#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Të ftuar: Flamur Geca, Ismerilda Gongo, Enrik Agalliu, Irindi Citaku, Oriana Eysman, Përparim Xhaferi, Greta Bajrami, Xhulia Dosti
U nis për Dubai dhe përfundoi në Oman, Ismirilda: Isha komplet e hutuar, më thanë që është 4 orë larg
Ismirilda Gongo është një prej shqiptareve nëpër botë që janë larguar nga Shqipëria për një perspektivë më të mirë.
Ajo jeton dhe punon në Dubai prej 3 vitesh tashmë. Ndërsa ka 5 vite që është larguar nga Shqipëria, ku si fillim shkoi në Oman ku dhe qëndroi 2 vite.
Në një lidhje për emisionin Opinion në Tv Klan, Ismirilda Gongo tregon se si nisi rrugëtimi i saj për në Dubai, por që përfundoi në Oman pa e ditur se është shtet tjetër.
“Unë me origjinë jam nga Korça. Në Dubai u bënë 3 vite. Punoja në palestër, në fillim isha në Oman. Omani është ngjitur me Dubain. E kisha ndarë mendjen që do ikja nga Shqipëria. Pikësynimi im ishte Dubai por që nuk mund të vija direkt sepse nuk kisha certifikimet e duhura. Aplikova nga një kompani në Shqipëri që më gjeti punë në Oman që pranuan certifikatat që kisha në Shqipëri. Nuk e dija që Omani ishte shtet tjetër se më thanë është 4 orë larg nga Dubai. E dija që duhet të shkoja në Oman të merrja eksperiencat e duhura, por që nuk e dija që ishin 2 shtete të ndryshme. Kur vajta në Oman isha e hutuar se thashë ku kam ardhur, ishte shkretëtirë, ndërtesat më të larta 2 katëshe, nuk shikoja njerëz në rrugë. Për një moment isha komplet në shok. Më pritën ata të kompanisë dhe na futën në trajnim. Por prapë isha në shok se thonin nuk lejohet të bësh këtë, të veshësh ashtu”.
Nga Shqipëria, thotë se u largua pasi nuk shikonte të ardhme, ndërsa në Dubai tashmë ka palestrën e vetë.
“Në Shqipëri po bëja gati 2-3 punë njëkohësisht dhe po kaloja gjithë kohën time në punë dhe s’po arrija askund. Nuk më dukej që kisha shpresë për të ardhmen. Punova 2 vite në Oman, fiks 2 vite kam qëndruar. Omani nuk është aq konservator sa ma bënë mua në fillim. Ka vendet e veta ku mund të dalësh. Thjesht në rrugë njerëzit nuk janë mësuar që të shikojnë njerëz me të shkurtra. Kur të shohin kujtojnë se je në hall dhe të thonë a ke nevojë të shkosh diku. Ata nuk ecin në këmbë, por me makina. Pastaj isha gati për në Dubai se i kisha marrë certiifkatat. Jeta në Dubai është shumë e shpejtë, pak a shumë jetesa është si në Shqipëri, por që ndryshimi është që jeta është shumë e shpejtë, njerëzit janë gjatë gjithë kohës me fokusin te biznesi”.
Ismirilda tregon se nga Shqipëria i mungon klima dhe ushqimi, ndërsa kthimin e mendon me një kusht.
“Nga Shqipëria më mungon klima, ushqimi. Në fillim nuk njihja shqiptarë, ndërsa tani kam njohur. Kemi krijuar një komunteti shqiptarësh këtu. Nëse do kthehesha në Shqipëri do doja të kisha biznesin tim”.
Iku nga Shijaku në Itali për të blerë një “MZ”, shqiptari përfundon në një ishull në Karaibe
Puntata e pestë e “Shqiptarët në botë”, rubrikës së emisionit “Opinion” në Tv Klan ka nisur një tjetër udhëtim virtual rreth botës mbrëmjen e së mërkurës. Ndalesa e parë është në Martinique, Martinica, një ishull francez në Karaibe për të takuar virtualisht Flamur Grecën.
