj ai ka kryer një operacion shumë të vështirë. 

Sali Berisha: E vështirë sigurisht. Ai ka pasur një ndërhyrje shumë të rëndë, por t’i lutemi Zotit ta ndihmojë ta kapërcejë. U largua nga detyra 2 vite më parë.

Blendi Fevziu: Jo, është larguar në 2023 pas zgjedhjeve.

Sali Berisha: Arsyen pse u largua do ta them këtu. Ai u largua nga gjiri i Gjipesë.

Blendi Fevziu: Si u largua nga gjiri i Gjipesë?

Sali Berisha: Ai nuk pranoi të firmosë grabitjet e 225 mijë metra katrorë tokë nga Edi Rama tek Manastiri i Skutarasë.

Blendi Fevziu: Ai socialist ishte, me Partinë Socialiste ishte deri ditën që ka qenë.

Sali Berisha: Nuk them se ndryshoi parti dhe uroj ta kalojë, por këtë moment do ta them, por ai u largua sepse nuk pranoi të firmosë që Edi Rama të grabisë 225 mijë metër katrorë tokë në zonën më të mirë të bregut tek Manastiri i Skutarasë dhe kanioni i Gjipesë.

Berisha në Opinion: 11 Maji ishte farsë elektorale, jo zgjedhje

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha thotë se zgjedhjet parlamentare të 11 Majit ishin farsë elektorale.

Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan përballë gazetarit Blendi Fevziu, Berisha u shpreh se më 11 Maj nuk pati zgjedhje, por farsë elektorale.

“Ti flet për zgjedhje unë flas për farsë, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Proces zgjedhor zhvillojnë pothuajse 99% të vendeve të botës, por narkodiktaturat zhvillojnë farsa elektorale. Ka farsë elektorale, dhe ka zgjedhje.

11 Maji ishte farsë absolute. Marrim faktin a ishin farsë? Janë 16 dokumente ndërkombëtare mbi të cilat bazohet janë garant të parimeve të zhvillimeve të zgjedhjeve.

Dallimi midis farsës dhe zgjedhjeve është pikërisht barazia”, u shpreh kryedemokrati Sali Berisha.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, Partia Demokratike dhe koalicioni i saj “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” fitoi 50 mandate deputetësh, ndërsa Partia Socialiste fitoi 83 mandate.

Në vijim të pretendimit të tij, Berisha citoi raportin e OSBE/ODIHR.

“Raporti ka futnota dhe futnotat përtojnë t’i lexojnë, i kam me citime të vëzhguesve një për një, është dhunuar Kodi i Venecias për praktikën e zgjedhjeve të mira.

Është dhunuar ODIHR dhe Kodi i Venecias për parandalimin e keqpërdorimit të administratës dhe burimeve të tij, janë dhunuar direktivat e Këshillit të Europës për zgjedhjet”.

Kryetari i PD akuzoi Kryeministrin Edi Rama për blerje votash.

“Ne hymë në zgjedhje pasi në mes të zgjedhjeve një javë para datës së zgjedhjeve, në Valencia 82 parti politike damkosën zgjedhjet si zgjedhje në të cilat Edi Rama po blen vota me mbjellje kanabisi, me prokurime, me banditë. Janë të shkruara e zezë mbi të bardhë.

U faktua se u zhvillua një farsë elektorale. Ne zbatuam me përpikmëri Kushtetutën e vendit.

Ne mbrojtëm votën e shqiptarëve dhe u bëmë shqiptarëve një shërbim”, tha Sali Berisha.

Humbi zgjedhjet parlamentare, Berisha: Kur del në fushë me makinerinë e shtetit, kjo është farsë

Humbjet e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ka bërë që kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, t’i quajë këto votime si të vjedhura, apo ndryshe siç i cilëson ai dhe forca e tij politike, si farsë elektorale.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Berisha ka vijuar me akuzat se zgjedhjet ishin të “vjedhura”, duke u shprehur se partia në pushtet, pra socialistët me në krye Edi Ramën, kanë përdorur të gjitha burimet shtetërore në favor të tyre. Kryedemokrati tha se duke përdorur burime të tilla, e kanë kthyer 11 majin si një farsë elektorale, e jo më zgjedhje demokratike.

