Opinion – Sali Berisha

Opinion – Sali Berisha

Autori: Blendi Fevziu

20:44 12/09/2019

Ish-Kryeministri përballë gazetarëve Juli Xhokaxhi, Mentor Kikia, Andi Bejtja dhe Lorenc Vangjeli.

Berisha: Një koalicion PS-PD, goditje për demokracinë

“Goditje mëshiruese” e ka konsideruar ish-Kryeministri Sali Berisha mundësinë e një koalicioni mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, i pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse ka mundësi që të ndodhë ky koalicion, ish-Kryeministri Berisha u përgjigj prerë se kjo do t’i jepte goditje të madhe demokracisë në Shqipëri nëse do të ndodhte.

Blendi Fevziu: A ka mundësi për një koalicion mes PS dhe PD?

Sali Berisha: “Në të gjithë vlerësimin tim, një koalicion i tillë do të ishte asgjë tjetër veçse goditja e mëshirës për sistemin shqiptar, se s’mund ta quajmë demokratik, por goditje e mëshirës për ta varrosur përfundimisht atë që deri dje quhej demokraci por që sot është narkoshtet dhe një koalicion i tillë do të shuante çdo shpresë tek shqiptarët për të rimarrë rrugën e ligjit. Standardet këtu kanë marrë fund. Problemi është këtu, ka dhe më keq. Se nëse do bëhej një koalicion, ateherë do të përjetohej çelnikosja e këtij narkoshteti, e kësaj kakistokracie. Opozita nuk mund të bëjë asnjë hap të vetëm, duke patur PS, partinë e cila krijoi këtë situatë dhe në mënyrë të paimagjinueshme dhe ajo ka vetëm një rrugë, largimin e saj me vullnetin politik të shqiptarëve”

Reforma zgjedhore, ish-Kryeministri Berisha: Jam për sistemin proporcional

Reforma e thellë zgjedhore shihet si zgjidhja për daljen nga kriza politike që ka kapur vendin prej disa muajsh.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ish-Kryeministri Sali Berisha u pyet nga gazetari Mentor Kikia se cili sistem do të zgjidhë krizën politike përfundimisht në Shqipëri.

Berisha tha se preferon sistemin proporcional, që është aktualisht. Ish-Kryeministri mbrojti edhe e vitit 2008 me Edi Ramën, kur ky i fundit ishte kryetar opozite në atë kohë.

Thellë-thellë në shpirt, unë absolutisht jam për proporcional, nuk jam për atë të hapurin. Më i drejtë proporcionali është. Nuk jam penduar për marrëveshjen e 2008, sepse këta po e demonizojnë. E ka Spanja, e ka Greqia, e kanë disa vende. Të jesh i bindur që lista e hapur ta bën Parlamentin dhomë tregtie, minimumi”, tha ish-Kryeministri Sali Berisha.

Berisha: SHISH nuk i jep Presidentit raportin real të drogës

“A e dini ju se një raport për drogën, ka një përhapje të jashtëzakonshme këtë vit dhe çfarë ndodh. Shërbimi Informativ Kombëtar raportin që i dërgon Kryeministrit ja fsheh Presidentit.

Duke qenë se “u dogji” herën e parë raportin që ja dërgoi Presidentit dhe mori dhenë se 130 oficerë të lartë policie janë angazhuar në lidhje droge. Tani Shërbimi e ka bërë raportin e saktë dhe me korrektesë por i ka çuar raport tjetër Presidentit”.

Ndërsa lidhur me deklaratën e Presidentit Ilir Meta se kishte informacion se në datë 8 Qershor do të digjej Kuvendi, Berisha tha se edhe pse i duket si një lajm i vjetët, Sherbimi Informativ ka bërë detyrën.

“Nëse oficeri dixhital që e çonte këtë lajm e çon që unë t’ja bëj publik dhe unë nuk kam si të mos e bëj publike. Këta i çojnë Presidentit që do të digjet Parlamentit dhe nuk bëjnë gabim. Pavarësisht se më duket si një lajm i vjetër dhe e kanë për detyrë por këtë që janë me qindra e qindra fshatra nga Konispoli deri në Alpe me parcela masive me kanabisi”.

I pyetur nga analisti Lorenc Vangjeli nëse raportin për djegien e Kuvendit janë kanë fshehur dhe kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, ish kryeministri Berisha tha se, “Jo, atë raport unë nuk e di, por besoj se Presidenti e ka raportin dhe nuk mund të shpikë një raport të tillë”.