Flamuri është nga Shijaku, por ka emigruar drejt Italisë që në vitin 1992 me gomone. Ikja e tij ishte për një arsye krejt ndryshe: vetëm për të blerë një motorr, pa e ditur se një ditë do të zhvendosej kilometra larg Italisë.
Flamur Greca: Ikja ime ka qenë pak e veçantë sepse në Itali, në atë kohë unë ika thjesht për të blerë një motorr.
Blendi Fevziu: Ah ike për të blerë motorr në Itali ti! Pra vure jetën në rrezik që të blije një motorr.
Flamur Greca: Vetëm sa të bëja pak lekë që të blija një motorr, një “MZ” se atëherë në 1991-1992, këto gjërat rrallë shumë, kishim një “Kawasaki”.
Blendi Fevziu: Me këtë kurajë që paske do shkosh nga Martinique në west Palm Beach me gomone, jam i sigurt. Kështu siç e ke nisur i paske rënë detrave të botës rrotull. Pra shkove të mblidhje motorrin “MZ” apo “Kawasaki” në Itali. I mblodhe lekët e motorrit?
Flamur Greca: Mblodha edhe lekët, lashë edhe flokët.
Blendi Fevziu: Po çfarë punove në Itali në moshë aq të re?
Flamur Greca: Me kalimin e viteve punova në ndërtim, krijova një ndërmarrje të vogël të timen. Deri në vitin 2014 kur në Itali pati filluar një periudhë që nuk mblidhej leku yt.
Blendi Fevziu: Filloi të kishte një krizë.
Flamur Greca: Në atë periudhë pataa filluar të punoja jashtë Italie me skuadrën time, karpentier. Kam qenë në Kenia, Kongo, Xhibuti, Dubai.
Blendi Fevziu: Kenia, Kongo, Xhibuti me skuadrën tënde ti? Po skuadrën, shqiptarë i kishe shumicën?
Flamur Greca: Jo, me thënë të drejtën i kisha të përzier, i kisha rumunë, italianë, shqiptarë.
Blendi Fevziu: E more skuadrën dhe bëre tur afrikan ti.
Flamur Greca: Unë preferoja të punoja në Itali por nga gjendja që erdhi në Itali fillova të pranoja edhe punë jashtë Italisë në lëvizje me ekipin tim. Edhe këtu në 2014-ën kur erdha për herë të parë, ndenjëm 6 muaj për të mbaruar kantierin këtu.
Blendi Fevziu: Në Martinique u zhvendose nga Italia?
Flamur Greca: Po.
Blendi Fevziu: Edhe?
Flamur Greca: Më pëlqeu klima. E rëndësishme për çdo njeri është edhe afërsia e popullit këtu, ishte shumë i ngrohtë, pak a shumë ishte si në Shqipëri te ne. Brenda 3-4 muajve mora një punë, mora një iniciativë thashë që unë do vij të jetoj këtu sepse për mua Italia është shumë e vështirë sepse të punosh gjithë muajin, të kesh edhe njerëz të tjerë në ngarkim, të arrish në fund të muajit vetëm me banka të paguash edhe shtetin, edhe këto gjërat thashë më mirë po e mbyll Italinë këtu me të mira.
Blendi Fevziu: Me gjithë familjen je në Martinique?
Flamur Greca: Po.
Blendi Fevziu: Po çfarë mund të bësh në Martinique se nuk është një ishull aq i madh.
Flamur Greca: Nuk është një ishull i madh, por janë 400 mijë banorë. Unë tani jam sipërmarrës.
Blendi Fevziu: Ike nga Shijaku, shkove prapë në një Shijak tjetër, në një vend të vogël.
