Opinion – Shpërthimi i Ilir Metës!

Opinion – Shpërthimi i Ilir Metës!

Autori: Blendi Fevziu

20:59 03/10/2019

Të ftuar në studio: Armand Shkullaku, Mark Marku, Mustafa Nano dhe Alfred Peza.

Ilir Meta: Përse dështoi përpjekja për të ulur Ramën dhe Bashën në dialog

Presidenti Ilir Meta thotë se tentativa për të ulur në tryezën e bisedimeve palët politike për zgjidhjen e krizës, dështoi për shkak të kërkesave të tyre.
Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Meta thotë se kjo ndodhi për dy arsye. E para, Kryeministri Edi Rama ishte kundër anulimit të datës së zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit. Dhe arsyeja e dytë ishte refuzimi i kryetarit të PD Lulzim Basha për të mos u ulur përballë Edi Ramës si Kryeministër, por me kushtin që ky i fundit të ishte vetëm në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste.

Blendi Fevziu: Z.President, pse nuk i thirrët partitë politike në një takim që të mund të arrinit një marrëveshje para se të shtynit datën e zgjedhjeve?

Presidenti Ilir Meta: Unë i kam thirrur partitë. Pengesa kryesore për të zhvilluar një tryezë të përbashkët ka qenë insistimi i Kryeministrit Rama për të mos ndryshuar datën 30 Qershor. Dhe e dyta, edhe insistimi i z.Basha për të mos u ulur në një tavolinë me z.Rama si Kryeministër. Kryeministri Rama ka nxituar që zëvendësimi i këtyre deputetëve është kryer në një manyrë të paligjshme sipas legjislacionit tonë. Nëse ai mendonte që unë kisha një ndikim te opozita, edhe nuk do të ishte keq që edhe Presidenti të ketë një ndikim te opozita për mazhorancën, ai do të priste dy ditë sa të kthehesha unë nga Gjermania dhe do të kërkonte një proces për normalizimin.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse Presidenti Meta ka ndikim tek Lëvizja Socialiste për Integrim, kreu i shtetit mohoi një gjë të tillë.

Blendi Fevziu: A mund të ndikonit ju tek LSI, një parti të cilën e keni themeluar vetë, e keni drejtuar vetë dhe sot drejtohet nga bashkëshortja juaj?

Presidenti Ilir Meta: Zero ndikim tek LSI.

Blendi Fevziu: Pse? Ndikimi mund të jetë normal. Unë nuk po ju them që të bëheni palë, por ndikimi mund të jetë normal.

Presidenti Ilir Meta: Zero ndikim për shumë arsye.

Blendi Fevziu: Për djegien e mandateve?

Presidenti Ilir Meta: Për shumë arsye të cilat janë të qarta për opinionin publik, z.Rama nuk ka lënë asnjë mundësi dhe asnjë hapësirë asnjë force të vërtetë opozitare që të përmbushi detyrën apo misionin e saj në Parlament. Do të them dy gjëra për influencën te LSI-ja. Duhet të vinte këtu një mik i përbashkët i imi dhe i z.Rama nga muaji Mars, Massimo D’Alema, dhe duke i shpjeguar disa probleme të situatës në vend, i them situata është kaq absurde, sa për shembull: Në bashkinë nga vij unë me origjinë, Bashkinë e Skraparit, u bë kaq muaj që atje Prefekti në mënyrë më të paligjshme ka ndryshuar buxhetin e Bashkisë së Skraparit, të cilën e ka kompetencë vetëm këshilli, dhe janë bllokuar fondet, është bllokuar Thesari, askush nuk jep asnjë përgjigje, asnjë justifikim, njerëzit nuk marrin dot shërbimet e domosdoshme. Këta kanë bërë gjithë letrat që duhet të bëjnë, kanë bërë gjithë interpelancat që duhet të bëjnë me Ministrinë e Financave, dhe kjo gjë i thashë, unë e kam shumë të vështirë që të flas dhe në kuptimin njerëzor. Kur e bëjnë atje, kur e bën tek ajo zonë, çfarë na kërkon ti ne të respektojmë këtë. Bëra mirë që ia tregova këtë histori se dhe ai e kuptoi që situata ishte shumë e rëndë. Dhe e vetmja gjë e mirë ishte se ditën tjetër në mëngjes më mori kryetari i Bashkisë së Skraparit edhe ishte i çuditur si ishin zhbllokuar fondet.