“Çfarë janë zgjedhjet? Është një garë mes disa lojtarëve. Nëse një lojtar del në fushë me të gjithë makinerinë e shtetit, ku ka për komisionerë dhe operatorë punonjës elektoral administratën, ku ka të gjitha burimet e shtetit në dispozicion, ku ka të gjithë financat e shtetit në dispozicion të zgjedhjeve, ku ka në dispozicion të gjitha institucionet e shtetit. I nderuar zotëri, pikërisht kjo është farsa. Këtu s’ka më zgjedhje”, tha Berisha.

I pyetur nga Fevziu nëse e dinte që Partia Demokratike do të humbte zgjedhjet parlamentare, Berisha as nuk aprovoi, por as nuk mohoi, duke u shprehur se një fushatë elektorale ka nevojë për mobilizim dhe motivim. Madje kryedemokrati u shpreh me ironi se Putin merr 80% të votave, por një diktator merr 90%, teksa kujtojmë se Partia Socialiste fitoi 83 mandate ndërsa Partia Demokratike 50 të tilla.

Berisha: Putini merr 80% të votave, diktatorët 90%. Ka një dallim. Besoj se detyra e opozitës është të faktojë qytetarëve se ç’po ndodh në vend. Ne e faktuam, me zërin e të gjitha partive të djathta në botë.

FevziuJu e dinit që do humbnit zgjedhjet?

BerishaEdhe një herë. Unë jam personi që kam deklaruar se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Pse?

FevziuJu thatë që do fitojmë. Të kam pyetur, më ke thënë është si të bjerë borë, e ra borë sipër çudi.

BerishaNëse ti mendon se do bësh fushatë e do thuash s’do fitojmë… Ti do mobilizosh, ti do motivosh, apo jo?

Sali Berisha: Rama fitoi 28 mandate me bandat kriminale

Sali Berisha i konsideron farsë elektorale zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Në intervistën për emisionin Opinion në Tv Klan, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi Partinë Socialiste se ka fituar 28 mandate deputetësh në bashkëpunim me bandat kriminale.

Blendi Fevziu: A i gjeni vetes një gabim tuajin në këto zgjedhje?

Sali Berisha: Kujt ia shtron ti këtë pyetje? Nuk ka diskutim që unë gabime të përditshme bëj. Cilat janë ato do analizohen. Tani po merrem me mbrojtjen e votës. Këto zgjedhje nuk njihen. Është farsë. 28 mandate kanë marrë me banda.

Berisha: PD ofroi kandidatët më të mirë në gjithë ekzistencën e saj

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shprehet se të gjithë kandidatët demokratë kanë qenë të pranishëm në fushatë.

Në studion e “Opinion” në Tv Klan drejtuesi, Blendi Fevziu shprehet se nëse PD do të nxirrte në lista kandidatë që do të mblidhnin vota dhe do të frymëzonin njerëzit, rezultati i zgjedhjeve mbase nuk do të ishte ky.

Lidhur me këtë, Berisha thekson se të gjithë kandidatët e Partisë Demokratike kanë punuar në fushatë. Kreu i PD-së thotë se në këto zgjedhje i janë servirur Tiranës kësaj here nga Partia Demorkatike kandidatët më të mirë në të gjithë ekzistencën e saj.

Blendi Fevziu: Zoti Berisha po si shpjegohet që njerëz të cilët në fushatë elektorale lanë impresionin e njerëzve që punuan dhe bënë fushatë Jorida Tabaku, Ilir Alimehmeti, Bardh Spahia, morrën vota po aq sa kandidatët socialistë më të mirë që ishin edhe ministra edhe kishin qeveri pas shpine. Ilir Alimehmeti pa asnjë ditë në Parlament ka marrë gati 17 mijë vota. Bardh Spahia në Shkodër impresionues rezultati i tij.

Sali Berisha: Si mund të krahasosh ti Jorida Tabakun dhe Ilir Alimehmetin me Blendi Gonxhen?

Blendi Fevziu: Jo jo, të thashë kanë marrë vota sa qeveria, ministrat.

Sali Berisha: Po se ministra ka marrë Blendi Gonxhe…

Blendi Fevziu: Po mir sa Blendi Gonxhja dhe Erion Braçe. Po tani Jorida Tabaku nuk kanë as vota krimi dhe as si thoni ju…Kjo do të thoët që po punove merr vota.

Sali Berisha: Kush tha? Unë s’po them që nuk merr vota. Nuk them se nuk janë 520 mijë vota. Unë po them që farsat nuk fitohen.

