#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar: Ilirjan Celibashi, Artan Hoxha, Enton Abilekaj, Redi Shehu, Marsela Karapanço, Ergys Mertiri

46 parti të regjistruara për “14 Majin”, Celibashi: Jo të gjitha do të marrin pjesë në zgjedhje

46 parti janë regjistruar për zgjedhjet vendore të 14 Majit. Por jo të gjitha këto parti shkojnë deri në fund të procesit zgjedhor.

Komisioneri Shtetëror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi, tha se një pjesë nuk do të marrin pjesë në zgjedhje sepse nuk arrijnë të paraqesin kandidatë.

“46 parti. Vetëm një pjesë do marrin pjesë në zgjedhje besoj unë sepse. Jo të gjitha, siç ka ndodhur në zgjedhjet e shkuara, jo të gjitha partitë e regjistruara fillimisht paraqesin kandidatë”, u shpreh Celibashi.

Kryekomisioneri u shpreh se shteti nuk i paguan të gjitha këto parti.

Celibashi në “Opinion”: Të drejtën për të paraqitur kërkesën për regjistrim në KQZ e ka Lulzim Basha

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka folur këtë të Martë në “Opinion” në Tv Klan për vendimin që mori sot për mos regjistrimin e Partisë Demokratike si subjekt zgjedhor.

Celibashi theksoi se të drejtën për të paraqitur kërkesa në KQZ, ligjërisht e ka zoti Lulzim Basha.

Ilirjan Celibashi: Ka vetëm një Parti Demokratike. Përpara KQZ-së, të drejtën për të paraqitur kërkesa, përfshirë dhe kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor e ka zoti Lulzim Basha.

Blendi Fevziu: Por, në Mars të vitit 2021 ai ka dhënë dorëheqjen, ai nuk do të jetë më kryetar, ju doni ta mbani me zor…

Ilirjan Celibashi: Kjo bazohet në dokumente, i vetmi dokument është ai i lëshuar nga Regjistri i Partive Politike, tej këtij dokumenti çdo shprehje tjetër e ligjërimeve nuk është e ligjshme, duhet gjithmonë aspekti dokumentar i faktit. Pala e interesuar në procesin e regjistrimit e përfaqësuar nga zoti Indrit Sefa, ka paraqitur vërtetimin e Gjykatës së Tiranës ku kryetar i PD është Basha dhe ka një autorizim nga Basha, për të kryer veprimet e nevojshme.

Emri i kujt do të vendoset krahas PD-së në fletën e votimit? Si përgjigjet Celibashi

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ishte i ftuar në emisionin “Opinion” ku sqaroi vendimin e tij për të mos pranuar kërkesën e grupimit Alibeaj për të regjistruar PD-në në zgjedhjet e 14 Majit. Megjithatë ekziston një mundësi që ky vendim të kthehet në KAS ose në Kolegj Zgjedhor.

Celibashi u pyet këtë të martë se çfarë emri do të shënohet në fletën e votimit krahas PD-së nëse KAS ose Kolegji Zgjedhor i jep të drejtë grupimit Alibeaj. Kryekomisioneri la të kuptohej që do të vendosej emri i Lulzim Bashës, duke qenë se rezulton si kryetar i PD-së.

Blendi Fevziu: Nëse KAS ose Kolegji Zgjedhor i jep të drejtë, domethënë përfaqësimit të zotit Alibeaj që të regjistrohet në zgjedhje. Në fletë do shënohet, PS, Edi Rama. PL, Ilir Meta. Partia Demokratike, kush emër do shënohet?

Ilirjan Celibashi: Ja më thoni ju kush emër do shënohet?

Blendi Fevziu: Lulzim Basha? Si do shkojnë shqiptarët të votojnë, PD, Lulzim Basha? Pra edhe po u regjistrua Alibeaj, emri do mbetet Lulzim Basha?

Ilirjan Celibashi: Kush mund të ishte emri tjetër që do të shënohej në fletën e votimit përbri Partisë Demokratike?

Blendi Fevziu: Po si, Lulzim Basha nuk është në zgjedhje?

Basha i dorëhequr, emri i tij në fletë votimi?

Blendi Fevziu u shpreh mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan se Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të PD-së një vit më parë dhe shtroi pyetjen nëse vendosja e emrit të këtij të fundit në fletën e votimit përbën një mashtrim publik.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi u përgjigj se ndan të njëjtën pikëpamje me Fevziun, por përpara çdo parimi sipas tij qëndron zbatimi i ligjit.

Blendi Fevziu: Në letër ti do t’i ofrosh votuesit shqiptar, kryetar është Lulzim Basha, a është një mashtrim?

