#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar: Sali Berisha, Lorenc Vangjeli, Robert Rakipllari, Ervis Iljazaj, Alba Alishani

A do ishte takuar me McGonigal? Berisha: Do ta ftoja të pinim kafe, por kurrë nuk do t’i thoja heto Edi Ramën

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është i ftuar sonte në “Opinion” në Tv Klan për të diskutuar një sërë çështjesh politike. Aktualisht, mes tij dhe të ftuarve të tjerë po diskutohet takimi i ish-shefit të FBI, Charles McGonigal me kryeministrin Edi Rama. Berisha pranon se nëse gjatë kohës që ai ushtronte funksionin e kryeministrit të vendit ka takuar zyrtarë të nivelit të lartë të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), por jo të FBI. Megjithatë, dera e zyrës së tij do të qëndronte e hapur edhe për një zyrtar të lartë si McGonigal.

Sali Berisha: Secili nga ne që jemi këtu, në qoftë se 5 vite më parë do më thoshte dikush që ky është shefi i… ose do paraqitej i tillë dhe është paraqitur i tillë, i Shërbimeve, “urdhëro, mirëserdhe bujrum”

Robert Rakipllari: Ju kur keni qenë kryeministër, s’keni takuar zyrtarë të lartë të këtij niveli?

Sali Berisha: Kur kam qenë kryeministër kam takuar zyrtarë shumë të lartë të CIA-s, jo të FBI. Në dijeninë time, asnjëherë sepse nuk kanë ardhur dhe në atë periudhë…

Robert Rakipllari: Pak a shumë të njëjtit nivel janë.

Sali Berisha: Në fakt se kush është më shumë nuk them, por që nga pikëpamja numerike, më e fuqishme në SHBA është kjo. Jashtë SHBA është CIA. Ky ka qenë personi në FBI që ka patur aksesin më të madh në CIA, e sigurtë kjo.

Blendi Fevziu: Zoti Berisha, nëse dikush në vitin 2017 do t’ju telefononte dhe do t’ju thoshte që Charles McGOnigal, shef i kundërzbulimit të FBI për distriktin e Nju Jorkut, do të vijë të pijë një kafe se është në Tiranë, do t’i thonit jo?

Sali Berisha: Do ta ftoja me kënaqësi të pinim kafe, por kurrë nuk mund t’i imagjinoja që t’i thoja heto Edi Ramën.

Berisha për Dorian Duçkën: Kam shumë të dhëna për të, pas tij qëndrojnë grupe të fuqishme…

Dorian Duçka është një nga personazhet më të diskutuar ditët e fundit pas arrestimit të ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal.

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sonte në “Opinion” në Tv Klan se nuk e ka takuar asnjëherë Duçkën, duke e cilësuar këtë të fundit si një nga figurat më të errëta të mafies ndërkombëtare.

Berisha tha se implikimi sipas tij i Dorian Duçkës në këto procese korruptive, referuar çështjes së “McGonigal”, do të vërtetohet shumë shpejt. “Kam shumë të dhëna për të“-theksoi kryedemokrati.

Blendi Fevziu: E keni takuar ndonjëherë Dorian Duçkën?

Sali Berisha: Jo asnjëherë!

Blendi Fevziu: Ai është i afërt familjar me krerët e Partisë së Lirisë në mos gaboj, me zotin Meta në mos gaboj kushëri i parë.

Sali Berisha: Afërsia familjare është një anë…

Blendi Fevziu: Po jam dakord, nuk ka të bëjë…

Sali BerishaPo, kam shumë të dhëna për të dhe ai përbën një figurë nga më të errëtat të mafias ndërkombëtare. Ata që qëndrojnë mbrapa tij janë grupe shumë të fuqishme që kanë synuar korruptime në nivelet më të larta të elitës perëndimore. E vërteta është se Dorian Duçka, këshilltari privat i Edi Ramës ka të dhëna të padiskutueshme që është i implikuar në këto procese dhe ato do të dalin.