Në fund, Flamuri thotë se motorrin e bleu, por sot ka ndryshuar mjet. “4-5 i kam prishur. Tani kemi makinë dhe krahë për të punuar. S’ka më motorra, s’ka më moshë”, përfundoi Greca.
“Në Seul nis të kuptosh ç’do të thotë teoria e relativitetit”, historia e të riut që la Beratin për Korenë e Jugut
Nga Berati në Korenë e Jugut, kjo është historia e të riut Enrik Agalliut, të riut që nuk e kishte imagjinuar të ardhmen e tij në një vend kaq larg nga Shqipëria. Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Agalliu ka treguar si mori vendimin për të shkuar drejt Koresë së Jugut.
Enrik Agalliu, Koreja e Jugut: Origjina e largët është nga Vlora, më pas stërgjyshi u transferua në Berat. Unë jam lindur dhe rritur në Berat. Nuk e kisha fare në mendje që të vija në Kore, ka qenë ëndërr e vjetër duke qenë se studioja elektronikë, por nuk e kisha fare në mendje, isha më tepër për rrymat perëndimore. Një ditë të bukur, një shok më merr në telefon dhe më thotë që do të propozoj diçka që e di se do të pëlqejë dhe më thotë që të takohemi tek 21 Dhjetori dhe më thotë se është një bursë për Kore. I thashë që do ta kem parasysh, por të shoh. Filloi me procedurat. Nuk mendoja se do të fitoja. Sapo kisha mbaruar Bachelorin, kisha një punë modeste dhe duke bërë atë dhe duke punuar, të dalë ku të dalë. Kur më kanë njoftuar që fitova bursën, edhe komshinjtë duhet të jenë alarmuar, por më bëri të lumtur.
Agalli thotë se në Seul ka kuptuar se çfarë do të thotë teoria e relativitetit.
Enrik Agalliu: Në Seul fillon të kuptosh se çfarë do të thotë teoria e relativitetit. Nëse në Berat dita të duket ditë, në Seul dita të duket një orë dhe orvajtjet lart e poshtë dhe kur e sheh që ka vajtur ora 1 e natës.
Si shumë shqiptarë që kanë emigruar jashtë vendit, edhe Agalliut i mungon familja dhe miqtë, ndërsa veçon bahçen e tij, të cilës ja ndjen shumë mungesën duke e lidhur dhe me kujtimet e tij me njerëzit më të dashur.
Prej 5 vitesh në Meksikë, Irindi Çitaku: Çdo gjë është më e lehtë, nuk do të kthehem
Irindi Çitaku është një i ri nga Tirana i cili është larguar 5 vite më parë drejt Meksikës. Pas përfundimeve të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në UBT, gjatë një konference në Paris për kafshët ekzotike dhe të egra, drejtori i një spitali i ofroi një vend pune në Mexico City.
Pasi kreu të gjitha procedurat e nevojshme, Irindi u vendos në Meksikë. Ai rrëfen në “Opinion” në Tv Klan shijen më të parë që i la Meksika.
Irindi Çitaku: Interesante. Njerëzit e bëjnë çdo gjë më të lehtë, njerëzit janë shumë të dashur, shumë miqësorë, shumë mikpritës gjithashtu. Ka qenë e lehtë, ka qenë e thjeshtë. Pikë së pari vetëm gjuha ka qenë vështirësi në fillimet e veta, por çdo gjë ka kaluar shumë mirë.
Blendi Fevziu: Po jeta e përditshme në Mexico City si është? Ëshhtë një qytet i madh, shumë i bukru, shumë i gjallë, por edhe i rrezikshëm.
Irindi Çitaku: I rrezikshëm është një fjalë që nuk duhet të përdoret aq shumë sepse gjithë qytetet e mëdha që kalojnë 15-20 milionë është e njëjta gjë. Në Mexico City jeta ka zhurmën e vet, jetesa është shumë e shpejtë, çdo gjë kalon shumë shpejt, njerëzit janë të fokusuar me punën, por ka edhe zona speciale, nuk duhet të kalosh në ato zona, nuk ke nevojë. Jeta është normale edhe këtu.
