Të ftuar:

Sali Berisha – Ish kryeministër i Shqipërisë

Andi Bejtja – Gazetar

Lorenc Vangjeli – Gazetar

Robert Rakipllari – Gazetar

Ervis Iljazaj – Gazetar

Ish-Kryeministri Sali Berisha shprehet pro një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, por jo shkëmbimit të territoreve mes dy vendeve.

I ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në Tv Klan, Berisha tha se rajoni i Ballkanit ka shumë minoritete, megjithatë këto nuk janë problem.

Sipas Berishës, problemi i vërtetë janë mazhorancat në këtë rajon, dhe jo minoritetet.

Sali Berisha: Nuk jam kundër një marrëveshje. Kam mbështetur, mbështes dhe do mbështes një marrëveshje. E konsideroj shumë të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në rajon. Marrëveshja në konceptin tim duhet të jetë një marrëveshje mes dy vendeve sovrane që respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial mes dy vendeve.

Blendi Fevziu: Nëse dy vendet vendosin të shkëmbejnë territore, ku qëndron e keqja?

Sali Berisha: Është jashtë çdo lloj koncepti europian. Ballkani është më i pasur se çdo rajon tjetër me minoritete. Problemet nuk janë minoritetet, por janë mazhoranca. Pse e ka Serbia dhe Rusia këtë përqëndrim kaq të madh në Mitrovicë? I kujt ishte projekti i shkëmbimit? Projekti është i Beogradit. A e dini ju se një nga kundërshtarët e kësaj është Kryeministri i Bosnjes? Ai është serb. Kosova nuk i ka asnjë lloj borxhi Serbisë. Serbia i ka borxh Kosovës.

Ish-Kryeministri Sali Berisha kundërshton fuqishëm shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Duke folur në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Sali Berisha tha se Serbia i detyrohet Kosovës akoma më shumë, ndërsa nga ana tjetër Kosova ka vetëm një detyrim ndaj shtetit serb.

“Kosova nuk i ka asnjë lloj borxhi Serbisë. Serbia i ka borxh Kosovës. Kjo është akt shpërbërje i Kosovës. Se ky është vetëm hapi i parë dhe pastaj vjen hapi i dytë dhe pastaj vjen hapi i tretë. Në vend të konsolidosh integritetin territorial, aty hyn dhe bën pazar me territoret e tua. Ai (Vuçiç) ka bërë një vizitë për të cilën askush s’mund të thotë se ka bërë gjithçka. Ai shkoi te liqeni i ujit. Ky na doli atje në Gazivodë, ishte një kërcënim direkt që u bëri shqiptarëve.

Është një nga pretekstet e luftërave. Lufta për ujë bëhet. Ai shkoi vizitoi ujin. Erdhi me mesazhet klasike të një serbomadhi. Sipas kësaj skeme, Kosova do marrë ca copëza dhe do japë nga pjesët më palcore. Ato ( Lugina e Preshevës dhe komunat e tjera) kanë qenë pjesë të mirëfillta shqiptare. Kosova ka vetëm një detyrim ndaj Serbisë, që janë të drejtat e serbëve që kanë kuadrin ligjor më të shkëlqyer në botë”, tha Berisha.

Sali Berisha beson se projekti për shkëmbimin e territoreve mes shtetit kosovar dhe atij serb, është një projekt i Serbisë. Në emisionin “Opinion”, ish-Kryeministri sulmoi Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, të cilin e quajti “argat” që mbron këtë projekt.

Berisha thekson se ideja e shkëmbimit të territoreve është një ide e Beogradit, nga e cila përfiton vetëm Serbia dhe jo Kosova.

Ish-kryeministri është shprehur se projekti për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk është një projekt amerikan, duke shtuar se i dërguar i Senatit tha qartë që marrëveshjen e kërkon Rusia.

“Të dërguarit në Kosovë, kanë thënë që ne do shohim çfarë kanë thënë. Por i dërguari i Senati, tha qartë që marrëveshjen e kërkon Rusia. Nxjerrja e argatit (i referohet Presidentit kosovar Hashim Thaçi)…. Tani del dikush shqipfolës dhe thotë jo, po i vë unë në diskutim. I kërkoj unë dhe jo Beogradi. Kjo është fatalitet. Si mund t’u thuash shqiptarëve një gjë të tillë”, deklaroi ish-Kryeministri Sali Berisha.

Presidenti i Turqisë, Erdogan ka ndikim në Shqipëri. Deklarata është bërë në studion e “Opinion” nga ish-Kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, Presidenti turk ka bërë “synet politik” Kryeministrin Edi Rama.