Ilirjan Celibashi: Jam plotësisht dakord me narrativën tuaj, ndaj absolutisht të njëjtën pikëpamje, por ajo çfarë ka më shumë rëndësi dhe që prevalon përpara çdo lloj parimi apo principi, është zbatimi i ligjit. E ka zgjidhur ligji, ka vendosur ligji çfarë është e drejtë. E them sinqerisht, kam gjithë keqardhjen për këtë situatë. E kuptoj shumë mirë, e kam aftësinë për të kuptuar rëndësinë e këtij momenti, por në fund të fundit duhet të zbatohet ligji. Nëse zbaton ligjin  nuk dëmton pluralizmin e as strukturat e demokracisë.

Celibashi në “Opinion”: Si mund të regjistrohet PD në zgjedhje

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ishte këtë të martë i ftuar në emisionin “Opinion” për të folur në lidhje me vendimin për të mos pranuar kërkesën e PD-së për regjistrim në zgjedhjet e 14 Majit.

Ai u pyet nga Blendi Fevziu se cila është zgjidhja e kësaj situate. Sipas Celibashit, përfaqësuesit e grupimit Alibeaj kishin edhe sot kohë për ta adresuar çështjen në gjykatë. Sipas tij një parti politike mund të vlerësojë që të udhëhiqet nga nënkryetari.

Por për Celibashin kjo duhet bërë menjë proces në gjykatë për t’i dhënë nënkryetarit legjitimitetin e plotë që të veprojë si kryetar.

Blendi Fevziu: Cila është zgjidhja? Çfarë do ndodhë?

Ilirjan Celibashi: Duhet që të ishte rregulluar. Edhe sot kishin kohë. Ia thashë përfaqësuesit të Partisë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën, që nëse kanë interes për ta adresuar këtë çështje, mund të merrnin gjithë kohën dhe nuk rrezikonin asgjë.

Artan Hoxha: Duhet të çojnë emrin në gjykatë thoni ju?

Ilirjan Celibashi: Po patjetër.

Artan Hoxha: Që ju ta lexoni regjistri i partive.

Ergys Mërtiri: Nuk e njeh gjykata!

Ilirjan Celibashi: Tani e njeh, s’e njeh gjykata nuk mbaj përgjegjësi unë. Nuk ka asnjë detyrim, për asnjë parti politike që detyrimisht të zgjedhë kryetarin. Një parti politike mund të vlerësojë që të udhëhiqet nga nënkryetari. Por në këtë rast nënkryetari ka legjitimitetin e plotë që të veprojë si kryetar, por duke e bërë këtë proces në gjykatë.

Ergys Mërtiri: Por gjykata nuk e njeh pa bërë këta zgjedhje sepse statuti ua kërkon.

Ilirjan Celibashi: Nuk ka nevojë të bëjë zgjedhje, nuk ka.

Ergys Mërtiri: Si e njeh gjykata?

Ilirjan Celibashi: Duhet ta njohë.

Artan Hoxha: Gjykata mund të lexojë statutin. Pyetja ime është pse gjykata mund të lexojë statutin dhe ju jo?

Ilirjan Celibashi: Sepse është atribut i gjykatës për ta lexuar statutin, jo i yni.

Debat në “Opinion”, Mërtiri-Celibashit: Keni lënë vendin pa opozitë me një kleçkë ligjore

Analisti Ergys Mërtiri ka akuzuar mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan Kryekomisionerin Ilirjan Celibashi se ka bërë interpretime politike, duke e lënë vendin pa opozitë. Sipas Mërtirit dhe prezenca e Celibashit në studion e “Opinion” përbën politikë.

Kjo akuzë e tij është kundërshtuar nga kryekomisioneri, si dhe nga Blendi Fevziu i cili theksoi që të gjithë kryetarët e KQZ-së që nga viti 1991 e deri më sot kanë dhënë intervista për të.

Ergys Mërtiri: Zoti Celibashi ka bërë një interpretim, si çdokush që bën një interpretim, po për shkak të një interpretimi shkelet e drejta e shqiptarëve kushtetuese për të votuar, mua më duket përgjegjësi shumë e madhe. Keni lënë vendin pa opozitë me një kleçkë ligjore.

Ilirjan Celibashi: Ju si mendoni, përse ka ndodhur kjo?

Ergys MërtiriKa edhe interpretim ligji, ka dhe frymë ligji

Ilirjan Celibashi: Ju si mendoni, ka ndodhur sepse ky vendim është marrë në shërbim të interesit politik të dikujt tjetër?