Berisha: Vendi në një qetësi para shtrëngatës

Situatën në vend ish kryeministri Sali Berisha e përshkoi si një periudhë qetësie para një shtrëngate shumë të madhe.

Nga studio e emisionit “Opinion”, Berisha tha se termometri i pakënaqësisë është shumë i lartë.

Sali Berisha: Nëse ka regjim të kalbur dhe njeri të kalbur sot në  Europë është regjimi i Edi Ramës dhe Edi Rama.

Lorenc Vangjeli: Mos ndoshta prisni Vjeshtën dhe Dimrin ku thuhet s mund të ndodhi gjëra të çuditshme në Tiranë, kam parasysh veprimin e Reformës në Drejtësi që nëse nuk ofron drejtësi siç kërkohet të paktën ofron ndëshkim? Mos ndoshta është ky mjeti në mungese të votës për të ndryshuar situatën këtu?

Sali Berisha: Në vlerësim tim vendi ndodhet në një periudhë qetësie para një shtrëngate shumë të madhe. Është një qetësi që po vlon. Termometri i pakënaqësisë shënon temperaturat me të larta të pakënaqësisë së njerëzve”.

Berisha zbulon dy negociatat: I ka refuzuar Rama

Për zgjidhjen e krizës politike, gjatë muajit Qershor ka patur tentativa për negociata nga Gjermania. Kështu ka deklaruar ish-Kryeministri Sali Berisha i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

I pyetur nga gazetarët nëse ka aktualisht negociata për marrëveshje, Berisha mohoi që të ketë, por zbuloi se dy palë negociata gjatë Qershorit me iniciativë nga pala gjermane, janë refuzuar nga Kryeministri Edi Rama.

“Nuk di të ketë filluar asnjë marrëveshje, asnjë negociatë. Nuk di, mund të ketë. U bënë tentativa. Dy herë i ka refuzuar Edi Rama. I ka refuzuar gjatë Qershorit. Janë bërë nga gjermanët. Dy herë janë refuzuar“, deklaroi Sali Berisha në “Opinion”.

Berisha: Vendimi për djegien e mandateve, jo i imi

I drejtë apo i gabuar vendimi i opozitës për të djegur mandatet, Sali Berisha thotë se kishte kosto. Megjithatë, ish-Kryeministri shprehet i bindur se këtë vendim nuk e ka marrë ai, por kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Sali Berisha deklaroi se kur u mor ky vendim, e ka pohuar edhe publikisht që mund t’i jepte fitoren PD-së, por mund ta rrëzonte edhe në greminë.

Sipas Sali Berishës, Partia Demokratike në këtë moment nuk është as në greminë dhe as në fitore.

“Mos presësh kurrë që unë të luaj rol të fortë në vendime të rëndësishme, do dilja jashtë karakterit tim nëse do bëja një gjë të tillë. Ai (Lulzim Basha) duhet t’i dalë zot vendimit. Po më pyet, kam mendimin tim. Unë e kam mbështetur këtë, sikundër kam thënë ky vendim mund ta çojë në fitore, sikundër mund ta çojë në greminë, në vetëvrasje. Nuk jemi as në fitore as në greminë, jemi në një moment qetësie para një rrebeshi të fuqishëm”, tha Sali Berisha.

Blendi Fevziu: A mendoni që opozita ka gabuar që dogji mandatet?

Sali Berisha: E para, jam i vetëdijshëm që ndërkombëtarët nuk mund ta mbështesin këtë gjë. Nuk mund të kërkosh dhe të presësh prej tyre atë që ata s’mund ta bëjnë. Por ka një gjë. Opozita duhet të paraqesë përpara ndërkombëtarëve të gjithë gjendjen dramatike të zgjedhjeve në Shqipëri dhe problemin e votës me Edi Ramën.

Blendi Fevziu: Ja ka arritur kësaj?

Sali Berisha: Pjesërish, jo plotësisht!

Blendi Fevziu: Pra, ka qenë i gabuar vendimi i djegies së mandateve? A i dha më shumë kosto opozitës?

Sali Berisha: Po, pa diskutim! Nuk them që s’ka patur.

Blendi Fevziu: Po roli juaj personal në këtë vendim, ka qenë i fortë z.Berisha? Apo keni qenë abstent?

Sali Berisha: Absolutisht jo i fortë. Mos presësh kurrë që unë të luaj rol të fortë në vendime të rëndësishme. Jam i tërhequr. Do të dilja jashtë të gjithë karakterit tim në qoftë se do bëja një gjë të tillë. Ai duhet t’i dalë zot vendimit, ai ka përgjegjësi, ai ka që të gjitha. Unë i kam lënë përgjegjësit e mia. Nuk mundet kurrë që unë t’i lejoj vetes një gjë të tillë. Po më pyet, jap mendimin tim.