Sali Berisha: Erdogani bëri një deklaratë që shprehu pendesë për njohjen e Kosovës. Në datën 8 Shtator të 2013-ës ai bëri synet politik Edi Ramën, “top kapi”, kjo është e njohur.

Por gazetari Blendi Fevziu iu përgjigj: “E përdori Edi Ramën për t’ju rrëzuar juve nga pushteti zoti Berisha”.

Nga ana tjetër Lorenc Vangjeli theksoi: “Erdogan ka bërë synet tre Kryeministra shqiptarë, Fatos Nanon, Sali Berishën dhe Edi Ramën.Askush nuk e di se pse byrazeri ka këtë pushtet të jashtëzakonshëm mbi kryeministrat shqiptarë, qoftë kur quhej Fatos Nano, qoftë kur quhej Sali Berisha dhe qoftë ky sot që quhet Edi Rama. Byrazeri ka shumë pushtet mbi ju zoti Berisha, kështu që atë punën e synetllëkut e lemë mënjanë”.

Ish-Kryeministri refuzoi këtë replikë të analistit Vangjeli, duke treguar edhe përse marrëdhëniet e tij me Presidentin Erdogan u ftohën.

Sali Berisha: Absolutisht që marrëdhëniet me Turqinë i kam konsideruar dhe i konsideroj të rëndësishëm, por kur tentoi për vartësi, i thashë Jo. Kërkoi që të votonim rezolutën për Palestinën dhe i thashë Jo. Kategorikisht marrëdhënie partneriteti shumë të mira, jam shumë vlerësues për të gjithë bashkëpunimin që pata. U ndamë në bashkëpunimin për çështjet palestineze. Nuk kam asnjë keqardhje.

Sali Berisha, në kohën kur ka qenë Kryeministër, ka mbajtur një fjalim në Nju Jork në një takim të klerikut Fetullah Gulen.

Këtë fakt e konfirmoi vetë ish-Kryeministri në një intervistë në emisionin “Opinion”. Berisha tha se në atë kohë Presidenti Erdogan dhe kleriku Gylen kanë qenë bashkëpunëtorë. Madje, Sali Berisha pohoi se ka qenë Erdogan që e ftoi në takimin gylenist në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Marrëdhëniet për kohën që unë kam qenë, kanë qenë institucione turke, institucione shqiptare. Në një nga takimet kam parë, në një sallë në Nju Jork, s’kisha parë ndonjëherë sallë aq të madhe, ai ishte takim gylenist. Erdogan më kërkoi që të shkoja dhe unë shkova fola. Mbajta fjalim”, deklaroi Sali Berisha.

Ish-Kryeministri Sali Berisha kërkon vetting në politik për të hetuar pasuritë e politikanëve dhe lidhjet me krimin. Në emisionin “Opinion”, ish-Kryeministri sulmoi kreun e qeverisë Edi Rama, për të cilin tha se duhet hetuar vila e tij në Surrel.

Berisha deklaroi gjithashtu se në ambasadën shqiptare në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po ndërtohet një gradaçelë. Për këtë, akuzon sërish Kryeministrin Edi Rama.

“A ka gjë në botë që fut në thes Sarajet e Surrelit? A ka gjë në botë që fut në thes kullën “Kristaq Rama” te stadiumi? A ka gjë në botë që fut në thes gradaçelën “Kristaq Rama” që do ndërtohet së shpejti në Nju Jork? Po prishet ambasada për të ndërtuar gradaçelën Kristaq Rama”, u shpreh ish-Kryeministri Sali Berisha.

Ish-Kryeminstri Sali Berisha shprehet i gatshëm të hetohet nga të huajt për të bërë vettingun në politikë.

Nga studio e “Opinion”, ish-Kryeministri ftoi edhe Kryeministrin Edi Rama që të hetohet nga një arbitër ndërkombëtar.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse ka frikë nga vettingu në politikë, ish-Kryeministri mohoi diçka të tillë.

Blendi Fevziu: Nga se keni frikë në politikë?

Sali Berisha: Nga Zoti, absolutisht.

Lorenc Vangjeli: Edhe ju nuk jeni aq i pasur sa të blini të shkuarën tuaj? Kur vjen nata, ajo pendesa….

Sali Berisha: Mund të të jap me dhjetra fakte të pakundërshtueshme që jam i vetmi politikan që sa herë kam shkuar drejt zgjedhjeve jam gati të jap dorëheqjen nëse humbas.