Ergys Mërtiri: Juve? Po pra, pse jo?! Pse ta vë në dyshim këtë gjë?

Ilirjan Celibashi: Po ju pyes ju, është marrë sepse është bërë interpretimi i gabuar i ligjit, si thoni?

Ergys Mërtiri: Unë mendoj se keni bërë një interpretim tuajin dhe për mendimin tim keni bërë një katastrofë. Vetë prania juaj këtu është politikë. Ju veproni me ligj, me dokumente zyrtare, nuk jeni këtu për të sqaruar… Keni parë kryetarë gjykatash që japin shpjegime…?

Blendi Fevziu: Që prej vitit 1991, kur unë si gazetar i kam marrë intervistë Rexhep Mejdanit kryetar i KQZ-së dhe deri sot çdo Kryetar i komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë në këtë studio, pa asnjë dallim, të gjithë. Ti thua mos të dalin, edhe Kryeministrit thuaji mos të dalë, ministrave!

Ergys MërtiriKryetari i Komisionit është i mirëpritur të shkojë në studio dhe të flasë për të krijuar besim te qytetarët për procesin.

Blendi Fevziu: Çdo kryetar i Komisionit të Zgjedhjeve ka dhënë dhe përshtypjen, zoti Celibashi ka qenë dhe këtu e 22 vjet më parë në këtë studio.

Celibashi në Opinion: Pala e Alibeajt e ka ditur problemin dhe nuk kanë bërë asgjë

Analisti Redi Shehu ka pyetur kryekomisionerin Ilirjan Celibashi mbrëmjen e sotme në “Opinion” se a është e vërtetë që pala e Alibeajt e kanë ditur problemin që qëndronte te dokumenti i autorizimit, për të cilin u dha afat 48 orë për ta plotësuar.

Celibashi u përgjigj se është krejtësisht e vërtetë dhe se paralajmërimin se PD rrezikon të mos regjistrohet si subjekt zgjedhor e ka dhënë që para një muaji.

Redi Shehu: Pala e Alibeajt e kanë ditur që do të hasin në këtë problem dhe kanë vazhduar me të njëjtën gjë për të shkuar te problemi, që do të thotë këta nuk kanë bërë qëllimisht atë që ju u keni thënë?

Ilirjan CelibashiAbsolutisht po! E konfirmoj këtë sepse e kam marrëdhënien në përgjithësi me të gjitha partitë politike shumë të hapur dhe konstruktive, të paktën deri dje. Nëse ka qëlluar rasti ta keni verifikuar, para një muaji më 1 Shkurt unë kam thënë PD, duke e ditur e kam thënë publikisht që PD rrezikon të mos regjistrohet.

Fevziu-Celibashit: Si mund të regjistrohet në zgjedhje PD e drejtuar nga Sali Berisha?

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ripërsëriti mbrëmjen e kësaj të marte në studion e Opinion se ligjërisht ekziston vetëm një Parti Demokratike. Përgjigje që e dha edhe kur u pyet nga Blendi Fevziu sesi mund të regjistrohet në zgjedhje pjesa e kësaj partie që drejtohet nga Sali Berisha. Sa i përket grupimit të Alibeajt, ajo që u qartësua në studio, ishte se edhe nëse KAS po Kolegji Zgjedhor vendos që të pranojë ankimimin e palës së drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, atëherë në fletën e votimit krahas PD, emri i kryetarit do të jetë ai i Lulzim Bashës, ndonëse ky është dorëhequr një vit më parë.

Blendi Fevziu: Pjesa e PD që drejtohet nga Sali Berisha, si mund të regjistrohet në zgjedhje? Ju thoni që për te Alibeaj është çështja e ngërçit e emrit të kryetari të partisë dhe nëse e kuptova mirë edhe nëse KAS ose Kolegji Zgjedhor vendos që të regjistrohen, pra vendos që kjo deklaratë mund të firmoset nga Alibeaj, në letrën zgjedhore do shkruhet PD, Lulzim Basha.

Celibashi pohon me heshtje.

Blendi Fevziu: Çfarë bëhet me partinë tjetër të zotit Berisha?

Ilirjan Celibashi: Nuk ka parti tjetër, ka vetëm një parti.

Blendi Fevziu: Po tani si regjistrohet ajo, se që janë parti ata janë, s’janë me letrat që thotë gjykata, janë në realitet.

Ilirjan Celibashi: Nuk di të them sesi do të jetë sjellja e grupimeve të caktuara, qoftë këto edhe politikisht të përfaqësuara ose jo./tvklan.al