Blendi Fevziu: Pas bisedës që D’Alema ka bërë me Ramën?

Presidenti Ilir Meta: Po normalisht kështu i bie. Ta përmenda këtë gjë për të kuptuar që shkaku kryesor i gjithë kësaj krize, që nuk është një krizë e re, është pikërisht se z.Rama e ka zgjedhur si strategji provokimin e konfliktit, vendosjen para faktit të kryer të opozitës dhe të gjithë institucioneve të tjera që garantojnë një demokraci, mediat, shoqërinë civile, institucionet e pavarura.

Raporti paraprak, Presidenti Meta: Komisioni i Venecias ka tejkaluar kompetencat

Komisioni i Venecias, në draftin paraprak nëse Presidenti ka shkelur ose jo Kushtetutën me anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 Qershorit, sipas Ilir Metës, ka tejkaluar kompetencat.

Kështu shprehet Presidenti Meta në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku shprehet i bindur për tejkalimin e kompetencave nga ana e Komisionit të Venecias në draftin paraprak. Meta sqaroi se ditën e nesërme, Presidenca do të publikojë argumentat lidhur me opinionin paraprak të “Venecias”.

Sipas Ilir Metës, në Kushtetutën e Shqipërisë nuk ekziston termi “tejkalim kompetencash”, sikurse Komisioni i Venecias shprehet në draftin paraprak për kreun e shtetit lidhur me anulimin e datës së zgjedhjeve.

Blendi Fevziu: Duket sikur keni pasur një kimi shumë të keqe me z.Rama që në momentin që ju u zgjodhët President?

Presidenti Ilir Meta: Nuk është e vërtetë. Raportet e mia me Ramën nuk janë kështu. Raporti im me Ramën janë gati më shumë se 2 dekada. Më pas kemi kaluar në opozitë dhe kurrë Edi Rama nuk do të ishte zgjedhur në 2007 kryetar i Bashkisë së Tiranës nëse Ilir Meta nuk do ta kishte tradhëtuar Edi Ramën në atë moment kur ndërkombëtarët më kanë kërkuar që ti mos i qëndro këtyre qëndrimeve që mban Edi Rama që s’do hyjë në zgjedhje, se dhe atëherë u shtynë zgjedhjet dhe ai ishte precedenti kryesor për zgjedhjet vendore. Sepse ai do rrëmujë, por ti futu me LSI dhe këto partitë e tjera. Dhe unë i kam thënë jo, ai kërkon një certifikatë sepse ka frikë. Këtu kemi një krizë të madhe, nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, nuk kemi Gjykatë të Lartë, këtu PPP nga 400 milionë Euro kalojnë brenda natës pa letra, pa dokumente. Dhe i kam thënë që ky kërkon këtë gjë dhe ajo gjë duhet realizuar. Jo më kanë thënë ata, se edhe po ju realizua kjo gjë, ai prapë nuk do të hyjë. Prandaj të lutemi shumë, mendo për këtë vend. Dhe unë i kam thënë dhe i kam dhënë fjalën. Do të bëjmë çdo gjë në qoftë se pasi merr certifikatën, të na jepet certifikata si opozitë. Në qoftë se ndodh kjo gjë, atëherë i kam thënë, unë do të hyj në zgjedhjet e tjera që do të shtyheshin edhe ai të bëjë çfarë të dojë. Dhe çuditërisht pas ne kemi marrë atë certifikatën këtu tek Presidenti Moisiu dhe erdhi një përfaqësues i BE këtu për të negociuar, dhe kur vjen edhe z.Rama edhe më thotë: Shiko se fola me Profesorin (për Gjinushin) dhe ai prapë ka për t’i vjedhur zgjedhjet. Dhe unë i kam thënë, në qoftë se ti vazhdon me këtë punë, unë jam dorëheqjen nga deputet, kandidat bashkie jam unë edhe pastaj ti vazhdo kandidat për Kryeministër në 2009 sepse unë kam dhënë fjalën që nuk bëj dot shaka me këtë punë edhe me mua nuk luan dot as ti asnjeri. Unë në qoftë se i dhashë një mundësi Edi Ramës atëherë, pse të mos i jap një mundësi jo thjesht gjithë opozitës, por pse të mos i jap mundësinë qytetarëve shqiptarë që të paktën të ketë kandidatë formalë.