Blendi Fevziu: Patjetër, por janë vota. Nëse do të nxirrnit njerëz që do të mblidhnin vota, do të mobilizonin njerëz dhe do të frymëzonin, rezultati padyshim nuk do të ishte ky. Do fitonte Rama prapë, por rezultati nuk do të ishte ky.

Sali Berisha: Unë do të them një gjë. Jam gati t’i kap një për një kandidatët e listës së hapur.

Blendi Fevziu: Cilin pe në fushatë nga ato kandidatë, hiq Belindin se ka qenë?

Sali Berisha: Të gjithë kanë qenë në fushatë. Unë të them që s’di njeri që nuk ka qenë në fushatë. Po të duash i marrim një nga një. I janë servirur Tiranës kësaj here nga Partia Demorkatike kandidatë më të mirë në të gjithë ekzistencën e saj.

Blendi Fevziu: Kush?

Sali Berisha: Ja urdhëro Erisa Bajaziti.

Blendi Fevziu: Erisa Bajaziti ishte në listë të hapur, unë po flas për lindën e mbyllur.

Sali Berisha: Edit Harxhi, Ilda Zhulali.

Ndërkohë Berisha ndër të tjera thekson se çdo kandidat i Partisë Demokratike përfaqësonte një personalitet të vërtetë, teksa kandidatët e Partisë Socialiste i quajti ‘hajdutë me çizme’.

“Nga ana cilësore secili prej tyre përfaqësonte një personalitet të vërtetë. Kundërshtarët e tyre secili përfaqësonte një hajdut me çizme”, shprehet Berisha. 

Çfarë i solli koalicioni? Berisha: Nëse do të ishin Shehaj e Lapaj…

Në intervistën në “Opinion” në Tv Klan, në një analizë për Partinë Demokratike pas zgjedhjeve të 11  majit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u pyet për Aleancën për Shqipërinë Madhështore. Ai tha se mandatet i mori mbi bazën e rakordeve të mëpasrshme elektorale.

Një pikë tjetër ku u ndal ishin partitë e reja, “Mundësia” e Agron Shehajt dhe “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt. Berisha thotë se bëri përpjekje për t’i bashkuar në koalicion dhe nuk arriti t’i bindte.

Blendi Fevziu: Koalicioni çfarë ju solli? Përveç riciklimit të një numri kryetarësh partie që kanë 30 vjet që rrinë po aty, as kanë parti fare njëherë, vetëm negociojnë në vendin e tyre, çfarë ju solli? Ju mori 10 mandate nga 50 që keni gjithsej dhe nuk solli as vota.

Sali Berisha: A mund të jap një përgjigje këtu? Ato mandate i mori mbi bazën e rakordeve elektorale.

Blendi Fevziu: Të dikurshme?

Sali Berisha: Të mëparshme, për shembull po marrim cilën të duash ti mbi bazën e rakordeve elektorale të viteve të fundit dhe unë them një gjë, kriter tjetër për të bërë koalicionin përveçse t’u diktosh pse shkon, pse s’vjen, nuk ka. Ti merr Partinë e Lirisë, kishte 118  mijë vota dhe mori 4 vende.

Blendi Fevziu: Sa ç’kishte.

Sali Berisha: Por kishte një bindje deputeti që i binden deputetit 25 mijë vota.

Blendi Fevziu: Sot Adriatik Lapajt i ka rënë deputeti 67 mijë vota.

Sali Berisha: Ky është gabimi i tij se në qoftë se do të ishte në koalicion Adriatik Lapaj siç u ofrua dhe në qoftë se Agron Shehaj vinte…

Blendi Fevziu: Duhej të ishte, por a bëtë ju përpjekje për t’i marrë këta të dy në koalicion?

Sali Berisha: Bëra përpjekjet e mia.

Blendi Fevziu: Se ata pretendojnë që jo.

Sali Berisha: Nuk është e vërtetë. Edhe haptazi, edhe direkt.

Blendi Fevziu: Shehaj ka thënë që nuk shkoja për çështje parimi, por Lapaj nuk bindej. A e dini ju sa mandate ju kanë hequr?

Sali Berisha: Cili ishte rezultati i tyre? Rezultati i tyre është baras me Tom Doshin. Njeriu duhet të jetë… në qoftë se ka qëllim interesin publik, duhet t’i përmbahet. Ata i hoqën opozitës 5-6 deputetë.