“Opinion” | Berisha-Ramës: Bëhu burrë dhe hajde 5 minuta këtu, trego sa të vlen lëkura

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Ai i ka kthyer përgjigje deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili është shprehur se do të refuzojë të përfshihet në debate me një opozitë, e cila sipas tij, është në nivel etik të frikshëm. Berisha duke iu drejtuar drejtuesit të emisionit “Opinion”, Blendi Fevziut, i cili lexoi deklaratën e Ramës, tha: Bëhu burrë thuaji, hajde vetëm 5 minuta dhe trego sa të vlen lëkura.

Blendi Fevziu: Zoti Rama sapo thotë që “unë nuk do ta përsëris, nuk kam çfarë të them, por duke qenë se sot refuzova të jem, do refuzoj të jem në mënyrë të vazhdueshme jo për çështje konkrete, por në tërësi të jem në sallë të Kuvendit dhe të përfshihem me disponim në debat me një opozitë e cila është në nivel etik të frikshëm”. “Për fat të keq më ka tërhequr edhe mua ndonjëherë në atë nivel”, thotë. Pra ju e keni bërë të keq dhe Ramën.

Sali Berisha: Thuaji pak, bëhu burrë dhe hajde 5 minuta këtu. Bëhu burrë thuaji, hajde vetëm 5 minuta dhe trego sa të vlen lëkura.

Blendi Fevziu: Rri se mos vjen.

Sali Berisha: Të bëhet burrë dhe të ballafaqohet me Luçiano Boçin në studion te Grida Duma.

Blendi Fevziu: Nga ana tjetër thotë, “zyrtarin e FBI e kam takuar me kërkesën e tij në zyrë. Kemi pasur bashkëbisedim miqësor në terma krejt të përgjithshëm. Më ka treguar që puna e tij ka në fokus influencën ruse. Më ka folur dhe kemi folur për rajonin. Takimet e tjera kanë ardhur ose si rezultat i pranisë së tij këtu ose pranisë sime në SHBA. Më ka ftuar në zyrat në Nju Jork ku jam takuar dhe me kolegë të tjerë të tij. Nuk shoh asgjë të jashtëzakonshme, një marrëdhënie krejt normale që nuk është e vetmja që kam me përfaqësues të agjencive të ndryshme”.

Sali Berisha: Pyete, e ka takuar në Nju Jork apo në Tiranë Deripaskën?

Blendi Fevziu: Rama? Nuk e ka takuar Deripaskën. Zoti Berisha, Deripaska nuk ka ardhur në Shqipëri.

Sali Berisha: Kush tha?

Blendi Fevziu: Deripaska nuk ka ardhur në Shqipëri. Edhe në Mal të Zi që ka një vilë sa gjysma e Shqipërisë ka qenë një herë dhe Deripaska nuk shkel në Nju Jork se është i sanksionuar që në 2014.

Sali Berisha: Deripaska ka 6 kompani, është investitor strategjik në Shqipëri. Dhe e vërteta është që ka shumë mundësi që jo në një që është publikisht, por në një tjetër që është i fshehur Deripaska ka patur tendera me AlbControl me zonjën Balluku e cila nuk ka çorbë që të mos jetë e përzier. Realiteti. Ka marrë tendera në rrugë, ka marrë tendera nga ujësjellësa. Ajo që ka ndodhur se Deripaska i sanksionuar nga SHBA në vitin 2018 ka vazhduar i qetë në një parajsë veprimtarinë e tij ekonomike gjer në vitin 2022 në Shqipëri. A e ka takuar Edi Ramën apo jo? Unë nuk mund të them. A e ka paguar Deripaka ato 220 mijë Dollarë apo i ka paguar Edi Rama, ato nuk mund të them. Ato janë të gjitha hetime të institucioneve ligjzbatuese të SHBA.

Sali Berisha: McGonigal ka drekuar e darkuar me prokurorë të SPAK-ut

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është në vijim të diskutimit mbi çështjen McGonigal dhe lidhjes së tij me Edi Ramën. Gazetarja Alba Alishani i drejtoi disa pyetje Berishës lidhur me çështjen.