Irindi shton se në Mexico City nuk di të ketë ndonjë komunitet të madh shqiptarësh. Ai thotë se i mungon Shqipëria dhe kthehet çdo vit, por nuk mendon që të zhvendoset sërish në atdhe.
Blendi Fevziu: Do ktehehesh në Shqipëri, e mendon apo mendon një destinacion tjetër pas Meksikës?
Irindi Çitaku: Jo, e kam vendosur do qëndroj në Meksikë.
Blendi Fevziu: E ke vendosur, do qëndrosh në Meksikë.
Irindi Çitaku: Po, po.
Blendi Fevziu: Ke familje apo nuk je i martuar?
Irindi Çitaku: Jo, nuk jam i martuar.
Blendi Fevziu: Epo do marrësh meksikane pastaj kështu që s’do lëvizësh fare. Kaq shumë të pëlqeu Meksika sa e ke ndarë mendjen që s’do lëvizësh?
Irindi Çitaku: Ushqimi, klima, njerëzit, e bëjnë çdo gjë që të jetë më e lehtë në përgjithësi.
20 vite në Australi, shqiptari tregon pse emigrantët nuk kthehen në Shqipëri: Nuk kemi interes të gënjejmë
Përparim Xhaferi është një shqiptar që prej 32 vitesh jeton në emigrim. U largua nga Shqipëria në vitin 1992 drejt Italisë dhe më pas për në Australi ku dhe jeton aktualisht prej 20 vitesh.
Në një lidhje me Skype për emisionin Opinion në Tv Klan, Përparim Xhaferi tregon si u largua nga Shqipëria.
“Me origjinë jam nga Tepelena dhe kam lindur në Levan. Në 1992 jam larguar në Itali. Nga Levani kam ikur që në moshën 14 vjec, kam bërë shkollën industriale në Fier. Në Itali kam qëndruar 12 vjet deri në 2004, në Verçeli. Në 2004 kam aplikuar për një vizi studenti për në Australi edhe erdha, fillova studimet nga e para se asnjë gjë nuk njihej. I bie të kem qenë 35 vjeç. Jam vendosur në të njëjtën lagje që akoma jetoj. Shqipëria më mugnon shumë edhe besoj të gjithëve kur largohesh në emigracion është pyetje që nuk do përgjigje, Shqipëria na mungon të gjithëve. Në Sidnei dhe në Melburn ka komunitetin më të madh të shqiptarëve, janë rreth 20 mijë në të gjithë Australinë, në Melburn mund të jemi te 5000-6000 veta”.
Përparim thotë se i mungon Shqipëria, por është skeptik kur pyetet nëse mendon ndonjëherë kthimin në vend. Ai shtroi pyetjen përse emigrantët shqiptarë nuk kthehen në Shqipëri? Dhe për këtë renditi disa arsye.
“Pyetja mund të bëhet, përse emigrantët nuk kthehen në Shqipëri? Unë isha vitin e fundit se më ndërroi jetë babi dhe të them të drejtë jam zhgënjyer me mënyrën se si administrata qoftë private apo shtetërore vazhdon ligji që në Shqipëri duhet të njohësh dikë që të bësh diçka. Në Perëndim ajo që të takon ti e merr. Po ata njerëz që nuk i kanë ato mundësi? Këtu bëhet fjalë për gjëra shumë banale që nuk ka logjikë. Ne nuk na intereson që të gënjejmë, në qoftë se ne duam që të mësojmë nga gabimet tona, duhet t’i themi gjërat ashtu siç janë”, u shpreh Përparim Xhaferi nga Melburni i Australisë.