Blendi Fevziu: Por jo duke shkelur Kushtetutën ose duke tejkaluar, siç thotë Venecias, duke tejkaluar rolin tuaj si President i Republikës.

Presidenti Ilir Meta: E para, ka tejkaluar Venecia kompetencat e saj dhe do t’i dëgjoni nesër. Është shumë e sigurtë. Së dyti, nuk ekziston termi tejkalim në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë ekziston shkelje dhe shkelje e rëndë, dhe Presidenti shkarkohet për shkelje të rëndë dhe për krim të rëndë.

Kriza politike, Meta akuza Ramës: Luajti rol provokativ për të agravuar situatën

Presidenti Ilir Meta ka hedhur akuza në adresë të Kryeministrit Edi Rama për krizën politike në vend. Duke folur në emisionin “Opinion” në Tv Klan për protestat e opozitës përpara datës 30 Qershor, Meta thotë se në atë kohë Kryeministri Rama nuk bëri asnjë përpjekje për të zbutur këtë krizë.

Sipas kreut të shtetit, Kryeministri ka luajtur rol destruktiv dhe provokativ duke acaruar më shumë situatën.

Presidenti Meta argumenton që nëse nuk do të kishte nxjerrë dekretin për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit, në Shqipëri do të kishte një përplasje të paevitueshme.

Blendi Fevziu: Keni frikë që mund t’ju shkarkojnë?

Presidenti Ilir Meta: Zero! Kështu që në këtë drejtim, në Kushtetutën e Shqipërisë është shumë e qartë që i vetmi institucion që cakton zgjedhjet është Presidenti. Ti me të drejtën fajëson opozitën për djegien e mandateve, dhe unë jam dakord me ty dhe më shumë se ty. Dhe unë ja kam thënë edhe z.Berisha kur është hedhur kjo ide për herë të parë, edhe Lulzim Bashës, të LSI-së as nuk diskutohet që ja u kam thënë që kjo është një marrëzi. Sepse nuk keni të bëni me një njeri që do të reflektojë. Përkundrazi, do të shfrytëzojë këtë hapësirë, do korruptojë ca andej ca këtej, një opozitë fasadë. Dakord, kjo është një opozitë totalisht e papërgjegjshme që del në rrugë dhe mbledh dhjetra mijëra njerëz për hir të së vërtetës. Nuk ka opozitë në Ballkan që ka mbledhur kaq shumë, pavarësisht nga përpjekjet e televizioneve për t’i denigruar. Në një situatë të tillë, ky Kryeministër që e di që në Qershor do merret një vendim për Shqipërinë për çështjen e negociatave që Shqipëria nuk ka përmbushur shumë detyrime, si shpjegohet që ata lënë miting në Tiranë, ky lë miting në Berat në të njëjtën kohë. Duhet të sqarojmë rolin destruktiv me ndërgjegjie, provokativ të Kryeministrit jo për ta zbutur apo për ta normalizuar situatën demokratike në vend, por për ta agravuar dhe për ta nxjerrë atë jashtë kontrollit me pasoja mjaft shqetësuese. Mirë për këta qytetarët ai nuk ka asnjë lloj respekti, po për ata policët që vendoseshin para Kryeministrisë, para Parlamentit, nuk i vinte keq kur me një fjalor toksik donte të provokonte protestuesit?