Pyetja e parë e gazetares ishte nëse McGonigal ka zhvilluar takime me njerëz të rëndësishëm të SPAK që kanë ndikuar reformën në drejtësi, nisur nga një deklaratë e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Berisha u përgjigj se nuk mund të japë çdo informacion sepse është ende duke hetuar, por është i sigurt se mes McGonigal dhe SPAK janë zhvilluar takime.

Alba Alishani: Në një intervistë të pak orëve më parë që unë pata me zotin Meta, kishte një pretendim të fortë. Ai më tha një deklaratë, që McGonigal ka takuar njerëz shumë të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare dhe ekzaktësisht  të SPAK-ut, të cilat kanë ndikuar edhe në ecurinë e reformës në drejtësi dhe produktet që ajo ka dhënë. Dua informacionin tuaj dhe shpresoj mos të jeni të rezervuar sepse kjo do të ishte e rëndësishme, a keni informacion ju kush janë këta eksponentë të rëndësishëm në drejtësinë shqiptare që McGonigal paska pasur rastin t’i takojë?

Sali Berisha: Po, tani me gjithë dëshirën që kam të jem transparent, por është absolutisht e sigurtë që ka drekuar dhe darkuar me prokurorë të SKAP-it.

Alba Alishani: Sepse një prej palëve të PD pretendon që SPAK-u duhet ta marrë në duar këtë bisedë të rëndësishme, edhe formalisht i është adresuar.

Sali Berisha: Tani ju më pyetët dhe unë u përgjigja, më vjen keq që s’të jap dot përgjigjen e plotë për të thënë  emrat.

Alba Alishani: Kjo do të thotë që ju nuk e keni informacionin?

Sali Berisha: E kam informacionin, por disa informacione nuk mund t’i bëj publike sepse jam duke hetuar prapë.

Alba Alishani: Megjithëse ashtu si zoti Meta, edhe ju konfirmoni takimet?

Sali Berisha: Me aq sa mundemi se ndonjë hetim të madh mos kujto se bëjmë, por bëjmë diçka. Ai ka drekuar dhe darkuar me prokurorët e SKAP-it. Unë e quaj SKAP, ti e quan SPAK, unë e quaj SKAP.

Alba Alishani: Në funksion të?

Sali Berisha: Prit një minutë. Një kjo. E para.

Alba Alishani: Zoti Meta pretendon që ka devijuar ecurinë e reformës në drejtësi. A është e vërtetë sepse do të ishte e rëndë?

Sali Berisha: Këtu tani do flasim. Ka takuar krerë të institucioneve të drejtësisë. Ka takuar vetorë. Tani, këtu… ky është një rebus, kësaj duhet t’i japë përgjigje drejtësia amerikane. Pse? Kur u pyet Taulant Balla, çfarë tha? I tha “e ke pritur?”, “po”, tha “e kam pritur zyrtarisht, po a kishte ndonjë përfaqësues të ambasadës aty? “Nuk flas më tutje. Tani problemi është se kush e ka dërguar këtë të SKAP-i, si është përdorur ky për SKAP-in, si është përdorur ky për vettingun? Sepse thuhet që janë kaluar vetting-e me ndërhyrjen e tij, këto dolën në hetim. Nuk është serioze për mua.

Robert Rakipllari: Kush do ta hetojë këtë?

Sali Berisha: Jo, hetohet. I heton FBI.

Alba Alishani: Zoti Berisha ka shpresë te drejtësia amerikane, megjithëse unë po pyes për drejtësinë shqiptare.

Sali Berisha: Jo i drejton FBI se SKAP-i tha jo, i tha Gaz Bardhit na sill aktpadinë, nuk mund të hetojë SKAP-i se duhet të hetojë Edi Ramën pra, por këto hetohen, këto dalin.

Çështja “McGonigal”, Kryeministri Rama: Aktakuza nuk flet fare për korrupsionin e askujt. Flet për mashtrim dhe për mosdeklarim

Në studion e emisionit “Opinion”, ku këtë të enjte ishte i ftuar edhe kryedemokrati Sali Berisha, gazetari Blendi Fevziu lexoi reagimin më të fundit të kryeministrit Edi Rama në lidhje me çështjen “McGonigal”. Kreu i qeverisë është shprehur se aktakuza nuk flet për korrupsion të askujt, as të vetë Charles McGonigal, por për mosdeklarim borxhi e takimesh dhe mashtrimesh të ish-zyrtarit të FBI-së.