Blendi Fevziu: Ju e dinit që do t’ju hiqnin deputetë. Kjo ishte matematika më e thjeshtë e mundshme.

Sali Berisha: Por ata s’erdhën, nuk pranuan.

Blendi Fevziu: Por edhe ky është dështim i Partisë Demokratike, duhet t’i bindnit.

Sali Berisha: Ata  nuk janë fëmijë që t’i bindë Partia Demokratike. Agron Shehaj iku nga Partia Demokratike, kurse ai kishte rrugën e vet.

“Farsa më e turpshme”, Berisha: Zarfat e diasporës u mbushën në Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një akuzë sa i takon votës së diasporës.

Berisha në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan është shprehur se zarfat e votës nga jashtë janë mbushur në Shqipëri. Kreu i demokratëve ka akuzuar Postën Shqiptare si të përfshirë në këtë proces.

Berisha ndër të tjera theksoi se vota e diasporës është një e drejtë kushtetuese, por kjo u shkel nga kryeministri, Edi Rama.

Lideri demokrat thotë se  kompania postare ndërkombëtare DHL shkeli garancinë në mënyrë të prerë.

Sali Berisha: Diaspora është farsa më e turpshme në historinë e një vendi. Ka patur një kontratë me DHL, një kompani me reputacion ndërkombëtar private. Kompania ka pasur një kusht nga ne, në kontratë, asnjë nënkontraktor. Tani, të lutem një minutë sepse kanë ardhur të gjitha janë mbushur nga e para 90% e tyre.

Blendi Fevziu: Ku janë mbushur? Janë mbushur këtu?

Sali Berisha: Këtu. Sigurisht këtu. Në zyrat e Postës Shqiptare, e ke marrë vesh që ka marrë pjesë Posta Shqiptare. E ka deklaruar vetë Ilirjan Celibashi.

Blendi Fevziu: Posta Shqiptare?! Po si i ka mbushur Posta Shqiptare letrat?! Ku i gjeti letrat e votimit?

Sali Berisha: Kush ja dha? Partia nënë. Posta Shqiptare është segment i Partisë Socialiste. Prandaj po flasim për shtetin ne.

Blendi Fevziu: Po si do të fusi Posta Shqiptare, letrat e votimit janë të skanuara me kod sigurie e të gjitha?

Sali Berisha: Atëherë më fal a më the këtu të numëruara 12 mijë e 219 zarfa. Totali që duhet të ishin 11 mijë e 800, pra shtohen nja 400 e ca. Vazhdojmë më tutje. Të numëruara…

Blendi Fevziu: Ju përse e vendosët njëherë votën e diasporës?

Sali Berisha: Ajo është e drejtë kushtetuese e tyre. Se Edi Rama dhunon votën e tyre është punë e tij.

Blendi Fevziu: Po më çfarë garancie ratë dakord ju?

Sali Berisha: Garancia u shkel. Garancia kryesore ishte një, dorëzimi i zarfeve në dorë. Dy, posta DHL dhe asnjë tjetër nënkontrakorë të gjitha këto u shkelën në mënyrë të prerë.

Ka shanse që të vini më në pushtet? Berisha: PD nuk fiton në farsë! Kemi dy plane…

E ndërsa për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, zgjedhjet e 11 majit janë thjesht një farsë elektorale, ai shton se fitimi forcës së tij politike nuk mund të vijë nga kjo “farsë”.

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Berisha u shpreh sikurse herë të tjera që PD-ja nuk i njeh këto zgjedhje, e se kërkon një qeveri teknike.

Për kryedemokratin ekzistojnë vetëm dy plane, ai i mbrojtjes së votës së lirë siç shprehet ai, e se dyti, krijimin e një qeverie teknike. Por sa do e arrijë Berisha një gjë të tillë? Kjo nuk është e qartë, sepse vetë kryedemokrati shprehet se do e detyrojë partinë në pushtet ta pranojë këtë kërkesë të tij, por mënyra se si nuk sqarohet.

FevziuA ka ndonjë shans PD të vijë më në pushtet?

BerishaPD dhe asnjë parti në botë, në farsë nuk fiton.

FevziuPo si do bëni?

Berisha: Nuk fiton!

FevziuSi do fitoni?

BerishaKa mënyra të tjera.