Blendi Fevziu: Dhe cili ishte mendimi juaj?

Sali Berisha: E kam mbështetur këtë, sikundër kam theksuar që ky vendim mund ta çojë në fitore por mund ta çojë dhe në greminë, në vetëvrasje. Unë i kam thënë këto.

Blendi Fevziu: Dhe në këtë moment ku ndodheni?

Sali Berisha: Nuk jemi as në fitore, as në greminë. Jemi në betejë e sipër. Jemi në një moment qetësie para një rrebeshi të fuqishëm. 

Berisha: Takohem me Metën, por nuk ndikoj në vendimet e tij

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu lidhur me marrëdhënien me Presidentin Ilir Meta, Sali Berisha tha nga studio e “Opinion” në Tv Klan se ata takohen, madje jo vetëm në zyrë, por dhe pinë kafe, por nuk ndikon në vendimet e tij.

Blendi Fevziu: A ka një rakordim mes opozitës dhe Presidentit, dhe mes jush personalisht dhe Zotit Meta. Dhe a ka shërbyer në njëfarë mënyrë Presidentit si një lojtar ndihmës i opozitës në këtë situatë. Është folur se keni qenë një drekë me Zotin Meta?

Sali Berisha : Jua garantoj se takohem me Zotin Meta, pa asnjë diskutim, mund të shkoj në zyrën e tij, mund të dal të pi kafe, nuk kam asnjë problem, por që ti kemi ndikuar në vendime në mënyrë kategorike jo. Më ka thirrur vetëm një herë, kur ka thirrur dhe ish presidentët e tjerë, kur kishte një problem, kaq ka qenë dhe asnjëherë tjetër. Por nuk gjykoj se Presidenti ka rakorduar me opozitën, por gjykoj se për presidentin dhe çdo politikan të përgjegjshëm kalimi nga pluralizmi në monizëm, përbën një tragjedi të vërtetë kombëtare dhe unë e e kam provuar vetë këtë..

Kur Edi Rama nuk po hynte në zgjedhje në 2007 absolutisht unë mendoja sesi unë ti shtyja dhe 1 vit zgjedhjet, nuk shkoja në zgjedhje lokale. Unë nuk kisha në dorë se isha kryeministër dhe Presidenti (Alfred Moisiu) luajti rol pozitiv. Por nëse Presidenti luajti rol pozitiv ishte sepse qeveria i shkoi atij në takime, unë i dërgova përfaqësues, kurse Edi Rama nuk i shkoi. Sepse Presidenti i ftoi palët. 

Dekoratë për Ramën? Berisha: Do t’i premtoja një ngjalë

Për premtimin që bëri Presidenti Ilir Meta për të dekoruar Kryeministrin Edi Rama me Urdhrin e Skënderbeut nëse hapen negociatat me Bashkimin Europian, Sali Berisha ka një sugjerim tjetër.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ish-Kryeministri tha se do t’i premtonte ngjalë nëse do të ishte në vend të Ilir Metës.

Megjithëse, u shpreh i bindur se Rama nuk do të marrë asnjë dekoratë pasi nuk do të hapen negociatat ose do të hapen me kushte.

Blendi Fevziu: Jeni dakord që nëse hapen negociatat të dekorohet me Urdhrin e Skënderbeut, Edi Rama?

Sali Berisha: Edi Rama mori një dekoratë nga Aleksandar Vuçiç, urdhrin e Esat Toptanit. Ai mund të marrë një dekoratë tjetër, Urdhrin e Zografit.

Blendi Fevziu: Do bashkoheshit ju me Presidentin për t’ia dhënë me zemër këtë titull po të merrte hapjen e negociatave?

Sali Berisha: Po nuk merr ai. Nuk e merr. E merr me kushte. E merr siç ishte tjetra.

Blendi Fevziu: Dekoratën do ia jepni apo jo?

Sali Berisha: Kujt?

Blendi Fevziu: Ramës! Po hapi negociatat. Domethënë ja jep Presidenti, ju me zemër a do ta mbështesni?

Sali Berisha: Tani, në fakt të kisha qenë në vend të Ilir Metës i premtoja një ngjalë dhe jo një dekoratë. Ngjalë, kaq meriton.

Blendi Fevziu: Ngjalën e hëngrën njëherë ata. /tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

20:44 12/09/2019
KPT
KPT
UKT