Blendi Fevziu: Reagim Rama prapë zoti Berisha. Thotë: Aktakuza nuk thotë asgjë lidhur me implikimin tim jo e jo, por korruptiv po ashtu jo. Aktakuza nuk flet fare për asnjë lloj korrupsioni të askujt, as të atij vetë. Flet për mashtrim, për mosdeklarim, nuk flet fare për korrupsion as për vetë atë njëherë. Përmendet emri im për arsyen e thjeshtë që ai dhe unë jemi takuar. Besoj se kjo lidhet me faktin se në fund fare rasti është përkufizuar si një rast mosdeklarimi borxhi dhe mashtrimi dhe mosdeklarimi takimesh, jo me mua, por me të gjithë ata që ka takuar në Ballkan. Se nuk vinte enkas të rrinte në Shqipëri e të ikte në Amerikë. Vinte në Shqipëri, shkonte në Kosovë, Mal të Zi, Bosnjë. Ishte puna e tij.

Ky reagim i Ramës u komentua nga Berisha. Ai u shpreh se në aktakuzën që është publikuar në Uashington Post, emri i kryeministrit përmendet 14 herë. Sipas Berishës, ato që ka nxjerrë prokurori në SHBA janë vetëm maja e ajsbergut.  

Sali Berisha: Problemi është se emri i tij dhe jo i të birit të Mugabes citohet 14 herë në aktakuzë.

Blendi Fevziu: Akuza kryesore është Deripaska. Shiheni…

Sali Berisha: Jo. Jo.

Blendi Fevziu: Edhe kongresmenët janë fokusuar tek Deripaska.

Sali Berisha: Blendi akuza e publikuar siç është në Uashington Post është me 60 faqe. Ajo aktakuzë e publikuar në Uashington Post ka të bëjë vetëm me zyrën e Uashintonit. Në atë aktakuzë emri i Edi Ramës dhe jo i djalit të Mugabes citohet 14 herë dhe jo vetëm kaq. Në aktakuzë thuhet se nga zyra e Kryeministrit shqiptar u mor kjo porosi, u morën këto informacione dhe nga njeriu i kryeministrit shqiptar, oficeri i shërbimeve inteligjente u paguan 225 mijë Dollarë. Se çfarë thonë këta të garantoj një gjë. Që FBI e cila ka që në vitin 2019 që heton çdo gjë, di çdo gjë për këtë. Ato që ka nxjerrë prokurori aty, ato janë vetëm maja e ajsbergut.

Berisha në Opinion: Revolucion nëse PD nuk regjistrohet në zgjedhje

Në studion e emision Opinion, Kryedemokrati Sali Berisha tha se në zgjedhjet e 14 Majit do të shkojë Partia Demokratike e Shqipërisë. Berisha theksoi se PD do të shkojë e vetme në zgjedhje, pa Partinë e Lirisë.

Blendi Fevziu: Zoti Berisha, kush do marrë pjesë në zgjedhje?

Sali Berisha: Do marrë Partia Demokratike e Shqipërisë. Ajo që dihet që është.

Blendi Fevziu: Po nëse ata pyesin gjykatën, kush është regjistruar, në gjykatë është Lulzim Basha, nuk është as Alibeaj…

Sali Berisha: Ne nuk kemi punë tani me gjykatë, nuk kemi punë me askënd tjetër, direkt me Edi Ramën. Ai mendon se mund të na përjashtojë nga zgjedhjet.

Blendi Fevziu: Po si do ia bëni, do hyni bashkë me LSI-në (Partia e Lirisë)?

Sali Berisha: Jo kurrë.

Blendi Fevziu: Kurrë?

Sali Berisha: Me asnjeri nuk marrim pjesë ne.

Blendi Fevziu: Do hyni me logon PD?

