Opinio-E shtrirë mbi tetë kodra, ashtu si shumë qytete të Europës, Athina është jo vetëm kryeqyteti i Greqisë, por sëbashku me Romën e Jeruzalemin është një ndër tre vendet më të rëndësishme të historisë antike të botës.

Athina është një vend ku qytetërimi antik njohu shkëlqimin e tij më të madh. 5 mijë vjet më pas, qyteti ruan fare pak ose aspak nga shkëlqimi i tij i dikurshëm, me përjashtim të disa rrënojave në kodrën ku ngrihet Akropoli.

Dhe pikërisht për këtë qytet antik, emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu ka realizuar një dokumentar më 31.03.2005, ku ndër të tjera vë theksin tek emigrantët shqiptarë.

Në atë periudhë 650 deri në 800 mijë ishte numri i emigrantëve shqiptarë që jetonin në Greqi, të cilët padyshim zinin vendin e parë. Thuhej se 400 mijë persona jetonin në Athinë dhe në rrethinat e saj. Gati 8% e popullatës së qytetit dhe njëkohësisht numri më i madh i shqiptarëve të përqëndruar në një qytet jashtë kufijve të Shqipërisë. Me 400 mijë shqiptarë, Athina duket se ishte kryeqyteti i dytë në botë me më shumë shqiptarë pas Tiranës.

Me 3500 vjet histori dhe nga më të lashtët në botë, Athina vijon të mbetet një nga qytetet më të rëndësishme të Ballkanit. Një qytet që ka lidhje të gjata me shqiptarët. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme greke në atë periudhë, 247 mijë  shqiptarë ishin të regjistruar në Athinë dhe rrethinat e saj.

Dora Bakojanis, kryebashkiakja e asaj kohe dhe një ndër personazhet më popullorë politik në vend, ishte e para grua që mori në dorë drejtimin e Athinës. Ajo po ashtu ishte një nga personazhet më të dashur nga emigrantët, të cilët ajo i ka mbështetur jo pak.

Në të vërtetë statistikat dëshmojnë se numri më i madh i ikjeve i takonte kryesisht viteve 1991 dhe 1994. Por një fluks i dytë intensiv ishte regjistruar dhe në vitet 1997-98. Pas 1999 numri i emigrantëve që tentonin të vendoseshin në Greqi ra dukshëm.

Pa ndonjë informacion të veçantë për Shqipërinë komuniste, qytetarët grekë u shokuan nga varfëria dhe mjerimi që po mbërrinte nga kufijtë e tyre veriorë. Imazhet e asaj kohe mbeten ende tronditëse. Pritja e parë qe mbresëlënëse, pasi edhe reportazhet e televizioneve bënin thirrje për të mbështetur këtë popullatë që ikte nga një prej regjimeve më absurde të botës dhe prej një varfërie thuajse afrikane. Por kjo pritje filloi shpejt t’i lërë vendin jo vetëm ftohjes, por edhe mërisë. Një mëri që u bë dominuese dhe që ka lënë ende gjurmë të forta.

Shqiptarët janë përfshirë më shumë sesa një herë në debate publike, ku përçmimi dhe racizmi kanë ngritur kokë dukshëm. Një prej tyre, më publiku, por padyshim edhe më i dhimbshmi ka qenë ai i Odise Cenajt. Ai ishte nxënësi më i mirë i shkollës ku studionte, pranë Selanikut. Sipas një rregulli të vjetër grek, nxënësi më i mirë i shkollës bëhej flamurmbajtësi i shkollës në ditën e parë të fillimit të saj. Por Odise Cenaj nuk do ta mbante kurrë flamurin që i takonte.

Çështja e tij u bë problem i debatuar në më shumë se 3 muaj, duke përfshirë personalitetet më të larta politike. Një vit më vonë Cenaj u largua drejt SHBA-së, ku nga Boston lëshoi deklaratën e parë:

“Kam arritur në një vend ku të gjithë të thonë mirëseerdhe dhe askush nuk të pyet për kombësinë”.

Një tjetër problem në atë kohë ka qenë edhe ai i zëvendësimit të emrave. Që të ishe i pranueshëm për pronarin, ndryshimi i emrit ishte hapi i parë. U desh kohë që si shqiptarët edhe grekët ta pranonin se kriminaliteti nuk ka kombësi dhe se një kriminel është thjeshtë një kriminel dhe duhej gjykuar si i tillë.

Por, problematikë ose jo, të detyruar ose jo, emigrantët shqiptarë vijojnë të jenë ende sot një nga faktorët kryesorë të marrëdhënieve mes dy popujve./ tvklan.al