Blendi Fevziu: A keni bërë ndonjë tentativë personale jashtë pjesës institucionale me aktorët kryesorë politik, që do të thotë, a jeni takuar me Kryeministrin Rama? Keni folur për një darkë vetëm për vetëm dhe a keni biseduar kështu siç po më thoni tani dhe çfarë përgjigje keni marrë?

Presidenti Ilir Meta: Qëndrimet e mia janë sistematike. Janë bërë të gjitha veprimet, jo vetëm nga ana ime me secilin prej tyre, por dhe me partnerët ndërkombëtarë me qëllim që të gjenim një zgjidhje për këtë gjë, me qëllim që zgjedhjet vendore të bëheshin në një mënyrë gjithëpërfshirëse. Në rast se nuk do të kishte dalë ai dekret për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit, jo vetëm që në Shqipëri do të kishim një përplasje të paevitueshme…

Blendi Fevziu: Përse do të kishte përplasje? Kishit informacion apo bindje?

Presidenti Ilir Meta: Unë i kisha të gjitha informacionet. Janë dhe të klasifikuara informacionet, që nga përpjekja për të bërë djegien e Parlamentit.

Blendi Fevziu: Kush donte ta digjte Parlamentin?

Presidenti Ilir Meta: Çfarë interesi mund të ketë një Kryeministër normal i një vendi i cili dëshiron të çelë negociatat me Bashkimin Europian që një opozite që ka dalë në rrugë t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë?

Blendi Fevziu: Keni mëri personale ndaj Ramës?

Presidenti Ilir Meta: Zero. Po të ishte për mëri, unë s’kisha bërë koalicion me Ramën. Mos harrojmë që përpara vitit 2013 kishim ngjarje edhe më të rënda në planin personal. Sepse ai ishte orkestruesi kryesor me të gjithë konturazhin e tij për çdo gjë.

Presidenti Meta: Palët kishin marrëveshje për ta çuar vendin në përplasje

Me tone të ashpra është drejtuar Presidenti Ilir Meta ndaj partive politike kryesore në vend dhe drejtuesve të tyre, për krizën politike në vend.

Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, kreu i shtetit ka deklaruar se partitë politike nuk ishin të interesuara për të zgjidhur krizën.

Madje, Meta thotë se mes palëve kishte një marrëveshje për ta çuar vendin në përplasje në mënyrë që secili të kishte përfitimet e veta.

Blendi Fevziu: Kur jeni ulur, a i keni thënë që jemi në një situatë, nuk e di çfarë zgjidhje do kemi. A keni folur normal?

Presidenti Ilir Meta: Në 24 Maj ka një deklaratë zyrtare të Presidentit të Republikës së Shqipërisë që është një paralajmërim jo vetëm për të gjetur një zgjidhje por edhe për të treguar që unë do ta luaja rolin tim në mënyrë që vendi të kishte mundësi për të dalë nga kriza. Duan s’duan palët, është çështje e tyre. Pas deklaratës zyrtare të CDU/CSU, ka një deklaratë nga Presidenti i Republikës që mbështet këtë qëndrim. Partitë nuk u dakorduan sepse për fat të keq kishin një marrëveshje, me dashje pa dashje, për ta çuar vendin në përplasje.

Blendi Fevziu: Kishin një marrëveshje PS me PD-LSI?

Presidenti Ilir Meta: Kishin kalkulim sepse mendonin që përfitonin nga përplasja.

Presidenti Ilir Meta nuk kursen as kritikat ndaj disa ambasadorëve dhe ndërkombëtarëve, të cilët i konsideron palaço dhe të njëanshëm.