FevziuQë janë?

BerishaNëse Edi Rama është i vendosur të mbajë në çdo çmim karrigen, shqiptarët do luftojnë me çdo çmim për votën e lirë.

FevziuPo si? Njerëzit ju ngrihën më për protesta?

BerishaTani, njerëzit… Çfarë po bëjmë ne? Ne po mbrojmë votën para shqiptarëve dhe botës, çka nuk është bërë më përpara. Po të ishte bërë në 2021, nuk ishte kaq në shkallë, por kishte motive, nuk do ishim sot këtu. Po të ishte bërë në 2021, sot…

FevziuAtëherë, cili është plani juaj?

Berisha: Plani im është ky. Do të përfundojmë këtë proces me sukses, të mbrotjes së votës. Plani tjetër, nuk njohim zgjedhjet dhe krijimin e një qeverie teknike për zgjedhje të lira.

FevziuPo s’ua jep këtë.

BerishaPo s’i dha, ne do bëjmë çdo gjë ta detyrojmë.

Misioni i Berishës pas humbjes së 11 majit: Do të bëj gjithçka për t’u rikthyer votën shqiptarëve!

Drejt fundit të intervistës për “Opinion” në Tv Klan, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se pas  zgjedhjeve të 11 majit do të ndjekë hapa për të mbrojtur votën e lirë. Gjatë gjithë bisedës në studio, ai i konsideroi këto zgjedhje si “farsë elektorale” dhe është i bindur se këtë proces do ta realizojë me sukses.

Sali Berisha: Ne vazhdojmë përpjekjen tonë ndërkombëtare, pse ndërkombëtare? Sepse zgjedhjet janë procees sa kombëtar, aq dhe ndërkombëtar. Është e vërtetë që ne do të shkojmë pranë gjithë parlamenteve europiane të vendeve të lira, Kongresit të Shteteve të Bashkuara, pranë ministrive të jashtme të këtyre vendeve, pranë ambasadave të akredituara pranë institucioneve ndërkombëtare dhe do të paraqesim, do të mbrojmë votën e qytetarëve shqiptarë. Ky proces do të kurorëzohet me sukses. Kjo nuk e zgjidh, problemi nuk zgjidhet vetëm me faktorin ndërkombëtar. Do të rikthehemi që Partia Demokratike është e aftë të bëjë çdo analizë dhe të marrë çdo vendim, por një gjë: Nuk do të mund të  përdorë kush favoret e farsës.

Berisha pranoi se Partia Demokratike ka nevojë për ripërtëritje, por nuk dha një përgjigje të qartë se çfarë do të ndodhë me drejtimin e selisë blu. Ai përsëriti se “është në një mision” që e cilëson “më të rëndësishëm e të vështirë” dhe “do të bëjë gjithçka që ta arrijë”.

Blendi Fevziu: A e mendoni të tërhiqeni vetë?  Jo nga partia, sepse unë kam bindjen që tërheqja juaj nga partia mund të krijojë një kaos në PD, por a mund të lini një garë për një drejtues të ri të ardhshëm të garës elektorale?

Sali Berisha: Sali Berisha është në një mision, nuk kam asnjë interes personal unë, por një mision pothuajse më i vështirë dhe i rëndësishëm se ai i ‘91, për t’u rikthyer votën shqiptarëve.

Blendi Fevziu: Sa kohë mund t’ju marrë ky rrugëtim?

Sali Berisha: Unë do të bëj gjithçka ta arrij. Unë një gjë them, po ta dija që nuk e arrij nuk e ndërmarr. Kam një gjykim gjakftohtë në këtë mes dhe unë jam i bindur që do ta arrij.

Berisha tha se duhet të jemi të gatshëm “të paguajmë çdo çmim” për këtë dhe shpreh besimin se qytetarët do ta ndjekin.

Sali Berisha: Në qoftë se ai kërkon të mbajë me çdo kusht pushtetin, ne duhet të paguajmë çfarëdo çmimi për votën e lirë.

Blendi Fevziu: Cili është çmimi?

Sali Berisha: Çdo çmim! Ne s’dorëzohemi kurrë pa këtë votë të lirë.

Blendi Fevziu: Por për këtë çmim duhet t’ju ndjekin mbrapa qytetarët, mendoni se do ju ndjekin?

Sali Berisha: Unë kam besim se po!

/tvklan.al