Prej 28 vitesh në SHBA, Oriana rrëfen se si nga një studente tashmë drejton një kompani energjetike
Oriana Eysman është një shqiptare e cila prej 28 vitesh e ka ndërtuar jetën e saj në Shtete e Bashkuara të Amerikës. Aktualisht ajo jeton në zonën e ‘West Palm Beach’ në Florida dhe historia e saj në shtetin e Amerikës ka nisur në kohën kur ajo ishte një studente dhe shkoi atje me një program shkëmbimi ku më pas fitoi bursë në një kolegj privat në Virxhinia.
Oriana ka treguar në emisionin Opinion në Tv Klan se i është dashur të punojë gjatë periudhës së studimeve ku fillimisht ka punuar si përkthyese për pedagogët në kolegj dhe më vonë kur fitoi edhe dokumentat nisi të punojë jashtë kolegjit përsëri si përkthyese.
Blendi Fevziu: Sa vite ke Oriana që je larguar nga Shqipëria?
Oriana Eysman: Jam larguar 28 vjet përpara në 1996. Jam lindur dhe rritur në Tiranë, por jam çame dhe nga ana e mamit edhe e babit.
Blendi Fevziu: Si shkove në Amerikë?
Oriana Eysman: Vendosa të bëja studimet jashtë shteti. Shkollën fillore e kam bërë te ‘Kosova’ sepse isha shumë inteligjente dhe kisha një dhunti të jashtëzakonshme dhe ishin shumë mësues që më thonin të vazhdoja studimet jashtë. Erdha në Amerikë me program shkëmbimi, jo me dokumenta qëndrimi dhe kisha të drejtën për të ndenjur për një vit. Ai vit ishte një luftë e madhe jo vetëm që të pranohesha, por edhe të fitoja bursë dhe fitova bursë nga një kolegj privat në Virxhinia. Fitova një bursë që është 50% të programit dhe 50% tjetër ishte 13 mijë Dollarë të tjerë dhe në atë kohë duhet të punoja dhe bëja punë të ndryshme, por qëlloi që ata kishin nevojë dhe unë flisja 4 gjuhë e fillova të bëja përkthime për profesorët sepse e vetmja mënyrë që të kompensohesha ishte nëpërmjet universitetit nëse punoja në universitet.
Ndërkohë aktualisht Oriana është e punësuar si drejtoreshë në një kompani energjetike dhe është martuar më një shtetas amerikan me të cilin ka dy djem. Sa i përket faktit nëse djemtë e saj e pëlqejnë Shqipërinë, ajo shprehet se njëri prej tyre e pëlqen shumë dhe djali tjetër jo edhe aq.
Blendi Fevziu: Aktualisht në çfarë pozicioni je?
Oriana Eysman: Aktualisht jam drejtoreshë në një kompani energjetike në divizionin për energjinë diellore dhe të erës. Kam mbaruar për Financë.
Blendi Fevziu: Që në fillim u vendose në Florida pas studimeve?
Oriana Eysman: Jo Blendi, nga Virginia që me bursën e fitova të plotë fitova edhe letrat për tu punësuar jashtë kolegjit dhe më morrën si përkthyese sepse ishte koha e luftës e sollën shumë refugjatë nga Kosova dhe majori i atij qyteti më morri në punë dhe më dha të drejtën për të vazhduar studimet atje. Por jeta ndodhi ndryshe sepse takova tim shoq që është amerikan dhe nuk fillova studimet, por bëra martesën, fëmijët edhe pastaj ju ktheva masterit.
Blendi Fevziu: Sa fëmijë ke Oriana?
Oriana Eysman: Kam dy djem në moshën 20 dhe 16 vjeç. Kanë ardhur në Shqipëri vetëm dy herë. Nuk ju pëlqeu shumë. Vetëm njërit nga djemtë i pëlqeu Shqipëria. Kam shpresa se njëri nga ata do kthehet. Njerit Tirana ju duk shumë rëmujë. I vogli është më shumë shqiptarë dhe vjen me mua viziton vendin.