Blendi Fevziu: Pra, ju mendoni që palët ishin të gatshme të përplaseshin?

Presidenti Ilir Meta: Palët u përplasën. Harroni ju sa policë u dëmtuan? Harroni ju gishtat e asaj polices së re që u këputën? Harruat ju Sait Dollapin, një nga udhëheqësit kryesor të opozitës, që u rrah në mënyrën më barbare dhe jo profesionale përpara kamerave dhe që edhe mund të humbiste jetën se kishte bërë një operacion në zemër. Pasi ka vajtur në spital, ka bërë ndërhyrje. Po të kishte ndodhur diçka tjetër, do të ishte tjetër histori në Shqipëri. E pra, Ilir Meta nuk mund të priste as për qejfin e Edi Ramës, as për qejfin e Lulzim Bashës dhe as për qejfin e Monikës që t’i mbajë iso Lulzim Bashës dhe as për qejfin e ca ndërkombëtarëve që disa herë u bënë palë dhe ndonjëherë u bënë dhe palaço që të vriteshin shqiptarët që pastaj të thoshin po Presidenti çfarë bëri.

Blendi Fevziu: Po përse mendoni ju që e kishit këtë rol që të paqtonit shqiptarët dhe të zgjidhnit gjithë krizën?

Presidenti Ilir Meta: Ajo ishte detyra ime, detyrën time e kam bërë me përgjegjësi dhe transparencë të plotë. Dhe këtë e dinë të gjithë qytetarët shqiptarë, të gjithë ata që jo vetëm flasin shqip, por edhe që ndihen shqiptarë.

Blendi Fevziu: A jeni i bindur që e keni bërë mirë zoti Ilir Meta dhe nuk jeni bërë palë?

Presidenti Ilir Meta: Zero palë. Palë këtu është vetëm një njeri në këtë krizë, i cili donte zgjedhje me një palë, i cili donte votues një palë.

Blendi Fevziu: Edi Rama.

Presidenti Ilir Meta: Po. Ilir Meta kërkoi që të gjithë qytetarët shqiptarë të kenë mundësinë të shkojnë të votojnë. Jo vetëm ata që kjo e drejtë mund t’u mohohej për shkak të zgjedhjeve të papërgjegjshme të Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, Fatmir mediut, Shpëtim Idrizit, Nard Ndokës etj. Por edhe ata që shqiptarë që duan të votojnë për PS, PDIU, të shkojnë të votojnë si qytetarë europianë, në mënyrë të fshehtë, sepse votimet me një kandidat nuk janë të fshehta, nuk janë dokumentare.

Blendi Fevziu: Keni të drejtë për të gjitha këto, por krijohet precedenti që nëse njëra palë nuk futet në zgjedhje ato mund të shtyhen.

Presidenti Ilir Meta: Precedenti është krijuar në vitin 2007, nuk është ky precedent që u krijua. Dhe tani situata është shumë më e rëndë se në vitin 2007.

Blendi Fevziu: Data u shty pas marrëveshjes së partive në 2007.

Presidenti Ilir Meta: Në 2007-n kishte, por edhe tani, kishin marrëveshje për të përplasur shqiptarët, kjo është shumë e qartë.

Blendi Fevziu: Ku ishte kjo marrëveshje?

Presidenti Ilir Meta: Nëse unë ju thërras që ta zgjidhim këtë marrëveshje, ta lemë një datë dhe ju nuk doni dhe vazhdoni të tregoni forcë. Marrëveshja ishte. Shikoni, ju lutem kthejini kronikat tuaja, shikoni policët e lënduar, shikoni qytetarët e lënduar, kthehujini pamjeve tuaja, Tirana në gaz, si me qenë në gaza dhe jo në mes të Europës. Shikoni sesa policë janë ndjekur nga prokuroria për tejkalim të kompetencave, shikoni thirrjet edhe të ambasadave, që edhe policia duhet të sillet në mënyrë proporcionale, shikojini të gjitha këto. Shikoni mor, or zotëri shikoni thirrjet e 4-5 udhëheqësve të komuniteteve feëtare të shqipërisë. Mirë Ilir Meta mund të ketë një interes, mirë Rama ka një interes, edhe ju keni një interes, po këta udhëheqës të komuniteteve fetare, shikoni çfarë thonë. Mos e çoni kombit drejt vëllavrasjes, mos na çoni në 97-n, janë deklarata të tyre. Sepse udhëheqësit fetarë nuk kanë asnjë interes politik. Dëgjoni OSBE/ODIHR.