Sali Berisha: Ne marrim pjesë ashtu siç na e ka regjistruar gjykata. Dhe këtë do ia faktojmë Edi Ramës, të jesh i bindur.

Blendi Fevziu: Me logon PD do hyni në zgjedhje? E sigurt që nuk hyni me Partinë e Lirisë?

Sali Berisha: Absolutisht jo. Asnjë parti tjetër.

Blendi Fevziu: Do hyni me logon PD?

Sali Berisha: Pa diskutim.

Alba Alishani: Po koalicioni me Partinë e Lirisë?

Blendi Fevziu: Koalicioni Partia e Lirisë është skema e 6 Marsit, është bërë sepse nuk kishte vendim gjykate. Ajo skemë është aplikuar sepse nuk kishim vendimin e gjykatës. Pas vendimit të gjykatës ne kemi të bëjmë vetëm me një person, me një armik që kërkon me çdokush në emër të urrejtjes atërore, mos harrojmë që ai është nipi i Spiro Kolekës, që kërkonte të fuste mitralozët në 90-ën. Është djali i atij që vari kundërshtarin politik në 88. Dhe ky mendon të hakmerret tani. Absolutisht do t’i japim atë përgjigje që meriton pa asnjë hezitim.

Blendi Fevziu: Çfarë do i bëni nëse nuk ju fusin në zgjedhje?

Sali Berisha: Ka një revolucion në zhvillim.

Blendi Fevziu: Çfarë revolucioni?

Sali Berisha: Revolucion për të mbrojtur demokracinë dhe pluralizmin.

Blendi Fevziu: Çfarë revolucioni do bëni zoti Berisha, do shkoni para Kryeministrisë, do brohorisni, do shkoni në shtëpi.

Sali Berisha: Çfarë do bëjmë, ato janë çështje të revolucionit.

Blendi Fevziu: Po ju do bëni revolucion, apo do bëni zgjedhje? Se keni zgjedhje më 14 Maj.

Sali Berisha: Do bëjmë revolucion që të bëjmë zgjedhje. Do bëjmë zgjedhje me çdo kusht.

Blendi Fevziu: Revolucion para zgjedhjeve? Para datës 14 Maj?

Sali Berisha: Jo dhe njëherë, revolucioni është revolucion. Protesta, revolta, mosbindje civile…

Zgjedhjet e 14 Majit, Berisha: Do bëhet gjithçka nëse preket vota

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sot në studion e “Opinion” në Tv Klan se në rast se preket vota në zgjedhjet lokale të 14 Majit atëherë do “bëhet gjithçka”, duke nënkuptuar kështu edhe mosnjohjen e rezultatit.

“Ka një revolucion në zhvillim. Revolucion për të mbrojtur pluralizmin dhe demokracinë. Do bëjmë revolucion që të bëjmë zgjedhje. Zgjedhje me çdo kusht! Jemi demokratë dhe ndajmë shumë gjëra që na bashkojnë më tepër se na ndajnë. Alibeja me Bashën janë pengje të Ramës. Do përdorim çdo gjë demokratike dhe mosbindje civile për të drejtën tonë. Jo mosnjohja e rezultatit por do bëhet gjithçka për prekjen e votës. Ne do të marrim pjesë padiskutim në zgjedhje dhe do t’i fitojmë!”-deklaroi Berisha.

Kujtojmë se PD ka dorëzuar në KQZ dy lista anëtarësh të KZAZ-ve për zgjedhjet lokale të 14 Majit. Kryekomisionieri Ilirjan Celibashi deklaroi me 1 Shkurt se nuk vendos KQZ-ja se cilën listë do të pranojë, por janë institucione të tjera përgjegjëse. Ai theksoi se të gjitha palët duhet të angazhohen për zgjdhjen e ngërçit, pasi rrezikohet që asnjë palë të mos marrë pjesë në zgjedhje.

Pas shumë kohësh, kjo e enjte ka qenë shenjuese për PD-në pasi deputetët e të dyja palëve bashkuan firmat për kërkesën e tyre drejtuar Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor ndaj kryeministrit, sa i takon çështjes së“McGonigal.”/tvklan.al