Blendi Fevziu: Po ti vjen shpesh në Shqipëri?
Oriana Eysman: Tani këto vitet e fundit vij më shpesh, në fillim nuk paravija, por tani njëher në dy vite sepse ka shumë vende të bukura për të parë Blendi dhe mua më pëlqen të shikoj vende të tjera dhe njëher në dy vite më pëlqen që të shkoj.
Blendi Fevziu: A ndjen ndryshim Oriana nga koha që je larguar?
Oriana Eysman:Absolutisht shumë ndryshim. Kultura ka avancuar dhe jam shumë e gëzuar. Edhe hotelet edhe restorantet tani në Shqipëri janë si në Florida. Është bërë një investim. Mua më pëlqen shumë kultura shqiptare. Kultura më mungon, të kërcyerit dhe si e festojmë ne jetën. Sigurisht edhe familja.
U largua nga Shqipëria para 2 dekadash, Bajrami: 21 vjeç krijova kompaninë time në Boston
Greta Bajrami ka qenë vetëm 10 vjeç kur së bashku me familjen e saj vendosën të largoheshin nga Shqipëria drejt Bostonit. Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Bajrami shprehet se në moshën 21-vjeçare ajo ka krijuar kompaninë e saj.
Greta Bajrami, Boston: Kam lindur në Vlorë dhe pastaj kam jetuar në Tiranë. Merrem me parafabrikatet e çative dhe me energjinë solare. Këtu kam 24 vjet. Kam ikur me lotarinë amerikane me familjen në vitin 2000. Isha 10 vjeç. U vendosëm këtu në Boston. Në moshën 10-vjeçare nuk ishte e vështirë përballja me Amerikën, për prindërit mendoj se jo. Unë doja të kisha eksperiencat si në filmat amerikanë. Isha një fëmijë që doja të bëhesh avokate, kisha ëndërr që të vija në Shqipëri dhe jo çdo gjë ndodhi siç e kisha plan. 21 vjeç m’u dha mundësia për të punuar në rikonstruksion dhe 21 vjeç krijova kompaninë time. Jam vetëm unë që më lindi kjo ideja dhe mami e babi kishin shumë frikë. Po, në 21 vjeç vendosa të hap një kompani çatish dhe energjish solare. Sivjet është viti i 13, kemi 40 punëtorë, njihemi për çati dhe energji solare.
Greta Bajrami vjen pothuajse çdo vit në Shqipëri teksa tregon dhe marrëdhënien që kanë fëmijët e saj shqiptarë-latinë me atdheun e nënës së tyre.
Greta Bajrami: Më mungon që të kem një vend që është i imi dhe të ndihem sikur kam rrënjë në lagjen time. Vij në Shqipëri gati çdo vit. Kam një vajzë që është 17 vjeçe dhe një djalë, fëmijët janë latino-shqiptar. Vajza ka mësuar shqipen, djali jo dhe aq shumë. Është ndjesi tjetër kur shikon të dëgjosh fëmijët të flasin gjuhën tënde. Fëmijëve ju bën përshtypje tradita dhe besa e shqiptarëve. Vajza ime është super pozitive ndaj Shqipërisë. Kam kontakte me komunitetin shqiptar. Më pëlqen shumë të përfshihem dhe të mbajmë traditat tona.
Por a e mendon Greta Bajrami rikthimin në Shqipëri?
Greta Bajrami: E mendoj rikthimin në Shqipëri. Kemi një aplikacion dhe jemi fokusuar në Shqipëri dhe kemi futur shumë histori shqiptare dhe më e fundit është e Fadil Berishës. Do të mundohemi të vijmë në Shqipëri.