Meta: Monika më ka gënjyer për djegien e mandateve

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zbuloi mbrëmjen e kësaj të enjteje për gazetarin Blendi Fevziu, se Monika Kryemadhi e kishte gënjyer në kohën kur opozita vendosi të digjte mandatet.

Meta tha se kishte biseduar me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëkohësisht bashkëshortja e tij dhe i kishte thënë se djegia e mandateve ishte marrëzi. Vetë zonja Kryemadhi iu ishte përgjigjur se kjo nuk do të ndodhte. Por në fakt ndodhi e kundërta.

Blendi Fevziu: A ka pasur një marrëveshje mes jush dhe Berishës?

Presidenti Ilir Meta: Zero marrëveshjes mes meje dhe Berishës. Zero marrëveshje mes meje dhe Lulzim Bashës, zero marrëveshje midis meje dhe Monika Kryemadhit. Mund t’ju them që dhe më ka gënjyer, kam qenë në Gjermani. Për këtë çështjen e mandateve, se unë i kam dërguar në WhatsApp që kjo është një marrëzi, në asnjë mënyrë, etj, jo më tha pa problem, se edhe po ndodhi kjo mund të jap vetëm unë dorëheqje, për arsye solidariteti edhe kështu, por ata të tjerët nuk do t’i lenë mandatet. Edhe ndodhi një gjë tjetër.

Blendi Fevziu: Të ka gënjyer zonja Kryemadhi?

Presidenti Ilir Meta: Më ka gënjyer, është çështja e saj, nuk është ky problemi im, është çështje transparence.

Çfarë bisedonte Meta me Ramën privatisht

Blendi Fevziu e pyeti Presidentin Ilir Meta për bisedat private që kishte pasur me Kryeministrin Edi Rama, përpara se të merrte vendimin për të ç’dekretuar zgjedhjet e 30 Qershorit. Meta tha se Rama i kishte përsëritur disa herë se kishte kohë dhe se nuk e kishte pranuar asnjëherë që vendi ishte në krizë.

Blendi Fevziu: Çfarë biseduat me Edi Ramën? A ju dha një argument ai për qëndrimin që mbante?

Presidenti Ilir Meta: Unë nuk e kam menduar kurrë, por deri në 10 Qershor, apo qoftë edhe ndoshta një ditë më mbrapa, që Edi Rama vërtetë e mendonte që të shkonte në zgjedhje vendore pa opozitën. Nuk e mendoja. Mendoja që ky do të fitojë kohë, t’i verë këta ndoshta në një situatë pak si më të vështirë, duke afruar 30 Qershori dhe pastaj ky do të vijë dhe vetë dhe do të thotë, ore shiko gjej një datë, gjej një mundësi të caktojmë një datë, pastaj vijnë, s’vijnë ata kjo është punë e tyre. Pra ky duhet ta bënte një përpjekje.

Blendi Fevziu: E kishit analizë, apo edhe e kishit biseduar?

Presidenti Ilir Meta: Tani unë kisha biseduar disa herë dhe ai më thoshte kemi kohë. E vërteta kjo është. Unë nuk di të gënjej, nëse ti ke një politikan në Shqipëri që Ilir Meta më ka gënjyer, ok. Por unë nuk di të gënjej.

Blendi Fevziu: E pranonte Rama në bisedat private që ishit në një krizë? Që vendi ishte në krizë.