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se kjo opozitë nuk do të fitojë kurrë për sa kohë Edi Rama do të jetë Kryeministër. Në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Berisha akuzoi Ramën se nuk lejon zgjedhje të lira.

I pyetur nga gazetarët për mënyrën se si bën Lulzim Basha bën opozitë, Sali Berisha nuk e krahason me periudhën kur drejtonte opozitën. Por, ish-Kryeministri këmbëngulë se Rama duhet të rrëzohet nga pushteti me mosbindje civile me çfarëdo mjeti, por pa armë.

Sali Berisha: “Nuk mund ta krahasoj me opozitën time. Të pretendosh që tjetri të ketë imitimin tënd, do ishte shumë e padrejtë. A ka bërë opozitë? Padiskutim që ka bërë opozitë të fortë. Unë do bëja gjithçka t’i çoja patkonjtë Edi Ramës qoftë edhe me mjetet që ju kundërshtoni. Në kushtet e grushtit të shtetit, mjetet janë të gjitha. Pa armë, ai ikën pa armë. Opozita me Edi Ramën nuk vjen kurrë në pushtet. Armik më të egër pas Enver Hoxhës nuk ka. Edi Rama nuk pranon kurrsesi votën. Ai duhet nxjerrë prej leckash nga zyra”.

Ish-Kryeministri Sali Berisha u shpreh i bindur se opozita nuk duhet të hyjë në zgjedhje pa rrëzuar fillimisht Edi Ramën nga pushteti, pasi do të dalë e humbur përballë bandave kriminale.

Sali Berisha: “Me zgjedhje? S’ka zgjedhje! Zgjedhjet i ka banda tani. Është vetëvrasje për opozitën nëse shkon në zgjedhje pa rrëzuar Edi Ramën”.

Blendi Fevziu: Kjo është thirrje për kryengritje?

Sali Berisha: “Pa diskutim, për mosbindje civile”.

Sa i përket pretendimeve se Lulzim Basha ka marrëveshje në heshtje me Edi Ramën, Sali Berisha e ka mohuar një gjë të tillë.

Në përfundim të emisionit “Opinion” në Tv Klan, gazetari Blendi Fevziu i dhuroi një stilograf ish-Kryeministrit Sali Berisha.

Blendi Fevziu: Zoti Berisha, para se t’ju falenderoj që ishit të studio, do doja siç kemi bërë me disa personalitete të tjerë, t’u dhuroj një stilograf të bërë nga ‘Estel Jewelry’, e cila është me stemën e Republikës së Shqipërisë dhe me figurën të gdhendur të heroit kombëtar dhe me inicialet e emrit tuaj.

Sali Berisha: Shumë faleminderit.

Ish-Kryeministri u rikthye në këtë studio pas pothuajse 6 vitesh, kur ishte ende Kryeminisër. Për rreth 2 orë, Berisha ishte përballë një paneli prej 4 gazetarësh në emisionin “Opinion”, ku foli për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, vettingun në politikë dhe zhvillimet brenda Partisë Demokratike.

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar nga studio e emisionit “Opinion” në Tv Klan se opozita do të publikojë ekspertizën e zërit të audiopërgjimit mes Albert Veliu dhe Agron Xhafajt, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Sipas Berishës, rezultatet e ekspertizës për autincitetin e zërit kanë dalë dhe kanë konfirmuar bisedën e Agron Xhafajt me Alfred Veliun.

“Do kesh një lajm për Alfred Veliun. Do kesh një lajm shumë shpejt për zërat. E more vesh se doli zëri i Fatmirit Xhafës? Origjinal me zërin e vëllait të tij. U bë ekspertiza. Pyet ku është ekspertiza”, u shpreh Sali Berisha.

Në Maj të vitit 2018, Partia Demokratike publikoi një audio-përgjim të Dëshmitarit X. Ky i fundit është Albert Veliu, një ish-trafikant droge i dënuar, që pretendohet se bisedon në telefon me Agron Xhafën, vëllain e ministrit Xhafaj.

Në bisedën e publikuar, Veliu i kërkonte Agron Xhafajt ndihmë për të kryer një tjetër transport droge. Partia Demokratike akuzoi vëllain e ministrit Xhafaj si kreun e një grupi droge në Vlorë. Ndërsa Agron Xhafaj mohoi këto pretendime, kurse audio-përgjimi është dërguar për ekspertizë.

**************************************

Tarifimi i rrugës së kombit!