“Në Shqipëri isha e trepunësuar, por nuk e gjeja veten”/Fizikantja mjekësore: Këtu ka dinjitet
Me origjinë nga Kalivaçi i Tepelenës, e lindur në Fier, e rritur dhe e shkolluar në Tiranë ndërsa sot jeton në Londër ku ka gjetur veten. Xhulia Dosti ka bërë çdo përpjekje për të qëndruar në Shqipëri por vendin që i takon e ka marrë në një shtet tjetër.
Në historinë që ajo ndan me “Opinion”, ajo fitoi masterin në Zvicër për Fizikë Biomjekësore dhe në 2017 u kthye në Shqipëri ku bënte tre punë. Kjo nuk i mjaftonte për të arritur ëndrrat dhe qëllimet e saj që të ndihej po aq e përgatitur sa kolegët europianë.
Pavarësisht se bëri disa biseda për të gjetur një alternativë në atdhe, Xhulia u detyrua të largohej edhe pse është e para fizikante mjekësore e shkolluar në Shqipëri. Sot ajo jeton 40 minuta larg Londrës ku ka gjetur të gjithë vlerësimin e munguar.
Xhulia Dosti: Pa mbaruar masterin e nivelit të dytë, mua më kërkuan në Angli. Pata një bisedë përsëri sepse unë nuk hiqja dorë lehtë, nuk jam njeri që heq dorë, me Shqipërinë, me institucionarët e asaj kohe. Të gjitha gjërat ishin po ti hajde se do ta shohim dhe e kuptova, po bëhem shumë e bezdisshme thashë. Pa e mbyllur masterin, unë në shtator kam ardhur në Angli. Fillova punë si kërkuese shkencore në një universitet dhe e mbylla masterin online sepse kisha vetëm temën. Pas 10 muajsh mua m’u ofrua një punë në spital ku aktualisht punoj si fizikante mjekësore. Dua të theksoj që në masterin në Itali ishte një shkollë internacionale, u diplomova si ekselente dhe mbajta normalisht edhe fjalimin. Dua ta them këtë gjë se isha e para shqiptare në atë shkollë. Atyre u bënte përshtypje, natyrisht ne Italia na njeh, por jo tëna njihte në atë kuadrin që të dilja ekselente mes shumë shteteve të tjera, mos gaboj 17 shteteve të tjera. Kam filluar, ndihem e vlerësuar këtu ku jam, kjo gjë është ajo që më mungonte shumë. Nga ana ekonomike isha më mirë në Shqipëri.
Blendi Fevziu: Ishe më mirë nga ana ekonomike në Shqipëri?
Xhulia Dosti: Isha e trepunësuar, bëja goxha punë me këto spitalet private por nga ana e arritjeve të mia, e qëllimeve isha me një sy mes shumë njerëzve që kishin probleme dhe unë prandaj vendosa të iki, kjo është arsyeja pse jam këtu.
Blendi Fevziu: Nëse do ta hiqje profesionin që është një nga shtysat kryesore, nëse do vije në balancë ose do krahasoje jetën në Shqipëri me jetën që bën tani, ku jetoje më mirë?
Xhulia Dosti: Nuk kam stres këtu, Blendi.
Blendi Fevziu: Shqipëria është stresuese ë?
Xhulia Dosti: Kisha goxha stres, duhet të merresha me gjëra mediokre. Një njeri që punon në shkencë nuk ka nevojë të merret me ujëra. Nuk kisha nevojë të merresha me ujëra, kjo gjë mua më stoponte në atë çfarë unë doja të arrija. Ne punojmë me të sëmurët me kancer, jemi një interdisiplinë mes fizikës, mes biologjisë dhe kjo gjë na bënte, unë nuk e gjeta dot, e gjeta veten por nuk e kisha të lehtë nga ana e stresit. Tani jam goxha, e përballoj në mënyrë… Ka dinjitet këtu. Nuk para dëgjohet që në një vend të huaj të marrësh një karrige, por jam në një tavolinë të rrumbullakët dhe jam ulur aty, mes atyre./tvklan.al