Presidenti Ilir Meta: Po jo më ai nuk pranon, edhe sot ai thotë që është Europa në krizë, nuk jemi ne, ne po lulëzojmë.

Blendi Fevziu: Nuk ju dha asnjë shpresë?

Presidenti Ilir Meta: Po ta kishte pranuar këtë gjë dhe po të kishte ndjenjë përgjegjësie që duhet të ketë, jo një kryeministër që ka shumë përgjegjësi ndaj vendit, por edhe një qytetar normal, kurrë nuk do të ishim në këto situata ne.

Blendi Fevziu: A kishte frikë nga përplasja Edi Rama?

Presidenti Ilir Meta: Nuk e di se ku kishte frikë ai. Unë nuk e di nga se kishte frikë ai, por është gjëja më e lehtë kur të tjerët vijnë dhe bëjnë miting para Presidencës, unë të iki në Skrapar dhe të mbaj fjalime kundër atyre që bëjnë miting.

Blendi Fevziu: Në takime private me ju, kishte frikë për destabilitet në vend?

Presidenti Ilir Meta: Nuk mendoj tani pas gjithë këtyre zhvillimeve që atij i dhimbset shumë stabiliteti, apo destabiliteti. Nuk e mendoj sepse po t’i kishte këto ndjenja të përgjegjshme ai nuk do ta kishte lënë kurrë situatën të vinte në këtë pikë. Ai është i vetmi kryeministër në vend në gjithë këtë histori që nuk pranon dhe nuk merr përgjegjësi për asnjë nga krizat dhe pasojat.

Blendi Fevziu: Sepse ai e konsideron krizë artificiale, krizë artificiale të krijuar nga opozita, të krijuar me ndihmën tuaj.

Presidenti Ilir Meta: Po patjetër. Opozita, media, shtypi, armiqtë ndërkombëtarë, të gjithë këta.

A do ta japë dorëheqjen nëse Venecia thotë se shkeli Kushtetutën?

Duke folur për raportin paraprak të Komisionit të Venecias, sipas të cilit Presidenti i tejkaloi kompetencat kur vendosi të shtyjë datën e zgjedhjeve, Ilir Meta tha se në Kushtetutën e Shqipërisë nuk ekziston fjala tejkalim, por vetëm fjalë shkelje.

Dhe i pyetur a do të jepte dorëheqjen, nëse Venecia thotë se ka shkelur Kushtetutën, Meta tha: Unë kam thënë në qoftë se thotë shkelje dhe më bind po, kam thënë, dhe më bind. Në qoftë se nuk më bind? Respekti nuk është i dhënë një herë e përgjithmonë.

Gazetari: Sipas Venecias i keni tejkaluar kompetencat zoti President…

Presidenti Meta: Nuk ekziston fjala tejkalim more zotëri kush e thotë këtë?

Gazetari: Venecia e ka thënë. Ju vetë keni thënë që keni respekt për Venecian…

Presidenti Meta: Zotëri, nuk ekziston fjala tejkalim. Fjala “exceeding” ka 700 kuptime, nuk ka asnjë fjalë tejkalim në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ka fjalë shkelje, “violation”, apo “serious violation”.

Gazetari: Nëse Venecia thotë se ka qenë vërtetë “violation”, çfarë do bëni do jepni dorëheqjen nga President i Republikës?

Presidenti Meta: Ore, zotëri në qoftë se çmendet Venecia, nuk kam ndërmend…! Unë kam thënë në qoftë se thotë shkelje dhe më bind po, kam thënë, dhe më bind. Në qoftë se nuk më bind? Respekti nuk është i dhënë një herë e përgjithmonë. Respekti, ruhet gjithmonë. Në qoftë se Venecia vendos të çmendet, le të çmendet Venecia, unë nuk do çmenden të lë Shqipërinë në kaos.

Gazetari: Po nëse thuhet që ju keni bërë gabim që keni firmosur….

Presidenti Meta: Venecia të më thotë nenin që kam shkelur unë. Të më thotë a ka institucion tjetër në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që mund të caktojë datën e zgjedhjeve? Kaq! Dhe e dyta, a ka ndonjë Gjykatë në Republikën e Shqipërisë, e cila ka shfuqizuar vendimin apo dekretin e Presidentit për 30 qershorin? Këto të dyja. Kaq! Këtu mbaron gjithë historia.

Gazetari: Por gjithsesi kemi marrë arbitër dhe ju e pranuat në fillim…

Presidenti Meta: E ka marrë Ulësi, po për aq kohë sa ata do jenë serioz do i pranoj. Nesër lexoni pyetjet e mia. Unë Kushtetutën e lexoj vetë, i kam sytë në ballë. Në qoftë se do të marrë një Kushtetutë këtu dhe më trego se kë nen të Kushtetutës kam shkelur.

Presidenti: Opozita i ka dhënë gjithçka qeverisë

Për Presidentin Ilir Meta, opozita i ka dhënë gjithçka qeverisë. Në intervistën e dhënë mbrëmjen e kësaj të enjteje për gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion”, kreu i shtetit tha se ky pushtet është i paligjshëm dhe i pa kontrollueshëm, pasi sipas tij ka në dorë gjithçka.

Blendi Fevziu: Ndërkohë me zotin Berisha keni folur për këtë situatë? Qoftë edhe në formë konsulence?

Presidenti Ilir Meta: Unë qëndrimet e mia ua kam thënë me kohë. Qëkur kanë hapur idenë e djegies së mandateve, kanë një vit e ca, që kjo është një rrugë tepër e gabuar dhe u kanë thënë dhe këtë, që e kam thënë edhe publikisht, shumë kohë përpara se të ndodhte kjo gjë, kam thënë që askush mos mendoni se në Bruksel do të rrijë pa gjumë se do të djegë opozita mandatet. Se kur nuk ndenjën pa gjumë ata, që u zgjodh prokurori përgjithshëm në mënyrë më antikushtetuese dhe më të shëmtuar këtu, dhe kur nuk ndenjën pa gjumë ata që unë kam 3 vjet që u them që do të ngelemi pa Gjykatë Kushtetuese, edhe kjo do të nxjerrë çdo gjë jashtë kontrollit dhe do të përshkallëzohet kriza kushtetuese, etj etj, sigurisht që nuk kishin përse të ngelnin pa gjumë ata, se lanë këta mandatet edhe ikën. Ata përkundrazi u gëzuar dhe e nxitën këtë proces të ndodhte brenda 24 orësh që të merrnin mandatet e tjera këta të tjerët.

Blendi Fevziu: Gabim është dhe të mos futesh në zgjedhje, t’i japësh sot një force politike të drejtën të administrojë 61 njësi vendore, është skandaloze. Duke mos hyrë në zgjedhje lokale.

Presidenti Ilir Meta: Për opozitën? Opozita ia ka dhënë të gjitha atyre. Nuk i ka dhënë vetëm këtë, i ka dhënë të gjitha. Këto i ka marrë në mënyrë të paligjshme, ky është pushtet i paligjshëm, siç janë edhe shumë gjëra të tjera të paligjshme. Kjo është një qeveri sot e pahetueshme, sepse kontrollon tërësisht prokurorinë. E zgjodhe prokurorin me 69 vota, në mënyrë antikushtetuese. Kjo është një qeveri tërësisht e pa kontrollueshme, sepse parlamentin e kontrollon kjo, nuk e kontrollon më parlamenti këtë. Dhe është një qeveri tërësisht e pagjykueshme, sepse ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese me qëllim, dhe të Lartën dhe çdo gjë tjetër, kështu që jemi në një situatë ku llogaridhënia në Shqipëri sot është zero. /tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

20:59 03/10/2019
KPT
KPT
UKT